Mehmeti: Partia të sundojë mbi Sigurimin e Shtetit

Mehmeti: Partia të sundojë mbi Sigurimin e Shtetit

635
0
SHPËRNDAJE

Materiali “Teper sekret”. Mehmet Shehu njofton KQ të PPSH mbi shkeljen e ligjeve nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Deklarimi: Sigurimsat rrahin qytetarët e lirë. Ja komunistët që mund të rekrutojmë

Ministria e Brendshme, ky ishte institucioni që shkelte më së shumti të drejtat e njeriut në Shqipëri. Ndërsa Sigurimi i Shtetit cilësohej si leva e saj kryesore. Nuk kishte vetëm arrestime të padrejta e të pambështetura në ligj, por dhe keqtrajtime të qytetarëve të lirë e dhunim të të arrestuarve.

Një letër “Tepër sekret” e vitit 1953 e firmosur në fund të saj nga Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, me numër protokolli 01-18 u niset të gjitha degëve të Punëve të Brendshme të rretheve; degëve operative të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit e Drejtorisë së Policisë Popullore; dhe për njoftim KQ të PPSH-së dhe me autorizim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, gjithë Komiteteve të Partisë në Rrethe; Ministrisë së Drejtësisë e Prokurorisë së Përgjithshme.

Pranimi i gabimeve

Materiali i ministrit të Punëve të Brendshme Gjeneralleitnant Mehmet Shehu, ka nisur me një hyrje retorike, ku thuhet: “Partia dhe Qeveria kanë treguar kurdoherë kujdes të veçantë për forcimin e organeve të punëve të brendshme.” Mehmet Shehu në këtë material tepër sekret të nisur vetëm për drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit pranonin dhe gabimet që janë bërë nga Sigurimi i Shtetit, por që gjithsesi këto ia faturon punës “armiqësore” të paraardhësit të vet. “Organet e Sigurimit të Shtetit dhe të gjitha organet e tjera të Ministrisë së Brendshme kanë korrur mjaft suksese të rëndësishme në punën dhe luftën e tyre të përditshme kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm.

Por megjithatë, konstatojmë se organet operative të MB, si në qendër e në rrethe, gjatë punës së tyre, bëjnë gabime të rënda duke shkelur në shumë raste ligjet e shtetit, platformën e Sigurimit të Shtetit dhe urdhrat e udhëzimet e lëshuara nga Ministri.

Këto shkelje të vijës së Partisë, të ligjeve shtetërore e të urdhrave superiore janë shfaqur sidomos në këto drejtime:” Më poshtë kanë katër pikat që trajton ish-ministri i brendshëm.

Pika e parë

“Në drejtim të hetuesisë: Hetuesia, si për anën e sigurimit ashtu dhe për nën e policisë, nuk është zhvilluar kurdoherë në bazë të instruksionit që kemi lëshuar mbi hetuesinë. Ka pasur mjaft raste shtrembërimi në metodën e hetuesisë dhe mjaft raste arbitrariteti e veprimesh të paligjshme, siç janë: goditja e të burgosurit, zhvillimi i hetuesisë duke mbajtur lidhur të akuzuarin, shtrënguarja e hekurave jashtë mase mbi duart e të burgosurit, prerja e përkohshme e bukës ose e gjellës, ndalimi i përkohshëm i rrobave për shtresë e mbulesë, mbajtja në këmbë për një kohë të gjatë në hetuesi, etj..”

Pika e dytë

“Në drejtim të procedurës së arrestimeve: Ka pasur raste kur organet e Ministrisë së Brendshme nuk respektojnë të drejtat legjitime të qytetarëve, duke mos plotësuar formalitetet ligjore për arrestimin e një personi brenda afatit të caktuar me ligj (brenda 3 ditëve). Ka pasur gjithashtu raste që i burgosuri të mos jetë liruar nga burgu në kohën e caktuar nga gjykata, por është mbajtur disa ditë ilegalisht në burg, për burokracinë dhe neglizhencën e organeve të punëve të brendshme”.

Pika e tretë

“Në drejtim të përdorimit të të burgosurve në punë: Ka pasur mjaft raste që kryetarët e degëve të Punëve të Brendshme në rrethet të kenë nxjerrë në punë të burgosurit në kundërshtim me rregulloren e burgut dhe udhëzimet që kemi lëshuar”.

Pika e katërt

“Në drejtim të sjelljes me popullin: Ka pasur raste që punonjës të Ministrisë së Brendshme kanë keqpërdorur (qëlluar me pëllëmbë, sharë, shtytur, etj.) qytetarë të lirë të Republikës. Ka pasur shfaqje arrogance me popullin, shfaqje mendjemadhësie dhe dehje nga sukseset, ka pasur shpërdorim të funksionit”.

Epilogu

Në mbyllje të letrës së tij “Tepër sekret” Ministri i Punëve të Brendshme, Gjeneralleitnant Mehmet Shehu do të ritheksonte dhe një herë idenë se jo Sigurimi i Shtetit, por Partia ishte mbi të gjitha: “Përgjegjësitë e organeve të Ministrisë së Brendshme, duhet ta marrin çështjen me seriozitetin më të madh dhe të marrin të gjitha masat për të ndrequr gabimet që mund të jenë bërë, të kontrollojnë pa ndërprerje veprimtarinë e vartësve, të sigurojnë kontrollin e plotë të partisë mbi veprimtarinë e organeve tona, të inkurajojë kritikën nga poshtë, të kërkojnë ndihmën e prokurorisë porsa i përket ligjshmërisë”.

Shehu: “Partia të kontrollojë Sigurimin e Shtetit”

“Partia mbi të gjitha”, ky ishte slogani që mbizotëronte në të gjitha direktivat që dilnin nga zyrat e KQ. Për këtë bën fjalë dhe letra “tepër sekret” që Mehmet Shehu u bënte të ditur jo vetëm Degëve të Punëve të Brendshme, por njoftonte dhe Komitetin Qendror: “Ju kujtojmë se në interpretimin që i kemi bërë platformës së Sigurimit të Shtetit të aprovuar nga Byroja Politike e KQ i PP-së, jeni porositur që sekretarët e organizatave bazë të partisë nuk mund të jenë bashkëpunëtorë të organeve tona.

Gjithashtu nuk mund të jenë bashkëpunëtorë të organeve tona as anëtarët e byrosë së organizatës bazë. Vetëm anëtarët e thjeshtë të partisë mund të jenë bashkëpunëtorë të organeve tona, por edhe kjo në raste sa më të rralla, në raste me të vërtetë të domosdoshme, sikurse u është theksuar shumë herë.

Anëtari i partisë që është bashkëpunëtor i organeve tona, vepron vetëm në drejtim të armikut e në asnjë mënyrë nuk bëhet bashkëpunëtori ynë për të informuar mbi aktivitetin e organizatës bazë. Organet tona nuk përpunojnë organizatën bazë të partisë në asnjë rast. Një anëtar partie që është bashkëpunëtor i organeve tona në organizatën bazë ku ai bën pjesë ai është si gjithë anëtarët e tjerë e nuk është bashkëpunëtori ynë brenda organizatës.

Ai është bashkëpunëtori ynë vetëm jashtë organizatës e kurdoherë në drejtim të elementit armik, qoftë ky dhe anëtar i partisë sonë. Agjentura ndihmohet prej nesh dhe materialisht por kurdoherë sipas instruksioneve që kemi dhenë dhe jo siç bëjnë disa kryetarë dege, që ndërhyjnë thuajse haptas në favor të një bashkëpunëtori të rekrutuar në bazë të materialit komprometues, gjë e cila sjell veçse rezultate negative: së pari ndihmojmë publikisht një person që është kundërshtar i Pushtetit Popullor duke dëmtuar vijën e partisë sa i përket vigjilencës revolucionare dhe luftës së klasave e nga ana tjetër të dekonspirojmë bashkëpunëtorin tonë që për punën tonë operative mund të jetë shumë i vlefshëm”.

Agjenturat: “Tradhtari Xoxe donte të hipte mbi Partinë”

Në pjesën e parë të të letrës së tij “Tepër sekret” Ministri i Punëve të Brendshme, Gjenaralleitnant Mehmet Shehu do të ritheksonte dhe një herë idenë se jo Sigurimi i Shtetit, por Partia ishte mbi të gjitha organet drejtuese të jetës së Shqipërisë së atyre viteve.

Ai u rikujton edhe një herë të gjithë drejtuesve të Degëve të Brendshme nëpër rrethe, se ishte pikërisht Ministria e Brendshme, e cila në vitin 1947 u bë organi më i rrezikshëm për strukturat partiake, duke u munduar t’i vendosi nën kontroll ato. Sipas Mehmet Shehut: “Trockistët jugosllavë dhe agjentët e tyre në vendin tonë, me tradhtarin Koçi Xoxe në krye, siç dihet, u munduan në të kaluarën që t’i vinin organet e Ministrisë së Brendshme nën kontrollin e tyre dhe ta vinin Ministrinë e Brendshme mbi partinë, me qëllim që të shkatërronin partinë tonë dhe pushtetin popullor”.

Kritikat për mungesën e kontrollit

Sipas ish-ministrit të Brendshëm: “Të metat e mësipërme janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me vijën e Partisë. Këto të meta e gabime janë konstatuar në mjaft organe të punëve të brendshme. Shkaqet kryesore që kanë bërë të mundur gabimet e fajet në organet e punëve të brendshme, janë”: a.-Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e organeve superiore kundrejt organeve inferiore, nga mungesa e kontrollit të kryetarëve të degëve kundrejt inferiorëve të tyre; b.-Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e organeve të Partisë mbi veprimtarinë e organeve të punëve të brendshme, mbi sjelljet dhe qëndrimin e çdo punonjësi të këtyre organeve që është anëtar partie si të gjithë anëtarët e tjerë të Partisë. c.-Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e prokurorive”.

 

Nga Leonard Veizi