Shqiptarët dhe kurdët, histori e nyjëtuar e dy popujve në skaje të...

Shqiptarët dhe kurdët, histori e nyjëtuar e dy popujve në skaje të ndryshme

1483
0
SHPËRNDAJE

Historia e shqiptarëve dhe kurdëve, dy popujve rrënjës në rajone të ndryshme, ka nyjëtime interesante, shkruan Konica.al.

  1. Si shqiptarët që janë pasardhës të ilirëve dhe popujve të afërt me ta, edhe kurdët e trazojnë zanafillën e tyre te popuj para-iranianë, më të lashtit në rajonin e tyre.

2. Shqipja, si vazhduese e drejtpërdrejtë e ilirishtës së vjetër, përbën një degë të veçantë në trungun indoevropian. Kurdishtja cilësohet si vazhduese e dialekteve veriperëndimore iraniane, duke përfaqësuar një lozë më të largët të trungut indoevropian.

3. Pas rezistenës dhjetëravjeçare nën udhëheqjen e Skënderbeut (1443–1468), Shqipëria u pushtua nga osmanët me rënien e fortesave të fundit, Krujës (1478) dhe Shkodrës (1479). Kurdistani do të pushtohej nga osmanët në kohën e sulltan Selimit I më 1514, ku më pas territoret e zaptuara do të përpjestoheshin në sanxhaqe të ndryshme.

4. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, shqiptarët nismuan disa kryengritje të njëpasnjëshme kundër pushtimit osman. Edhe kurdët u shkaktuan trazira të mëdha osmanëve në krahun lindor të Perandorisë.

5. Sikundër pashallarët e bejlerët shqiptarë në Toskëri që ishin bërë zotër të pavarur të vendit, duke e mpakur praninë e shtetit osman, edhe mirët (udhëheqësit kurdë) kishin fituar të drejtën e mbledhjes së taksave.  Në shekullin e tetëmbëdhjetë, një pjesë e mirë e tokave kurde gjëllinin si emirate të pavarura, ku të gjithë mëkëmbësit vinin nga familje lokale.

6. Nëse shqiptarët shfaqën kërkesa serioze për autonomi dhe pavarësi në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), kurdët në vitin 1880 u kryengritën nën udhëheqjen e Sheik Ubejdullahut, duke kërkuar autonomi politike.

7. Udhëpërshkruesit perëndimorë vinin re ngjashmëri të shumta mes shqiptarëve dhe kurdëve, si popuj kryengritës e luftarakë që nuk duronin zgjedhën turke. Kështu, teologu amerikan James Barton (1856-1936) vërente se shqiptarët dhe kurdët ishin fare shpërfillës ndaj fesë. Sipas tij, ata e kishin pranuar fenë islame vetëm sipërfaqësisht, duke ruajtur zakonet e tyre stërgjyshore.

8. Si shqiptarët ashtu edhe kurdët (madje në numër më të madh) iu bashkuan fillimisht Komitetit për Bashkim dhe Përparim, në përpjekje për liberalizimin e mjedisit politik në Perandori dhe shkëputjen e të drejtave më të mëdha në arsim dhe kulturë. Me ardhjen në fuqi të regjimit xhonturk, gazetat, shkollat dhe shoqëritë kulturore u mbyllën si për shqiptarët, ashtu edhe për kurdët.

9. Pas kryengritjeve të vazhdueshme, shqiptarët shpallën shtetin e tyre të pavarur më 28 nëntor 1912, por kurdët u gjendën mes çekanit dhe kudhrës: në njërën anë ishte regjimi centralist xhonturk që vepronte ashpërsisht kundër armenëve, dhe në anën tjetër ishin agresorët rusë.

10. Pas Luftës së Parë Botërore, presidenti amerikan Woodrow Wilson përkrahu të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe ekzistencë të pavarur. Nga prizmi i tij për vetëvendosjen e popujve, presidenti amerikan kishte kërkuar që edhe kurdët dhe popujt fqinj të rajonit të gëzonin zhvillim autonom. /konica.al/

© Salih Mehmeti | Konica.al