Mujo Ulqinaku, heroi që u hodh kundër pushtimit italian të Shqipërisë

Mujo Ulqinaku, heroi që u hodh kundër pushtimit italian të Shqipërisë

857
0
SHPËRNDAJE

Ja disa nga vargjet që i janë kushtuar Mujo Ulqinakut dhe veprës së tij patriotike të shkurajtura nga Nikoll Pacuku dhe të dërguara tek gazeta DITA: …

Prilli, muaj i luleve / I blerimit natyror / Gugatja e pëllumbave / Të simbolit paqësor / Prilli, mes pranvere / I përgjakur mu tek pragu / Mesthyer nga ai besëprerë / Nga ai dinak e bir dinaku / Prilli homazh për Ulqinakun / Nga përvjetori në përvjetor / Prilli qëndisur lule gjaku / Për të rënët lulekurorë.

Po kush ishte Mujo Ulqinaku dhe çfarë ka bërë ai që edhe sot e kësaj dite është një përmendore e madhe që e kujton gjithmonë…

Mujo lindi më 1896 në Ulqin në një familje të vjetër qytetare ulqinake, të cilët ishin detarë dhe pronarë velanijesh. Që në moshë të vogël hyri muço (ndihmës detar) në Ulqin dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Lezhë.

Mujo është shpërngulur në Shkodër, pasi nuk mundi të jetonte nën pushtuesin malazez.

Si nënoficer në një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit.

Në këtë luftim të pabarabartë në mbrojtje të Shqipërisë me trimëri e guxim të rrallë i bëri qëndresë pushtuesit deri në momentin sublim, kur u vra nga ushtria fashiste italiane, duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie.

“Kush lufton ashtu në këmbë?/Kush ha hekurin me dhëmbë?/Është Mujua, një kapter,/që lufton e vdes me nder! Në një këngë popullore kushtuar Mujo Ulqinakut rapsodi ynë popullor shprehet: Përmbi tradhtinë more / me një grusht fishekësh/ flamurin si gjaku /e ngrite përpjet. /

Nëpër dallgët e detit/ dëgjojmë zënë e tija /si kështjellë qëndron ndër shekuj / s’bie Shqipëria. S’tu tremb syri nxiu deti,/ vapor e avione,/seç ja bëre, Mujo fora,/mbi 40 milionë../ Mujua nuk njeh vdekje,/do të rroj përjetë./Mujua dhe liria/ populli i tija./ Do lulëzoj kjo tokë/do ketë veç pranverë,/ se shqiptaria /ndër bedena, do qëndroj përherë janë disa këto nga vargjet që i janë ngritur kësaj figure të ndritur të historisë sonë.

Po le ta shohim më nga afër se çfarë ka ndodhur në atë kohë dhe këtë më mirë na e shpjegon Dalan Buxheli, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të atdheut, i cili e shpjegon në tërësinë e saj këtë ngarje, po gjithashtu edhe kontributin e Mujos për ndalimin e hyrjes së pushtuesve në territorin shqiptar.

“Në pranverën e ‘39-s, Shqipërisë i kanosej pushtimi. Armiku po vinte i armatosur gjer në dhëmbë të na digjte me zjarr e hekur, i barkuar mbi 137 luftanije me 600 aeroplanë, 50 000 ushtarë fashistë po zbarkonin në brigjet e Shqipërisë.

Mbreti ua kishte dhënë prej kohësh tapitë e Shqipërisë, italianëve, si zhongler i politikës së “dyerve të hapura” e kishte lidhur atdheun tonë pas qerres së Musolinit. Rrjeti i traktateve dhe i marrëveshjeve me shumë shtete e kishin kthyer Shqipërinë në një vend kolonial dhe të mbytur në borxhe.

Regjimi i turpit e kishte detyruar popullin tonë që edhe për misër t’i kthente sytë nga Italia. Shoqëritë SVEA, AIPA, EIAA zotëronin nën tokën dhe mbi tokën tonë nën etikën “Kombet më të favorizuara”.

Në aparatet e shtetit dhe të ushtrisë kudo kishin hyrë “organizatorë” fashistë që mbillnin disfatizëm, që përgatisnin me kujdes “Kolonën e Pestë”. Popullit i kishte vajtur thika gjer në palcë. Vetëm pallati i mbretit shpenzonte 3.7 % të gjithë buxhetit të shtetëror. Popullit i kullonte zemra gjak, kurse mbreti krijonte eufori absurde.

Shtypi shkruante se, mbreti më në fund, kishte vendosur “të mbathte vetë opingat” e t’i printe popullit në luftë.

Në fakt ai po mbushte valixhet me djersën dhe gjakun e popullit fukara dhe po ia mbathte. Njerëzit në gjithë hapësirën shqiptare veçanërisht në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Korçë, Sarandë etj., ishin të alarmuar.

Studentët nga salla “Gloria” dhanë sinjalin. Pas orës 23:00 të natës iu drejtuan portave të pallatit mbretëror.

Më 3 prill vala e protestës u përhap në Durrës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Sarandë dhe Shëngjin. Kudo thirrej: Duam armë! Duam të mbrojmë atdheun tonë! Qeveria heshtte.

Asnjë përgjigje. Në pasditen e 6 prillit largohet nga Durrësi konsulli italian Kont Aldici. Në qiell fluturuan disa dhjetëra aeroplanë. Atje në port u armatosën një grup ushtarësh me Mujo Ulqinakun në krye. Në orën 05:40 trupat italianë filluan zbarkimin në tokën tonë me mendimin se do t’u dhuronim lule.

Në fakt morën lulet e plumbave në ballë. Mujo Ulqinaku me shokët e tij hapën zjarr. Tërë ushtarët që zbarkuan të parët u asgjësuan. U trondit flotilja e karrocuar atje në det. Ç’ndodhi kështu? Si u zhdukën aq shpejt ushtarët? Lufta mori zjarr. Sulmi i parë armikut iu thye. Ndeshja e pabarabartë ndizet gjithnjë e më shumë .

Thënia e Mujo Ulqinakut: “Më mirë të vdesësh në këmbë sesa të rrosh i gjunjëzuar”, e ngriti peshë moralin e luftëtarëve. Por tradhtia ishte përligjur.

Besnikëria ushtarake ishte paralizuar. Pushkëve u ishin hequr shulat dhe topave u ishin hequr gjilpërat. Pasiguria e disinformimi kishte pllakosur gjithandej. Rezistenca i ishte lënë spontanitetit. Populli u gjend në mëshirën e fatit e në tradhti të hapur të mbretit Zog.

Ja pra, këtij kryetradhtari, shtetarët e sotëm i thurin lavde e himne dhe i ngritën monument në Tiranë. Për të thyer rezistencën e Mujos dhe shokëve të tij armiku vuri në funksionim artilerinë dhe aviacionin. Sulmet sa vinin e bëheshin më të përgjakura. Ai sulmoi për herë të dytë mijëra vetë kundra dhjetërave.

Kur ora shënonte 09:00 e mëngjesit Mujo Ulqinaku goditet, armiku futet në tokën shqiptare dhe të pushtojë qytetin e Durrësit. Gjaku i kuq i “Heroit të Popullit” Mujo Ulqinaku dhe i luftëtarëve trima: Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi, Isak Metalia, Ramazan Velia, Ismail Reçi, Ibrahim Çomani dhe Hamit Vashki skuqi tokën amtare.

Krismat e armëve të tyre u ndjenë larg, shumë larg duke kaluar edhe kufijtë e Adriatikut. Gazeta angleze “Daily Telegraph” dashur pa dashur asokohe shkruante: “ Shqipëria foli me një gjuhë, të cilën e Europa e kishte humbur zakonin të dëgjonte…”.

Topat e vjetër në këmbë të kalasë dhe lapidari i mermertë në kujtim të të rënëve s’e harrojnë atë mëngjes të zi prilli. Ata nga moti në mot u flasin e u rrezatojnë brezave të rinj të Shqipërisë, për të mbrojtur lirinë e demokracinë dhe për ta bërë gjithnjë e më të begatë vendin tonë.

Për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë dhe për ata që sot fashizmin nuk e quajnë aspak si rrezik që i kërcënohet botës, apo akoma më keq ata që Luftën Antifashiste të popullit tonë e quajnë si një lojë, apo si luftë civile, organizata jonë përulet me respekt të thellë para figurës së tyre, lavdisë së tyre dhe demaskojnë hapur pa as edhe më të voglën frikë dhe pa ju trembur syri nga neofashistët që denigrojnë dëshmorët e atdheut dhe epopenë e lavdishme të LANÇ-it dhe të popullit shqiptar ’’.