Gramshi, qyteti i mrekullive “të fshehura” (VIDEO)

Gramshi, qyteti i mrekullive “të fshehura” (VIDEO)

12886
0
SHPËRNDAJE

Bukuritë e magjishme që Mesdheu dhe klima shumë e përshtatshme, na ofron mundësinë e disa pamjeve të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Sot do të flasim pikërisht për vendet e mrekullueshme që mund të gjeni në zonën e Gramshit.

I fshehur prej shumë vitesh nga mungesa e infrastrukturës dhe i konsideruar si një xhep deri një vit më parë, Gramshi e ka fituar vëmendjen. Bukuritë e rralla natyrore të kësaj zone ende konsiderohen të virgjëra dhe larg dorës së njeriut.

Rrethi i Gramshit ndodhet në pjesën qendrore dhe jugore të Shqipërisë, që nga Qafa e Shënkollit, Lleshan në veri deri në Siman (Sqimar) në jug dhe nga Saraseli në perëndim, deri në malin e Valamarës, Lenie në lindje. Sipas të dhënave statistikore të vitit 2004, ky rreth numëron 42.616 banorë.

Gramshi është 97 kilometra larg Tiranës, 94 kilometra larg Korçës dhe 47 kilometra larg Elbasanit. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 804 metra, ndërsa ajo më e larta është 2.373 metra (Mali i Valamarës), ndërsa minimalja është 119 metra.

Ky rreth shquhet jo veçse për muzikën burimore si “Fyejt e Gramshit”, Lojërat Popullore, por edhe për monumentet “e panumërta” natyrore.

Duke qenë me një klimë të përshtatshme për çdo lloj sporti dhe një pozitë të favorshme gjeografike, kodrinoro-malor, duke na “dhënë” peizazhe të përkryera që nga luginat e gjëra lumore e deri tek kanionet, burime të shumta ujore e ujëvarat, ujërat e pijshëm dhe ato termale, por edhe hektarë të tërë me pyje rrobulli, ahu e pishe.

Monumentet natyrore më kryesore

Jo larg Gramshit ndodhet Mali i Valamarës, që siç e quan Bashkia e Gramshit përfshihet në “turizmin e bardhë”, ndërsa për turizmin kurativ shfrytëzohen burimet e “Liqenit të Zi”, apo turizmi kulturor e fetar në “Grabovën e Sipërme”.

Sipas Bashkisë së Gramshit”…të gjitha këto janë një potencial, të cilëve në qoftë se u jepet vëmendja dhe mbështetja e duhur nga organet përkatëse, duke dhënë investimet e duhura, pa frikë, brenda një kohe shumë të shkurtër mund të zërë vendin e parë në të ardhurat që ajo mund të sjellë në ekonominë e këtij rrethi”.

“Shkëmbi (Kanioni) i Kopaçit (Grabovë)”

Bën pjesë në qarkun e Elbasanit dhe rrethin e Gramshit. Ndodhet në të djathtë të “rrugës” nga Lenia në Grabovë (Lindje-Perëndim) dhe është nën pronësi të komunës Grabovë e Sipërme. Kanioni apo Shkëmbi i Kopaçit ndodhet në lumin e Grabovës, në afërsi të fshatrave Grabovë e Sipërme dhe Lenie.

Ky Monument Natyre, ka një gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash e me thellësi rreth 500 metra. Gjerësia midis dy shpateve të thepisura (të ndara më dysh) është afërsisht 10-15 metra, duke përbërë një ekosistem të veçantë karstik. Rruga nëpërmjet të cilës mund të arrihet: Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Grabovë e Poshtme-Lenie rreth 38 kilometra, ndërsa përmes rrugës këmbësore nga fshati Lenie – Kanioni afërsisht, 1 kilometër.

“Liqenet e Valamarës”

Ndodhen në afërsi të Lenies, në shpatin perëndimor të malit të Valamarës (2.373 metra). Përbëjnë një grup prej tre liqenesh akullnajore me gjatësi 300 metra dhe gjerësi 200 metra, duke formuar një ekosistem interesant të liqeneve alpine. Ndodhen në pozicionin gjeografik të veri-lindjes, në lartësinë 2.226 metra. Me makinë mund të arrihen nga Gramshi-Lenie-Liqeni i Zi, në një distancë prej 47 kilometrash nga qyteti. Ndërsa në rrugë këmbësore, në drejtimin fshati Lenie – Liqenet, në distancën 12 kilometra.

“Moçalet e Grabovës”

Ndodhen në Grabovën e Sipërme, në fund-shpatin e malit të Valamarës (Veri-Perëndim) në lartësinë 1.600 metra mbi nivelin e detit (mbi fshatin Grabovë e Sipërme), me një sipërfaqe prej 50 hektarësh, në formën e një shumëkëndëshi të çrregullt me gjatësi 800-1000 milimetra dhe gjerësi prej 400-5000 milimetrash. Përfaqësojnë një mjedis natyror malor, me pamje e bukuri natyrore mbresëlënëse; me vlera ekologjike me kullotën dhe livadhe me një florë të pasur barishtore.

Njihen ndryshe nga emërtimet popullore si Moçalet, Gropa e Kryqit apo Prishtakoll. Ka kullota me drurë e grupe drurësh pyjor Rrobulli (Pinus Heldrieci), në brendësi dhe rreth Moçalit me moshë më se 100-vjeçare. Në brendësi të këtij Monumenti Natyre (Shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.676, datë 20.12.2002) burojnë dhe rrjedhin një numër i konsiderueshëm burimesh ujore, nga ku kanë marrë dhe emrin “Moçalet e Grabovës”.

Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet është nga Gramshi-Kodovjati-Bulçari-Grabovë e Sipërme, afërsisht 42 kilometra, ndërsa ajo këmbësore nga fshati Grabovë e Sipërme – Monumenti i Natyrës, në një distancë prej 1.4 kilometrash.

“Rrobulli i Valamarës”

Ndodhet shumë pranë fshatit Grabovë e Sipërme (Veri-Lindje) në Malin e Valamarës, në lartësinë 1.425 metra, mbi nivelin e detit. Përfaqëson një sipërfaqe pyjore prej 8 hektarësh në llojin pyjor rrobull (Pinus Heldriechi), me gjendje dhe zhvillim të mirë. Mosha e tyre daton 80 – 100-vjeçare, e sipas A.K.Z.M.-së, “evidentohen dhe dëmtime nga prerjet ilegale të drurëve nga banoret e zonës për nevojat e tyre”. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet është Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Grabovë e Sipërme, pothuajse 42 kilometra nga qyteti, ndërsa ajo këmbësore nga fshati Grabovë e Sipërme – Monumenti në distancën, 1.4 kilometra.

“Rrobulli i Grabovës”

Ndodhet në shpatin perëndimor (në drejtimin Jug-Perëndim) të Malit të Valamarës (2.373 m), mbi “Moçalet e Grabovës” (MN) në lartësinë 1.800 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një dru Rrobulli (Pinus Heldrieci), me diametër 1.9 metra e lartësi 24 metra. Perimetri i tij është prej 6 metrash, me gjendje dhe zhvillim të mirë. Mosha e këtij druri është rreth 400-vjeçare. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet: Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Grabovë e Sipërme rreth 42 kilometra, ndërsa ajo këmbësore: Fshati Grabovë e Sipërme – Monumenti i Natyrës me distancë, 1.5 kilometra.

Të tjera

Gjithashtu, në këtë zonë mund të përmendim edhe Monumentet e Natyrës si “Dushku i Bulçarit” (fshati Tarragjin), në fund të shpatit perëndimor të malit të Komjanit (1.791 m), në lartësinë 1100 metra, pranë fshatit Tarragjin e Bulçar, – ku në brendësi gjendet edhe “Teqeja e Bektashiane e Dushkut”, pothuajse 29 kilometra nga qyteti i Gramshit.

Po ashtu, “Liqeni i Zi”, pranë fshatit Lenie në shpatin jugperëndimor të Malit të Valamarës, pranë fshatit Lenie në lartësinë 1.667 metra mbi nivelin e detit; një ndër më të njohurit në rrethin e Gramshit për cilësitë shëruese të disa sëmundjeve kryesisht reumatizmale, që arrihet nëpërmjet rrugës: Gramsh-Lenie-Liqeni i Zi me distancë prej afërsisht 47 kilometrash.

Një tjetër Monument Natyre është edhe “Liqeni i Dushkut”pranë fshatit Tarragjin; një liqen akullnajor me sipërfaqe prej 12 hektarësh, i ndodhur në lartësinë 1.105 metra mbi nivelin e detit, me faunë të ujore të pasur me peshq dhe reptilë. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet: Gramsh-Kodovjat-Bulçar-Liqeni i Dushkut me afërsisht 29 kilometra nga Gramshi.

“Ujëvara e Sotirës”, e ndodhur në fshatin me të njëjtin emër ndodhet në shpatin Veri-Lindor të Malit të Tomorrit, ku uji del përgjatë një të çarë të madhe gjatësore nga shkëmbinjtë e thepisur gëlqerorë, duke formuar një burim të madh karstik me lartësi prej 10 metrash dhe të shtrirë në gjerësi 3 metra. Rruga nëpërmjet së cilës mund të arrihet: Gramsh-Shumrizë-Kushovë-Sotirë-Ujëvara, me gjatësi 29 kilometra nga Gramshi.

Të tjera monumente në rrethin e Gramshit janë Kanioni i Holtës, Kalaja e Tërvolit, Kalaja dhe shpellat e Kabashit, Kanioni i Devollit (Bratilë), Teqeja e Shëmbërdhenjit të Sipërm (Sot Bletëz), Dërstilat e Kërpicës, Kalaja e Tunjës, Kalaja e Lubinjës…

Realizoi: Edmond Prifti
Video: Albert Vaja

Konica.al