Zogu më 1952: Bashkëpunimi me Titon, s’preken kufijtë e pavarësia

Zogu më 1952: Bashkëpunimi me Titon, s’preken kufijtë e pavarësia

647
0
SHPËRNDAJE

Pjesa e parë e dokumentit që vjen sot për botim, në vazhdimin e ciklit të dokumenteve të deklasifikuara të Arkivit Amerikan mbi Operacionet Klandestine në Shqipëri është një dokument me mjaft interes për studiuesit.

I hartuar nga një prej Oficerëve të lartë të OPC-së, (Drejtoria e Operacioneve Klandestine e udhëhequr nga Frank Wisner) është një dëshmi autentike e vetë ish-Mbretit Zog, i cili u raporton amerikanëve mbi bisedimet e tij me udhëheqësin komunist jugos-llav Tito.

Dokumenti i botuar sot, është pjesë e dosjes sekrete që amerikanët kishin për ish-Mbretin Zog, dosje e cila është mjaft voluminoze dhe hedh dritë mbi rolin e vërtetë të ish-mbretit shqiptar në emigracion.

Për amerikanët, Zogu ishte një figurë e rëndësishme dhe ata i kushtonin mjaft rëndësi marrëdhënieve me të, duke e mbajtur atë në korrent mbi përgatitjen që po bëheshin në perëndim për një përmbysje të regjimit komunist shqiptar. Në kontrast me Shërbimin e Fshehtë Britanik, i cili operonte në distancë nga Zogu dhe grupi i tij që e shoqëronte në Egjipt, amerikanët mendonin se ish-mbreti ishte akoma një personazh i rëndësishëm në Mërgatën Shqiptare.

Për këtë arsye, oficerë të lartë të OPC-së e vizitonin atë shpesh, duke hapur kështu një rrugë komunikimi me ish-mbretin shqiptar. Kuptohet qartë, se për Zogun interesimi i amerikanëve ishte mjaft i mirëpritur, duke e bërë atë që të hartonte plane mjaft ambicioze për një rikthim të mundshëm në Shqipëri. Në këtë kontekst, duhet parë edhe fillimi i marrëdhënieve të tij me liderin komunist jugosllav Tito.

Zogu duke dashur të jetë jo vetëm i rëndësishëm në sytë e aleatëve amerikanë të cilët nuk kishin treguar asnjë interes për të gjatë viteve të Luftës, por edhe praktik në klimën e ndryshimeve politike në Kampin Socialist, pa humbur kohë kishte filluar bisedimet me jugosllavët.

Dokumenti i sotëm i hartuar për Shefin e OPC-së, Frank Wisner, nuk lë asnjë dyshim mbi rolin e vërtetë të Zogut dhe lidhjet e tij me jugosllavët, pasi ky dokument është një raportim që ish-Mbreti bënte për Shërbimin Sekret Amerikan.

Ai flet mbi misionin e të dërguarit personal të Zogut dhe takimin e tij me oficerë të lartë të UDB-së (Shërbimi i Fshehtë jugos-llav), i cili në atë kohë drejtohej nga Gjenerali Aleksander Ran-koviç i njohur ndryshe edhe si “Kasapi i shqiptarëve”, që kishte iniciuar shpërnguljen e kosovarëve nga Kosova drejt Turqisë.

Duket qartë nga dokumenti i bo-tuar sot, se Zogu kërkonte jo vetëm bashkëpunim me Titon për rikthimin e tij në fron, por edhe miratimin e jugosllavëve për këtë plan. Gjithashtu, në dokument të bie në sy se oficerët e UDB-së, të cilët përfaqësonin jo vetëm Titon në këto bisedime por edhe Gjeneralin Rankoviç, kërkonin një fshehtësi të madhe për këto bisedime, duke larguar nga tryeza me sa duket edhe personin e kontaktit, turkun Tozan, i cili ishte edhe personi që kishte bërë lidhjen midis Zogut dhe Titos.

Po kështu, nga analiza e këtij dokumenti duket qartë se bisedimet midis Titos dhe Zogut udhëhiqeshin nga Shërbimi i Fshehtë Jugosllav, i cili nuk lejonte që në këto plane të fshehta të përfshiheshin diplomatë të Ministrisë së Jashtme Jugosllave, si ambasadori në Kajro.

Pra, nga analiza e këtij dokumenti, i cili do të botohet i plotë, mund të thuhet me bindje se ish-mbreti Zog po hartonte një plan të fshehtë për rikthimin e tij në Shqipëri me ndihmën e Shërbimit të Fshehtë Jugosllav UDB dhe me bekimin e plotë të Titos.

Memorandumi i OPC-së (CIA-s), i hartuar në vitin 1952 nga oficeri përgjegjës për operacionet shqiptare Mc Carger nuk lë asnjë mundësi hamendësimi se këto dokumente janë hartuar nga Kim Filbi, një alibi e sjellë në “Gazeta Shqiptare” nga familjarë të ish-mbretit Zog, të cilët me sa duket nuk kanë asnjë ide mbi rrjedhjen e ngjarjeve të asaj kohe.

Është e kuptueshme që persona që kanë jetuar pranë ish-mbretit Zog të mos kenë pasur dijeni mbi këto bisedime sekrete, të cilat nuk kishin përse të bëheshin të njohura edhe për ta.

Është e kuptueshme edhe nxitimi për t’i shpallur bisedimet Zog-Tito si non ekzistente, pasi askush nuk do të dëshironte që figura e ish-mbretit të përzihej në një bashkëpunim të mundshëm me UDB-në jugosllave dhe liderin komunist Tito.

Duhet thënë, se një njohës normal i ngjarjeve të asaj periudhe duhet të dijë se ish-oficeri i Shërbimit Sekret Britanik, Kim Filbi, ishte larguar me kohë nga roli i tij, që i jepte akses në planet operacionale kundër Shqipërisë.

I akuzuar si një spiun i mundshëm sovjetik nga shefi i famshëm i FBI-së, Edgar Hoover, që në vitin 1950-’51, Kim Filbi e kishte të pamundur të manipulonte dokumente të CIA-s, pasi ai nuk ka pasur asnjë lidhje jo vetëm me dosjet e CIA-s, por nuk ka pasur asnjë dijeni mbi bisedimet e Zogut me jugosllavët.

Të përdorësh një alibi të tillë për të shfajësuar Zogun është një veprim mjaft naiv. Mendoj se ish-mbreti shqiptar nuk ka nevojë nga askush për t’u shfajësuar mbi lëvizjet e tij politike, pasi Zogu si një figurë tipike ballkanike ka shfrytëzuar konjukturat e kohës për t’u rikthyer në pushtet. E nëse mbështetja vinte nga perëndimi apo nga shërbimi i fshehtë jugosllav pak rëndësi kishte. A nuk veprojnë kështu edhe ata që e zëvendësuan atë në skenën e politikës shqiptare?

MEMORANDUM
9 tetor 1952
Subjekti: Biseda me Mbretin Zog të Shqipërisë në 8 tetor 1952
1. Unë shkova në vilën e Mbretit Zog në Aleksandri në 8 tetor 1952, për të marrë një raportim mbi aktivitetin e emisarëve të tij të dërguar në Jugosllavi, të cilët kishin ardhur në Egjipt po atë mëngjes.

Emisarët ishin Irfan Bej Ohri dhe Kolonel Dërhalla, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga Lutfi Tozani, turku i cili ka qenë kontakti i parë i Zogut midis tij dhe Marshallit Tito. Bisedimet midis këtij Delegacioni prej 3 vetësh dhe jugosllavëve ndodhi në ditët e fundit të gushtit.

2. Zogu deklaroi se delegacioni i tij udhëtoi prej Turqisë për në Shkup, Jugosllavi, nëpërmjet Greqisë dhe se Irfan Beu ishte zëdhënësi i tij. Tozani e shoqëroi misionin vetëm sepse ishte i rëndësishëm në kontaktet fillestare të takimeve me jugosllavët. Delegata ishte pritur përzemërsisht nga jugosllavët dhe ata u vendosën në një fermë në periferi të Shkupit.

Delegacioni qëndroi në këtë vend deri sa mbaruan bisedimet që zgjaten dy ditë e gjysmë. Përfaqësuesit jugosllavë referoheshin si Kolonel Branko dhe Kolonel Cedo. Si rezultat i interesimit të Irfan beut tek disa jugosllavë të tjerë që ai takoi, Irfan beu beson se ata ishin Branko Stankovic dhe Cedomir Mijovic.

I pari duket se është një përfaqësues i lartë, ndoshta më i lartë se i dyti dhe ka shumë mundësi një anëtar i lartë i Qendrës së UDB-së ose i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ishte shumë i informuar dhe fliste me një autoritet të lartë për çështjet e politikave. Aksenti i tij të linte të kuptojë se ai duhej të ishte kroat. Personi i dytë i cili u prezantua si Kolonel Cedo fliste me aksent të Malit të Zi.

Ai kishte një shenjë në krah, ndoshta plagosje, dhe dukej se duhej të ishte një oficer i një niveli jo shumë të lartë i UDB-së, i specializuar në çështjet shqiptare, pasi ishte shumë i familjarizuar me çështjet dhe personalitetet shqiptare.

3. Zogu tha se pas disa diskutimeve të përgjithshme mbi arsyet e vizitës së dërgatës, Koloneli Cedo i shprehu mendimin Irfan Beut se jugosllavët ishin nën përshtypjen, bazuar në kontaktet e mëparshme të Tozanit në Beograd, se Mbreti Zog ishte i interesuar për armë dhe fonde.

Irfan Beu u përgjigj se kjo përshtypje ishte një përshtypje e gabuar nga ana e tyre e mesazhit që Zogu kishte dërguar nëpërmjet Tozanit.

Mbreti është i interesuar për hartimin e një plani për çlirimin e vendit të tij, plan i cili mund të zhvillohet me pëlqimin e plotë të jugosllavëve dhe nëse ndihma e jashtme ishte e nevojshme jugosllavët mund të vepronin në emër të Zogut për të siguruar këtë ndihmë nga amerikanët. Shqetësimi kryesor në mendjen e Mbretit Zog ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe ruajtja e kufijve aktuale.

Kolonel Branko në këtë moment deklaroi me një entuziazëm të dukshëm se jugosllavët i janë mirënjohës Mbretit Zog për vendosjen e kontakteve, si dhe tashmë ata janë të bindur se kanë të bëjnë me njerëz seriozë dhe jo aventurierë.

Në këtë kontekst, jugosllavët i morën mënjanë Irfan Beun dhe Kolonel Dërhallën në një moment të mëvonshëm dhe iu kërkuan që nëse ishte e mundshme, në bisedimet e mëtejshme Z. Tozan të mos ishte i përfshirë.

4. Irfan Beu iu shpjegoi jugosllavëve se as ai dhe as Kolonel Dërhalla nuk ishin njerëz të politikës dhe qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte fakti që nëse ishte e mundur për jugosllavët të dërgonin një person për të folur direkt me Mbretin Zog. Koloneli Branko u përgjigj se jugosllavët do të dërgonin një person të përshtatshëm për të biseduar me Zogun në të ardhmen.

Kur Irfan Beu sugjeroi mundësinë e hapjes së bisedimeve me Ambasadorin Jugosllav në Kajro, Kolonel Branko u shpreh vendosmërisht se kjo nuk do të ndodhë.

Nga këndvështrimi i Irfan Beut për mënyrën se si ky sugjerim nuk u pranua, ka shumë mundësi që jugosllavët nuk kanë besim tek ambasadori i tyre në Kajro, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë arsye të tjera për të menduar se ambasadori nuk është personi i duhur për të folur me Zogun.

Nga, Auron Tare