Dr. Tare Libohova, figura që u fshi nga historia e Shqipërisë pa...

Dr. Tare Libohova, figura që u fshi nga historia e Shqipërisë pa të drejtë që nga koha e Zogut, sot i zbulohet “krimi”

798
0
SHPËRNDAJE

Një nga intelektualët e rrallë, që u përpoq për një Shqipëri demokratike, por s’pati fat ta shijonte edhe një herë atdheun demokratik, ishte edhe Dr. Tare Libohova.

Pasi mbaroi studimet mjekësore-veterinare në Stamboll, erdhi në Shqipëri, që t’i shërbente atdheut të dashur, mirëpo s’u pajtua dot me “Kralin e vetshpallur të Shqiptarëve” Ahmet Bej Zogollin. E pas kësaj sigurisht që nuk do ishte e gjatë edhe ndenja në liri e tij.

Ai u akuzua në trazirat e Vlorës të ndodhura në 1932-in dhe më pas edhe për  kryengritjen e Fierit. Dr. Libohova u burgos, u dënua me burgim të përjetshëm bashkë me shokët e tij Ali Sh. Shkupin.

Dr. Sezai Çomon, Dr.Sait B.Golemin…etj., por organizata humanitare për të drejtat e njeriut në Evropë i kundërshtoi vendimet e qeverisë monarkiste. Madje Dr. T.Libohova kishte bërë një mbrojtje të mrekullueshme kundër prokurorit Bisha.

Pas lirimit nga akuzat dhe burgu, Dr.Tare Libohova, i njohur edhe si Dr.Muhtar Remo, shkoi në Turqi ku kishte të afërmit libohovite. Tare Libohova u bashkua me vëllezërit e tij Muharrem e Remzi që merreshin me tregti.

Prof.Dr.Tare  Libohova nuk largohej dot nga veprimtaritë atdhetare, ndaj edhe vazhdimisht kritikonte monarkinë Zogiste.

Kur u pushtua Shqipëria më 7 prill 1939 nga fashistët e Romës, Dr.Tare Libohova bëri mjaft protesta dhe sqarime në shtyp.

Në ato ditë të zeza botoi dhe një broshurë shqip e frëngjisht me një kopertinë kuptimplote të vizatuar nga Qemal Butka:”Mbi hartën e atdheut luftojnë shqiponjat kundër avionëve italianë…”(7/4/1940)

Tare Libohova ishte një Apostull i shqiptarizmës në diasporë. Kishte lidhje me gjithë organizatat patriotike të mërgimit. Ai ishte republikan dhe demokrat i vërtetë.

Përpiqej të mbaheshin gjallë marrëdhëniet vëllazërore turko-shqiptare.

Për këtë qëllim më 1952 në Stamboll u themelua Shoqata vëllazërore ndihmëtore turko- shqiptare. Për vite të tëra e drejtoi ai këtë vatër kulturore.

Për të shmangur propagandën greke të bërë në Stamboll, ku grekët donin të greqizonin edhe shqiptarët ortodoksë, me qëllim që të lehtësonin aneksimin e Epirit të Veriut me Greqinë, Doktori Libohova orientoi vëllezërit tanë ortodoksë dhe më 25 korrik 1966 në Stamboll u themelua Shoqata Ortodokse Shqiptare Autoqefale” nën kryesinë e luleshitsit Koço Zoto.

Kjo shoqatë afroi tri kisha shqiptare që shfrytëzoheshin nga Kisha Fanariote Greko-bizantine. Siç dihet botërisht kisha më e madhe (Aja-Triadha),Shën-Triadha që gjendet në Bejoglu Stamboll, afër lagjes Taksim, ishte ndërtuar nga ortodoksët shqiptarë, vëllezërit Zhapa. Kisha, si vakëf rreth e përqark, ka edhe afro 50 shitore.

Mirëpo kishat ortodokse shqiptare, të shkëputura nga Patrikana greko-bizantine, mjerisht nuk gjetën dot priftër. Një prift, që kishte ardhur nga Shqipëria ateiste, u kundërshtua si afetar. Kishat shqiptare tani janë pezull…

Marrë nga libri “Shqiptarët në Perandorinë Osmane” i Nexhip P.Alpan dhe Nesip Kaçi