CIA: Enveri ishte agjent i britanikëve, kërkoi lidhje me Perëndimin

CIA: Enveri ishte agjent i britanikëve, kërkoi lidhje me Perëndimin

632
0
SHPËRNDAJE

Deklasifikimi i dokumenteve të inteligjencës amerikane zbardh informacionin e panjohur.

Një indicie e administruar nga sovjetikët në 1952-in, kalon tek CIA dy vjet më pas, përmes një agjenti. Por gjithçka arkivohet.

Në muajin gusht të vitit 1954, Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA, kishte marrë nga spiunët e saj në terren një informacion vështirësisht të vërtetueshëm.

I përgatitur me kujdesin e një profesionisti, informacioni thoshte se Enver Hoxha, lideri komunist shqiptar, ishte një agjent i rekrutuar nga britanikët.

Duke mos i lënë kohë asnjë hamendësimi, thelbi i së dhënës rrumbullakosej në një fjali të vetme, që përfundonte me sqarimin se ai, pra Enver Hoxha, kishte si synim të vendoste marrëdhënie miqësore me Fuqitë Perëndimore.

Nuk është habi që oficeri i CIA-s, që ka marrë i pari në duar këtë informacion, në këtë pikë të leximit, të ketë ngritur sytë nga qielli duke nxjerrë jashtë vetes pasthirrmat e një habie instiktive.

Koha ishte duke ecur pikërisht në vitin 1954, kur operacionet desantuese për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës, të organizuara nga amerikanët dhe aleatët e tyre britanikë, qoftë për shkak të dështimit të turpshëm, qoftë për shkak të ndryshimit të strategjive, ishin urdhëruar të ndaleshin për të mos nisur më kurrë.

Nga ana tjetër, në të njëjtën periudhë, Enver Hoxha, lideri i komunistëve shqiptarë, jo vetëm e kishte orientuar haptazi vendin e tij drejt Lindjes Komuniste, por kishte dëshmuar gjithashtu edhe një dashuri pa kushte ndaj Josif Stalinit, për të cilin nuk e fshihte adhurimin personal.

Ç’të ishte ky informacion? Si mund të ishte Enver Hoxha, njëkohësisht, edhe armik i betuar i britanikëve, edhe agjent i rekrutuar po nga britanikët? Në një gjykim të cekët, informacioni nuk kishte asnjë sens dhe asnjë kuptim!

Informacioni i CIA-s

Informacioni i CIA-s, që thoshte se Enver Hoxha ishte një agjent i britanikëve, në fakt ishte marrë, përmes burimeve të spiunazhit, nga sovjetikët. Saktësisht ai kishte qenë një informacion i administruar nga KGB-ja që në vitin 1952. Në fillim të shkresës prej dy faqesh, të hartuar nga agjenti i CIA-s, shkruhet se si në nëntor të vitit 1952, KGB-ja kishte marrë një raport, ku thuhej se Enver Hoxha ishte agjent britanik që kishte synim të vendoste lidhje miqësore me Fuqitë Perëndimore.

Sipas këtij raporti të KGB-së, të dhënat për Enver Hoxhën ishin paraqitur nga një spiun i Gjermanisë Lindore, i cili më parë kishte punuar për KGB-në. Spiuni ishte banues në Gjermaninë Perëndimore dhe njëkohësisht personazh që, falë mundësive financiare, frekuentonte rrethe të larta të shoqërisë.

Pikërisht duke frekuentuar njerëz të tillë, ai kishte arritur të përgjonte një bisedë, mes disa personave në majë të hierarkisë së Komandës ushtarake Britanike në Gjermaninë Perëndimore, ku ishte përmendur edhe fakti se Enver Hoxha ishte agjent i britanikëve. Madje spiuni, në të dhënat e tij, saktësonte se këtë sekret, që implikonte liderin komunist shqiptar, e kishte dëgjuar nga goja e një prej shefave të Shërbimit Inteligjent Britanik.

Duket, me të marrë këto të dhëna, agjenti ua ka raportuar punëdhënësve të tij gjermano-lindorë të STASI-t e prej këndej, i njëjti informacion i është kaluar edhe KGB-së, si shërbim aleat. Pikërisht këtu nis edhe më e vështira, pasi të dhënat janë përballur me filtrat e verifikimit.

Është e habitshme se si CIA amerikane është mjaftuar të administrojë vetëm verifikimet që sovjetikët i kishin bërë ndërkohë këtij informacioni për Enver Hoxhën.

Duket, oficerët e Shërbimit Inteligjent Amerikan, e kishin kuptuar që në ajër se informacioni që thoshte se Enver Hoxha ishte një agjent i rekrutuar nga britanikët, më shumë do u dhembte sovjetikëve, të cilët e konsideronin liderin komunist shqiptar si aleatin e tyre. Madje në këtë pikë sovjetikëve u takonte të investoheshin së tepërmi për të gjetur të vërtetën.

Në dokument thuhet se si fillimisht raportit i ishte rezervuar trajtim prioritar nga Seksioni i Tretë i KGB-së.

Por, me të njëjtin informacion, ishte marrë edhe një kolonel i KGB-së i sapombërritur nga Shqipëria, që kishte dalë në përfundimin se nuk ishte i aftë ta konfirmonte, apo ta hidhte poshtë, pasi ai vetë nuk kishte informacione negative për Enver Hoxhën.

Më tej në dokument thuhet se, për të vërtetuar saktësinë e informacionit, KGB-ja kishte ngarkuar një zyrtar të lartë të saj, të quajtur Savçenko.

Ky zyrtar, pasi kishte bërë verifikimet e nevojshme, kishte komunikuar edhe me Ministrin e Brendshëm të Bashkimit Sovjetik, duke vendosur përfundimisht që raporti të arkivohej në dosjen e agjentit që e kishte siguruar.

Në informacion thuhet se si Moska ka pasur dyshime te agjenti i saj për këtë informacion, madje drejtuesit e KGB-së kanë menduar se informacioni është ushqyer si provokim nga ana e britanikëve, menjëherë pasi kanë zbuluar se kishin të bënin e një spiun sovjetik.

Në gjykimin e tyre amerikanët dalin në konkluzionin se “agjenti duhet të konsiderohet i pastër përderisa Moska të jetë e interesuar”.

Pra CIA e sheh shumë të rëndësishëm informacionin, sipas të cilit spiuni nga Gjermania Lindore, i cili siguroi këto të dhëna për Enver Hoxhën, vazhdon të jetë në punë, apo në detyrë. Përfundimisht, burimi i CIA-s ka konkluduar se të dhënat për Enver Hoxhën nuk kanë vlerë si informacion pozitiv, përderisa nuk do të jenë të konfirmuara.

Enveri dhe britanikët

Mbërritur në kohërat aktuale, shumëkush mund të mos besojë asnjë të dhënë që rreket të konfirmojë një lidhje kompromentuese mes Enver Hoxhës dhe britanikëve.

Dhe me të drejtë. Koha ka bërë të vetën, historia e kasaj periudhe mund të konsiderohet e zbardhur, duke ngurtësuar përfundimisht dhe me bindje faktin se nuk ka asnjë gjasë që Enver Hoxha të ketë pasur ndonjë lidhje të tillë me britanikët.

Madje për të dy palët mund të thuhet se e vetmja lidhje duhet të ketë qenë urrejtja.

Por gjithsesi historia e ka një periudhë kur Enver Hoxha mund të ketë hyrë në marrëdhënie të afërta me britanikët.

Është i njohur fakti se lufta antifashiste në Shqipëri u asistua nga oficerë britanikë, përmes të cilëve janë sjellë pjesa më e madhe e armatimit, veshmbathjes, deri edhe të holla, në ndihmë të partizanëve.

Ishte një periudhë kur Enver Hoxha kalonte kohë të shumtë në shoqërinë e misionarëve ushtarakë të dërguar nga Çërçilli, dhe nuk është çudi që në një moment, ose në një tjetër, t’u ketë premtuar këtyre të dërguarve, bashkëpunim në këmbim të njohjes së pushtetit të tij, kjo e dakordësuar gjatë ose pas përfundimit të luftës.

Një marrëveshje e pashkruar që duket është hedhur tej pas ngurrimeve të njëpasnjëshme të Mbretërisë së Bashkuar për të njohur qeverinë e Enver Hoxhës dhe sidomos pasi Moska shpejtoi të bënte të kundërtën. Lidhjen, apo miqësinë e Hoxhës me britanikët, e vërtetojnë edhe pamjet filmike apo fotografike, të fiksuara në datën 28 nëntor 1944, kur qeveria e Enver Hoxhës hyri triumfuese në Tiranë.

Madje mund të thuhet se ajo ditë, më shumë se për aleancat e tjera, fliste për aleancën shqiptaro-britanike, e kuptueshme kjo edhe në aspektin e një bashkëpunimi kundër armikut të përbashkët nazi-fashist.

Gjithçka niste me avionët aleatë që përshkonin qiellin e Tiranës në mënyrë demonstrative, shkonte te fasada e hotel Dajtit, ku flamuri britanik ishte vendosur i pari në radhë, në krah të atij jugosllav, pa lënë pas edhe rrugët në qendër të Tiranës, të zbukuruara me banderola ku shkruhej: “Rroftë Çërçilli, Stalini, Ruzvelti…”.

Pra, emri i Kryeministrit Britanik, Uinston Çërçill, ishte vendosur përpara emrit të Stalinit dhe kjo nuk mund të konsiderohet një pakujdesi e rastësishme.

Edhe për këto arsye, informacioni, që Shërbimi Inteligjent Amerikan sigururoi në vitin 1954, sipas të cilit Enver Hoxha ishte agjent i britanikëve, ka shumë të ngjarë të mos jetë tejet pa bazë. Panorama duhet të bëhet edhe më bindëse, nëse në krah të këtij raporti të CIA-s do të rreshtohen të dhënat që revista KLAN publikoi, dy javë më parë, sipas të cilave Enver Hoxha kishte pasur lidhje të ngjashme me britanikët.

Prandaj nuk është aspak e pamundur që në një të ardhme të afërt, deklasifikimi i arshivave, sidomos atyre britanike, të vërtetojë eventualisht këtë version, duke shtuar një detaj të vogël, qoftë provokues e të diskutueshëm, në historinë e re të shqiptarëve.

Dokumenti i CIA

14 Gusht 1954

Raport i MVD (nga rusishtja, Ministerstvo Vnutrenjih Djell – Ministria e Punëve të Brendshme e Bashkimit Sovjetik, red.) për Enver Hoxhën, Liderin Komunist Shqiptar

DATA E INFORMACIONIT: Paraprakisht i 1954

1- Një burim pothuaj realist, deri tani në një pozicion të njohur, ka deklaruar se në nëntor të vitit 1952, Seksioni i tretë i atëhershëm i Drejtorisë së Parë Qendrore (KGB), ka marrë një raport që thotë se Enver Hoxha, atëherë Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ishte një agjent britanik dhe kishte synim të vendoste lidhje miqësore (në tekst ‘dobrososedskaya sviaz’ – lidhje të fqinjësisë së mirë, red) me Fuqitë Perëndimore.

2- Raporti nuk jep detaje për aktivitetin apo kontaktet e Hoxhës. Ai është paraqitur nga një agjent gjerman cili ishte drejtuar (komanduar, red.) nga seksioni A-3 (CI kundër Gjermanisë Perëndimore – CI është shkurtimi i fjalës Counterintelligence, në shqip kundërspiunazh, red.) i (fjalë vështirësisht e lexueshme, red.) i Shefit të Misionit në Berlin. Më parë agjenti kishte qenë një agjent CI në Komitetin e Informacionit (KI) të BRSS (Bashkimit Sovjetik, red.).

Agjenti ishte një nënshtetas gjerman që jetonte në Gjermaninë Perëndimore. Ai ka pasur mjaftueshëm të holla dhe një pozicion mjaft solid, dhe për këto shkaqe ai ishte i aftë të futej në rrethe mjaft të larta. Burimi deklaroi se agjenti kishte lidhje të ngushta me grupin e… (fjalë vështirësisht e lexueshme, red.). Burimi nuk ishte në gjendje të përshkruante këtë agjent as të kujtonte kriptonimin (emrin e koduar, red.) e tij.

3- Burimi deklaroi vazhdimin: “Për aq sa unë mund të kujtoj ai (agjenti) ka përgjuar një bisedë për Subjektin (Enver Hoxha në këtë rast, red.) mes personave të rretheve të larta të Komandës Britanike në Gjermaninë Perëndimore.

Në veçanti, nëse memorja nuk më gënjen, kjo u tha nga njëri prej shefave drejtues të Inteligjencës Britanike (spiunazhit, red.) në Gjermaninë Perëndimore.

4- Këtij raporti i’u rezervua trajtim prioritar nga Seksioni i Tretë (KGB-ja sovjetike, red.), por u konsiderua i dyshimtë. Për këtë arsye njeriu që zotëronte këtë informacion shkoi te një kolonel në Seksionin e Këshillimit, i cili sapo ishte kthyer nga Shqipëria.

Koloneli lexoi raportin por deklaroi se nuk ishte i aftë të konfirmonte apo të hidhte poshtë atë dhe se ai nuk kishte informacione negative (në anglisht “derogatory” – poshtëruese, red.) për Hoxhën. Burimi nuk mundi ta kujtonte emrin e kolonelit.

5- SAVCHENKO, shefi i i FCD-së (Drejtoria e Parë Qendrore e KGB-së, red) së dikurshme, e gjykonte se e gjithë afera ishte një provokim britanik ose amerikan.

Kur u pyet nëse Ministri i MVD, duhej informuar për këtë aferë, SAVCHENKO u përgjigj se tashmë ai e kishte biseduar këtë me ministrin dhe se ishte vendosur që ky raport të mos i jepej qeverisë ose ndonjë tjetri. Për pasojë raporti u kthye në dosjen e agjentit.

6- Më vonë raporti u dërgua në Seksionin e Këshillimit dhe burimi mendon se ai është futur në dosjen që kanë atje për Hoxhën. Burimi deklaroi se atje ka dosje për të gjithë njerëzit e rëndësishëm të vendeve satelite.

7- Burimi deklaroi se ai nuk kishte dijeni nëse ky raport i është dhënë qeverisë në një datë të mëvonshme. Gjithsesi, ai deklaroi se përpara takimeve të rëndësishme të Partive Komuniste, MVD-ja zakonisht i jepte Komitetit Qendror, me qëllim orientimi, çdo lloj informacioni që kishte për delegatët e huaj. Për pasojë, është e mundur që qeveria ta ketë marrë këtë raport në rrethana të ngjashme.

8- Burimi deklaroi se Moska aktualisht dyshon te agjenti si burim i këtij dokumenti. Ata gjithashtu kanë marrë në konsideratë mundësinë se Britanikët kanë zbuluar se ai ishte një agjent sovjetik, duke ja ushqyer këtë informacion si provokim.

Në një çështje të tillë, agjenti duhet të konsiderohet i pastër përderisa Moska të jetë e interesuar. Gjithsesi, agjenti vazhdon të punojë si (fjalë vështirësisht e lexueshme, red.) dhe Moska nuk e ka informuar Berlinin për dyshimet e saj dhe as nuk i ka kërkuar të bëjë verifikime për agjentin.

9- Burimi deklaroi se ky raport nuk i është dhënë Seksionit të Informacionit, sepse pa pasur të dhëna të konfirmuara, nuk ka vlerë si informacion pozitiv. Burimi deklaroi sa ai nuk kishte asnjë dyshim se SAVCHENKO kishte bërë kërkime për këtë çështje në Seksionin e Këshillimit.

Nëse ai do të kishte gjetur diçka, me anë të së cilës të konfirmonte raportin, atëherë ai do e kishte dërguar atë në Seksionin e Informacionit.