Sadik BEJKO: Kryengritja e Zhapokikës në Tepelenë, korrik-tetor 1948

Sadik BEJKO: Kryengritja e Zhapokikës në Tepelenë, korrik-tetor 1948

1243
0
SHPËRNDAJE

Kryengritja e Zhapokikës e muajve korrik-tetor 1948 në rrethin e Tepelenës për shumë njerëz mbetet krejt e panjohur. Në këto vitet e fundit, kur u bënë shumë dekorime, nderime dhe vlerësime për martirizimin e shqiptarëve nga komunizmi, për çudi zhapokikasit e Tepelenësv nuk e patën këtë fat. Kryengritja e Zhapokikës deri më sot ka mbetur jashtë vëmendjes, jashtë bujës. Por edhe kështu, si e degdisur jashtë kohës dhe hapësirës, ajo peshon me gjakun, martirizimin dhe vdekjen.

Edhe kështu e harruar, e mënjanuar në thjeshtësinë, në tragjikën dhe në spontanitetin e vet të përzishëm fshatarak, kjo kryengritje mbetet një shenjë me ndriçimin e zjarrit në errësirë, mbetet një altar i gjakut dhe i mundit të njerëzve që e ngjizën dhe i dhanë jetë.
Kur flet për të, në opinionin e gjerë njerëzit ngrenë supet me habi dhe me mosbesim: një kryengritje e tillë në Tepelenë?

Në Tepelenën “e kuqe”, siç e ka pasur namin, në Tepelenën që deri në vitet ‘50 ka qenë vend internimi për armiqtë e regjimit, të ketë pasur një kryengritje antikomuniste? Këtë mos e thoni se nuk mund ta besojmë.

Ky opinioni i painformuar ka të drejtë të mos besojë. Por ajo që është më e çuditshmja dhe më e pashpjeguara ende nuk kanë mbaruar: pse për këtë kryengritje kanë vazhduar të heshtin dhe disa nga strukturat e interesuara, OJQ-të që ndjekin martirizimin dhe privimin e të drejtave të njeriut, shoqatat krahinore dhe ato kombëtare të të përndjekueve politikë.

Një krim sikur të ketë ndodhur edhe70 vjet më parë, sipas parimeve të botës në të cilën duam të integrohemi, e meriton të gjykohet e të ndëshkohet. Përse të heshtim para një krimi? Vallë mos kemi një kryengritje antikomuniste të mohuar nga e sotmja, të papërfillur prej saj? Nuk dihet përse, por, për fat të keq, kështu ka ndodhur deri më sot. Ndaj njerëzit e painformuar nuk të besojnë.

Dhe të pyesin: Një kryengritje antikomuniste në Tepelenë? Mos ke lajthitur? Mos po e ngatërron me ndonjë kryengritje të kohës se Tanzimatit? Kështu, opinioni më lehtë mund ta shkojë ndër mend që në zonat e Tepelenës ndonjë kryengritje e kohës së Tanzimatit ende mund të jetë e panjohur, sesa atë që në vitin 1948 të këtë ndodhur në Tepelenë një kryengritje kundër komunizmit.

Por këtu do të ndalim. Nuk do te merremi me atë opinion që vazhdon të mos besojë, ose me atë opinion që nuk do, nuk pranon ta besojë atë që ka ndodhur.

Kryengritja e Zhapokikës është një fakt historik, është një ngjarje tragjike, heroike dhe krejt e vërtetë. Burrat e fshatrave Zhapokikë, Luftinjë e Kamçisht në vjeshtën e vitit 1948 u ngritën me armë në dorë kundër regjimit në fuqi. Këta burra luftuan, u vranë në përpjekje të pabarabarta me forcat e regjimit, u pushkatuan dhe u burgosën nga gjykatat. Ata edhe në burg me kokën lart e pohuan: u ngritëm si ushtarë, ishim ushtarë në luftën për demokraci.

Në rastin e vizitës së Papa Françeskut, pamë dëshmi të gjalla të martirizimi për shkak të ideve, të ndëshkimit e privimit vetëm se beson një ide, një fe, një zot. Këtu në Zhapokikë kemi dëshmitë tragjike të rënies me armë në dorë, të pushkatimit, të burgosjes dhe të vdekjes në burg e në internim. Këta njerëz nuk kanë pasur asnjë llogari personale me regjimin. Ata janë vrarë për atë që besonin se ishte e drejtë.

Janë vrarë si martirë për të mbrojtur idetë në të cilat besonin. Për këto ide ata nuk morën parasysh as jetët e tyre, as ndëshkimet që do të pësonin të afërmit e tyre. Papa Françesku tha se ne shqiptarët jemi të gjithë të martirizuar. Këtu në Zhapokikë jemi në një vatër të nxehtë e të gjallë të këtij martirizimi shqiptar nga komunizmi. Ne jemi krenarë për këta burra me kurajo vetmohuese, jemi krenarë se vlerat e demokracisë tek të cilat ata besuan, koha i pohoi si të tilla, se antikomunizmi i tyre ishte dhe do të mbetet vlerë e pluralizmit në të cilin sot besojmë.

Për këtë kryengritje dokumentet dhe dëshmitë nuk mungojnë. Për këtë Kryengritje flasin qindra faqe të daktilografuara të dosjes 2405 të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, flet libri “Provokacione, komplote e dështime” i Themi Bares.

Më mirë se kushdo për të dëshmojnë disa nga ata pjesëmarrës ende të gjallë në fshatrat Kamçisht, Zhapokikë e Luftinjë. Flasin dhe ata që, për shkak të saj, e kaluan jetën që nga fëmijëria nën ndëshkim dhe që dolën nga burgjet e internimet vetëm më 1991. Flasin dhe ata familjarë, të afërm të të vrarëve e të burgosurve nga Kryengritja e Zhapokikës, njerëz që u përndoqën nga lufta e klasave.

Dhe jo vetëm këta me lidhje direkte me pjesëmarrësit, por gjithë krahina e Luftinjës Zhapokikës Kamçishtit, madje gjithë Toskërija e Tepelenës që nga kjo Kryengrtitje mbetën me damkën e kundërshtarëve të regjimit. A, a, … ju jeni nga ata të Zhapokikës, u thoshin banorëve të kësaj krahine, kur donin t’i përjashtonin nga të drejtat politike.

Koha e komunizmit ka pasur një gjeografi të zonave të dashura për regjimin dhe të zonave me të padashur për regjimin. Këtu jo vetëm tri fshatrat por e tërë zona është quajtur e dyshimtë, e rrezikshme, me njollën e damkën e kundërshtarit real a të mundshëm.

Organet gjyqësore të kohës, të Gjykatës së faktit dhe të Kolegjit të Gjykatës së Lartë Ushtarake luftën e burrave të Zhapokikës e kanë cilësuar me formulimin juridik: “Lëvizje kryengritëse për të rrëzuar organizimin shtetëror me dhunë”. Edhe Themi Bare, një zëdhënës propgandistik i Sigurimit të Shtetit, në librin e tij “Provokacione, komplote e dështime” luftën e burrave të Zhapokikës e quan terroriste, kriminale, të nxitur nga reaksioni i brendshëm dhe i jashtëm. Veç në parathënien e këtij libri Themi Bare vëren se në dallim nga kryengritjet e viteve 1946 – 1947 në Veri, revolta që ishin organizuar nga të arratisurit e mbetur ende në male që nga lufta, revolta e Zhapokikës fillon nga “vetvetja”, shpërthen katër vjet pas Luftës dhe pa ndonjë lidhje direkte me të quajturit “kriminelë” të luftës.

Sot është e lehtë që kësaj kryengritjeje t’i vësh përsipër etiketën lëvizje antikomuniste. Është po aq e lehtë sa edhe sharjet e fjalët fyese që më 1948 kryengritësve ua përlasën në fytyrë zyrtarisht, u thanë: injorantë, të gënjyer, të nxitur nga Koçi Xoxe, të nxitur nga imperializmi anglo – amerikan etj.

  1. Parahistoria e rebelimit

Po çfarë ishte kjo kryengritje? Pse më 1948 u ngritën dhe u gjakosën me shtetin e tyre këta fshatarë? A mos në thelb ajo ishte një revoltë fshatare, thjesht revoltë fshatarësh që ashtu ua tha truri, të marrin armët dhe t’i bien një shteti që ata nuk e donin?

Më poshtë do të themi se ajo nuk ishte një revoltë e verbër dhe spontane e shpërthyer në gjak nxehtësti e sipër. Ajo ishte një revoltë me armë e mirëorganizuar e menduar dhe me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara. Para se të themi diçka të qëndrueshme për karakterin e kryengritjes dhe për organizimin e saj, le të shënojmë se ajo ndodhi në krahinën e Toskërisë së Tepelenës, krahinë në të djathtë të lumit të Vjosës. Vetë tepelenasit këtë ndarje nga një lumë e kanë për gjë të madhe.

Brendapërbrenda Tepelenës ka pasur rivalitete dhe nofka fyese të ndërsjellta midis lebërve në anën e majtë të Vjosës dhe toskëve në anën e djathtë të lumit. Sjellje e rivalitete të tilla midis krahinave në kufi me njëra-tjetrën janë të pranishme në gjithë Shqipërinë.

Mbas Luftës së Dytë Botërore rivalitetin krahinor të pushtetit e fituan përfundimisht lebërit. Në mënjanimin politik të toskëve ka luajtur rol dhe Kryengritja e Zhapokikës që toskëve ua ulte kokën para lebërve më të lidhur me regjimin. Qyteti i Tepelenës për toskët, mbeti një periferi, mbeti thjesht një qendër administrative. Lidhjet shpirtërore dhe ato tregtare krahina e Toskërisë i mbajti me Përmetin, Këlcyrën, Beratin dhe Mallakastrën. Krenari e Toskërisë kanë qenë figura historike me peshë si: Ali Pashë Tepelena, Tafil Pashë Buzi dhe familja Vasjari me komandantët e saj të dëgjuar që nga koha e Aliut, te kryengritjet e Tanzimatit, te Lidhja e Prizrenit e deri tek “Komiteti i Vasjarit për mbrojtjen e tokave shqiptare”.

Këta malësorë (pika më e lartë e banuar shënon 900 m) respektojnë pronën e vogël, familjen, lidhjet fisnore e miqësore dhe faltoret e tyre bektashiane. Kultit të Malit të Tomorit në çdo muaj gusht i bëjnë pelegrinazhe dhe i flijojnë në masë gjedhë e bagëti të imta. Këtë devotshmëri të lartë për sektin bektashi, që tradicionalisht e lidhte me frashërllinjtë, zona e pagoi shtrenjtë, se gjatë Luftës II Botërore vihet përgjithësisht nën influencën e Ballit Kombëtar, madje krijon edhe batalionin ballist “Tafil Buzi” nën komandën e një oficeri me akademi të lartë ushtarake të kryer në Itali, të Hyso Qamilit që vritet më 1944.

Shumë nga klerikët e shquar bektashinj të zonës u pushkatuan. Në kohën e “gjuetisë së shtrigave”, të luftës së Koçi Xoxes kundër intelektualëve, në vitin 1947, nën damkën “armiq të popullit”, ekzekutohet krejt elita e zonës. Pushkatohen me vendim gjyqi:

  1. Zenel Shehu, gjatë luftës ishte komisar batalioni partizan, në origjinë klerik e pronar tokash; pas lufte i pakënaqur nga reformat.
  2. Kristaq Peshtani, i përndjekur nga mbreti Zog si fanolist, komandant i një njësiti partizan gjatë luftës
  3. Syrja bej Vasjari, agronom me studime universitare në Francë, gjatë luftës komandant i një çete balliste, i tërhequr në jetën private pas dështimit të Mukjes.
  4. Baba Ali Tomori, poet, historian, eseist, përkthyes; sipas Robert Elsit, autor i së paku gjashtë librave, të botuara në vitet 20-30.
  5. At Gjergj Suli, klerik ortodoks.
  6. Baba Shefqet Mahmutaj i Koshtanit, klerik i sektit Bektashi.

Katër nga këta janë pushkatuar në një ditë, të lidhur duar më duar me pranga në Gjirokastër. U përzie gjaku i komisarit me gjakun e beut nacionalist dhe gjaku i babait bektashi me gjakun e priftit ortodoks. Vetëm diktaturës mund t’i shkonte ndër mend të bashkonte në një si armiq të saj njerëz kaq të ndryshëm. Në dosjet gjyqësore të tyre, si për ish-partizanët dhe për ish-ballistët, gjen akuzat standarte: reaksionarë, rebelues në tentative, agjentë të anglezëve e të vorio-epirotëve.

Krahina e Toskërisë mbeti e ndëshkuar dhe e damkosur për komunizmin. Lebërit që qendrën e kishin pasur në Gusmar e që me ndarjen e re administrative pas 1945-ës u eliminua si nëprefekturë, tashmë morën kryet e pushtetit në Tepelenë. Që nga kjo kohë, Toskëria nuk do të ketë përfaqësuesit e saj në rreth, as deputetë, as kryetar rrethi, as gjykatës, as kryepolicë. Dyzet vjet kjo situatë mbeti e tillë.

  1. Organizimi i kryengritjes

Pas ekzekutimit të personaliteteve të mësipërme, dy figura të tjera, Xhemal Brahimi e Sulo Zaimi, mbajnë gjallë urrejtjen për regjimin e ri dhe duan ta provojnë shijen e rebelimit kundër tij. Sulo Zaimi, ish major i ushtrisë mbretërore, i kthyer në vendlindje pasi kishte shërbyer si oficer në forcat kuislinge gjatë luftës, filloi të punojë me shumë dinakëri kundër regjimit, nxiste dhe frymëzonte të tjerët në fshehtësi të plotë, për vete qëndronte në plan të dytë.

Merita kryesore për shpërthimin e kryengritjes i takon Xhemal Brahimit, fshatar i mesëm 30 vjeçar, fshatar që i ishte marrë tokë nga reforma agrare, i martuar me dy fëmijë, me arsim fillor, antizogist i njohur, partizan dhe së fundi ballist gjatë luftës. Xhemali, ky propagandist, orator dhe organizator i lindur, vendosi, që në muajt gusht- shtator 1948 të organizojë rebelimin me armë kundër shtetit. Në muajin korrik ai mblodhi rreth vetes një grup të vogël me Bajram
Kamberin, ish xhandar 59 vjeçar, Mehmet Yzeirin, këshilltar komune në Buz dhe kryetar fronti në fshatin e vet, Salo Kaso, këshilltar dhe funksionar policie i komunës Buz.

Korrierët e Xhemalit Mehmet Didaj, Mehmet Veseli, Hajri Mahmutaj, Balil Veliu ndërkohë çojnë e sjellin letra, marrin pjesë në mbledhje konspirative në Mallakastër, Gjirokastër, Vlorë e Berat. Mbledhje të fshehta bëhen edhe në fshatrat Levan, Gllavë, Dukaj, Salari e Plashnik. Kërkohet përkrahje tek njerëz të një mendimi, kërkohet që të rrëmbehen armët. Nga kjo nënkuptohet se Xhemali ka pasur lidhje me njerëz në gjithë zonat e rretheve të Jugut. Ka marrë premtime se njerëzit do të ngrihen.

Nga kjo vërtetohet se ndjenjat e pakënaqësisë e të revoltës janë të gjalla në hapësira të gjera, se një situatë antiregjim është në vlim e sipër. Por sa e pjekur është kjo situatë për të shpërthyer në revoltë të organizuar?

Faktet që pasojnë, treguan se, përkundër premtimeve, Xhemali dhe njerëzit e tij mbetën të vetmuar. Xhemali dhe grupi i tij i afërt u mbështeten në veçanti në fshatrat e Zhapokikës, Luftinjës, Kamçishtit, dhe, pas disa mbledhjeve të fshehta, rekrutuan rreth 25 njerëz të gatshëm për kryengritje. Xhemal Brahimi ishte i bindur dhe këtë bindje e nguliste edhe tek të tjerët, se qeveria në atë moment i kishte ditët të numëruara, se i gjithë Veriu i Shqipërisë ishte ngritur në rebelim, se ishte krijuar një qeveri demokratike në mergim, se miqtë anglo-amerikanë do të ndërhyjnë.

Nga dokumentet e hetuesisë nuk del qartë se ku e mbështeste këtë informacion e vlerësim të hamendësuar të situatës Xhemal Brahimi. Në librin “Tradhtia e madhe” të lordit Bethel, shkruhet se pas një viti, më 2 tetor 1949, me Mitat Frashërin do të organizohej një qeveri në mërgim dhe se po vendosej për ndërhyrje në Shqipëri.

Po sipas këtij libri, ambasadori francez në Tiranë, Gi Menant, në raportet e tij jepte pasqyrën e një gjendjeje të revoltës në Shqipërinë e vitit 1948, fliste për një përçarje staliniste- titiste brenda Partisë Komuniste, shënonte se vendi ndjente nevojë të madhe për ushqime e për veshmbathje.

Edhe sipas dosjes hetimore të kryengritësve të Zhapokikës, vërehet se 2/3 e njerëzve të zonës janë të pakënaqur. Ndoshta është kjo pakënaqësi në masë si dhe iluzioni i një lirimi të shpejtë nëpëmjet të një revolte të përgjithshme, ajo që ua mbushin mendjen këtyre fshatarëve dhe i çoi ata në përplasjen me armë.

Në mbrëmjen e 28 shtatorit, çeta është krijuar dhe vendoset dalja në arrati e saj. Këtu do të shënojmë ndonjë rezervë që, ndonse jo e vërtetuar, del aty-këtu në dokumentet e dosjes hetimore dhe në bisedat me pjesëmarrës, rezervë që lidhet me mendimin se kryengritja filloi para kohe.

Xhemali dhe grupi i tij më i afërt e kuptuan se ishin dekonspiruar dhe në një ndërmarrje të dëshpëruar, vendosën që njerëzit t’i nxjerrin në mal me armë në dorë.

  1. Ndërtimi i çetës

Xhemal Brahimi ka dëshmuar përvojë dhe profesionalizëm kur çetës në fjalë i jep pamjen e një formacioni ushtarak, formacion me simbolet, shtabin, komandën dhe detyrat luftarake
Simbolet ishin:

  • Flamuri i çetës, shqiptar me shqiponjën pa yll.
  • Çeta mori emrin “Baba Shefqet”, klerik në zë i krahinës i pushkatuar më 14 janar 1948.
  • Këngë e çetës u bë “Kënga e Baba Tomorit). Krijimi i vargjeve të kësaj kënge i atribuohen Baba Shefqetit. Kënga u këndua ditën e krijimit të çetës dhe në vazhdim: (Ejani o popull, mblidhuni me ne/ O Baba Tomori, lësho një rrufe/ Armët ne i kemi, fshehur nënë dhe/ Do të bëjmë luftë, flakë e batare/ si luftoi me pallë trimi Skënderbe…. Vargjet janë nxjerrë nga dosja e sipërpërmendur, dosja nr. 2504 e Arkivit të Ministrisë së Brendshme).

Betimi: sipas ritualit të zonës, secili i përbetuar kalonte 100 lekë midis buzëve dhe thoshte me zë të fortë formulën: “Zoti më vraftë po të tradhtoj”. Me këto lekë më pas bliheshin qirinj e ndizeshin në faltore, në tyrbe, për të shenjtëruar betimin.

Armatimi: pushkë nga të fshehurat nën dhé mbetur pas çarmatimit, bomba dore, një mitraloz “Breda” (i prishur). Shtabi e komanda zgjidhen me votim më 28 shtator 1948: sekretar politik Xhemal Brahimi, komandant Bajram Kamberi, nënkomandant Mehmet Yzeiri, Salo Kaso anëtar shtabi, Sefer Yzeiri caktohet kryetar i skuadrës së atentatorëve me emrin “Dora e zezë”.
Detyra e çetës: Të luftojë me armë qeverinë, të vihet në lidhje me çeta të tjera derisa në Shqipëri të krijohet një qeveri nacionaliste, demokratike. Deponimi në gjyq: “Na kërkoi si ushtarë Xhemal Brahimi që të bëjë qeveri demokratike. Jemi ushtarë, jo rebelë” Arkivi i MPB. (Dosja 2405 f. 18).
Këta malësorë, këtë lloj organizimi e pëlqejnë. Ata e marrin seriozisht, ata besojnë që riti i betimit, flamuri, organizimi në skuadra, marrja e detyrës luftarake, gjithë ky lloj organizimi i shndërron ata në ushtarë. Tani ata janë luftëtarë të organizuar të gatshëm të luftojnë deri me jetën e tyre. Ata luftojnë për diçka që e dëshirojnë, luftojnë kundër një regjimi që është në kundërshtim me idenë që kishin ata se si duhet të jetë organizimi shtetëror. Këtu ia vlen të ndalesh. Lufta politike në vitet ’30 të shekullit që shkoi, lufta antifashiste më pas kishin krijuar një fshatar shqiptar me kërkesa politike. Ky lloj njeriu luftonte me armë në dorë për idetë, luftonte për atë që donte dhe që besonte se ishte e mira e tij dhe e të gjithëve. Këtë tel të hollë, këtë lloj ndërgjegjeje preku Xhemal Brahimi me propagandën e tij. Me mjete të pakta, por të nxjerra nga përvoja, ai u kujtoi se ata po bëheshin përherë e më të varfër dhe më pak të lirë nga ç’kishin qenë nën regjimet e mëparshme. Pas kësaj, ai u thoshte se kjo gjendje e urrejtjes dhe e rebelimit të armatosur ishte në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtë truk propagandistik, nga që u pëlqeu ata e morën për të vërtetë.
Veç korrierëve që i përmendëm më sipër, çeta kishte dhe prapavijën që do të siguronte ushqimin dhe bazat në rast tërheqjeje. Prapavija përbëhej nga Tefik Aliu, Muharem Shabani, Teme Mehmeti.
Nga origjina, të 25 kryengritësit janë fshatarë; 13 nga fshati Zhapokikë, 8 nga fshati Luftinjë, 4 nga fshati Kamçisht. Maliq Dervishi 58 vjeçar, ish kryeplak, premton, por tërhiqet nga arratia.
Demo Aliun, Myfit Islamin dhe Adem Memën nga fshati Salari i arrestojnë para se të bashkohen me çetën. Mosha mesatare e tyre është rreth 40 vjeç. Më i riu është 19 vjeç, më i moshuari, Bajram Kamberi 59 vjeç. Dy nga kryengritësit janë këshilltarë komune, një funksionar komunal policie, 3 policë të komunës Buz, një klerik, një muhip dhe një ushtar. Xhemil Asllani, i vëllai i Xhemalit, dezertoi nga detyra ushtarake për t’u bërë kryengritës. Të gjithë këta burra janë familjarë të rregullt, dhe veç Sefer Yzeirit, që ka qenë i dënuar për motive ordinere, të tjerët nuk ishin dënuar më parë nga gjykatat. Nga dosja hetimore del se vetëm gjashtë kryengritës kanë qenë ballistë me armë në dorë. Midis tyre ka ish-partizanë, komunistë, policë, ushtarë, nëpunës të administratës lokale.

  1. Veprimtaria luftarake e çetës

Kryengritja kalon në të tri fazat: organizimi, korrik-28 shtator, arratia, 28 shtator deri 2 tetor; luftimet, 2 tetor deri më 8 tetor 1948. Në arrati ata propagandojnë, kontrollojnë bazat, ndërlidhjet. Në 2 tetor bien në lufim me forcat e sigurimit për të liruar tre kryengritësit nga Kamçishti. I çlirojnë, sprapsin forcat qeveritare, kapin dy fshatarë spiunë të cilët, pasi i kërcënojnë, i lëshojnë. Sefer Yzeiri i qëllon me armë tek largohen. Këndojnë “Këngën e Baba Tomorit”. Në përpjekje është vrarë shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi. Por kjo vrasje është e dyshimtë, mbase ka qënë një larje hesapesh brenda vetë sigurimit. Xhezua u vra në përleshje e sipër me kryengritësit. Por kjo vrasje mbetet ende një enigmë. Në dosjen e cituar, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk e përmend në ngarkim të kryengritësve vrasjen e toger Makashit. Në fjalën e fundit para ekzekutimit komandanti çetës, Bajram Kamberi, e mohon vrasjen e Makashit nga çeta e tij. Pas kësaj date, datës 2 tetor 1948, pas vrasjes së Xhezo Makashit dhe smbrapjes së forcave policore të Tepelenës, çeta është në rrethim dhe në ndjekje këmba-këmbës nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, të ardhura nga të dy rrethet, nga Berati dhe nga Tepelena. Marrin rrugën drejt Beratit për të çarë rrethimin në fshatrat Plashnik dhe Molisht. Me disa përleshje në tërheqje e sipër për një javë u rezistojnë forcave të shumta qeveritare. Në pasditen e 8 tetorit 1948, në fshatin Gllavë, zhvillohet përleshja që e shpartallon dhe e shpërndan përfundimisht çetën. Beteja ka qenë për jetë a vdekje. Forcat e kryengritësve janë të rraskapitura nga lodhja dhe nga uria. Dy a tre nga njerëzit janë tërhequr të zhgënjyer. Grupi që mbeti i pandarë rreth Komandës luftoi me të gjtha forcat. Ata ishin ushtarë të Xhemal Brahimit në luftën për demokraci. Aty vriten dy policë nga forcat qeveritare, vriten gjithashtu nënkomandanti i çetës Mehmet Yzeiri dhe anëtari i shtabit të saj Salo Kaso. Të tjerët çajnë rrethimin dhe arratisen. Ka qenë një betejë me forca të pabarabarta në numër. Kryengritësit megjithatë nuk u dorëzuan, rezistuan me armë në dorë. Ata kishin mbetur të izoluar. Korrierët dhe prapavija nuk punuan. Informacioni kish rrjedhur që gjatë periudhës së përgatitjes për të dalë me armë. Ka të ngjarë që nga kjo dhe dalja në mal të jetë bërë parakohe. Në fillim ata janë të mirëprirur në shtëpitë fshatare. U japin armë, ushqime, i ftojnë nëpër shtëpitë. Pas datës 2 tetor 1948 ata humbasin çdo përkrahje. Korrierët dhe prapavija e tyre arrestohen. Shtëpitë e tyrre vihen nën përgjim. Ata nuk gjejnë as përkrahje nga rrethet e tjera siç u ishte thënë në mbledhjet kur përgatitej dalja me armë kundër regjimit. Por ata luftuan, ata tani ishin ushtarë të luftës për demokraci.
Pas datë 8 shtator, disa nga kryengritësit dorëzohen në polici vullnetarisht, disa të tjerë arrestohen të rrethuar në pyje, në stane ose në shtëpi të tyre. Shaqo Limja, Sefer Yzeiri rezistojnë gjatë si të arratisur, i fundit, komandanti 60-vjeçar Bajram Kamberi, ish-xhandar, di t’u shpëtojë kurtheve e pritave të policisë. Reziston në dimër dhe arrati tre muaj. Kapet pas disa rrethimeve në muajin janar 1949. Gjatë bastisjeve të shtëpive nga policia vriten dy të afërm të kryengritësve, njëri në Kamçisht e tjetri në Luftinjë. Vritet dhe i vëllai i komandantit të çetës, Safet Kamberi, njëri ndër organizatorët e fshehtë të kryengritjes.

  1. Pasojat

Sekretari politik i çetës “Baba Shefqet”, Xhemal Brahimi, arratiset në SHBA. Ai u trajnua dhe u desantua në Shqipëri në vitet ‘50 e 60. Hynte e dilte, thyente kufirin, takonte gruan e fëëmijtë e tij në internim. Gruaja e tij lindi dhe një vajzë nga këto takime. Ndonëse i ndjekur egërsisht, ai nuk u hakmor ndaj atyre që e kallëzonin, nuk vrau e nuk keqtrajtoi njeri. Emri i tij u kthye në miti, miti i kundërshtarit të shtetit në krahinë. Në vitet ‘70 Xhemal Brahimi vdiq i alkolizuar në SHBA. Vëllai i tij, kryengritësi Xhemil, ushtari dezertor, gruaja dhe fëmijët e mitur të Xhemalit, lirohen nga burgjet dhe internimet pas 42 vjetësh, më 1991. Vuajtjet qenë aq të rënda sa ata ikën shpejt nga kjo jetë. Bajram Kamberi u dënua me pushkatim, u ekzekutua më 21.7.1949 në Gjirokastër. Sefer Yzeiri u dënua me burgim të përjetshëm, vdiq në burg. Hajri Mahmutaj, ndërlidhës i çetës, u dënua me 6 vjet burg. Vdiq i qëlluar me armë nga gardianët e burgut dy ditë para lirimit. Adem Memaj, ish mësues, 21 vjeç, dënohet me 2 vjet burg nga që nuk u bashkua me çetën. Riburgoset disa herë dhe vdes në burg. Numri i të vrarëve, i të vdekurve në burgje prej kryengritësve dhe të afërmve të tyre arrin në 9 vetë. Të tjerët dënohen nga 20 deri në 2 vjet, gjithsej 122 vjet burg për 21 kryengritës. Pas eleminimit të çetës “Baba Shefqeti”, kapet në tentativë për rebelim çeta e Demo Kasos në fshatin Gllavë. Sulo Zaimi nga fshatin Levan, kunati i Xhemal Brahimit, njeriu që mendohej se në prapaskenë ka qenë nxitësi dhe frymëzuesi i Kryengritjes së Zhapokikës, pas 20 vjet burgimi, vdiq në vendlindje në fund të viteve ‘70.
Arrestimet e dënimet e të dyshuarve për rebelim me armë përfshijnë edhe rreth 30 burra të tjerë nga Gllava e Luftinja. Nga kjo kohë, qindra familje të zonës do të jenë në armiqësi me shtetin. Shënojmë se dënimet për pjesëmarësit në Kryengritjen e Zhapokikës janë të lehta. Në raste të tjera kryengritësit janë varrosur të gjallë. Ndoshta situata pas ndëshkimit të “terrorit” policor të Koçi Xoxes i ka bërë më të “kujdesshëm” gjykatësit. Sidoqoftë, pasojat 40 vjeçare i vuatën të afërmit e kryengritësve në një luftë klasore permanente të shtyrë deri tek nipërit dhe madje deri tek stërnipërit. Komuna e Buzit në atlasin politik të Partisë Komuniste vuajti damkën e krahinës reaksionare; investimet në infrastrukturë do të jenë zero, u kufizua në të drejtat e studimit për arsimin e lartë, funksionarët lokalë dhe deputetët e Kuvendit Popullor do t’i imponohen nga zona të tjera.

  1. Çfarë ishte kjo kryengritje

Sociologët flasin për një “Qytetërim fshatar” dhe theksojnë se qytetërimi fshatar është anti-shtet. Fshatarit, kur i soset durimi, i mbyll sytë dhe në dëshpërim e sipër, ai rrëmben armët, pushkën a sëpatën dhe vret, pret e djeg çfarë t’i dalë përpara. Karakteri i tij agresivisht asocial i fshatarit shfaqet kur ai, i shkëputur nga kodet e lashta, vendoset në mjedise të tjera kulturore.
Burrat 40 vjeçarë të Zhapokikës, të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetesës, me barrën e dy luftrave botërore mbi shpinë, nuk qenë as komunistë, as antikomunistë, as përparimtarë as reaksionarë, ishin thjesht fshatarë. Në bashkësinë e tyre fshatare ndjeheshin të bashkuar, të lidhur nga të njëjtat ndjenja, mendime, kushte e norma jetese. Ligjet e bashkësisë tradicionalisht kishin qenë për t’i mbrojtur këta fshatarë nga shteti. Komunizmi do ta shkallmonte këtë mburojë normash zakonore të ardhur nga shekujt.

Sot në botë, sidomos pas viteve ‘60, bashkësitë, etnike gjuhësore, fetare, kulturore i kanë njohur si mbrojtëse të individit nga mega-shteti e nga mega-korporatat. “Ethnic encouragement act”, është ligji amerikan për mbrojtjen e bashkësive. Fshatarët e Tepelenës ndjenë se po e humbisnin truallin e tyre të lashtë shpirtëror të bashkësisë tradicionale. Ndarja në miq e në armiq të pushtetit, frika ndaj një pushteti që po u futej në të drejtat e tyre tradicionale, në prekjen e pronës, e jetës familjare dhe zakonore, që po i varfëronte, lakmia e disave prej tyre që nxituan për t’u bashkuar me pushtetin e ri, e çanë dhe e rrënuan nga brenda bashkësinë. Dikur shteti kishte qenë “larg”, tani ai po u futej nën lëkurë. S’mund të kishe më pronën tënde të dikurshme, s’mund të ishe një individ më vete, shteti tashmë të kontrollonte miqtë, idetë, familjen, fenë tënde, pra duhej të ishe i spiunuar dhe tërësisht i kontrolluar, në mos po të kontrolloje e të spiunoje ti vetë të tjerët.
Fjalët e Xhemal Brahimit se ky shtet “do të na bëjë kolektive edhe gratë”, atje kuptoheshin e ndiheshin tragjikisht: ky shtet mund të bënte ç’të donte me ta. Përfundimisht, ndiheshin të zhburrëruar, të poshtëruaar. Ata që kishin ditur ta paguanin me kokë çdo cënim në familje, në pronë, në nder tani nën terrorin e ndryshimeve të “jetës së re” i kishin humbur dhe mund t’i humbisnin të gjitha, edhe nderin… do të ishin lodra në duart e shtetit.

Duke iu referuar bashkësisë së fshatarëve të lirë shqiptarë, Pjetro Kuaroni, ish-diplomat italian në Shqipëri në vitet ‘30, shkruan se marksizmi “nuk mund të tolerojë asnjë mbijetesë të kohëve të kaluara”. Dhe shton: “Bashkë me ta (fshatarët e lirë shqiptarë- shënimi im S.B.) zhduken besoj, burrat e fundit me të vërtetë të lirë të Europës sonë plakë”.

Prandaj themi se revolta e 1948 e Zhapokikës ishte tipike fshatare, ishte grahma e fundit e një lirie që dha shpirt. Ajo ishte dëshpërimisht antikomuniste se u drejtua kundër një shteti komunist, nën të cilin duroi plot katër vjet. Me fjalët e tyre “jemi ushtarë e jo banditë”, “do bënim qeveri demokratike” shprehin përgjegjësinë për të ndryshuar fatin, ndjenjën e dinjitetit dhe kërkesën për një jetë më të drejtë. Ata ushtarin e njihnin se ç’ishte, ushtari merr një detyrë dhe vdes me nder për të. Sa për demokracinë … le ta themi se qe një iluzion i turbullt. Edhe për të, pa e kuptuar e pa e ditur ç’ishte, ata luftuan, u vranë dhe u burgosën. Siç e thamë më lart, lufta politike në vitet ’30 dhe lufta antifashiste kishin farkëtuar një fshatar shqiptar me kërkesa politike, një njeri që rrok armët për të mbrojtur idetë në të cilat ai beson. Me një përpunim sado të lehtë propagandistik këta fshatarë shpejt u kthyen në luftëtarë.

Dhe ata luftuan… Koha a fati qenë kundër tyre…Që kur i luteshin Baba Tomorit të hidhte rrufe, ata mbase e parandjenin fundin e tyre. Tomori kësaj here nuk gjuajti me rrufe mbi armiqtë e tyre. Ata vetë u gjuajtën me plumb e me burg. Me persekutim 40-vjeçar u gjuajtën edhe të afërmit dhe farefisi i tyre.

Bibliografi

  1. Dosja 2405 në arkivin e MPB
  2. Bare, Th. “Provokacione, komplote, dështime”. T.1976
  3. Bethel, N. “Tradhtia e madhe” T. 1993
  4. Kuaroni, Pietro “Valixhja diplomatike” T. 1993
  5. Elsi, Robert “Histori e letërsisë shqipe”. Pejë 1998