A ka shpresë në Shqipëri ?

A ka shpresë në Shqipëri ?

412
0
SHPËRNDAJE

Ilnisa AGOLLI

Aristoteli dikur theksonte se: ‘’Familja është qeliza e shtetit’’. Por shumë më pas, ky pohim i moçëm, si vazhdim i traditës, doemos do të thellohej: ‘’Familja është qelizë e shtetit.

Por në rradhë të parë është qelizë e shoqërisë. Po nuk pati shoqëri, nuk ka shtet‘’.

E kemi dëgjuar me dhjetëra herë këtë formulë rikonceptimi, se të vështruarit atë strukturë të lashtë,është e ndërlidhur midis afrisë shpirtërore dhe asaj historike. Kjo që prej bangave të shkollës, megjithëse, distanca mbeti e pashmangshme.

Në fëmijërinë shqiptare kanë spikatur dhe mbetur veç rrëfenjat e gjysheve, prodhim ky i frymës tonë popullore, e cila me orët, zanat, kulçedrat e dragonjtë, zotëron një koleksion aq të pasur, shkruan Ismail Kadare në parathënien e ‘’Antologji e poezisë Greke’’.

Këtu nuk është fjala vetëm për balada si ajo e ‘’Kostandinit dhe Doruntinës’’, ‘’Kështjellës së Rozafatit’’ etj, por e një klime të tërë të afërt poetike; dekor, thurrje dramatike, formula të afërta në konceptimin e gjërave. Si për shembull, në ceremonitë e dasmave apo të zisë.

Përpara triumfit apo katastrofës. Pra, vërehet dhe qaset një organizim i tërë kulturor i shtetit apo shoqërisë, i cili, shtrohet pyetja se sa ka funksionuar në Shqipëri?

Shkollat shqiptare, qysh në formimin e personalitetit të fëmijëve nuk është se kanë dhe aq ngjashmëri me ç’ka theksonte Aristoteli; me përrallat e gjysheve, apo me studimin që na ofron falas shkrimtari ynë i madh.

Boshi në këtë vend është në modë dhe s’i bëhet vonë për asgjë!

Në këtë vend nuk shijohen paskthimet. A nuk është për të të ardhur keq!? Ato që në fakt, përcaktojnë realitetin në formë busulle, ku shigjeta anon ose të thana ose te shega, lënë shumë për të dëshiruar.

Fan Noli ishte i dyti i 13 fëmijëve të familjes. Nga këta, fëmijë 7 vdiqën në fëmijërinë e hershme dhe vdekja e fëmijëve asokohe, në Turqinë e hershme, bënte kërdinë.

Nolin e rriti gjyshja, e vetmja pjesëtare që qëndronte në shtëpi ndërsa të gjithë punonin fushës. Ishte një fëmijë shumë i dobët. Aso kohe, në vend livadhiste tifoja, lia dhe ethet e përsëritura.

Dua të ndalem pikërisht këtu; në një rast të ngjashëm! Noli u pandeh i vdekur dhe sipas zakonit psallti i kishës e këndoi për gjysmë ore, në pritje të priftit për ta varrosur. Vetëm pak minuta pas ardhjes së tij, nënë Maria ulëriti : ‘’Qëndro! Djali nuk ka vdekur!’’

Një mrekulli që fëmija nuk u varros i gjallë. Sa ka ndryshuar qysh prej atëhere bindja jonë apo siguria për shumëçka? Aspak nga shkolla. Trishtë, shumë trishtë…

Të mbetëmi edhe pak te Noli? U dërgua në shkollë se ishte i pafuqishëm. Ç’do bëhej me këtë fëmijë? Vetëm 8 vjeç kur kundërshtoi mësuesin. Një mësues që rrihte fëmijët aq egërsisht sa i gjithë qyteti jehonte nga britmat. Megjithë këshillat e gjyshes, ai nuk donte të shkonte në shkollë.

Kështu pasi nënë Maria e futi në një thes, ai nisi arsimin në një shkollë greke. Por me një kusht; që me të të qëndronte e ëma aty. E mbronte nga mësuesi. Beteja e shkollës u fitua brenda ca ditësh, duke vënë në gojë të tij këto fjalë: ‘’Nënë, më mirë shko në shtëpi. Unë mund të rri këtu edhe pa ty’’!.

Sa ka ndryshuar edukimi në shkollat tona? Pyetje retorike. Veç forma, përmbajtja kurrë.

Ku ndodhet Shqipëria, do pyetej Noli. Mos është ndonjë vend afrikan? Po Adriatiku çfarë është? Lum a liqen ? E pas kësaj, në kohën që ishte deputet i shkruan kryeministrit‘’Do të nis nga Ministria e Arsimit.

S’është nevoja të them se ne jemi prapa nga gjithë fqinjët tanë të të cilave jemi dhe pjesëtarë. Por mundet të barabitemi, lipset të marrim masat e nevojshme sepse për stërvitjen e popullit që nga rrënja e kësaj pune mund t’ia dalim vetëm me një sistem shkollash moderne.

Shkollat tona përfaqësohen vetëm me ndërtesa. Kemi 800 mësues, por nga këta vetëm 50-60 e meritojnë emrin të tillë. Si mund të merret pëersipër barra e rëndë dhe e shënjtë për të rritur një brez të ri?’’

Ja kështu, vdes një brez. Një komb! A mund ta ngjallim? A mund të besojmë se sikundër Noli në arkivol, do të mund të themi si e ëma tij, të njëjtat fjalë?

Kështu dhe Aristoteli, a mund të kuptohet në Shqipëri? Në Greqinë e lashtë thonin se njeriu është i vdekshëm, vetëm përkundër perëndive të pavdekshme. Ndaj, Aristoteli mbahet mend dhe sot, sepse cukërmoi krejt i vetëm tokën, duke nxjerrë prej aty sekretin e madh të botës.

Jetën dhe Thelbin e vdekjes! Andaj, paskthimet që kanë parashikuar vijimësinë janë shkolla më vetë detyrën që i takon. Një shkollë që i mungon këtij vendi dhe varros fëmijë, gra, dhe burra të gjallë. Në Shqipëri dëshira për të manifestuar vdekjen e një shoqerie edhe shijohet, por a zhbëhet?

Dhe është kaq interesante se si këtë e kemi dëshmuar sidodmos në vajet, do të thoshte Kadare, ngjashmëri e jona me poezinë greke. Kështu u krijua poezia popullore.

Atje, te gropa e varrit, përpara vdekjes së dhunshme të shkaktuar nga arma ose vdekja natyrale.

Mandej do të ishte Bardhyl Londo, që do të shkruante vite më vonë:

Veten e Vrasim Përditë

Veten e vrasim perditë.
në tavolina
të pista kafenesh.
në rrjeshta
të ndytë gazetash.
në qarqe
prapësish, intrigash.
vritemi
në një vdekje të ngadaltë.
dhe, oh, zot,
s’arrimë ta kuptojme vetëvarsjen tonë.
vjen pastaj një çast.
merr revolverin.
këmbëza
nuk hiqet.
Ke vdekur prej kohësh.
I vdekuri nuk vetëvritet.

Pra, kjo që ndodhë në këtë vend a është faj i Perëndisë? Jo!

Këtë vend e vranë dhe rivranë idiotët.

Idiotët vazhdojnë të udhëheqin duke thënë, edhe me bindje : ‘’Ndjesë pastë’’.

Në Shqipëri nuk ka më asgjë. Ka mbetur pak Aristotel e pak rrjeshta, që dhe ato i grisim.

Në Shqipëri nuk ka më vdekje. Kanë vdekur të gjithë. Është kaq në modë!

Por ti i fundit mbetur gjallë, mos u kthe në krimb, në një vend të vdekur.

TASOS LIVADHITIS, gazetar, kritik letrar dhe poet i madh, nuk i përfundoi studimet. Sepse, mori pjesë aktive në rezistencën e popullit grek, e pas thyerjes së ushtrisë popullore nga forcat anglo-saksone kaloi vite të tëra në kampe famkeqe. Madje në më famkeqin, kampin e Makronisit.

Dhe nuk vdiq. Luajti krimbin ndërsa shkruante:

‘’ Dyzet thika të të gjakosin

Dyzet mjekë mos të të shpëtojnë

Dyzet male të ngjitë jot’ ëmë

Dyzet lumenj të kapërcejë

Gjysmat e flokëve t’i mbetën degëve

Dyzet ilaçe të të sjellë dhe ti të tretesh

Dyzet gota helmi të pish çdo agim

Dyzet netë të vuash dhe të mos e japësh shpirtin

Dyzet merimanga të të endin qefinin

Dyzet gozhdë të të mbërthejnë qivurin

Dyzet herë të hidhura;

aq herë të dalë shpirti yt i hidhur.

Dhe kur të të vënë në tokë, në tokë dhe në dheun e ftohtë,

Unë të bëhem varri yt,

të të përqafoj përjetë’’

E, pra kaq pak mjafton për ta dashur këtë vend. Sepse në fund, diku tutje, mes errësirës-Shqipëria është si poezia. Një dallëndyshe! Dhe ato, çudi… kthehen prapë.

E mendonte dhe Londo, teksa e mbyll trishtimin e Shqipërisë tek ‘’Itaka’’ me këto vargje:

‘’Unë këtë rrugë s’e humbas! Do ta gjejë në qofsha i verbër.

Të gjithë jemi nga pak Odise, në mos paçim Penelopë, një Itakë e kemi patjetër’’

Por, lind pyetja: A ka më shpresë?