Enver Hoxha 56 vite më parë, në provën e një bombe atomike...

Enver Hoxha 56 vite më parë, në provën e një bombe atomike në BS

538
0
SHPËRNDAJE

Thanas Mustaqi

Enver Hoxha ka qenë vëzhgues i një prove atomike sovjetike, që u përdor në një stërvitje ushtarake. Zbulohet për lexuesin shqiptar fakti i bujshëm, krejt i panjohur.

Ai u bë publik qysh në vitin 1994 në Rusi, në përkujtim të 40-vjetorit të stërvitjeve ushtarake në një poligon pranë Uraleve.

Ngjarja bëhet edhe më intriguese po të kihen parasysh se askund udhëheqësi shqiptar nuk ka folur për praninë e tij në shpërthimin bërthamor.

Dhe pse kanë filluar të dalin të dhënat e para në mediat ruse pas de-klasifikimit të shumë dokumenteve, ende nuk është shpalosur plotësisht ngjarja e 14 shtatorit 1954, pasi bëhet fjalë për një stërvitje unikale me përdorim të bombës reale mbi 45 mijë pjesëmarrës. Këtu gjeneral-koloneli gjirokastrit do të vinte kundërgazin dhe do të shtrihej me fytyrë nga toka për të shmangur infektimin radioaktiv.

Ndërkohë, mund të hamendësohet për shkaqet reale të sëmundjes së shfaqur vite më vonë: diktatori ka vuajtur nga diabeti, sipas versionit zyrtar, apo pati dhe shenja të një leucemie të ngadalshme. Pjesëmarrësit në prova kanë nënshkruar një dokument me betimin për të mbajtur përjetësisht të fshehtë këtë gjë, qoftë edhe para mjekëve për pasojat, që do t’u shfaqeshin.
Ndoshta, edhe lideri shqiptar e ka ruajtur betimin për sekretin e madh?

Imitimi i Gjermanisë
14 shtator 1954. Në poligonin sovjetik Tockoje (krahina e Orenburgut) u zhvilluan stërvitje korpusi në kushtet e një shpërthimi real bërthamor me emrin e koduar “Snjezhok” (Shuku i borës). Në stërvitjet e Tockojes bashkëvepruan njësi, shtabe dhe reparte të të gjitha llojeve të trupave – gjithsej deri në 45 mijë ushtarakë. Në fillim të viteve 90, pas de-klasifikimit të materialeve të stërvitjeve, Ministria e Mbrojtjes e BRSS njoftoi se në stërvitjet në poligonin e Tockojes në vitin 1954 morën pjesë gjithsej vetëm 44-45 mijëra trupa.

Megjithatë, ekspertë të pavarur pretendojnë në ato prova bërthamore u përfshi një numër nga 150 deri 300 mijë vetë. Sheshin për provën e bombës e zgjodhi personalisht mareshali Zhukov. Reliefi i zonës së rajonit të Tockojes është pothuajse njësoj si në Gjermani – në ato zona Bashkimi Sovjetik mendonte të përdorte armën bërthamore.

Sfondi politik
Stërvitjeve u parapriu një vendim i posaçëm i Këshillit të Ministrave të BRSS-së i 29 shtatorit 1953. Stërvitja e korpusit, e quajtur “Thyerja e mbrojtjes së përgatitur taktike të armikut me përdorimin e armës atomike”, kishte edhe sfond politik – aty u ftuan si vëzhgues ministrat e mbrojtjes të shteteve aleate të BRSS.

Ditën e provës së “apokalipsit” bërthamor, ushtarët dhe banorët vendas njohën mes pjesëmarrësve mareshalët e Bashkimit Sovjetik Vasilevski, Rokosovski, Malinovski, Konjev, Bagramjan, Timoshenko, si edhe legjendarët Budjoni dhe Voroshilov. Nuk mbeti jashtë vëmendjes biri i Çapajevit, komandant brigade artilerie Aleksander Çapajev.

Këtu, një ditë para stërvitjeve erdhën ministri sovjetik i mbrojtjes Bulganin së bashku me kryetarin e Këshillit të Ministrave Malenkov dhe sekretarin e parë të KQ të PK të BS Hrushov. Midis të ftuarve kishte ushtarakë jugosllavë dhe kinezë. Pjesëmarrësi i stërvitjeve në Tockoje V.U. Fjodorov ka shkruar se mes ushtarakëve dhe udhëheqësve të huaj mbante mend në veçanti Enver Hoxhën – kreun e Shqipërisë dhe mareshalin Pin De-Huaj, ministër kinez i mbrojtjes Edhe shefi i programit bërthamor sovjetik, akademiku Igor Kurçatov (“babai” i bombave atomike, me hidrogjen dhe termobërthamore sovjetike) vizitoi rajonin. Vëzhguesit e ftuar nga vendet mike në atë kohë, duhej shihnin se kishin një aleat të vetin, Bashkimin Sovjetik me një fuqi të tmerrshme në duar.

Për t’u mbushur mendjen, i ftuan në pikën e komandimit, e cila ndodhej 10.5 kilometra nga epiqendra e planifikuar e shpërthimit.

Në mëngjes herët
5 ditë përpara shpërthimit atomik të gjithë trupat u nxorën nga zona e ndaluar prej 8 kilometrash. Më 14 shtator 1954 në mëngjes, komanda supreme u vendos në pikën kryesore të vrojtimit. Atje ishin pothuajse të gjithë mareshalët e Bashkimit Sovjetik dhe llojeve të njësive, disa ministra, akademikët.

Atje u sistemuan delegacionet e ushtrive aleate të BRSS. Më 14 shtator, në mëngjes herët, komanda supreme ushtarake me në krye zv/ministrin e parë të mbrojtjes dhe drejtuesin e stërvitjeve mareshalin Zhukov, dolën me 40 automjete “ZIM” nga Tockoje-2 dhe shkuan në pikën kryesore të vrojtimit. Kur i avioni mbajtës i bombës atomike iu afrua objektivit, Zhukovi shkoi në tribunën e hapur VIP të stërvitjeve. Pas tij shkuan të gjithë mareshalët, gjeneralët, si dhe vëzhguesit e ftuar.

Pastaj ai dhe mareshalët dhe akademikët u ngjitën në kullë në krahun e djathtë të tribunës VIP. Në majtë u vendosën delegacionet ushtrive të vendeve të kampit socialist, të kryesuara nga ministrat e mbrojtjes.

Barkas tribuna VIP!
Tribuna e vrojtimit ishte pajisur me mjete të ndërlidhjes me altoparlant. Zhukovi filloi të dëgjojë raportimet mbi situatën meteorologjike në poligon. Koha ishte e kthjelltë, ishte i ngrohtë, dhe frynte një erë mesatare. 10 minuta para dhënies së goditjes me sinjalin e alarmit atomik “Mollnija” (Rrufeja), të gjithë trupat e stacionuar në zonën e ndaluar (8 km), zunë vendstrehimet, ose u shtrinë me fytyrën poshtë në llogore, hyrjet e komunikimeve, vunë kundërgazet, mbyllën sytë, domethënë sipas rregullores morën masa për sigurinë personale.

Të gjithë të pranishmit, përfshirë dhe Enver Hoxhën, në pikën e vrojtimit në “Medvezhja Gora” (Mali i Ariut), 10.5 km larg epiqendrës së shpërthimit, vunë kundërgazet me filma mbrojtës të errët në okularë.

Zhukovi dhe vëzhguesit në çastin e shpërthimit ndodheshin në pikën e vrojtimit. Një flakë e shndritshme u dogji fytyrat të gjithëve. Pastaj kaluan dy goditje të fuqishme: e para nga shpërthimi i bombës, kurse e dyta – e reflektuar nga toka. Dukej që vala goditëse shkon sipas lëvizjes së kërcejve të drithërave. Shumë të pranishmëve u ishin shqyer kapelat, por as Zhukovi, as Konjevi, nuk shihnin prapa. Zhukovi ndiqte pa ndërprerje ecurinë dhe pasojat e shpërthimit bërthamor.

Njoftimi zyrtar në organet Ruse
Në organin e Partisë Komuniste të BS, të përditshmen “Pravda”, më 17 shtator 1954 u botua një njoftim telegrafik i Agjencisë zyrtare të lajmeve TASS me këtë përmbajtje: “Në përputhje me planin e punimeve kërkimore-shkencore ditët e fundit në Bashkimin Sovjetik u bë prova e një prej llojeve të armës bërthamore.

Qëllimi i provës ishte studimi i veprimit të shpërthimit atomik. Gjatë provës u përftuan rezultate të vlefshme, të cilat do të ndihmojnë shkencëtarët dhe inxhinierët sovjetikë të zgjidhin me sukses detyrat e mbrojtjes nga një sulm atomik”. Lajmi bëri xhiron botërore, pasi Lufta e Ftohtë mund të shndërrohej në një konflikt bërthamor.

Por njoftimi nuk jep as fuqinë e bombës, as emrin e poligonit. Për hollësitë e shpërthimit atomik në BRSS në poligonin e Tockojes deri në vitin 2004 pak njerëz dinin në Rusi. Ky boshllëk në njëfarë mase u mbush nga libri “Për hir të Atdheut. Shpërthimi atomik i Tockojes” [titulli në origjinalin rusisht “Radi Oteçestva.

Tockij atomnij vzriv”]. Autorët-hartues P. Lapajev, P. Mazin dhe M. Lapajeva kanë përmbledhur artikuj të botuar më parë dhe deklarime të pjesëmarrësve të stërvitjeve, tregime dëshmitarësh. Disa dokumente kanë mundur të rikrijojnë tablonë e eksperimentit të parë dhe të vetëm në historinë e njerëzimit me përdorimin e bombës atomike në stërvitjet ushtarake dhe në lokalitete me popullsi të dendur.

Fuqia e deklaruar e bombës ishte 40 kilotonë, edhe pse ekspertë të pavarur e konsiderojnë këtë shifër tejet të zvogëluar dhe e vlerësojnë fuqinë e shpërthimit jo më pak se 100 kilotonë (rreth 8 herë më të madhe se fuqia e bombës, që hodhën amerikanët në Hiroshima). Përmbledhja u botua në Orenburg, atje ku u bë ky eksperiment. Por vetëm një tirazh të vogël – gjithsej 1 mijë kopje.

Përgatitja
Në fillim të vitit 1954 me një vendim sekret të Presidiumit të KQ të PK BS dhe urdhër të Ministrit të Mbrojtjes të BRSS Mareshalit N. A. Bulganin u planifikua të zhvilloheshin stërvitje sekrete trupash të korpuseve, me përdorim real të armës atomike në poligonin Tockoje të qarkut ushtarak të Uraleve të Jugut. Drejtimi i stërvitjes iu ngarkua mareshalit G. K. Zhukov. Për këtë qëllim u krijua një shtab për marrjen e masave.

Ende edhe sot mbetet mister përse u vendos përdorimi i armës atomike me pjesëmarrjen e një numri të madh trupash dhe teknike në një rajon të begatë e me popullsi të dendur, në qendër të vendit, 1200 km nga Moska. Në pranverën e vitit 1954, një grup rikonjicioni bëri vlerësimin e poligonit të Tockojes, të vendosur mes Samarës dhe Orenburgut. U tha se ishte i përshtatshëm për kushtet e sigurisë për stërvitje. Bomba atomike, me fuqi të rendit 40-50 kilotonë ekuivalentë tritoli, shpërthim i së cilës ishte menduar të realizohej gjatë stërvitjeve, u provua paraprakisht në poligonin e Semipalatinskut në gjysmëshkretëtirën e Kazakistanit. Pikërisht atje, në vitin 1949, u bë prova e parë e ngarkesës atomike të quajtur RDS (Rossija dellajet sama – Rusia e bën vetë). Tani radha i erdhi kampit më të vjetër ushtarak të Tockojes.

Sipërfaqja e tij në vitin 1954 ishte më shumë se 60 mijë ha. Poligoni i artilerisë ishte i pajisur për kryerjen e provave të llojeve të ndryshme të mjeteve dhe teknikës luftarake. Poligoni ndodhej 200 km nga Orenburgu, 260 – nga Samara, 50 – nga Buzuluku. Gjithsej në këtë rajon në një rreze 70 km nga epiqendra e shpërthimit në vitin 1954 kanë qenë më shumë se 500 fshatra dhe lokalitete me një popullsi mbi 300 mijë banorë.

Sistem i trefishtë kontrolli
Të gjitha përgatitjet u kryen në një regjim sekreti rigoroz. Gjithë korrespondenca e personelit iu nënshtrua censurës ushtarake. Në poligon dhe në garnizonin e Tockojes u krijua një sistem i trefishtë i sigurt regjimi kontrolli dhe lejekalimi për lëvizjen e njerëzve dhe teknikës në zonën e ndaluar dhe anasjelltas.

Pjesëmarrësve iu mor firma për ruajtjen e sekretit për 25 vjet. Por kjo gjë më vonë shkaktoi tragjedi të shumta. Njerëzit e sëmurë pas shpërthimit, nuk mund t’u tregonin mjekëve për shkaqet e vërteta të sëmundjes, kurse mjekë me sëmundje të këtij lloji nuk takonin. Për këtë arsye, pjesëmarrës të shumtë në stërvitje, banorë vendas vdiqën të rinj, edhe u bë pse punë sqaruese me popullsinë, që banonte 20 km nga epiqendra e planifikuar e shpërthimit atomik.

Banorët e kësaj zone u shpërngulën dhe u vendosën në vende të tjera. Për ata u ndërtuan shtëpi, u kompensuan humbjet e pasurisë. Por, sikurse vë në dukje ish-shefi i rajonit të punëve të brendshme të Tockojes, “me sa duket, qeveria dhe lidershipi ushtarak besonin se përtej kësaj distance nuk do të ndodhte asgjë e tmerrshme. Prandaj, banorët e vendbanimeve 30-70 kilometra nga epiqendra nuk dinin asgjë, dhe si rezultat u verbuan nga flaka e shndritshme, ndien valën e shpërthimit”. Sigurisht, bëri punën e vet dhe ndotja radioaktive e mjedisit përreth.

Shpërthimi
Në orën 9 e 20 minuta aeroplani bombë-mbajtës i shoqëruar nga dy bombardues Il-28 dhe tre gjuajtës MiG-17 fluturoi mbi territorin e poligonit të Tockojes dhe e bëri uljen e parë për zbulimin e objektivit.

Pasi u bind për saktësinë e të gjitha llogaritjeve sipas orientuesve tokësorë, komandanti major Vasilij Kutorçev e drejtoi avionin nëpër korridorin e përcaktuar dhe në uljen e dytë shkoi në kursin lufturak. Komandanti i raportoi Zhukovit: “Objektin e shoh!”.

Zhukovi dha urdhër me radio: “Kryeni detyrën!”. Përgjigja ishte: “Po e asgjësoj, e hodha!”. Kështu, në orën 9 e 33 minuta ekuipazhit i aeroplanit mbajtës të bombës me shpejtësi prej afro 900 km në orë nga një lartësi 8 mijë metrash bëri hedhjen e bombës atomike me peshë 5 tonë, me fuqi prej 40-50 kilotonë.

Pas 45 sekondave në lartësinë 358 metra nga toka ndodhi shpërthimi me shmangie nga katrori i shënuar prej 280 metra.

Fundi i botës
Në çastin e shpërthimit të guaskës së trashë prej çeliku të bombës u shkaktua një zhurmë e fortë shurdhuese, pastaj – një flakërimë verbuese në formën e një sfere të zjarrtë. Trysnia super -e lartë disa trilionë atmosferë që u shkaktua, shtypi rreth vetes hapësirën ajrore të mjedisit, si pasojë në qendër të sferës u shkaktua vakum.

Njëkohësisht u krijua një temperaturë super-e lartë nga 8 deri në 25 mijë gradë me rrezatim super-të lartë në ajër, sipërfaqe dhe tokë, temperaturë që depërtonte kudo dhe që ndodh vetëm një herë. Lënda shpërthyese në bombë u shndërrua në plazmë dhe u shpërnda në drejtime të ndryshme. Në vrimën vakum, që u formua, nga sipërfaqja e tokës u ngritën përpjetë pemë të shkulura me gjithë rrënjë, trualli tokësor me bimësinë e gjallë, pluhur dhe blozë që peshonin disa mijëra tonë.

Si rezultat, u formua kërcelli i kërpudhës bërthamore me diametër 2,5-3 km. Në këtë kohë, për njerëzit dhe kafshët u bë e vështirë të merrnin frymë. Njëkohësisht në qendër të shpërthimit u formua një valë goditëse me fuqi të madhe.

Ajo goditi avionin bombë-mbajtës dhe avionët që e shoqëronin. Avionët i flaku lart deri në 50-60 metra, ndonëse tashmë ishin larguar 10 kilometra nga vendi i shpërthimit. Vala goditëse zanore lëkundi sipërfaqen e tokës në një rreze deri 70 kilometra, fillimisht në njërën, pastaj në anë tjetër. Lëkundja e tokës në rreze 20 kilometra nga epiqendra e shpërthimit ishte e barabartë me lëkundjet që sjell një tërmet 6-9 ballë.

Në këtë kohë në qendër të shpërthimit në lartësinë 358 metra vazhdonte reaksioni. Fillimisht rreth sferës së zjarrtë u formua një re e vogël përdredhëse me ngjyrë të bardhë në gri. Ajo nisi të shndërrohej në “kësulë” të stërmadhe kërpudhe, duke u rritur me shpejtësi, si të ishte përbindësh gjigant.

Në të “notonin”pemë tri pashë të gjera të ngritura lart. Kësula e kërpudhës shkëlqente me ngjyra të ndryshme dhe në lartësinë 1,5-3 km diametri i saj arriti në 3-5 km. Pastaj ajo u bë e bardhë në gri, u ngjit deri 10 km dhe filloi të largohej në lindje me shpejtësi 90 km/h. Në tokë, në rreze 3 km nga epiqendra, lindi një uragan i zjarrtë, i cili shkaktoi zjarre të fuqishme në rreze 11 km nga shpërthimi. Për shkak të rrezatimit filloi infektimi radioaktiv i ajrit, tokës, ujit, kafshëve eksperimentale, teknikës dhe, më e rëndësishmja, i njerëzve.

Pjesëmarrja gjigante
Drejtpërdrejt në stërvitjet atomike sovjetike të 14 shtatorit 1954 morën pjesë më shumë se 45 mijëra ushtarë dhe oficerë, 600 tanke dhe AVL (artileri vetëlëvizëse), 500 topa dhe mortaja reaktive, 6.000 njësi të teknikës së autotraktorëve, një numër i madh mjetesh të ndërlidhjes dhe logjistikës, 3 divizione të forcave ushtarake ajrore me 320 avionë IL-28, MiG-15 dhe MiG-17. Pikërisht atëherë për herë të parë u shfaqën tanket e reja T-54, makinat e reja GAZ-69.

Më në fund, për oficerët u fut uniforma fushore prej leshi, pelerina etj. Të gjitha këto u planifikuan të kontrolloheshin gjatë stërvitjeve. Në një rreze 300 m – 2,5 km. nga epiqendra e paramenduar e shpërthimit ishin vendosur teknikë luftarake, tanke IP, KV, T-34, T-54, automjete, topa dhe armatim tjetër.

Si në vendstrehime, ashtu dhe jashtë tyre ishin vendosur avionë të konstruksioneve nga më të rejat deri dhe të vjetra. Në transhe u shpërndanë 2 mijë manekinë të ushtarëve me armë dhe predha. Për testet u sollën 40 kuaj, 40 dema, disa dhjetëra krerë bagëti, 400 dele, të cilat u shpërndanë në hendeklidhje, vendstrehime, terrenin e hapur, avionë dhe teknikën e blinduar.

U përdorën për testim dhe kafshë të tjera: majmunë, minj, lepuj, shtazë dhe zogj, që kishin si habitat territorin e poligonit.