Çerçiz Loloçi: “Rrëfime nga Ferri“, një libër tronditës për mbijetesën njerëzore në...

Çerçiz Loloçi: “Rrëfime nga Ferri“, një libër tronditës për mbijetesën njerëzore në diktaturë

1313
0
SHPËRNDAJE

Pas “Fabrikimi të vdekjes”, unikal në llojin e vet për bërjen publike të dosjejeve operative e hetimore për 16 vjet rresht për dy poetë të pushkatuar, një libër tjetër i Bedri Blloshmit, ish i dënuar politik dhe vëllai i poetit të mirënjohur Vilson Blloshmi, vjen në duart e lexuesit.

Duke qenë më pranë memuarit, vepra voluminoze “Rrëfime nga Ferri” të krijon ndjesinë se fokusohet vetëm në fshatin Bërzeshtë dhe në fisin e madh Blloshmi, por më tepër se kaq, ndërsa zbulon dëshmi e fakte të vërteta rreth tyre, ka gjithaq një përmasë universale dhe për familje të tjera shqiptare, ndaj të cilave sistemi komunist tejkaloi edhe shumë regjime të urryera të kujtesës botërore.

Libri sa është një homazh për ta, aq edhe shkon si rikujtesë ndaj shoqërisë së sotme për martirizimin e qindra – mijë shqiptarëve të pushkatuar me dhe pa gjyq, të internuar, të syrgjynosur burgjeve dhe skutave të një shteti që gërryhej përbrenda më shumë se sa disa pushtime bashkë.

Teksa shfleton këtë libër të vijnë nëpër mend valët e parreshtura të eliminimit të shqiptarëve, të rikujtohet periudha e fillimit të diktaturës nga nëntori 1944 deri në vitin 1951 ku u rrafshua truri i kombit me gjyqe speciale dhe ushtarake, me varje në litar, ekzekutime, burgosje, etj.

Por krimi shtyhej edhe më thellë në kohë: nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944, atëherë kur Tirana përjetoi terror me ekzekutimet pa gjyq të patriotëve, intelektualëve dhe ish-funksionarëve të lartë të shtetit.

Të kësaj periudhe janë gjyqet speciale që rreshtuan para grykave të zjarrit 17 personalitete, reprezaljet pas zgjedhjeve të dhjetorit 1945, gjyqi special ndaj “sabotatorëve” të tharjes së kënetës së Maliqit, procesi ndaj deputetëve, ndaj hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike, ndaj komuniteteve fetare, etj. Pikërisht kjo atmosferë e zymtë të vjen edhe duke lexuar këtë libër.

Ai ndahet në trembëdhjetë kapituj, mes të cilave Bërzeshta dhe një trung gjenealogjik i Blloshmëve: Hakiu, Hajdari, Selmani, Azisi, Hasani, Samiu, Bukuroshi, Eshrefi, autori i librit, Vilsoni dhe Genc Leka. Por le t’i marrim një nga një të gjithë kapitujt dhe personazhet e këtij libri krejt të veçantë.

Përjetësimi i fshatit

Një fshat si edhe një shtet imcak shpesh nuk mund të thonë asgjë, përveç emërtimeve që mbartin nga koha në kohë, siç edhe mund të hyjnë në histori qoftë edhe për një ngjarje të vetme që është e rrallë në llojin e vet. Bërzeshta ndodhet 20 km në jug të Librazhdit, në krahun e majtë të lumit Shkumbin, i mbushur me pemë të shumëllojshme e me shtatë çezma nën ngrehinën e një rrapi shekullor.

Për emërtimin e këtij fshati ka shpjegime të ndryshme: dikush e lidh me vreshtat, një tjetër e gjen me prejardhje sllave, por i dokumentuar është aty nga viti 1467, nëpërmjet një dëshmie të gjendur në Venedik.

Me emrin e sotëm provohet nga një rrëfim osman kur treqind qafirë bërzeshtanakë “të pajisur me armë dhe koraca të aftë për luftë… nuk apin haraç, adetin dhe tatime të tjera që duhet të paguajnë sipas sheriatit…”. Për shkak të vendndodhjes pranë rrugës “Egnatia”, fshati komunikonte me të gjitha viset shqiptare; atje e kishin rezidencën e tyre pashallarë e agallarë, po andej u shkolluan dhjetëra intelektualë dhe veprimtarë të shqiptarisë.

Si edhe në vise të tjera, në shekullin e 19-të shumë fshatarë emigruan dhe u shkolluan në Stamboll ku edhe arritën poste të larta në administratën e perandorisë. Ndër më të njohurit e asaj periudhe përmendet prof. dr. Ibrahim Lutfi Pasha, profesor universitar dhe hartues i terminologjisë mjekësore turke.

Jo më pak i njohur ka qenë edhe Halit Bërzeshta, drejtor i spitalit ushtarak të Janinës, kryefarmacist i ushtrisë turke në Manastir dhe ndër kryesorët e organizatës patriotike “Komiteti i fshehtë i Manastirit”. I treti personalitet i rëndësishëm ka qenë edhe Hajdar Blloshmi, i arsimuar në tri shtete (Rumani, Greqi dhe Turqi), njohës i disa gjuhëve të huaja, zyrtar i lartë në drejtësinë perandorake, anëtar i dhomës së deputetëve, bashkëkohës i Xhuvanit dhe Gurakuqit, mësues në Pogradec, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Me rekomandimin e tij në 1895 Dervish Hima hapi në Bërzeshtë kursin e parë të shqipes.

Një tjetër Blloshm, Selmani ka qenë përfaqësues i Kongresin të Manastirit, që për veprimtarinë e tij patriotike u burgos dhe u dënua me vdekje, por mundi të arratisej. Në Luftën e Parë Botërore pjesëtarë nga Bërzeshta u internuan në Serbi, çka humbën pasuri e katandi; gjatë kësaj periudhe paria e fshatit u eliminua tërësisht nga pushtuesit serbë.

Autori i librit bën kujdes që për historinë e fshatit të zgjedhë ato më domethënëset. Faqe pas faqesh ai tregon për Selahudin Blloshmin, që kishte për grua mbesën e Ismail Qemalit dhe u vu në mbrojtje të Korçës; për shkollën me konvikt që u hap në 1928, për çetën nacionaliste të Haki Blloshmit, i cili u pre në besë nga forcat partizane, për vrasjen makabre të 35 intelektualëve dhe zhdukjen e kufomave të tyre dhe për fatin e trishtë të disa Blloshmëve: në 1946 Selman Blloshmi shpronësohet nga reforma agrare, në 1952 arrestohet Hasan Blloshmi dhe dënohet me 20 vjet burg, në 1963 burgoset Sami Blloshmi dhe dënohet me 8 vjet burg, në prill 1976 u arrestua autori i këtij libri Bedri Blloshmi dhe më 5 gusht arrestohet vëllai i tij Vilsoni; në 31 gusht 1976 arrestohet Genc Leka; në 27 korrikut 1977 internohet në Polis familja e Selman Blloshmit dhe arrestohet për të dytën herë Hasan Blloshmi, që vdiq në burgun e Spaçi në 1982.

Natyrisht ngjarja më e bujshme në këtë fshat ishte pushkatimi i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, që e çoi emërtimin e fshatit në krejt gjysmëbotën komuniste për makabritetin e vet dhe e kryer në një kohë ku sistemi në rrafsh botëror përpëlitej për t’u përmbysur.

Me të drejtë shkrimtari Ismail Kadare, në librin e Bejkos “Visloni dhe Genci” pohon ndër të tjera “…Kështu ishin dy familjet, Lekët dhe Blloshmët. Ishin goditur herë pas here, ishin mbajtur vazhdimisht nën përgjim, por megjithatë në një mënyrë ose një tjetër, ato nuk e kishin ulur kokën, ashtu siç do t‘u pëlqente komunistëve.

Përvijimi i nderit, i burrërisë së dikurshme, i hijes së derës së shquar, ndonëse në mënyrë të ndrojtur, ende rrezatohej prej tyre. E kjo gjë ishte e mjaftueshme që në sytë e militantëve komunistë, Blloshmët dhe Lekët, të shiheshin si rrezik për autoritetin e partisë. Brashnjarët e provincës, ata që pasi kishin marrë ca tituj shterpë, si sekretari i Parë i Rrethit, kryetar i Degës së Brendshme, shefi i Kuadrit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut, shef i Bashkimeve Profesionale, sekretari i Parë i Rinisë, e të tjera si këto, ndiheshin keq përballë çdo spikame të autoritetit moral të të përmbysurve. Ndaj, si hienat prisnin orën e hakmarrjes…”.

Ndërsa ish kryeministri dhe akademiku Aleksandër Meksi shton “…Ata u vranë mizorisht dhe me paramendim nga fanatikët e një sekti politik, mbeturinat e të cilit tentojnë të mbijetojnë e të diktojnë ende në Shqipërinë e sotme, me metodat bolshevike të përjashtimit dhe izolimit, si dikur në kohën e baballarëve të tyre, të atyre që mendonin ndryshe, që shkruanin ndryshe, që i thurnin vargje ndryshe dashurisë dhe hënës, domethënë jo si ata.

Te “të ndryshmit”, këto mbeturina të së kaluarës së turpshme shohin sot fëlliqësirën e tyre, marrëzinë dhe egoizmin e tyre, babëzitjen e tyre për pushtet e pasuri, që e duan vetëm për vete”.

Linja e përndjekjes nga Hakiu te Bedriu

Kapitulli i parë i librit mund të konsiderohet edhe si një prolog, pasi autori rimerr sërish ngjarjet më të spikatura të këtij fshati, persekutimin e pandarë të Blloshmëve dhe personalitete më të fuqishëm të këtij fisi.

Personazhi i parë është Haki Blloshmi, mbaruar me rezultate të shkëlqyera universitetin e Harvardit, punonjës i ambasadës shqiptare në SHBA, mik i Faik Konicës, me studime pasuniversitare në Paris, një nga organizatorët kryesorë të rezistencës kundër nazifashistëve.

Personazhi i dytë është Hajdar Blloshmi, mbaruar studimet në Ohër dhe Stamboll, njohës i disa gjuhëve të huaja (turke, greke, persishte, frënge dhe spanjolle), mësues i gjimnazit, përkthyes i frëngjishtes në pallatin e sulltan Hamitit, nismëtar i çeljes së shkollave shqipe në Durrës, Pogradec, Librazhd, Mokër, Korçë, Shpat e Bërzeshtë, pjesëmarrës në hapjen e Normales së Elbasanit, delegat nga krahina e Starovës në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, deputet i Parlamentit Shqiptar 1923 -1932 dhe babai katër djemve Selahudinin, Hakiun, Shefqetin dhe Xhevdetin.

Personazhi i tretë është Selman Blloshmi që jeta e goditi me humbjen e bashkëshortes dhe të dy djemve. Me një djalë të mbetur mga martesa e parë, Azisin, ai lidhi sërish kurorë me motrën e Bardho Lekës. Nga martesa e dytë pati katër djem: Hasanin, Samiun, Bukuroshin dhe Esherefin.

Selmani punoi një kohë të gjatë në Stamboll, ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, ishte bashkorganizator i shoqërinë të librave shqip, mbante korrespodencë me personalitete shqiptare të asaj kohe, mes të cilëve edhe me patriotin Ibrahim Temo. Personazhi i katërt është Azis Blloshmi, mbaruar studimet në Manastir dhe në Grac të Austrisë për Akademinë Ushtarakë, drejtues në disa rangje të ushtrisë, i zhdukur në mënyrë të mistershme në 26 tetor 1944 së bashku me 35 intelektualë të tjerë.

Nga martesa e tij me një vajzë nga një familje intelektualësh nga Myderizët e Durrësit, pati dy fëmijë, Dragushin dhe Lumen. Në 1956 Dragushi u arratis në Jugosllavi nga ku e kthyen dhe e internuan për 3 vjet në Lushnjë. Peripeci të parrëfyera pati edhe motra e tij, Lumja, një piktore e spikatur e kulturës shqiptare.

Personazhi i pestë është Hasan Blloshmi, fëmija i parë nga martesa e dytë e Selmanit me motrën e Bardho Lekës, i arrestuar fillimisht më 1952 dhe i liruar nga burgu i Burrelit në 19 korrik 1965, i riarrestuar në 27 korrik 1977 teksa i internonin familjen dhe farefisin, vdekur në Spaç në 1982 dhe gjetur eshtrat në Shishtufinë.

Personazhi i gjashtë është Sami Blloshmi, fëmija e dytë nga martesa e dytë e Selmanit me Xheren, motrën e Bardho Lekës. Bashkëshortja e tij, Nadirja, nga Debrova e Pogradecit, rridhte nga një familje nacionaliste. Vëllai i saj, Halimi, u pushkatua më 7 mars 1944 së bashku me Haki Blloshmin në Dunicë.

Vëllai tjetër i Nadires, Sabriu, u arratis në 1952, ndërsa vëllai tjetër, Rizai, u internua për 5 vjet dhe më pas u arrestua nën akuzën “takim me diversantët (me vëllain e tij, Sabriun)”. Rizai u dënua me 25 vjet heqje lirie. Sami Blloshmi pati 6 fëmijë, katër djem dhe dy vajza, Vilsonin, Bedriun, Selmanin, Nazmiun, Alidën dhe Lirinë. Samiu punoi në bujqësi dhe në Ndërmarrje e Shfrytëzim Pyjeve. Në 1963 u arrestua dhe u dënua me 7 vjet burg, ndërsa në 1977 familja e tij prej 19 vetash u internua në Polis të Librazhdit.

Në gushtin e vitit 1987 Samiu së bashku me familjen e tij lihet i lirë nga internimi dhe u kthyen në fshatin e tij, Bërzeshtë. Në gushtin e vitit 2003, Nadirja, bashkëshortja e Samiut, ndërroi jetë.

Personazhi i shtatë është Bukurosh Blloshmi, djali djali i tretë i Selmanit. Arsimin fillor e bëri në fshat. Bashkëshortja e Bukuroshit, Nadirja, ishte e bija e Njazi Çezmës që u pushkatua në 1945 në Korçë. Më 1977 familja e Bukuroshit, bashkë me pjesën tjetër të familjes Blloshmi, u internua pas dënimit të nipërve të tij, Vilsonit dhe Bedriut.

Personazhi i tetë është Eshref Blloshmi, internuar në 1977 në Polis dhe liruar më parë nga Blloshmët e tjerë. Personazhi i nëntë është autori i librit Bedri Blloshmi, një nga gjashtë fëmijët e Sami e Nadire Blloshmit. Në moshë të njomë ka punuarnë Ndërmarrjen e Shfrytëzim Pyjeve në Stravaj, ndërsa në 1969 punoi në kooperativë. Në vitet 1970-1971 shkoi ushtar në brigadë pune (punime xheniere), minator në tunelet e Skraparit në Radësh.

Që kur mbaroi shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe deri në vitin 1976 ai punoi në kooperativë. Më 1 prill të vitit 1976 e thirrën në Degën Ushtarake në Librazhd me pretekstin se nuk kishte kryer zborin. Atë e akuzuan se kishte falsifikuar fletë-zborin dhe e çuan në Degën e Punëve të Brendshme për ta verifikuar këtë fletë zbori. Meqenëse aty e mbajtën deri në mbrëmje vonë i thanë se nuk do të kthehej në shtëpi, por atë natë do të flinte në Hotel Turizëm në dhomën 11 në katin e tretë.

Policia vajti dhe e mori në mesin e natës në hotelin ku rrinte dhe e ktheu sërish në Degën e Punëve të Brendshme ku e priste përsëri Beqir Quku. Prej këtu iu vunë prangat për të mos e parë më diellin. E dënuan me 25 vjet heqje lirie. U liria nga burgu i Burrelit më 29 mars të vitit 1991. Që nga dita e lirimit nga burgu i Burrelit jeton në Tiranë. U martua në vitin 1992 dhe ka 2 fëmijë.

Djalit i vuri emrin e Vilsonit dhe vajza quhet Irisa. Bedri Blloshmi u diplomua si jurist dhe oficer i policisë në vitin 1997. Personazhi i dhjetë është Vilson Blloshmi që mbaroi shtatëvjeçaren në fshat dhe Pedagogjiken në Elbasan. Në vitin 1963 i arrestuan babanë, Samiun. Meqenëse Blloshmët nuk ishin anëtarë të kooperativës (sepse kulakët nuk i pranoni) Vilsoni u detyrua të bënte vetëm punë krahu në Stravaj. Ushtrinë e bëri në Tale të Lezhës në brigadë pune

Në 1975 e hoqën nga miniera e Përrenjasit dhe e çuan të punonte sërish në kooperativë. Në nëntor të po këtij viti Vilsoni martohet dhe më 9 shtator 1976 i lindi vajza, Enrieta.

Më 5 gusht 1976 Vilsonin e arrestuan në Librazhd dhe e nisën menjëherë për në Tiranë. Pas një viti torturash në hetuesinë e Tiranës dhe të Librazhdit, ata i gjymtuan dorën e majtë nga prangat të cilat nuk ia hiqnin gjatë 20 orëve. Më 6 qershor të vitit 1977 e nxorën në gjyqin formal pasi vendimi qe marrë me kohë nga Komiteti i Partisë.

Pretenca u dha: dënim me vdekje (pushkatim)! Vendimi i gjyqit të 13 qershorit 1977, vendim i cili nuk ndryshoi as në seancën e Gjykatës së Lartë as edhe në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kështu, më 17 korrik 1977 u zbatua urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i cili urdhëronte ekzekutimin e Vilson Blloshmit në orën 00. Sipas dëshmive të Bedriut në periudhën 1966-1976 Vilsoni krijoi një bibliotekë të pasur me autorë të huaj; ai preferonte të lexonte në origjinal Hygonë, Lukrecin, Shatobrianin, Lamartinin, Edgar Alan Poe, Gutierin, Rasini, Bodlerin, Vërlenin, Malarmenë, Pol Klodelin, Rembonë, Apolinerin, Eluarin, etj.

Personazhi i njëmbëdhjetë është Genc Leka që studio në Pedagogjiken e Elbasanit dhe punoi si mësues në fshatrat e largëta të Librazhdit. Në 1950 babai i tij arratiset në Jugosllavi dhe në 1968 vdes në Prizren.

Në 1966 Genci largohet përfundimisht nga arsimi, kryen shërbimin ushtarak në brigadë pune në Sopot, ndërsa në 31 gusht arrestohet dhe pas 11 muajsh torturash në hetuesinë e Librazhdit, dënohet me vdekje (pushkatim).

Nëntëmbëdhjetë Blloshmë të internuar për një ditë

Gjyqi ndaj Genc Lekës dhe Vilson e Bedri Blloshmit filloi më 6 qershor 1977 dhe vendimi u dha më 13 qershor 1977. Më 14 korrik të po këtij viti u vendos që të internohet e gjithë familja prej 19 vetash në Polis-Gostimë të Librazhdit.

Ndërsa më datë 17 korrik, ditën e diel në mesin e natës Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u morën nga birucat ku rrinin të lidhur kokë e këmbë për 35 ditë rresht. Vendimi për internimin e familjes u mor tri ditë para se të ekzekutohej Vilsoni. Pikërisht personat që u internuan në 27 korrik 1977 ishin: Hasani–xhaxhai i Vilsonit, Fitreti–bashkëshortja e xhaxhait të Vilsonit, Hysniu–kushëriri i Vilsonit, Hamdiu–kushëriri i Vilsonit, Samiu–babai i Vilsonit, Nadirja–nëna e Vilsonit, Selmani–vëllai i Vilsonit, Nazmiu–vëllai i Vilsonit, Alida–motra e Vilsonit, Lirija–motra e Vilsonit, Diana– bashkëshortja e Vilsonit, Enerjeta–vajza e Vilsonit, Bukuroshi–xhaxhai i Vilsonit, Nadirja–bashkëshortja e xhaxhait të Vilsonit, Mit’hati–kushëriri i Vilsonit, Agimi– kushëriri i Vilsonit, Miranda–kushërirë e Vilsonit dhe Eshrefi–xhaxhai i Vilsonit.

Një pjesë të rëndësishme të librit e zë edhe rrëfimi për vetveten i Bedri Blloshmit. Ai ndahet në disa kapituj: Thirrja në degën ushtarake, paraqitja në Degën e Punëve të Brendshme, arrestimi, seanca gjyqësore, pretenca, ballafaqimi dhe vendimi, kodi i fshehtë i komunikimi në birucë, Spaçi, Burreli, Qafë Bari, 29 mars 1991, Përroi i Firarit, etj.

Ndarja me të kaluarën

Kur përfundon krejt librin e Bedri Blloshmit mendimi i parë që të vjen ndër mend është mbijetesa e pabujë e këtyre njerëzve përballë një egërsie të pashoqe të sistemit diktatorial.

Fshati me jo pak histori, për shkak të martirizimit të dy poetëve, kapërceu shumë shpejt hapësirën shqiptare dhe u përmend si rast i veçantë në Varshavë e Bukuresht, në Budapest e Berlin, në të gjitha kryeqendrat e ish perandorisë komuniste ku krimet dhe ngjajnë dhe s’ngjajnë me njëra –tjetrën.

Autori sjell në këtë libër një tërësi ngjarjesh, episodesh dhe njerëzish të të gjitha shtresave duke dhënë një ndihmesë të ndjeshme në dokumentimin e krimit komunist.