Udhëpërshkrimi i Branislav Nushiqit për Kosovën (1912)

Udhëpërshkrimi i Branislav Nushiqit për Kosovën (1912)

674
0
SHPËRNDAJE

Branislav Nushiq ishte dramaturg dhe satirist, themelues i retorikës moderne serbe.

Thuhet se ishte vllah, por ka disa të dhëna që origjinën e tij e nxjerrin shqiptare – nga arbëreshët e Greqisë. Është autor i librit “Kosova: Përshkrimi i tokës dhe popullit”, ndërsa ishte edhe konsull i Serbisë në Prishtinë, në kohën e Perandorisë Osmane.

Gjatë misionit të tij si konsull, natyrisht se ka punuar sipas interesave të Serbisë. Mirëpo, ka lëvizur nëpër trojet shqiptare, duke qenë ndër serbët e parë që në përcjellje të shqiptarëve ka hyrë në Drenicë.

Kështu, në udhëpërshkrimet e tij që nuk ndërlidhen me politikën ka shumë saktësi, meqë për dallim nga shumica e historianëve serbë thotë se shqiptarët kanë origjinë ilire dhe se vllahët janë ilirë të romanizuar.

Natyrisht, është po ashtu mbështetës i tezës së pasaktë që shumë serbë të Kosovës janë asimiluar në shqiptarë. Më poshtë Telegrafi ju sjell një udhëpërshkrim të tij për Kosovën, të shkruar më 1912.

Periudha në të cilën fillon historia, i gjen në Kosovë dardanët, një fis ilir i cili ka banuar në viset rreth Shkodrës së vjetër, Sharrit të sotëm.

Rrafshin e Kosovës, të lagur mirë dhe të pëlleshëm, të pasur me ar, argjend dhe xehe të tjera, me bukë, verë dhe ushqime tjera për njerëz e kafshë, kanë tërhequr pushtues të ndryshëm që iu sulën që nga shekulli i katërt para Krishtit.

Prej atyre pushtimeve, pas luftërave të gjata romako-ilire, pushteti romak, që zgjati tetë shekuj, deri nga fundi i shekullit katërt i epokës së re, pati ndikim më të madh te banorët e këtushëm.

Një ndikim të tillë e kishin sidomos kolonitë romake, çfarë në Kosovë, sipas gjurmëve, kanë qenë bukur shumë, veçmas afër minierave rreth të cilave romakët më së shumti grumbulloheshin.

Me qeverisje të gjatë të këtyre tokave, me fuqinë e jetës kulturore dhe shkallën e arsimit, e cila ishte shumë më e lartë se ajo që e kishin gjetur te vendësit, ata i mundën aq shumë vendësit sa këta pranuan gjuhën, doket e madje edhe fenë e romakëve. Këta ilirë të romanizuar, serbët që erdhën më vonë këtu i quajtën vllahë. Edhe sot ekzistojnë gjurmë për vendësit e latinizuar në toponimet në Kosovë, siç janë fshatrat Vllashkobar, Vllahinje, Rimanishtë (Rumanishtë) etj.

Ajo pjesë e vendësve, që jetoi nëpër vise më të izoluara, u ruajt nga ndikimi i kulturës së pushtuesve dhe ka ruajtur sot e kësaj dite të gjitha vetitë e veta dhe gjuhën ilire dhe kjo pjesë sot quhet arnautë, ose shkiptarë.

Pra, shqiptarët, por jo edhe elementet e shqiptarizuara më vonë, janë vendësit më të vjetër në këto pjesë, ose më saktësisht janë pasardhës të vendësve të atillë çfarë kanë qenë para pushtimeve romake.

Mirëpo, greqizmi i vendësve, që ka ndodhur në Gadishullin Ballkanik, njëkohësisht me latinizmin e përmendur, nuk arriti kurrë deri në këto vise, por u bë vetëm në jug (të Ballkanit), andaj kjo dukuri as nuk pati ndikim në fizionominë e popullsisë për të cilën shkruaj në këtë udhëpërshkrim.

Pas lëvizjeve të dukshme, që filluan nga fundi i shekullit të tretë dhe vazhduan gjatë shekullit të katërt, të pestë e të gjashtë, në këto vise paraqiten edhe serbët, të cilët këtu gjejnë vendësit, ilirët (arbanasët) dhe ilirët e latinizuar (vllahët). Serbët është dashur të popullojnë bukur dendur rrafshin e Kosovës dhe t’i shtyjnë vendësit, të cilët tërhiqeshin para kësaj vale të re të pushtimit.

Vendësit më së shumti u tërhoqën në rrethinat e Sharrit dhe në Karadak të Shkupit dhe, duke qëndruar aty, arritën më së shumti të ruajnë karakterin dhe doket e vjetra.

Me ardhje gjithnjë e më të shumtë, serbët filluan t’i japin një fizionomi të re tokës, duke i kthyer mbrapshtë, ose duke i zëvendësuar me toponime të reja emrat e vendbanimeve (lokaliteteve), lumenjve dhe bjeshkëve (maleve). Kësisoj, Shkodra e vjetër u quajt Sharr, Ulpiana – Lipjan dhe kështu me radhë edhe Llapi, Ibri etj. Ata sollën edhe emra të rinj, si: Vuçitërn, Golesh, Jezerac, Sitnica, Nerodimka etj.

Që nga ajo periudhë, serbët bëhen edhe zotërues të këtyre viseve dhe të rrethanave të atjeshme, deri në kohët e fundit. Shekulli i katërmbëdhjetë i solli në Ballkan edhe turqit, ndërsa beteja e Maricës i solli edhe në Kosovë. Shpërngulja e serbëve filloi menjëherë pas pushtimit të Kosovës.

Por, shpërnguljet në masë, të cilat kanë ndryshuar goxha fizionominë e rrafshit të Kosovës, është ajo nën udhëheqjen e Arsenije III Çarnojeviqit, e dyta nën atë të Arsenije IV Jovanoviqit, e cila, pos pjesëve të afërme me Patrikanën e Pejës, përfshiu një pjesë relativisht të madhe të Kosovës. Atëbotë serbët braktisën fshatrat e bukura dhe tokat e pëlleshme, shtëpitë dhe pronat, ndërsa shqiptarët zbritën nga bjeshkët e tyre jopjellore e të shkreta dhe populluan fshatrat e zbrazëta.

Nga ajo kohë pati vazhdimisht shpërngulje të vogla, ndërsa ato u shtuan pas luftës serbo-turke dhe sidomos në vitet 1881, 1882 dhe 1883 dhe ato zgjasin edhe në këtë kohë (1912).

Pas luftës serbo-turke, shpërngulja në përmasa më të gjera u shkaktua nga dy arsye. Shqiptarët, banorët e Kosovës, për shkak të luftës filluan t’iu hakmerren serbëve.

Nga ana tjetër, nga kufijtë e rinj të Serbisë, shqiptarët e dëbuar filluan të vijnë në masa të mëdha në Kosovë, që e kishin vendin më të afërt me pronat e tyre, që u kishin mbetur në Serbi (Toplicë), duke zënë pronat e serbëve që kishin braktisur Kosovën. Këta, të njohur me emrin muhaxhirë, vërshuan Kosovën, duke përzënë serbët për t’i bërë vend vetes.

Në fakt, atyre cari (turk) u kishte falur toka ku ngrehnin fshatrat e veta, por këto ishin vende jo të shëndosha dhe për këtë arsye edhe më parë të papopulluara. Kështu, për shembull, muhaxhirët i patën dërguar rreth ligatinës së Sazlisë dhe Robovcit, të cilat kishin shterur nga uji, për ta shndërruar në fushë. Së këndejmi, ata në vend të tokave që ua kishte falur cari, më me qejf ndërtonin shtëpi pranë fshatrave serbe dhe bënin të tërë të mundurën që t’i shpërngulin nga aty serbët dhe t’i merrnin pronat e tyre. Në këtë tentim, shumë prej tyre edhe patën sukses.

Kësisoj, pra shqiptarët, njëkohësisht nga dy anët vërshonin fshatrat serbe: një pjesë nga bjeshkët, që lëshoheshin drejt Sitnicës, kurse të tjerët nga pronat e veta në Toplicë.

Pos këtyre, muhaxhirëve, që nga viti 1858 e deri në vitin 1862 në Kosovë vinin edhe çerkezët, të cilët pas luftës së Krimesë këtu i solli qeveria otomane.

Në Kosovë fiset më të fuqishme janë ato Gashi dhe Berisha. Fiset tjera janë më të shpërndara. Në anën jugore të Kosovës janë fiset Drobnjaku, Sopi, Krasniqi, Kryeziu, Kelmendi, Thaçi etj., ndërsa nëpër anët tjera fiset Bytyçi, Hoti, Shala, Elshani, Metplaka etj.

Në Kosovë nuk ka shumë shqiptarë katolikë, ndërsa më të afërtit jetojnë në Dukagjin, në nahinë e Gjakovës e të Pejës. Osmanlinj, përkatësisht turq të vërtetë në Kosovë nuk ka.

Këtë racë e përbëjnë kryesisht nëpunësit shtetërorë, kurse luftëtarët e dikurshëm që të gjithë kanë ikur. Rreth Novobërdës janë ruajtur deri në ditët e sotme rreth 15 familje turke, të cilat kanë ardhur këtu menjëherë pas Betejës së Kosovës. Sot aty mezi janë dy shtëpi, të tjerët janë shpërngulur apo kanë vdekur, ndërsa disa familje janë shpërngulur në Prishtinë.

Është e vërtetë se në administratë duhet të përdoret gjuha turke, por shumë shpesh përdoret edhe gjuha shqipe.

Ndërmjet viteve 1858 dhe 1862, në Kosovë erdhën 6000 familje çerkeze. Ardhjen e tyre nuk e pranuan mirë as shqiptarët, as turqit dhe ata as sot e kësaj dite nuk janë në raporte të mira, mbase për shkak se çerkezët kanë ruajtur doket e veta dhe jetojnë me një jetë disi ndryshe.

Çerkezët nuk popullonin fshatrat e zbrazura, por ndërtonin për vete fshatra të reja, andaj sot në Kosovë ka toponime Çerkez-kej, Jeni-çerkez etj. Ndonëse jetojnë tash e gjashtë dekada në këtë vend, çerkezët ende nuk kanë mësuar as gjuhën shqipe, as atë turke, pos atyre të cilët jetojnë nëpër qytete dhe për shkak të punës me të cilën merren.

Çerkezëve nuk u konvenon jeta në këtë rrafshinë, dhe kjo ka bërë që numri i tyre të bie dukshëm dhe të shpërngulen. Sidomos u shpërngul një numër i madh i tyre pas luftës serbo-turke, kështu që sot në Kosovë nuk kanë mbetur më shumë se 400 familje.

Vllahë ka bukur shumë dhe ata merren me tregti. Jetojnë nëpër fshatra, ku kanë hapur dyqane, por më së shumti kanë dëshirë të grumbullohen rreth tregjeve të mira, siç janë ai i Mitrovicës, i Prishtinës dhe i Ferizajt. Populli i quan goga. Kryesisht janë ardhacakë nga Vilajeti i Manastirit. Të gjithë janë të fesë ortodokse.

Hebrenj ka nëpër qytete, ku merren me sarafllëk dhe tregti me drithëra, lëkura dhe mallra të manifakturës.

Në fshatra nuk shkojnë, por as nëpër qytete të vogla nuk rrinë më gjatë. Në Vushtrri për shembull nuk jeton asnjë hebre. Në Prishtinë e kanë komunën e tyre dhe rabinin (priftin), madje edhe shkollën me shtatë nxënës.

Janë pak me numër dhe në shërbim të administratës shtetërore turke, por të tillët janë hebrenj nga Selaniku që janë muhamedanizuar në sektin donme.

Pas dëbimit nga Rusia, një numër i madh hebrenjsh u shpërngul në Turqi, ndërsa nga ato pastaj 50 familje erdhën në Prishtinë. Për çudi, brenda dy vjetëve vdiqën anëtarët e të 50 familjeve, kështu që tashti asnjë nuk jeton.

Jevgjit (romët), prej të cilëve ka edhe ortodoksë edhe muhamedanë, jetojnë nëpër qytete dhe fshatra, duke u marrë kryesisht me zeje kovaçi dhe me muzikë. Çdo qytezë ka mëhallën e vet të jevgjve, që është e ndarë nga të tjerët. /Telegrafi/