Sakrifica e shqiptarëve, Pavarësia e Shqipërisë dhe çlirimi i Kosovës!

Sakrifica e shqiptarëve, Pavarësia e Shqipërisë dhe çlirimi i Kosovës!

952
0
SHPËRNDAJE

Kosova shtet i pavarur dhe sovran është produkt i një kombi të bashkuar në momentet kyçe të historisë së tij. Shqiptarët e Kosovës, me luftërat e tyre heroike kundër kundërshtarëve shumëherë më të fortë ushtarakisht, historinë e kombit shqiptar të shekujve XIX dhe XX e stolisën me gjakun e tyre të derdhur rrëke, thotë njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi.

Ai thekson se, lufta e pakompromis e shqiptarëve të Kosovës për shtet kombëtar, e bërë në fillimet e saj kundër pushtuesve otoman, e mëpastaj edhe kundër okupatorëve gjakpirës sllav dhe grek, ishte luftë e shenjtë çlirimtare; luftë, e cila rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë etnike më 1912 në Vlorë.

“Lufta dhe gjaku i derdhur për liri, i dha arsyen shkencore krijimit të shtetit, mundësoi ekzistencën, i dha vlerë synimit të përbashkët kombëtar për Shqipëri etnike dhe përmes krijimit të shtetit shqiptar, siguroi mbijetesën e kulturës më të vjetër të kontinentit Europian. Të mbetur pa dëshirën e tyre jashtë kufijve të shtetit amë dhe të tradhtuar shpeshherë për interesa të ngushta politike të sundimtarëve në Shqipërinë e sakatuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, shqiptarët e Kosovës nuk rreshtën dot asnjëherë të kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar përmes gjenocidit të pashembullt në Europë”, thekson Gashi.

Ai pohon se, kjo ishte arsyeja, që fillimin e Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Kosovës e përjetuan si një çlirim të madh nga robëria e imponuar e shtetit serb dhe çlirim nga terrori i parreshtur i kolonëve të mbështetur nga kisha ortodokse uzurpatore serbe.

“Pronat dhe objektet e kultit të konfiskuara prej kolonëve të pushtuesit serb dhe kishës uzurpatore serbe, filluan të riktheheshin në pronësinë legjitime të shqiptarëve. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë po hapeshin edhe shkollat shqipe, u krijua administrata shtetërore shqiptare, filloi të flitet lirisht e të shkruhet shqip kudo”, thotë ai.

Gashi thekson se, intelektualët dhe politikbërësit shqiptar të Kosovës, gjatë kësaj periudhe historike dhanë shembullin e përkushtimit dhe hodhën bazat e para të vetëdijes dhe organizimit të suksesshëm shtetëror e ushtarak të shqiptarëve në Kosovë.

“Ata ishin të parët që paralajmëruan kombin shqiptar rreth rrezikut që i kanosej nga krijimi i një partie sllavokomuniste në trojet etnike. Për fat të keq, paralajmërimi i tyre nuk rezultoi me një vepër konkrete atdhetarie në Shqipëri, me një akt që do të simbolizonte synimin e përbashkët për liri, dhe i cili do u linte në fyt dhallën e Nexhmije Xhuglinit, kominternistëve serbomëdhenj: Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës dhe Svetozar Vukmanoviq Tempos. Mbledhja e Mukjes dhe tradhtia që iu bë asaj ishin sinjale për veprim të shpejtë dhe bashkim të shqiptarëve rreth idealeve të Rilindjes Kombëtare. Kosova dhe paria e saj politike, në marrëveshje me institucionet e shtetit shqiptar të kohës dhe Organizatën Balli Kombëtar dhe Lëvizjen e Legalitetit, menjëherë pas dështimit të Marrëveshjes së Mukjes, më 16 – 20 shtator të vitit 1943 u mblodh në Prizren, në Kuvendin e radhës të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Delegatët e trojeve të pushtuara nga ish-Jugosllavia morën vendimin historik për bashkimin e Kosovës me Mbretërinë Shqiptare të kohës (me fjalën Kosovë quheshin të gjitha trojet e pushtuara nga ish-Jugosllavia)”, vlerëson Gashi.

Gashi thotë se, asambleja Kombëtare e Mbretërisë Shqiptare njohu dhe aprovoi vendimet e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. “Megjithatë, shprehja e vullnetit politik përmes një akti demokratik siç ishte Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit (1943) nuk mjaftoi për të ndaluar agresionin dhe gjenocidin sllavokomunist , i cili, i ndihmuar nga propaganda antishqiptare dhe forcat e bashkuara terroriste të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë, kryen aktet e gjenocidit të radhës dhe mundësuan ripushtimin e Kosovës, të cilin e zyrtarizuan përmes akteve të aneksimit arbitrar në vitin 1945”.

Gashi thotë se, tradhtia e komunistëve të Enver Hoxhës, e bërë për hirë të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, mundësoi që aktet e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës të realizohen më lehtë dhe pa pasoja për ripushtuesin e trojeve etnike.

“Në këtë periudhë të historisë së shekullit XX, Kosova dhe shqiptarët përjetuan përbuzjen e poshtërimin, dhunën ekstreme dhe shfryrjen e epsheve serbomëdha mbi popullatën civile, vrasjet dhe masakrimet, por edhe ndarjen administrative të territorit dhe shpërnguljen masovike. Ajo ishte kohë kur çdo familje shqiptare në Kosovë po i numëronte varret dhe plagët e shkaktuara nga gjenocidi sllavokomunist. Shpresa për mbijetesë në kushte dhe rrethana të tilla ishte e barabartë me zero. Por, Kosova nuk do të ishte Kosovë sikurse në momentin më të vështirë të ekzistencës së saj, të mos e gjente brenda vetes shpirtin e rezistencës, vullnetin e mbijetesës, përpjekjen titanike për të rikthyer fatin e historisë në dobi të interesit kombëtar shqiptar”, pohon Gashi.
Sipas tij, kjo mrekulli ndodhi në fundin e viteve të 80-ta, “atëherë kur shqiptarët e Kosovës, të pajisur me përvojën historike të luftës shekullore, të vetëdijshëm se shtetin duhet ta krijojnë pa shpresuar aspak në ndihmën shpeshherë të munguar të shtetit amë, arritën të krijojnë sërish kuadrot e duhura, unitetin e brendshëm dhe vetëdijen e nevojshme nacionale, lidhën besën e madhe të pajtimit anekënd Kosovës, krijuan institucionet përfaqësuese, shpallën botërisht synimin e tyre nacional dhe filluan rrugëtimin e vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Politika e zbatuar nga institucionet e Kosovës në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, ishte politikë me të cilën identifikoheshin të gjitha kancelaritë e demokracisë euroatlantike. Simpatia për një rezistencë të organizuar politike, të cilën e mundësonte penda e ndritur e intelektualëve të Kosovës, një rezistence civile të bazuar në refuzimin estetik të dhunës fashiste serbe, e të cilën e udhëhiqte një lider i pranuar dhe karizmatik si Ibrahim Rugova, riktheu vëmendjen dhe simpatinë e botës demokratike në gjirin e shpresave të lirisë së një kombi të shtypur e të përbuzur padrejtësisht. Kjo periudhë e rezistencës kombëtare, ngjizi themelet e pavarësisë së shtetit të Kosovës”, thekson Gashi.

Gashi thotë se, pa kulturën e organizimit dhe mirëmbajtjes së institucioneve të cilën e shqiptarët e Kosovës e dëshmuan në fillimin e viteve të 90-ta, dhe, pa institucionalizimin e vullnetit politik, lufta çlirimtare që pasoi nuk do t’i kishte dhënë rezultatet që i gëzojmë dhe shijojmë si shoqëri e shekullit XXI.

“Duhet të jemi realist dhe të pranojmë faktin se pa ndihmën e miqve tanë, sidomos atyre miqve që u identifikuan dhe mbështetën lëvizjen tonë nacionale të cilës i printe Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Kosova nuk do të ishte këtu ku ndodhet sot. Fati e deshi që shqiptarët e Kosovës të kenë në dispozicion një udhëheqësi shumë të pjekur politike, e cila u sakrifikua pothuajse e tëra dhe nuk pranoi të bëhet pjesë e plojës politike të paramenduar e imponuar nga sllavokomunistët e Tiranës dhe fashistët e Beogradit. Përfaqësuesit e sllavokomunizmit Envero-Titist në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën të likuidojnë kundërshtarët politik, por ata nuk arritën të likuidojnë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për një shtet të lirë dhe demokratik. Ata arritën t’a lënë të vetëm dhe pa ndihmën e duhur komandantin legjendar Adem Jasharin në Prekaz, por ata nuk arritën t’ia ndalin atij dhe Kosovës jehonën e pushkës së lirisë. Ai u sakrifikua me gjithë familjen e tij, për bashkimin kombëtar të shqiptarëve; për të rikthyer Lavdinë e Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve. Ai e bëri të jetojë fjala e Ukshin Hotit: “Shqipërinë bëje, ose vdis””, thotë Arbër Gashi.