Hiletë greke për përvetësimin e pronave çame

Hiletë greke për përvetësimin e pronave çame

1598
0
SHPËRNDAJE

Më 30 tetor l924, Legata shqiptare në Athinë merrte këtë Memorandum nga “banorët çamë të Margëlliçit”:

“Shkëlqesë!…E shohim tepër të nevojshme të sjellim në dijeni të Z. j. se veprimet dhe masat e kohës së fundit të autoritetit lokal (grek) kundra enteve të përgjithshme të popullit tonë të mjerë, kanë kalue “kufinë, sa nuk është e mundur të durohen më!”

“Sistemi të cilin përdor Qeverija në kurriz të popullit të mjerë çam, të m’besoni dhe të jeni të bindur, e padyshim se në kohë shumë të afërshme do ta shfarosi krejt e nga themeli dhe keni për të dëgjuar vajin e fundit të mallëngjyer të krahinave të Çamërisë…”

Nga ana e tij, Mithat Frashëri, i tronditur nga tragjedia që po mbështillte kryesisht popullsinë myslimane çame, i drejtonte këtë thirrje dëshpëruese Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:

“Z. Ministër, …Për fat të keq nuk u bë gjë gjer më sot (për përzënien e grekofonëve nga Shqipëria).

Kështu që tani, Greqia elementin shqiptar të Greqisë e pakësoi përgjysëm, ata që mbetën i mundon me çdo mënyrë, kurse elementin grekofon të Shqipërisë po e forcon indirektërisht dhe kërkon mprojtjen e tij.

Më duket se edhe tani s’është vonë. Grekofonët e Gjirokastrës duan ekspulsuar, atehërë edhe çamët, nëqoftëse nuk rrojnë dot në vendin e tyre, do të kërkojnë të venë dhe të instalohen në Shqipëri…

Në mos u marrshin këto masa, kam frikë, Zoti Ministër, se elementi shqiptar do të fiket, dhe ay që do të mbetet do të demoralizohet, pa kujtuar që edhe Greqija po përgatit sundimin e saj mbi “Epirin e Veriut” Dhe, më 21 janar l925, M.Frashëri i shkruante përsëri Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë se:

“….Janë 38 katunde, 24 në Kostur dhe l4 në Follorinë, afro 20.000 frymë. Këta u përzunë me dru nga shtëpitë e tyre dhe sot po vdesin në Anadoll”.

Tetë ditë më vonë, ai shtonte: “Që në fillim kam vrapuar të rrëfej mendimin tim, pasi e studiova punën dhe pashë realitetin lakuriq, autoritetet greke kanë qëllim që të përzënë elementin shqiptar, ta shtërngojnë të ikënjë, t’i grabisin pasunin.

Përpara këtij realiteti, kam prekonizuar masa reciproke, raprezalje, mbi elementin grekofon të Shqipërisë.” E kundërta ngjante në Shqipëri.

Jo vetëm që grekofonët nuk ndiqeshin, por ata fitonin të gjitha të drejtat civile e politike të qytetarit të lirë.

“Njerës të ardhur sot prej Epirit,” shkruante Mithat Frashëri për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë,”më njoftojnë se në qarqet zyrtare të asaj prefekture greke (Janinës) mbretëron ky mendim:

“Greqia ç’kishte për të fituar në Epir të Veriut, i fitoi. Grekofonët e Shqipërisë kanë deputete, shkolla, kisha, funksionarë, liri të plotë, civile dhe politike.

Edhe Qeverija shqiptare ka bërë premtim që të mirret në kabinet edhe një Ministër grek.

Pra tani më s’kemi më frikë, dhe duam që të shpëtojmë nga elementi shqiptar i Epirit, që të mos mbetet një kundërpeshë (contre-poids) për helenizëm, dhe të mundim të punojmë me shpënguarë në Shqipëri të Jugësë…”

Pese dite më vonë, më l7 qershor l925, po ky diplomat shqiptar në Athinë, përfundonte: “…Qëkurse kam ardhur si Ministër i Shqipërisë këtu në Athinë, jam bindur që qeverija greke ka ndjekë dy qëllime:

1. Të përzërë nga Greqia gjithë shqiptarët sa janë, duke u grabitur pasuninë.

2. Pasi të shpëtoje nga kjo barrë, të sigurojë helenizimin dhe aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës.

Gjithë punët, veprimtaritë, aktet e autoriteteve greke priren drejt këtij qëllimi. Nuk shoh as më të paktin përjashtim.

Të përzënët me dru të 30.000 Shqiptarëve të Kosturit dhe Follorinës; refuzimi i të njohurit të nënshtetësisë shqiptare; sjellja sistematike kundër çameve, tëra këto janë fakte të kthiellta…”

Edhe në nëntor l925, Qeveria greke, në kundërshtim me çdo marrëveshje të mëparshme, udhëzon përfaqësuesin e saj në Komisionin Mikst (të këmbimeve) që të arrihet një marrëveshje me homologun e tij turk në Komision për shkëmbimin e “…5.000 një aksion që u kundërshtua nga Lidhja e Kombeve.

Shkatërrimi i popullsisë shqiptare në Greqi vazhdoi i pandërprerë, dhe më 5 janar l926, Mit’hat Frashëri lajmëronte nga Athina se, “…

Mjerisht s’kanë besim të madh çamët te Shqipërija, edhe kjo nga shkaku se nuk kanë parë ndonjë fakt konkret për interesin dhe dhembshurinë e Shqipërisë.”

Një rast elokuent është ai i fshatrave Gardhiq dhe Dragum, dy fshatra krejtësisht shqiptare, siç shihet në telegramin e tyre dërguar Asistentit (Përfaqësuesit) të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve, nga Athina, më l3 shkurt l926:

“Nëqoftë, Z. (Qenan)Mesare, se je vërtet përfaqësonjësi i Shoqërisë së Kombeve, edhe nëqoftëse me të vërtetë kjo Shoqëri e Kombeve respekton parimet e njerëzisë dhe të qytetërimit, ju lutemi, në Emër të Perëndisë, të bëni demarshet e duhura…”

Këto dy fshatra u zbrazën për të liruar shtëpitë dhe tokat e tyre për refugjatët grekë nga Anadolli. Duke iu drejtuar Komisionit Mikst, dhe Përfaqësuesit të Turqisë, më l9 shkurt l926 ata shkruajnë:

“Në emër të 800 banorëve të fshatrave Gardhiq dhe Dragum, ne kemi ardhur në Athinë për t’iu lutur Qeverisë sonë të madhërishme greke dhe Presidentit të saj të madh Pangalos, që të lirojnë Gardhiqin dhe Dragumin nga refugjatët dhe të na kthehen pasuritë tona tërësisht.

Ne jemi shqiptarë të gjithë dhe asnjë nuk do të largohet nga Greqia. Ju lutemi t’i jepet urdhër Zotërijve Slieben e Floridhi (kryetar e N/Kryetar të Nën-Komisionit, Komisioni Mikst i Epirit) të pushojnë përndjekjet ndaj nesh dhe kërcënimet për shpërngulje.

Ne nuk do të nisemi kurrë.”

Cinizmi i politikës greke u bë i qartë edhe nga deklarata e Z. Mitromakti, drejtor i zyrës së këmbimit (të popullsive), e bërë para Z. Ghazali Nusret Beu nga Janina:

” Unë nuk të jap të drejtën tënde, se nuk dua të hap një portë për të drejtat e myslimanëve; mos u lodh kot, se ne kemi kaq muhaxhirë (grekë nga Anadolli) që po vdesin… ne duam që të marrim edhe ato pasuri që kanë akoma myslimanët, edhe ato do t’i marrim…”

Më 28 dhjetor 1927, Zv. Konsulli shqiptar në Korfuz raportonte se “…Është gjë e pakontestueshme se çdo person, familje ose katund mysliman të Çamërisë, në sy të autoriteteve greke konsiderohet si Turk dhe aspak nuk shifet si Minoritet shqiptar në Greqi…” dhe se “…

Minoriteti shqiptar në Çamëri kurrë ndonjë të drejtë njerëzore ose divine (hyjnore të shenjtë) nuk gëzon nëse nuk është e drejta e vdekjes.”

Pikërisht në këtë kohë, kemi edhe “Komunikatën për Anëtarët e Këshillit” të përgatitur nga organet e Lidhjes së Kombeve “për gjendjen e minoritetit shqiptar në Çamëri” në Gjenevë, datë 29 dhjetor l927″ (C.662.l927.I) ku numërohen ankesat e popullsisë shqiptare si vijon:

1. Myslimanët e Epirit janë të shtyrë të nisen për në Turqi.

2. Shtëpitë e fushat e tyre jane zënë nga grekët.

3. Ata nuk gëzojnë asnjë nga të drejtat njerëzore.

4. Ata nuk kanë shkolla.

5. Ata nuk kanë as deputetë, as kryetar bashkie, as pojak (roje fushe)”.

Kjo politikë ostracizmi nga ana e Qeverisë greke konfirmohet edhe me shkresën zyrtare që Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Iliaz Vrioni, i dërgon Z.Eric Drummond, sekretar i përgjithsëm i Lidhjes së Kombeve, Gjenevë, ku theksohet se të gjitha “Konvencionet dhe Traktatet” e lidhura në mes të dy shteteve ose nuk janë ratifikuar ose instrumentet e ratifikimit nuk janë këmbyer, dhe se Qeveria shqiptare:

“…s’ka muejtë me kuptue arsyet e qëndrimit të Qeverisë greke”, duke shtuar se “…pasuritë e shqiptarëve në atë vend gati përgjithësisht janë ekspropriuar” dhe se “…ashtë për t’u çuditur se në të gjithë Çamërinë s’ka asnjë shkollë shqipe në mënyrë që çamët janë të kondemnuar (të dënuar) të mos përfitojnë nga të mirat e arsimit në gjuhën amtare.”

Në këtë kohë kemi edhe kërkesën për shkolla shqipe si kërkesë numër një të paraqitur nga çamët në peticionet e tyre drejtuar Qeverisë greke dhe Lidhjes së Kombeve.

Kërkesa e dytë është kthimi i pasurive të konfiskuara ose të rrëmbyera me dhunë.

Meqenëse një pjesë e popullsisë çame u largua dhe u vendos në Shqipëri, Qeveria shqiptare nxori “Dekretin për vendosjen e Emigrantëve” të datës 2 shtator l931. Neni 1 thotë:

“Gjithë ata persona, të lanun jashtë kufijve të Shqipërisë independente, që janë shqiptarë prej gjaku dhe gjuhe , pa ndryshim feje dhe seksi , të cilët tue u shpërnguel nga vendet e origjinës së tyne, vijnë në Shqipnien e lirë me qëllim vendosje dhe mos këthyemjeje përsëri në vendet e tyne, kanë të drejtë me u instalue si emigrantë në Shqipëni, në konformitet me dispozitat e kësaj ligje”

Mbas përpjekjeve të shumta të Qeverisë shqiptare dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme, qoftë pranë Qeverisë greke, qoftë pranë Lidhjes së Kombeve, më në fund, më l5 qershor l933, Qeveria greke me dekretin Nr. 735, përcaktoi pozitën juridike të shqiptarëve në Greqi.

Në Raportin e dërguar Ministrisë së Jashtme shqiptare nga Athina, shpjegohet se ky ligj “…zgjedh çështje për të cilat interesohen persona që mbajnë nenshtetësinë shqiptare, ose janë prej origjine shqiptare dhe që qëndrojnë, ose në Greqi, ose jashtë, përveç Turqisë, dhe për të cilët nuk ka dalë vendim prej Komisionit Mikst ose prej nën-komisioneve të tij për të caktuar nenshtetësinë e tyre.”

Presioni ndërkombëtar i Lidhjes së Kombeve për kthimin e pasurive të shqiptarëve të shpronësuar krijon një panik në mes të Grekëve, sidomos të atyre që kishin uzurpuar pasuri shqiptare, dhe “…tani duan që të bëjnë me ikë edhe këta që kanë mbetur, dhe për këtë gjë kanë ujdisur me post-komandantin e Karbunarës, i cili u vete natën në shtëpi dhe i frikëson me pushkën para fëmijëve, tue u thanë se ja do të shkojnë nga katundi, ose përndryshe do t’i shuaj të gjithë.”

Gjithashtu, Qeveria greke filloi organizimin e mitingjeve të forcuara të popullsisë shqiptare për dërgime telegramesh Lidhjes së Kombeve duke deklaruar së gëzojnë të gjitha të drejtat në Greqi, si dhe formimin e “komiteteve Vorioepirote” e regjistrimin e “vullnetarëve” me qëllim që t’i hedhë në Shqipëri për të krijuar trazime, duke vazhduar njëkohësisht mohimin e të drejtave për shkolla shqipe në Greqi.

(Një pjesë e vogël e rinisë çame u dërgua për studime fillore e të mesme në Shqipëri, kryesisht në Sarandë, ku punonte konvikti “Çamëria”) Më l0 dhjetor l934, 73 shqiptarë nga Filati i dërguan një Memorandum Sekretarit të Përgjithshëm të LsK, Joseph Avenol, ku në mes të tjerash thuhet se angazhimet e marrura nga Qeveria greke me Traktatin e Sevrës të l9 Gusht l920, parashikojnë “…ruajtjen e disa të drejtave, lidhur me pakicat dhe posaçërisht mësimin e gjuhës së saj amtare.”

Kërkohet “të sigurohen, për një popullsi të tërë prej 35.000 frymësh, ekzistenca e saj etnike si dhe mundësia e jetës së saj materiale”.  “Qeveria greke mban pothuajse në të gjitha fshatrat e Çamërisë, shkolla fillore: në qytetin e Filatit dhe në Paramithi shkolla të mesme, si dhe shkolla normale për vajza të reja.

Në të gjitha këto shkolla, fëmijët e një popullsie pastërtisht shqiptare, arsimohen vetëm në gjuhën greke e pa u lejuar qoftë edhe arsimimi fetar në gjuhën amtare…

Neni 7 i Traktatit të sipërpërmendur në lidhje me mbrojtjen e pakicave në Greqi parashikon:

a) Një sistem zgjedhor që mban parasysh të drejtat e përfaqësimit të pakicave etnike.

b) Që dasia e fesë ose e kombësisë nuk duhet të dëmtojë asnjë shtetas grek për pranimin e tij në punët publike……

Me gjithë këto zotime, Qeveria greke:

a)Kurrë nuk ka lejuar, pavarësisht nga 35.000 banorët shqiptarë…përfaqësues të kësaj pakice të dërgohen në Dhomat legjislative greke.

b) nuk ka pranuar kurrë që një çam shqiptar të marrë pjesë në jetën publike, të jetë emëruar funksionar ose, të paktën, pojak (rojtar fushe);

c) Kurrë nuk ka lejuar që elementi shqiptar të ketë shkolla në gjuhën e vet…dhe njëkohsisht nuk ka lejuar futjen e botimeve të çfarëdoshme në gjuhën shqipe, dhe nuk ka lejuar që ata që nuk flasin greqishten, të ankohen pranë xhandarmërisë në gjuhën e tyre;

d)Kurrë autoritetet shkollore greke nuk kanë lejuar ekzistencën e një shkolle shqiptare dhe shqipja nuk është mësuar në shkollat qeveritare;

e)autoritetet e Reformës Agrare p.sh. në Paramithi vepruan duke bërë thjesht konfiskimin e të të gjitha tokave dhe pronave që u përkisnin shqiptarëve (në kundërshtim me nenin 99 të Ligjit mbi Reformën)”

Vetëm dy vjet më vonë, më l936, Qeveria greke bëri të ditur se planifikonte hapjen e disa shkollave shqipe për nxënësit shqiptarë të Çamërisë, por mësuesit do të ishin shqiptarë grekofonë.

Më 20 mars l936, konsulli shqiptar në Janinë, lajmëronte emrat e 5 (pesë) mësuesve grekofonë të caktuar për pesë shkolla të Çamërisë.

Më 9 prill l936, përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë në Athinë protestuan emërimet e bëra dhe insistuan të hapen l6 shkolla shqipe dhe jo vetëm pesë, si dhe emërimin e mësuesve shqiptarë për shkolla shqipe.

Ndërsa, më 20 maj l936, duke përshkruar gjendjen e rëndë që mbretëronte në tërë Çamërinë, Konsulli shqiptar në Janinë arrinte në këtë përfundim:

“Shfarosja e çamëve shqiptarë, përhapja e idesë pan-helenike, ndër orthodoksët kudo që ndodhen dhe zaptimi i Shqipërisë Jugore janë vijat kryesore të politikës së Guvernatoratit të Janinës që ndiqet kundrejt Shqipërisë.

S’ka dyshim se kjo politikë inspirohet dhe aprovohet imtësisht prej Qeverisë Qendrore (greke)” Në prill l936, erdhi në fuqi qeveria e diktatorit pro-fashist grek, Gjeneral Joannis Metaxas, me një program reaksionar dhe ksenofob.

Vetëm një muaj më vonë, 25 maj l936, prefekti i Gjirokastrës i raporton Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë se grekët po bëjnë çdo lloj torturash mbi çamët myslimanë, dhe se: “…në këto ditët e fundit akuzojnë çamët se gjoja këtyre u janë dërguar një sasi armësh nga ana e Italisë dhe Shqipërisë në krahinat e Margëllëçit e gjetkë për të bërë kryengritje kundër grekëve.

Autoritetet greke, këto keqpërdorime e tortura i bëjne pse shqiptarët e Çamërisë kërkojnë shkolla shqipe…”

Me l3 qershor l936, Drejtoria e Shtypit, Tiranë, u drejtohet drejtorive të gazetave “Besa”, “Arbëria”, dhe “Vatra”, duke u përcjellur një korrespondencë të ardhur nga Çamëria “…dhe një përkthim të fletores janinote “Ipirotikos Agon” nga të cilët, e para, tregon mizoritë që po u bëhen çamëve nga autoritetet greke, dhe, e dyta, për të qortuar autoritetet për masat e marra, pohon se në Çamëri nuk ka aspak çështje kryengritjeje, dhe çamët, njerëz të urtë, nuk kërkojnë veç të lihen të qetë të punojnë tokat e tyre.

Njëkohësisht, u dërgohet edhe shkurtimi i deklaratës së Kryeministrit grek (J.Metaxas) bërë fletores “Aneksastitos” në të cilën vetë Kryeministri përgënjeshtron akuzën që i bëhet çamëve (për armët).

Më l9 nëntor l936, Konsulli shqiptar në Athinë i shkruante Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: “…dy vjet më parë, autoritetet greke vinin njerëz të cilët sistematikisht vrisnin ata çamë patriotë shqiptarë që nuk i përuleshin propagandës së tyre.

Tash e kanë ndërruar taktikën: i shkatërrojne familjet çame duke i varfëruar me mënyra të tërthorta, si për shembull me pengime administrative të ndryshme, ashtu edhe me persekutime direkte me anë internimesh, bastisjesh nëpër shtëpi, rrahje, burgosje, frikësime etj.”

Mbas l8 vjet mohimesh e hezitimesh, në fund të vitit shkollor l937-38, Qeveria greke lejoi funksionimin e dhjetë shkollave shqipe, si vijon:

l. Filat, me 85 nxënës 2. Lopes , me 75 nxënës 3. Smerta, me 14 nxënës 4. Nista , me 40 nxënës 5. Sollopi , me 27 nxënës 6. Gurrësi me 16 nxënës 7. Mazerek , me 80 nxënës(të gjithë shqiptarë) 8. Grikohor , me 50 nxënës 9. Karbunara nuk funksionon për mungesë arsimtarësh shqiptarë l0. Vrohona ” ” …

Jemi larg rezultatit të dëshirueshëm. Por nga ana tjetër kemi avantazhin e rëndësishëm se në Çamëri po mësohet gjuha shqipe.

Me këtë hap u krijua një precedent i favorshëm për minoritetin tonë”. 2 Më 27 Shkurt l939, i njëjti Konsull shqiptar në Janinë i drejtohet Legatës Mbretërore të Shqipërisë në Athinë: “…lajmet e ardhura prej Çamërije janë këto: Transferime (mësuesish) nuk janë ba deri sod.

Në Margëllëç (Margaritë) ka qenë emnue si mësues i gjuhës shqipe Z.Musa Rusi e në Varfani (Parapotamo) si i këtillë ka qenë emnue Z.Hafiz Adili.

Të dy këta persona janë mësues besimi, dhe as njeni, as tjetri, nuk e dijnë gjuhën tonë me shkrim e me këndim…”

Anisa Demiraj / konica.al