Roli i Berishës në rrahjen e Edi Ramës dhe Preç Zogajt

Roli i Berishës në rrahjen e Edi Ramës dhe Preç Zogajt

907
0
SHPËRNDAJE

Më 9 shkurt, në një kafene të njohur si kafe e gazetarëve në Tiranë, disa prej njerëzve që dukej se po angazhoheshin nga pushteti “për t’u nisur në front”, hynë në kafenenë e Fidelit, siç njihej, dhe bënë masakër mbi njerëzit e opozitës dhe gazetarët që gjetën aty.

Ylli Rakipi më tregoi skenën me Preç Zogajn, që u rrah në sy të djalit të tij, rrahjen e Neritan Cekës dhe gazetarëve të tjerë që gjendeshin atje.

Ylli më tregoi se vetëm disa sekonda pas rrahjes së tyre mori në telefon Sali Berishën dhe i tregoi. Sali Berisha fillimisht bëri të paditurin, por Ylli këmbënguli.

Pastaj pak më vonë i dha një version ndryshe nga sa Ylli ia përshkroi nga vendi i ngjarjes. Sipas Berishës, dikush nga “ata” të rrahurit, sapo kishte parë agresorin kishte sharë Sali Berishën dhe ai “rrahësi” nuk ishte përmbajtur.

Kjo e kishte tronditur Yllin i cili ishte aty. Edhe pse bënte të painteresuarin, Berisha ishte online me ngjarjen.

Agim Shehu i tha më pas se ishte një polic i dehur, që e kishin “identifikuar”. U përpoqa të mësoja privatisht se kush ishin ata njerëz, por informacioni mbyllej gjithnjë tek dy-tre emra problematikë të policisë, me origjinë nga Tropoja, që përpiqeshin ta konsideronin këtë rast si një shans për të bërë para, emër dhe karrierë.

Me sa dukej, intuita ua thoshte se do shpërbleheshin një ditë. Njëri prej tyre, që më pas ma ka identifikuar një kolegu im gazetar, B. H., iku në ekzil pas vitit 1997 dhe u rikthye në vitin 2005. Tani është sërish në polici, pasi djali i Sali Berishës, me të cilin kishte ndarë disa vite në ekzil në Suedi, i kishte mbirë te dera ministrit të Brendshëm për ta pranuar sërish në polici.

Po kështu ndodhi dhe me rrahjen e Edi Ramës dhe Ndre Legisit. Sali Berisha përpiqej të besonte variante që e mbanin atë larg skenës së krimit: Për Edi Ramën ishte pak më ndryshe.

Me sa dukej, reagimi i fortë ndërkombëtar e kishte stepur disi. Versioni që na tregoi natën e parë pas ngjarjes ishte se e kishin rrahur disa komshinj, pasi ai dilte zhveshur në ballkon. Një ditë më pas tha se policia i fsheh diçka për rrahjen e Edi Ramës, se ai nuk po bën kallëzim.
– A mund të hetojë vetë Prokuroria?- e pyeti Ylli Rakipi.

-Nejse, ai nuk ka bërë denoncim. Shiko, ka shumë rëndësi kjo. Jo, kjo nuk është e thjeshtë. Duan ta bëjnë politike, le ta bëjnë, por nuk është kështu.

Por, të nesërmen, revista Newsweek kishte bërë një koment të rëndë për rrahjen e Edi Ramës. Sali Berisha filloi të lëkundej sërish dhe të fliste rreth hetimit me çdo kusht të rrahjes. E përsëriste këtë vazhdimisht edhe disa javë më pas.

-More, mirë të gjitha, po këtë rrahjen e Ndre Legisit s’e kam kuptuar kurrë, – i tha Ylli Rakipi në njërën nga këto bisedat e sikletshme, ku ai përpiqej të gjente arsye të tjera për rrahjen e Edi Ramës.

-Tani, situata… e di vetë ti… ç’t’i bësh. Në fakt, kam dhënë porosi të hetohet deri në fund.

Kështu, përmes spirales së dhunës dhe syve që nuk donin ta shikonin, vendi po futej në zemër të një cikloni, që ishte mbarsur nga avullimi pa fund i pareve, lirive dhe ëndrrave të shqiptarëve për kapitalizmin dhe demokracinë.

Me gjithë klimën e paqes që tentonte të mbillte Forumi për Demokraci, lufta ishte ajo që ndizte gjakrat dhe diktonte gjithçka. Autoriteti i Forumit për Demokraci nuk e kalonte bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përtej tij, njerëzit që donin të protestonin, donin përplasje.

Një përpjekje e dështuar e Berishës për të dalë në shesh, dështoi. Ai paralajmëroi një antimiting dhe tentoi të dilte më 19 shkurt në sheshin “Nënë Tereza”. Doli nga Presidenca ndaloi afër shatërvanit dhe u ngjit te shkallet.

E pa se ishte thuajse i vetëm, i shoqëruar nga rojat e tij. Askush nuk e përshëndeste, askush nuk brohoriste për të. Ishte një pamje që e tronditi dhe u fut shpejt në makinë. Një njeri gjysmë i pirë iu turr makinës së tij duke sharë dhe autokolona u zhduk nga sheshi.

Në Vlorë as që mendohej ajo që Lubonja, Gumeni dhe Kola donin të eksperimentonin në Tiranë. Ndaj pelegrinazhi real i politikës u bë marshimi drejt Vlorës. Nisja drejt Vlorës u kthye gati në simbol kur, në fund të shkurtit, disa mijëra qytetarë’të Fierit u nisën më këmbë drejt Vlorës.

Policia, me sa dukej, kishte bllokuar urën e Mifolit dhe shumë prej tyre u detyruan të kalonin në Vjosë. Më mori në telefon Arta Dade, e alarmuar që, së bashku me Namik Doklen dhe dikë tjetër nga kryesia e Partisë Socialiste, po kaloin lumin të zënë dorë për dore.

Më mori në telefon për ta përfshirë pengesën e policisë në raportin e “Zërit të Amerikës”. Mora më pas Namik Doklen, që ma konfirmoi “kalimin e divizionit të parë” në Vjosë, siç bën ai humor kryesisht me historinë e luftës partizane, kur Divizioni i Parë kaloi Shkumbinin për në Veri.

Drejt Vlorës nuk po shkonin vetëm protestuesit e Fierit, por nga gjithë Shqipëria. Më 26 shkurt 1996, në një miting, ndoshta në më të madhin që Vlora ka bërë para shkatërrimit, mijëra vetë pritën në shesh drejtuesit e Forumit për Demokraci, Fatos Lubonjën, Kurt Kolën dhe Daut Gumenin, si dhe shumë liderë të tjerë të opozitës.

Më në fund, të gjitha teknikalitetet e protestës ranë. Të gjitha palët u bën bashkë në një tribunë, ashtu siç i mendonin në të vërtet shumë shqiptarë të zemëruar.

Opozita e hoqi kompleksin e mospërfshirjes në protestat e fajdeve, Forumi hoqi dorezat e bardha të protestave paqësore me lule dhe shkoi thuajse mes armëve, ndërsa qyteti kishte dy javë që përjetonte një gjysmë anarkie, shkaktuar nga djegia e disa institucioneve qendrore, si Bashkia, Policia, Banka etj.

Protesta ishte vërtet masive. Ishte ajo pjesëmarrje dhe ai entuziazëm që inkurajuan radikalizimin e saj dhe kalimin në gjakderdhje dy ditë më vonë.

Ndërkohë, në Tiranë kishte mbërritur Eduard Selami. I ikur një vit më parë nga Shqipëria, pas përjashtimit brutal nga kreu i Partisë Demokratike, shfaqja e tij në hotel Rogner ato ditë të fundit të shkurtit ishte një rifreskim i kujtesës së hidhur. Më kërkoi të flisnim më vete dhe paksa gjatë.

Kërkesa e tij ishte e thjeshtë. Donte të takonte Sali Berishën, me çdo kusht. Kishte një mesazh për të. Ia premtova se do t’ia kërkoja me ngulm kërkesën e tij, por kisha pak shpresa se do ta priste. Kishte shumë ngjyra rikthimi i tij në ato çaste në Tiranë.

Kishte ikur prej Berishës në ditët e plotpushtetshme të tij dhe po kthehej në ditët më të zeza të tij. Dukej si një mallkim për çfarë kishte ndodhur, kur mendoje se gjithë e gjithë ishte pak më shumë se një vit.
-A mund të më thuash diçka më konkrete apo diçka më të koduar për Berishën, që ta bind? – i thashë.

-E di ai kush më ka nisur. Një mik i tij i vjetër në Uashington, që edhe unë e kam shumë mik. Mos ia thuaj këtë të fundit, por ai më ka thënë se Berishës i ka ngelur ose të mbushë helikopterin plot me karburant për rrugë të gjatë, ose t’i bjerë shkurt e të më presë mua.

U përpoqa të përfytyroja Berishën sikur t’ia thosha këtë. Me siguri që biseda do të mbaronte për dy sekonda. Por nuk ishte vetëm Berisha që e keqkuptonte dhe e shikonte me konspiracion vizitën e Selamit.

Edhe të sapolarguarit prej tij, po ashtu ishin dyshues. Në praninë time atij i dha dorën Dashamir Shehi dhe më pas Neritan Ceka, duke bërë kujdes që të shprehin një farë dyshimi për praninë e tij. Por i shqetësuari më i madh ishte Azem Hajdari. Për shkak të afërsisë me mua, nuk bëri fare kujdes ta fshihte zemërimin.

-Po ke ardhë me e ngjallë atë kufomën, e ke gabim, – i tha. – Ai do të të marrë me vete.
I qetë dhe shumë i shqetësuar nga keqkuptimet që po shkaktonte vizita e tij, Eduardi i siguroi se as kishte ndërmend që ta shpëtonte Berishën.

-Ka mbushur Aleksandër Meksi gjithë Tiranën që ke ardhur t’i zësh vendin, – tha Azemi. – Unë s’e dua fare atë, por ky kufoma nuk duhet ndihmuar, se ti i shton jetën.

Selami buzëqeshi gjithë mirëkuptim për mllefin e Azemit. Ishte i vetmi që kishte guxuar ta përcillte ditën që e zbuan nga partia. Ishte, si gjithmonë, mik i çdo kundërshtari të Berishës në PD dhe aleati i gjithkujt që ai e shpallte armik.

Ia thashë Berishës të gjitha: praninë e Eduardit, kërkesën e veçantë të tij, komentet rreth vizitës së tij. Dhe u përpoqa t’ia mbushja mendjen ta priste qoftë edhe pesë minuta.
Refuzonte vazhdimisht, por nuk më dha ndonjë arsye.

Pasi dhe unë bëra të pacipin duke këmbëngulur disa herë, më bëri një shpjegim tërësisht sociologjik për shkakun e refuzimit.

-Unë kam pas raporte të tjera me të, – më tha. – Nuk është puna te politika. E kam pas si djalin tim në shtëpi. Ka bërë dush në shtëpinë time. S’mund ta pranoj kaq lehtë, pas këtyre që kanë ndodhur. Harroje këtë kërkesë..

Ia thashë një orë më pas Eduard Selamit, po në korridorin e Rogner-it. Me shpresa të shuara për çfarë po ndodhte, më shtrëngoi dorën dhe u largua.
– Do të iki herët nesër në mëngjes, – tha.

– Shpresoj të kalojë sa më lehtë e gjithë kjo.
Ikja e tij riktheu boshllëkun dhe shteroi thashethemet e fundit rreth shanseve për zgjidhjen e krizës. Epiqendra vazhdonte të mbetej Vlora.

Drejt saj po shkohej si në Mekën e anarkisë shqiptare. Nga Shkodra në Sarandë, nisi sezoni i turistëve politikë, që ishin kompleksuar nga ideja se rebelimi në Vlorë do të ngjallte ndarjen Jug-Veri.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bahri Boriçi, udhëhoqi një karvan të djathtësh nga Shkodra në Vlorë, ndërsa disa qytete kryesore të vendit dërguan aty përfaqësues të tyre, që merrnin pjesë në tubimet e përditshme në Sheshin e Flamurit. Paralelisht me këtë pelegrinazh politik, media, sidomos ajo ndërkombëtare, po i shtonte njoftimet se drejt Vlorës po shkonin përforcime ushtarake.

Nuk ishte e vërtetë, por deklaratat e dëshpëruara përgënjeshtruese të zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme nuk i përfillte më askush. Ngjante më shumë e vërtetë që duhej të shkonin. Dhe kjo e ndezi më shpejt shpresën por dhe flakën në Vlorë.

Vijon

Mllefi i Aleksandër Meksit ndaj dyshes Berisha-Gazidede

Arrita rreth orës 03.00 në Presidencë. Ishin mbledhur të gjitha figurat kryesore të shtetit: Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi, Safet Zhulali, Bashkim Gazidede, Halit Shamata, Tritan Shehu, komandanti i Gardës dhe disa të tjerë që nuk i njihja. Kur hyra unë, ata po linin zyrën e Berishës.

Po më shikonin si UFO. Me siguri që Berisha e kishte bërë telefonatën me mua në sy të tyre. Kishte plot zemërim në vështrimet e tyre dhe një lloj krekosje të bezdisshme, që e kanë të gjithë ata që kanë dëshirë, por nuk kanë mundësi ta demonstrojnë pushtetin e tyre.

Hyra brenda. Ishin vetëm Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi dhe Sali Berisha. U tregova se ç’kisha parë në Lushnjë dhe Berat. Sali Berisha u ngrit më këmbë dhe filloi të sillej nëpër zyrë.

– Duhen bërë zgjedhje, – tha. – Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Duhet provuar a jemi shumicë apo jo. Nuk mund të përballemi në bllok me shoqërinë. Pjetër Arbnori tundi kokën.
-Nuk duhet t’i kemi frikë, – tha. – Po qe se njerëzit mendojnë se ne jemi e keqja, duhet të zgjedhin.

Aleksandër Meksi nuk foli. Berisha sillej nëpër zyrë dhe fliste për zgjedhje të reja. Donte të dëgjonte diçka për këtë gjë nga dy njerëzit më me pushtet pas tij, por nuk kishte shans. Në të vërtetë donte të frikësonte vetëm njërin prej tyre, kryeministrin. Por ky i fundit po e injoronte kërcënimin e tij.

E kisha në krah dhe m’u desh të pyesja se ç’u bë me “Xhaferrin” dhe “Popullin”.
-Do ndajmë lekët, – tha, – deri më 5 shkurt.

-Atëherë duhet të japësh një intervistë, – i thashë. – Një intervistë për “Zërin e Amerikës” dhe e transmetoj unë pas tri orësh, domethënë në orën 07.00 të mëngjesit.
Ramë dakord dhe pas disa minutash bëmë intervistën.

Përveç bisedës për zgjedhje të parakohshme, Berisha nuk foli për asgjë tjetër. Tregimet e mia për maskat që na kishin marrë lekë dhe për kryetaren e trembur të Bashkisë në Berat, e kishin trazuar keq.

Pastaj dolëm nga Presidenca. Ishte duke gdhirë e diel, dita në të cilën ishin lajmëruar protesta në Tiranë. Aleksandër Meksi nuk më la të ikja.

-Eja bëjmë një shëtitje, – tha. Filluam të silleshim rrotull Presidencës, pasi Meksi aty kishte dhe shtëpinë. – Iku kjo punë, – tha. – Kisha kohë që i paralajmëroja, por ai dëgjonte SHIK-un. Ta mbajë me SHIK-un tani…. Kam ca toka të familjes, të shikoj mos merrem me to. Do të ndërtoj diçka.

-Ku të shkon mendja edhe ty, – ia prita unë. – Larg ajo punë. Në fillim duhet të zgjidhni këto halle që keni përpara.

-Ato le t’i zgjidhë vetë ai. Ç’punë kam unë me to? Unë ua kam thënë. Nuk qeveriset kështu. Le të mbajë Gazideden tani dhe Agim Shehun. Dhe atë plehrën, Tritanin.
-S’kanë rëndësi emrat, – i thashë. – Kjo quhet qeveria Meksi.

– E di, por kjo për mua ka marrë fund.

Ai e ka fajin. Unë kam punët e mia. Biseda sa vinte e bëhej më e rëndomtë dhe unë i thashë befas se duhej të ikja, se më flihej. U ndamë para portës së pallatit të tij.