Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, heronj të Ballkanit

Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, heronj të Ballkanit

593
0
SHPËRNDAJE

Heroizmi, kontributi dhe dashuria e tyre për lirinë e Kosovës, sakrifica e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit është diçka e pashembullt në historinë e popullit tonë. Madje heroizmi dhe kontributi i tyre i kaloi edhe kufijtë nacional, duke luftuar edhe për lirinë e shtetit kroat, dhe se ata meritojnë të jenë heronj edhe të Ballkanit Perëndimorë. Kështu u tha në promovimin e pullës postare e cila i dedikohet Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, e cila u promovua me rastin e 16 vjetorit të rënies së dy heronjve.

Po ashtu në këtë ceremoni, Shoqate e Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci si dhe Qeveria kroate u dha mirënjohje dhe medalje të artë familjes Lladrovci, për shërbimin dhe çlirimin e shtetit të Kroacisë.

Sejdi Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Postës së Kosovës, tha se është një nderë dhe krenari për të gjithë, që të promovohet një nga pullat postare më të çmueshme të filetalisë së postës.

“Çdo pullë postare përmes imazhit të saj dhe pamjes së sajë mbartë me vete një histori të veçantë. Mbi dy dekada Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, nuk e ndalën aktivitetin e tyre dhe përpjekjen për lirinë dhe pavarësisë e Kosovës. Ata ishin gjithnjë bashkë në krye të lëvizjes kombëtare shqiptare. Dashuria e tyre për lirinë e Kosovës, sakrifica e tyre është diçka e pashembullt në historinë e popullit tonë… Imazhi dhe historia që përcillet përmes kësaj pulle postare të udhëtojë jo vetëm nëpër trojet tona por në tërë globin, ne duam që edhe bota të mësojë për dy viganët e lirisë së Kosovës”, tha Hoxha.

Për heronjtë e kombit, foli edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli.  “Është ngjarje e rëndësishme kjo për faktin se përmes promovimit të kësaj pulle, përkujtuam portretet që para 16 vite më parë u flijuan për lirinë e vendit tonë. Fehmiu dhe Xhevë Lladrovci që të dy me ide kombëtare hyjnë në historinë e re kombëtare duke materializuar me gjakun e tyre çlirimin kombëtare si dy bashkëluftëtarë dy bashkë dëshmorë që me virtytet e tyre jetësore krahasohen me Azem dhe Shote Galicën. Duke njohur dhe kuptuar realitetin e jetës që bënte gjysma e kombit shqiptarë, në barbarinë e pushtuesve sllav, Fehmiu qysh më herët i kishte përcaktuar vetës rrugën jetësore, të cilën rrugë e vazhdoi deri në çastin e heroizmit të tij, pa pyetur asnjëherë për çmimin që duhet dhënë lirisë, me motivin që edhe më i merituari i ka borxh atdheut, sesa atdheu që i ka borxh atij”, ka thënë ministri Ismajli.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe atasheu ushtarak i ambasadës kroate në Kosovë, Tomislav Tankovic.

Ai tha se për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin kishte dëgjuar shumë dhe se ishte i habitur se si, luftuan edhe për shtetet e tjera.

E zëvendëskryeministri Maqedonisë, Musa Xhaferi, tha se heroizmi dhe kontributi i Fehmiut dhe Xhevës i kalon kufijtë nacional dhe se sipas tij, të dy meritojnë të jenë heronj të Ballkanit perëndimorë të cilët kanë dhënë një kontribut për ta bërë Evropën të plotë, për integruar Ballkanin perëndimorë të çliruar nga ato regjim.

Në këtë ceremoni, u shfaq edhe dokumentari i dedikuar Fehmi dhe Xhevë Lladrvcit.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, trupat ushtarakë, e përfaqësues të ambasadës kroate, shoqëri civile, akademik Rexhep Qosja si dhe veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi. /Telegrafi/