Jani Vreto, eruditi i diasoporës shqiptare

Jani Vreto, eruditi i diasoporës shqiptare

1947
0
SHPËRNDAJE

Njerëzit e mëdhenj vështirë se mund të vdesin.

Vdes trupi, pushon zemra, po vepra që ka lënë pas janë gjithmonë aty, e sidomos kur këto vepra kanë qenë bërë në të mirë të dheut të tyre ku kanë lindur.

Trimave si Pashko Vasa, Ismail Qemali, Jani Vreto, Shqipëria i nderon e respekton si shenjt, se vetëm prej tyre gjuha e trojet nuk u shuan, po e ngritën lart dhe i dhanë mundësinë që të mbijetonte.

Një nga ata mendimtarë të shquar të Rilindjes Kombëtare, që e përmendëm më lart, është edhe Jani Vreto, atdhetari që nuk njohi asnjëherë frikë kundër keqdashësve shekullor të dheut të tij. Po kush është Jani Vreto dhe cila është veprimtaria e tij?

Vreto ishte një njeri shumë i shkolluar që e vuri gjithë njohurinë e tij në të mirë të vendit. Ai kreu shkollën e “Zosimea“ të Janinës.

E ndërsa në 1854 u vendos në Stamboll, nga ku edhe në 1864 arriti që të marrë të bëhej pjesë e bashkësisë për pavarësinë e Shqipërisë ku merrnin pjesë edhe Ismail Qemali, Hasan Tahsini, Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa etj., ku u organizuan mbledhjet e para për caktimin e një alfabeti të shqipes dhe për botimin e librave në gjuhën shqipe.

Vreto ka qenë gjithashtu anëtar i Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe arriti të jepte ndihmesën e tij në komisionin që miratoi Alfabetin e Stambolit në 1879.

Jani Vreto, me gjithë njohuritë që kishte, arriti që të hartonte Kanonizmën e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip“.

Zyrtarisht organizata u quajt “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, kurse shkurtimisht thirrej si “Shoqëria e Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Kryetar ishte Sami Frashëri, kurse pjesëmarrësit e konferencës formuan këshillin qendror të shoqërisë.

Aty morën pjesë edhe figurat më të shquara të Lidhjes së Prizrenit, të cilët ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Komitetit të Stambollit, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina etj.

Një komision i ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), mori detyrë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët dhe hapjen e shkollave shqipe.

Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit u dërgua për të organizuar degë të shoqatës në Rumani dhe Egjipt. Gjatë kohës së qëndrimit në Budapest, Jani Vreto organizoi botimin e veprave të rilindësve në shtypshkronjën që drejtonte ai vetë.

Vreto shkroi gjithashtu edhe një varg veprash e artikujsh, siç ishin: “Apologjia“ (1878), “Për të vërtetën dhe për të shkruarit e së vërtetës“ (1883), “Mirëvetija“ (1886).

Në këto vepra, e sidomos në “Për të vërtetën dhe për të shkruarit e të vërtetës“ ai u kushtoi një vëmendje të veçantë problemeve filozofike që i zgjidhi përgjithësisht në frymën e iluminizmit. Filozofinë ai e konsideronte si degën më të rëndësishme të dijeve njerëzore, por botëkuptimi filozofik i tij ishte dualist.

Prirjet e tij filozofike materialiste, ai i mbështeste në parimin “nga të paqenët nuk mund të bëhet gjë dhe të qenët nuk mund të bëhet të paqenë kurrë“. Por ngaqë nuk kishte ide të qartë për ligjet objektive të natyrës, Jani Vreto kalonte në pozitat e idealizmit, duke pohuar se krahas botës materiale ekziston dhe “mendja e madhe“ jolëndore, që vendos ligjet në natyrë.

Vreto kishte bindje të thella në përparimin e shkencave dhe rolin e tyre të madh për zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Shkencat, sipas tij, zbulojnë ligjet, shkaqet e lindjes e të zhvillimit të sendeve, ato duhet “të gjejnë pse-në dhe qysh-en“.

Gjithashtu, ai u kushtoi një vëmendje të madhe problemeve të zhvillimit shoqëror. Ka dhënë mjaft mendime interesante mbi moralin, fenë, jetën shoqërore dhe zhvillimin e saj. Karakteristika kryesore e doktrinës së tij mbi moralin që parashtrohet në veprën e tij “Mirëvetija“ është fryma demokratike, përparimtare dhe lidhja e ngushtë e moralit me detyrat e lëvizjes për çlirim kombëtar.

Jani Vreto, megjithëse nuk ishte ateist, duke u nisur nga dëmi i madh që i sillnin fetë e ndryshme çështjes kombëtare shqiptare, mbajti ndaj tyre qëndrim kritik. Në përputhje me pikëpamjet e veta iluministe.

Vreto mendonte se në atë kohë veprimtaria për shkrimin e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollave shqipe, për përhapjen e diturisë për gjuhën shqipe ishte mjet i rëndësishëm i luftës së popullit për liri e pavarësi.

Ja disa thënie që Jani Vreto ka thënë në gjithë periudhën e jetës së tij dhe që qëndrojnë fatmirësisht ose fatkeqësisht edhe sot në ditët tona:

  • Kur luftojmë për mëmëdheun, nuk duhet të mendohemi qysh të rrojmë, por si ta mbrojmë e si të vdesim me nder.
  • Çdukja e feve nuk është punë e kombit tonë, është punë e gjithë kombeve sa i kanë këto – dhe e diturisë, që është e gjithë njerëzisë.
  • Vëndi ynë ka nevojë për dituri dhe jo për fe.
  • Fetë na e brenë zemrën e na rrëmihën varre me armiqësinë e tyre.
  • Asnjë besë e asnjë fe nuk i ka ruajtur njerëzit e saj që të mos bëhen edhe të shtrëmbër edhe të ligj.
  • Nga të paqënët kurrgjë nuk mund të bënet gjë, dhe të qënët gjë nuk mund të bëhet të paqënë kurrgjë.
  • Fetë mërgojnë që të tria filozofinë dhe diturinë e lirë; Rrëzuan gjithë shkollat me emër të filozofisë. Nga puna e feve u shua edhe drita e diturisë dhe plaftoi errësira e zezë e paditurisë aty njëmijë e pesëqind vjet.
  • Feja e vërtetë dhe me të vërtetë e shenjtë, është dashuria për atdheun, respekti për të drejtat dhe liritë e tij.