Koçi Bej Korçari, Monteskjeja i Lindjes që u bë kryekëshilltar i dy...

Koçi Bej Korçari, Monteskjeja i Lindjes që u bë kryekëshilltar i dy Sulltanëve osmanë

517
0
SHPËRNDAJE

Ka lindur e vdekur në Korçë po nuk i dihet as datëlindja as datëvdekja.

Me sa kuptohet ka lindur në fillim të shekullit XVII dhe ka ndërruar jetën rreth viteve 1650, duke u varrosur në katundin Plasë të Korçës.

Koçibeu, që ishte një djalë jashtëzakonisht i zgjuar dhe guximtar e sidomos largpamës, u rrit si devshirme në pallatin perandorak osman duke u pagëzuar “Mustafa” dhe u angazhua të punojë si sekretar i Kabinetit Perandorak me cilësinë e këshilltarit. Kishte lidhje të ngushta me dijetarët, muderrizët dhe zyrtarët e lartë.

Në atë kohë tatëpjeta osmane kishte arritur kulmin. Sidomos padishahu i ri Sulltan Murati IV (1612-1640) sillej shumë egër. Por Koçibeu nuk u dëmtua se ai gëzonte simpatinë e nënëmbretëreshës Mahpejqer Qosem Sulltan.

Koçibeu që kishte siguruar një kulturë të mirë në shkollën ushtarake të pallatit, situatën e shtetit e vëzhgonte me kujdes.

Në sajë të zotësisë së tij ishte bërë kryekëshilltari i Sulltan Muratit të cilit nuk i pëlqente ecuria e perandorisë, luftonte me paudhësitë, rryshfetet, alkoolikët dhe me ata që kishin filluar të pinin duhanin e ardhur nga Amerika nëpërmjet Rusisë.

Koçibeu hartoi një Raport-Memorandum të përbërë nga 21 letra dhe këtë guxoi t’ia paraqesë Sulltan Muratit IV në vitin 1631. Libri kishte karakter Projekti për të shpëtuar shtetin nga dekadenca, që ishte futur prej rryshfeteve, plaçkitjeve, shantazheve, intrigave etj., të brendshme.

Në raport bëheshin kritika të rrepta. Koçibeu shpresën e kishte vetëm tek Perandori.

Sulltanit i thoshte:”…Pasi ta lexoni raportin digjeni dhe mos ia dorëzoni askujt, këto t’i dini vetëm ju!” Kuptohet se nga kjo punë Koçibeu shpëtoi edhe kokën e tij, sepse edhe Sulltan Murati IV luftonte paudhësitë që kishin kapur shtetin…

Në raportin e dokumentuar me shifra, ngjarje dhe emra Koçibeu shkruante se: “Shteti nuk rronte dot me zullume.

Dhuna është si një frut që kur rritet shumë këputet vetë nga dega e pemës”. Mustafa Koçibej Korçari citonte si më poshtë:

..Ky shtet është aq i madh sa kur të ndreqet nuk do të ketë frikë nga zhdukja. Është një shtet- që mos e dhëntë Perëndia!- po të prishen ushtarët e Islamit, nga pas do të vijnë dhjetë ushtarë të rinj për një individ.

Ky shtet madhor ka gjithë minierat e metalet e shtrenjta si: ari, argjendi, bakri etj.

Edhe njerëzit kështu janë…Në viset shqiptare ka njerëz viganë që njeri nga ata vlen sa dhjetë, pesëmbëdhjetë shpata…Janë trima me fletë si shqiponja dhe si Sokol…”

Koçibeu detyrën e tij si kryekëshilltar e ruajti edhe në kohë të Sulltan Deli Ibrahimit (të çmendur) gjatë viteve 1644-1648, i cili nuk ishte serioz, bile nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante. Po Koçibeu mundi t’i paraqesë edhe atij një Raport përmirësimi të shkruar me një stil të thjeshtë.

Koçibeu nuk e vazhdoi dot detyrën e tij të lartë. Pas vdekjes së Sulltan Ibrahimit, hipi në fron, më 1648, Sulttan Ahmeti IV (Avci) shtatëvjeçar. Koçibeu që nuk punonte dot me një perandor fëmijë, rreth vitit 1650 doli në pension dhe e vendos në Korçë, ku ndërroi jetë, vetëm varri i dihej..

Raportet e Koçibej Korçarit kishin dhënë frute. Perandoria e ardhur pranë greminës më 15 shtator 1565 kaloi në duart e sadrazemit shqiptar Mehmet Pashë Qypryly.

Raporti l-II i Koçibeut si origjinal dhe dorëshkrim gjendet në bibliotekën Fatih të Stambollit.

Është botuar afro 20 herë me afro 150 faqe. Herën e parë më 1860 u përkthye në anglisht, pastaj frëngjisht, gjermanisht, rusisht, hungarisht, armenisht, serbisht…etj

Turkologët e huaj raportin e Koçibeut e kanë cilësuar si “Magna  Charta” ottomane ndërsa Koçibeun e quajnë Monteskjeu i Lindjes.

Për Koçibej Korçarin kanë shkruar gjerë e gjatë historianët turq e të huaj të shtetit osman. Gjithashtu edhe Sami Frashëri flet në Kamusul’ Alam (1889-1898).

Për të bëjnë fjalë Sureja Vlora në “Sicil-i Osmani”,   Bursali Tahiri në “Omanli Muellifleri”.

Po edhe në enciklopeditë Islame, turke dhe të botës janë botuar studime interesante për Koçibej Korçarin…