Pitcher: Skënderbeu fitimtar mori Maqedoninë deri në Shkup

Pitcher: Skënderbeu fitimtar mori Maqedoninë deri në Shkup

854
0
SHPËRNDAJE

Donald Edgar Pitcher, një nga orientalistët më të njohur për Perandorinë Osmane, vlerësonte lart rezistencën e Skënderbeut.

Në një publikim enciklopedik për Perandorinë Osmane, ai e quante Kastriotin si komandantin e vëtëm që i ndali hovin osmanëve kur ishin në zenithin e fuqisë së tyre, shkruan Konica.al.15025418_584410478409745_6742166804566331929_o-1

Me rëndësi për lexuesin shqiptar është fushata e Skënderbeut deri në Shkup. Ushtria arbërore më 1462 pati një fushatë të jashtëzakonshme në Maqedoni, duke vargëzuar fitore pas fitores ndaj trupave kufitare osmane.

Portali Konica.al sjell për herë të parë në gjuhën shqipe kapitullin për Shqipërinë nga vepra enciklopedike e Pitcher-it:

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë ngjarjet në Shqipëri ndahen në dy faza: (a) periudha e udhëheqjes së vazhdueshme të Skënderbeut (1451-68), gjatë të cilës ai luftoi me sukses kundër ushtrive sulmuese të turqve dhe kundër vështirësive të rivalëve në vendin e tij; dhe (b) periudha e pushtimit turk (1474-1503), kur Venediku ishte i paaftë për të frenuar avancimin dhe humbi drejtimin e dhënë nga Skënderbeu si dhe të gjitha zotërimet në bregdet.

 Kastrioti si komandant renditet lart në historinë ushtarake si armiku i vetëm këmbëngulës i osmanëve në ditët e tyre më të mira dhe që ishte gjithmonë ngadhnjimtar. Ai sprapsi dy sulme të drejtuara nga Murati II, dhe pastaj u bë një sprovë për vetë Pushtuesin (sulltan Mehmetin – shën. i red. Konica.al), i cili, njësoj si i ati i tij, u mposht në dy fushata (më 1466 dhe 1467).

Vala e sukseseve shqiptare vazhdoi: dy në vitin 1452, beteja e Mokrës më 1453, marrja e Beratit më 1455, një tjetër betejë më 1456, një në fushën në perëndim të Malit të Tomoricës në shtator 1457, marrja e Satit më 1459, dy beteja në Dibër dhe një pushtim i suksesshëm i Maqedoni deri në Shkup më 1462, dy fitore të tjera më 1464, dy në Dibër dhe një në Tiranë më 1456, disfata e Mehmetit në Krujë më 1466 dhe e Ballabanit në afërsi të Krujës dhe sprapsja e fushatës së dytë të sulltanit më 1467. Karshi gjithë këtyre rrjedhave të mrekullueshme ne duhet të shënojmë vetëm dështimin e Skënderbeut për të marrë fortesën turke të Elbasanit në vitin e ndërtimit të saj (1466).

 Megjithë shkëlqimin në fushë, Kastrioti nuk do të mund të bënte më shumë sesa t’i mbante zotërimet që kishte; referenca në hartë do të tregojë se me përjashtim të fushatës së Shkupit, të gjitha fitoret zunë vend në trevën e ngushtë të Shqipërisë veriore. Besëlidhja e të gjithë princërve ishte shkërmoqur përballë xhelozive të disa prej rivalëve të tij, dhe më 1451 ai u shtrëngua të merrte një ndihmë të jashtme duke e njohur Alfonsin V të Napolit si zotin e tij. Më 1456 Venediku drobiti kauzën e tij duke e caktuar Aranit Komnenin si kapiten të vendit, dhe pavarësisht se republika shpejt e kuptoi nevojën për mbështetjen e Skënderbeut si qendra e vërtetë e rezistencës kombëtare, vdekja e Alfonsit më 1458 e privoi atë nga një aleat të afërt dhe të vlefshëm dhe turqit nga një armik afërsia e të cilit ndaj portit të Vlorës ishte shpesh tejet kanosëse ndaj kësaj baze detare në Adriatik.

As fitoret e vazhdueshme nuk u shkëputën osmanëve territoret që i mbanin në jug të Shqipërisë. Marrëveshja e vitit 1461 dhe paqja e prillit, 1463, ishin më të leverdisshme për ta sesa për malësorët, dhe përforcimet që u lanë pas fushatës së parë të Mehmetit më 1466 shërbyen për të ngushtuar lakun. Kah fillimi i vitit 1467 vetëm Kruja mbeti si qendra e trevës kryengritëse, dhe nëse disfata e dyfishtë e Ballabanit dhe zotit të tij e lehtësoi kërcënimin për pak kohë, vdekja e Skënderbeut në janar të vitit 1468 shënoi fillimin e rënies. Venediku tani mori drejtimin e kryengritjes, por disa zotër shqiptar iu shtruan sulltanit, dhe ne gjejmë emrat e Skurrajve dhe Dukagjinëve që shfaqen në listën e oficerëve osmanë.

 Fushata filloi më 1474 kur Hadim Sylejman Pasha iu qas Shkodrës (turqisht Iskenderiye), por pas gjashtë javësh ai u shtrëngua të fillonte rrethimin, dhe ia doli mbanë të shkatërronte kështjellën e Danjës.

Më 1477 Gjedik Ahmet Pasha rrethoi Krujën, e cila bëri qëndresë trimërore për mbi një vit derisa iu dorëzua vetë Sulltanit në qershor të vitit 1478. Mehmeti pastaj vazhdoi rrethimin e Shkodrës, e cila u bëri ballë të gjitha sulmeve, kështu që ai u tërhoq në shtator, duke lënë gjeneralët e tij të merrnin Zhabjakun, Drishtin dhe Lezhën, kurse Gjedik Ahmeti vazhdoi qerthullimin e Shkodrës. Kjo fortesë bëri qëndresë me sukses derisa iu dorëzua Mehmetit me paqen e bërë më 25 janar 1479, që pushoi edhe pikën guerile të Himarës në jug, por Tivarin, Budvën, Ulqinin dhe Durrësin i la si zotërime veneciane në bregdetin shqiptar. Nga to Durrësi ra më 1501 gjatë luftës tjetër, por turqit u infiltruan në trevat bregdetare rrotull porteve të mbijetuara veneciane, të gjitha ato që republika mbante në bregdetin shqiptar. Venediku për ca kohë më 1479 rimorri Lezhën, por ajo u dorëzua prapë në bisedimet e vitit 1506 që i shënjuan kufijtë e sugjeruar më 1503.

 Më në jug, kundrejt Korfuzit, Venediku humbi një ose dy prej zotërimeve të tij si Butrinti dhe Sopoti, por ata ndryshuan duart aq shpesh sa është e vështirë të qëmtohet fati i tyre. Në të vërtetë, edhe pse malësitë e Epirit të veriut ishin sa për sy e faqe nën sundimin osman prej fillimit të mbretërimit të Mehmetit, ato vazhduan të ishin vatra qëndrese që shkaktonin vazhdimisht trazira dhe thërrisnin ndihmën veneciane; kështu ne e gjejmë Bajazitin të sulmojë Himarën më 1490 dhe Tepelenën më 1492, kurse në malësitë në juglindje të Shkodrës  mirditorët katolikë arritën të ruajnë autonominë e tyre nën princin e shtëpisë Doda.