CIA: Si dështoi misioni i 30 agjentëve në Shqipëri në 1949

CIA: Si dështoi misioni i 30 agjentëve në Shqipëri në 1949

612
0
SHPËRNDAJE

Dokumenti i CIA-s për operacionet sekrete britanike në Shqipëri.

Grupin e parë e kryesonin dy të arratisur nga Lazarati, të rekrutuar në kampin e Barit si të zgjedhurit e Abaz Ermenjit.

Shërbimet Sekrete Amerikane siguronin nga rrjeti i tyre në Greqi të dhëna për operacionet britanike dhe emrat e agjentëve shqiptarë që operonin në kuadrin e tyre në Shqipëri. Përtej këtij fakti të panjohur, dokumenti që botojmë sot “Memorandum për fatin e grupit VALUABLE në Shqipëri”, sjell edhe një dëshmi autentike për skepticizmin e shërbimit të fshehtë amerikan ndaj informacioneve të britanikëve, vërtetësinë e të cilave mundohet ta konfirmojë nga burime paralele.

Të interesuar për ecurinë e operacioneve britanike, zyrtarët e CIA-s, nga kontaktet me rrjetin e tyre në Greqi, njihen me fatin e agjentëve shqiptarë pjesë e këtyre operacioneve, të cilët kanë depërtuar brenda kufirit grek pas misionit në Shqipëri.

Në raportin konfidencial të datës 4 nëntor 1949, ndihmësdrejtori i politikave koordinuese, mbështetur në dëshmitë që gjashtë syresh u kanë dhënë autoriteteve greke më 27 tetor 1949 në zonën afër Pogonit, informon Zyrën e Operacioneve Speciale se ata janë gjendur aty pas një trajnimi profesional në bazën e Maltës, ku kanë shkuar nga kampi i Barit, Itali, si të zgjedhurit e Abaz Ermenjit dhe Vasil Andonit për operacionet britanike në territorin shqiptar.

Nga kontakti me ta, siç bëhet e qartë në raportin e zyrtarit të CIA-s, janë mësuar të dhëna interesante për veprimtarinë e 30 agjentëve të tjerë të rekrutuar nga shërbimet britanike, të cilët kanë zbarkuar në këtë periudhë.

Top Sekret
Vetëm për Zyrtarët Amerikanë                                                             nëntor.4.1949
ZYRA E OPERACIONEVE SPECIALE
Washington, D.C

Memorandum: Ndihmësdrejtori i Politikave Koordinuese
Subjekti: Operacioni Shqiptar – fati i Grupit VALUABLE në Shqipëri
1.    Referenca është bërë për memorandumin tonë mbi të njëjtin subjekt.
2.    Kemi tashmë në dispozicionin tonë informacionin se të 6 shqiptarët e mëposhtëm kanë raportuar pranë Ushtrisë Greke, pranë zonës së Pogonit, më 27.tetor.1949
a.    Aslan Jemal (me shumë mundësi të jetë Xhemal Asllani) nga Luftinja (pranë Tepelenës), lideri i grupit
b.    Jafer Ali (ka mundësi Arif Haferi) nga Sasaj (pranë Tepelenës)
c.    Balum Senai nga Golemi (Gjirokastër)
d.    Aki Gamba (ka mundësi Haki Gaba) nga Lazarati
e.    Anko Daouti (ka mundësi Ago Dauti) nga Palavlija (Sarandë)
f.    Bardouli Berlesi (ka mundësi Bardhyl Dervishi) nga Lazarati
3.    Nga të sipërpërmendurit u mësua se ata janë rekrutuar përpara 2 muajsh nga një kamp në Bari, Itali, prej Abaz Ermenjit dhe Vasil Andonit. U dërguan në Maltë ku u trajnuan (dy të fundit si radio-operatorë) nga 6 instruktorë nën komandën e një koloneli britanik Smai ( lexo Smajli-shënim i red.).
4.    Natën e 6 tetorit 1949, sipas raportimit të tyre, të 6 shqiptarët e mësipërm zbarkuan në brigjet shqiptare, në një pikë pranë Vlorës, afër grykëderdhjes së lumit Vjosa. Përpara se të zbarkonin, një tjetër grup prej 5 shqiptarësh me drejtim Kolonjën u zbarkuan në të njëjtën pikë. Ky grup përbëhej nga
a.    Sefer Luarase (me shumë mundësi i njëjti me Sefer Mugies)
b.    Përparim Ali
c.    Petrit Butka
d.    Sami Barla (ka shumë mundësi Sami Bardho)
e.    Semil Mandji (ka shumë mundësi Zeni Mançe)
5.    Grupi i mësipërm, nën udhëheqjen e LUARASE, e kishte lënë Maltën në datën 13 apo 15 Shtator 1949 me një anije të shpejtë dhe mendohej se do të zbarkonte në zonën e Himarës, ku grupi i MATUKES dhe i LEPENICËS kishin zbarkuar. Por grupi i LUARASE u informua me radio se grupet e MATUKES dhe LEPENICËS kishin rënë në pritë dhe kështu që u kthyen përsëri në Maltë për t’u nisur tri javë më vonë dhe për të zbarkuar në veri të Vlorës.
6.    Të dyja grupet e XHEMALIT dhe LUARASE vazhduan rrugën drejt Tepelenës dhe aty u ndanë në  “zonën e tri vezëve”. Grupi i parë vazhdoi drejt Gjirokastrës dhe grupi i dytë drejt Kolonjës. Kërkime në shkallë të gjerë nga forcat e autoriteteve shqiptare e detyruan grupin e XHEMALIT që të ndalonte për pesë ditë në zonën Gjirokastër, Kurvelesh. Pas këtij ndalimi, ata vendosën që të arratiseshin në Greqi sipas instruksioneve të marra nga britanikët, të cilët i kishin udhëzuar që të kërkonin ndihmë në Qendrën e të Huajve në Janinë dhe atje të tregonin identitetin e tyre.
7.    Anëtarët e grupit të XHEMALIT deklaruan se e kishin pasur të pamundur që të lidheshin me radio me bazën, megjithëse kishin tentuar disa herë, por pa sukses. Ata mendojnë se kontakti nuk ishte i mundur, pasi zona është e rrethuar me male. Ata deklaruan se kishin mundësi që të merrnin kontakt vetëm me stacionin bazë dhe me asnjë grup tjetër. Përpara se të largoheshin, ata e groposën radion në zonën e Lazaratit. Mbi sistemin e kriptografisë ata thanë se e kishin zëvendësuar çdo shkronjë të alfabetit me një numër dyshifror dhe jo treshifror, si në rastin e sistemit kriptografik që kishte përdorur grupi tjetër.
8.    Gjithashtu mësohet se përpara 20 shtatorit 1949, një grup prej 4 anëtaresh nën udhëheqjen e Ali Trëbovës ishte dërguar në zonën e Beratit. Po kështu, një grup ishte dërguar në zonën e Korçës nën drejtimin e Mustafa Kusa (Dusar) Alihat (ka mundësi Mustafa Salihan), të dyja këto grupe u zbarkuan në jug të grykëderdhjes së lumit Seman në zonën Lushnjë-Fier. Pasi të mbaronte misionin në zonën e Beratit, grupi Trëbova do t’i bashkohej grupit të Korçës.
9.    Grupi i XHEMALIT deklaroi se ata nuk kishin të bënin me Grupin e E’tem Çakos dhe ÇAKO ishte dërguar nga Vërlaci. Ata e urrejnë Vërlacin dhe deklaruan se ata do t’i shoshitin hesapet me Vërlacin dhe Çakon vetëm me armë në dorë. Po kështu deklaruan se nuk dinin asgjë mbi faktin se Lepenica duhet të takohej me Çakon dhe t’i jepte atij disa instruksione.
10. Me sa duket, emrat e përmendur në këtë raport me të dhëna nga përkthimi nga greqishtja, korrespondojnë në pjesën më të madhe ekzaktësisht apo shumë afër me emrat e rreth 30 agjentëve shqiptarë të rekrutuar nga britanikët. Ndoshta në rastin e disa të tjerëve ata duhen të kenë dhënë pseudonimet ashtu siç ndodhi me dy nga katër shqiptarët, të cilët u sollën në vëmendjen tonë dhe që janë përshkruar në referencat e Memorandumit.
11. Bazuar në informacionin që kemi deri më tani, duket se për sa u përket tri grupeve, ka pasur vetëm një kontakt me Radio. Në këto kushte është paksa e pabesueshme dhe e vështirë për t’u kuptuar nga ne, se si britanikët ju kanë pohuar Ju se kanë qenë në komunikim me të gjitha grupet e mbetura me përjashtim të njërit që u largua për në Greqi.
12. Informacioni në këtë Memorandum është ekskluzivisht për zyrat qendrore të OPC. Kërkohet urgjentisht që asnjë pjesë e këtij dokumenti të mos u jepet përfaqësuesve në terren apo britanikëve pa u dhënë leje prioritare nga OSO
13.Mirëpresim çdo informacion shtesë, të cilin ju mund të na jepni dhe që do të shërbejë për të sqaruar paqartësitë tona, si dhe për të kontrolluar vërtetësinë e burimit tonë.
(Emri është hequr sipas ligjit të deklasifikimit)
Ndihmësdrejtori
Operacionet Speciale
SO DB-20064

Agjentët që zbarkuan më 6 tetor 1949
Aki Gamba (Haki Gaba) nga Lazarati Gjirokastër
Asllan Jemal (Xhemal Asllani) nga Luftinja, Tepelenë
Jafer Ali (Arif Haferi) nga Sasaj, Tepelenë
Balum Senai nga Golemi, Gjirokastër
Anko Daouti (Ago Dauti) nga Palavlija, Sarandë
Bardouli Berlesi (Bardhyl Dervishi) nga Lazarati
Sefer Luarase (Sefer Mugies)
Përparim Ali
Petrit Butka
Sami Barla (ka shumë mundësi Sami Bardho)
Semil Mandji (ka shumë mundësi Zeni Mançe)

Argumentet për qendrën sekrete
Shërbimi britanik: Malta, baza kryesore
Është e rëndësishme që kjo bazë të jetë në territor britanik apo territor të kontrolluar nga britanikët.

Për këtë arsye, propozojmë si vendin më të përshtatshëm ishullin e Maltës. Alternativat e tjera janë ishulli i Qipros dhe zona e Bengazit në Afrikën Veriore.

Të dyja këto zona nuk janë të përshtatshme për operacionet tona, pasi ishulli i Qipros nuk është shumë i sigurt dhe ndodhet 1.000 milje larg Korfuzit. Ndërsa Bengazi është i papranueshëm, pasi është shumë e vështirë për të mbajtur lidhje konstante me një vend që është 500 milje larg Korfuzit.

Ishulli i Maltës është sigurisht pika më e përshtatshme për këto operacione.

Aty do të ngrihet qendra e trajnimit, baza e Kaikeve, baza operacionale, depoja e armatimeve e municionit dhe stacioni i komunikimit.

Pasi të rekrutohet personeli shqiptar, do të dërgohet në Maltë, ku do të trajnohet në përdorimin e armëve, taktikave paraushtarake, si dhe në taktika të përgjithshme të luftës guerile.

Nuk është e nevojshme një trajnim intensiv, pasi dihet mirë që shqiptarët kanë njohuri shumë të mira të luftës guerile në vendin e tyre dhe janë të njohur me këto eksperienca më mirë se ne.

Atyre do t’u kushtohet vëmendje në trajnimin e radio-ndërlidhjes, pasi kjo është diçka esenciale për grupet në terren dhe do të trajnohen deri në një muaj në këtë fushë, ndoshta njëkohësisht me trajnimin e përgjithshëm.
(vijon të dielën tjetër)

Rivaliteti anglo-amerikan për misionet në Shqipëri

CIA verifikon nga shërbime paralele ecurinë e operacioneve
Dokumenti që botohet sot, në vazhdim të dokumenteve të siguruara nga  arkivi i deklasifikuar amerikan mbi operacionet e famshme të viteve ’49-’55, sjell një dëshmi me shumë interes.

Memorandumi i hartuar për zëvendësshefin e OPC, Drejtorisë së Operacioneve Speciale, vjen nga burimet e Inteligjencës ushtarake greke, burim ky me sa duket i rekrutuar nga Shërbimi amerikan.

Agjenti grek, i cili duhet të jetë  një person i rëndësishëm në Zbulimin ushtarak dhe me akses në dokumentet e interogimit të grupeve shqiptare që infiltroheshin nga britanikët, informon amerikanët mbi dëshmitë e një prej grupeve diversioniste të sapoardhur nga Shqipëria.

Informacioni i dërguar nga zbuluesi grek është shumë i rëndësishëm për amerikanët, pasi u jep atyre një pasqyrë më të qartë të veprimeve të këtyre grupeve brenda territorit shqiptar.

Por jo vetëm, nga konkluzioni i këtij memorandumi kuptohet qartë se amerikanët kërkojnë të verifikojnë informacionin që britanikët u japin atyre mbi operacionet shqiptare të koduara “VALUABLE”.

Megjithëse operacionet ushtarake janë të njohura në historinë shqiptare si operacionet anglo-amerikane kundër Shqipërisë komuniste, në fakt, e vërteta e konfirmuar nga dokumentacioni tashmë i deklasifikuar është mjaft ndryshe.

Edhe pse në dukje partnerë në këto operacione, amerikanët nuk kishin shumë besim te Shërbimi britanik, i cili kërkonte me çdo kusht ruajtjen e dominimit të Ballkanit në çështjet e inteligjencës.

Ky rivalitet i heshtur, i cili kishte filluar të dukej në horizont që në vitin 1943, kur Inteligjenc Servisi i drejtuar nga Mekenzie kishte lëvizur të gjithë gurët e mundshëm për të penguar OSS amerikane të stabilizonte rrjete agjenturore në Ballkanin e dominuar historikisht nga britaniket.

Megjithëse pas Luftës së Dytë, Britania ishte e rraskapitur ekonomikisht, përsëri Shërbimi Inteligjent kërkonte me çdo kusht të ruante kontrollin e vet në Ballkan, aq më tepër që britanikët kishin qenë partnerë seriozë të partizanëve të Titos, si dhe të gjitha fraksioneve luftuese në Greqi,  me qëllim që të ruanin ekuilibrat, duke u përpjekur të influenconin pushtetin e ardhshëm.

Operacionet VALUABLE, të financuara nga britanikët, kishin filluar në Shqipëri pikërisht për të penguar influencën e komunistëve grekë për t’u bërë një kërcënim serioz në këtë vend dhe jo detyrimisht për të rrezuar Enver Hoxhën, regjimi komunist i të cilit ishte paravendosur nga Fuqitë e Mëdha, të cilat ndanë zonën e influencës pas Lufte.

Në këtë situatë, Shërbimi Inteligjent amerikan, i cili pas Luftës kishte pësuar ndryshime të rëndësishme organizative, u fut në lojë në Shqipëri, jo si mbështetës i britanikëve, por për të realizuar një mision të caktuar.

Duke e konsideruar Ballkanin si një pikë shumë të rëndësishme nga ku mund të pengonte influencën komuniste të shpërndahej në Perëndim, amerikanët panë se Shqipëria mund të ishte një vend i përshtatshëm, nga ku mund të testonin eksperimentin e operacioneve klandestine në destabilizimin e regjimit komunist.

Megjithëse objektivi amerikan dhe britanik përputhej, në Shqipëri përsëri të dyja shërbimet ishin më shumë rivalë, sesa partnerë në këtë aventurë ballkanike. Në këtë këndvështrim mund të shikohen një sërë dokumentesh, të cilat mbështesin idenë se britanikët dhe amerikanët u fshihnin njëri-tjetrit plane operacionale dhe detaje të rëndësishme nga operacionet kundër Shqipërisë.

Por le t’i kthehemi dokumentin të botuar sot… Nga burimi grek që informon amerikanët mësojmë se një prej grupeve diversioniste të operacioneve britanike të dalë në Greqi pohon se situata në Shqipëri ka qenë shumë e vështirë për grupet e infiltruara nga Malta.

Megjithëse të ndarë në zonat e tyre të influencës, duket se këto grupe e kanë pasur gati të pamundur të operojnë në Shqipërinë e Jugut, si rezultat i ndjekjes nga forcat e “Divizionit të Mbrojtjes së Popullit”.

Po kështu, mësohet nga deponimet e të arratisurve shqiptarë se rolin kryesor në rekrutimin e agjentëve për Shërbimin britanik e ka Abaz Ermenji dhe Vasil Andoni, dy ekspontë të rëndësishëm të Ballit Kombëtar. Nga ky pohim mund të gjykojmë se grupet e mësipërme të rekrutuara në kampin e refugjatëve në Itali dhe të përgatitura në Maltë duhet të jetë ekskluzivisht nga radhët e Ballit Kombëtar.

Ky fakt i dalë në një sërë dokumentesh të arkivit të deklasifikuar hedh dritë gjithashtu në ndryshimin e rëndësishëm të strategjisë britanike në klasifikimin e kësaj organizate nga bashkëpunëtorë të nazizmit në 1943-44, tashmë në një organizatë që mund të përdoret kundër komunistëve në pushtet.

Po kështu, përbërja e grupeve të përmendura në këtë dokument të jep të kuptosh se elementët e përzgjedhur janë nga zona të cilat kanë pasur një mbështetje të organizatës së Ballit Kombëtar, siç është zona e Kolonjës dhe e Lazaratit.

Një fakt tjetër me interes është pohimi se grupet e “Britanikëve” kanë divergjenca të thella me organizatën e themeluar në Itali nga Verlaci, si dhe me grupet e agjenturës, të cilat dërgohen nga zbulimi italian, si në rastin e Et’hem Çakos, një emër i njohur ky, i cili pasi ra në dorë të Sigurimit shqiptar, bashkëpunoi me këtë të fundit në zbulimin e grupeve të tjera të përgatitura në Itali.