NË KASTRIOT U BË PROMOVIMI I LIBRIT “DJALIT TË KOSOVËS”, TË SHKRIMTARIT...

NË KASTRIOT U BË PROMOVIMI I LIBRIT “DJALIT TË KOSOVËS”, TË SHKRIMTARIT FADIL H. CURRI

189
0
SHPËRNDAJE

Shkruan Prof. Zymer Mehani 

Sot, më datën 28.12.2016 (E mërkurë) u bë promovimi i librit “Djalit të Kosovës” të shkrimtarit z. Fadil H. Curri me fillim nga ora 16:30 në Shkollën “Ibrahim Rugova” në Kastriot (Obiliq) në kuadër të manifestimit për ditën e Veteranit të UÇK-së.

Shtëpia botuese “ProkultPress”, Prishtinë në vazhdën e botimeve të saj të njëpasnjëshme, dje nxori nga shtypi librin “DJALIT TË KOSOVËS” (kushtuar dëshmorit të kombit Ferid Curri) të autorit z. Fadil Curri. Redaktorë: Adnan Sogojeva dhe Fadil Curri; Recensent: Zymer Mehani. Libri u shtyp në Shtypshkronjën “LENA GRAFIK”, Prishtinë.

Në këtë manifestim pati edhe program artistik me këngë e valle si dhe në një koktej rasti. Prezentë ishin familjarë të dëshmorëve të UÇK-së, veteranë të luftës, profesorë, studentë, nxënës e gazetarë. Manifestimi ishte organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, i cili ishte dhe prezentë bashkë me bashkëpunëtorët e tij.

Në vargun e dëshmorëve të kombit tonë, rri i rreshtuar edhe Djali i Kosovës, (siç e cilëson miku im i nderuar, Poeti Fadil Curri), edhe dëshmori i lirisë, Ferid Curri.

Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet, do të kalojnë edhe dekada e shekuj, por kujtimi për Feridin dhe për dëshmorët e kombit tonë do të mbetet prore i freskët në mendjet tona, në zemrat tona dhe në kujtesën tonë historike.

Mbetet prore i freskët dhe nuk tretet kurrë edhe malli për Feridin trim, sypatrembur e atdhedashës.

Atë sot, por edhe nesër dhe gjithmonë Familja Curri, Kastrioti, Kosova dhe tërë Kombi Shqiptar e kanë dhe do ta kenë Diell Lirie me rreze të dëlira, me dritë lirie.

        Feridin po e kujtojmë edhe sot, në këtë takim tonin të përbashkët, ku po e bëjmë  edhe promovimin e librit, “DJALIT TË KOSOVËS” të shkrimtarit dhe mikut tonë të shtrenjtë zotëriut Fadil Hashim Curri , kushtuar heroizmit të FERIDIT TONË dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Librin publicistiko-letrar “Djalit të Kosovës” autori  Fadil H. Curri ia kushton në shenjë nderimi dëshmorit të kombit, Ferid Curri, që ra heroikisht në lule të rinisë në luftë për çlirim të Kosovës nga kulçedra qindvjeçe serbosllave. Autori materialin e këtij libri e ka ndarë në tri pjesë, por që ndërlidhen kronologjikisht dhe tematikisht ndërmjet tyre.

  1. Në pjesën e parë, nën titullin “Kujtime dhe intervista”, autori do të na njohë me gjeanologjinë e familjes Curri që nga lashtësia, kur jetonin në fshatin Shipitullë, rrëzë Qyqavicës mitike. Pastaj do të na flasë për shpërnguljen nga ky fshat dhe vendosjen në Mazgit të Kastriotit (në vitet 60-70 të shek. XX), ku pasardhësit e kësaj familje jetojnë dhe punojnë edhe sot.

Autori, hollësisht  do të na e japë një portret të dëshmorit, Ferid Curri që nga mosha fëmijërore e deri në rënien e tij të lavdishme në altarin e atdheut. Kronologjikisht do të njihemi me jetën e Feridit, shkollimin e tij, preokupimet për çështjen kombëtare dhe inkuadrimin në radhët e UÇK-së.

Në këtë pjesë të librit, autori Fadil Curri do të përshkruajë edhe shumë momente të jetës ushtarake të Feridit në radhët e UÇK-së, vullnetin dhe entuziazmin e tij për luftë çlirimtare. Pastaj, në këto faqe, autori z Fadil H. Curri lexuesit do t’i njohë edhe me prindërit e dëshmorit, baba Esatin dhe nënë Halimen. Ai me nota realiste do ta përshkruajë edhe deportimin e prindërve të dëshmorit në Shqipëri, bashkë me shumë qytetarë të tjerë, nga forcat ushtarako-policore serbe.

Hollësisht përshkruhen nga pena e autorit peripecitë e të dëbuarve gjatë rrugës dhe strehimit të ngrohtë vëllazëror, që do ta gjejnë matanë kufirit, nga vëllezërit e të njëjtit gjak dhe të së njëjtës gjuhë, në Burrel të Krahinës së Lumës, në Shqipëri. Autori gjithnjë do t’i mbetet besnik përshkrimit të ngjarjeve, ashtu siç kanë ndodhur dhe siç janë zhvilluar kronologjikisht.

Po ashtu, autori do ta përshkruajë edhe çastin e hidhur, kur prindërit u njoftuan për rënien e të dy djemve, Feridit dhe Petritit në fushën e betejës. Por, fatmirësisht, ndërkohë u konfirmua se Petriti ishte gjallë, por vetëm se ish plagosur.

Në këtë pjesë të librit, autori na sjell edhe fragmente intervistash që i kishte zhvilluar me familjarë, shokë, mësues, bashkëfshatarë, bashkëluftëtarë  dhe eprorë të dëshmorit, Ferid Curri, duke na e dhënë një informacion shumë të pasur për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit.

Me pietet dhe me dhembje, por edhe me krenari, për shembëlltyrën e Feridit, në intervistat e zhvilluara nga autori, do të flasin  me dhjetëra persona për Feridin dhe rreth Feridit.

Sa mallëngjyese, po aq e dhembshme është intervista e zhvilluar me mësuesin e Feridit, z. Selim Bregovina, i cili ruan shumë kujtime nga jeta shkollore e dëshmorit. Ky Feridin e përshkruan si çun të shkathtë dhe nxënës inteligjent e të përpiktë në mësime.

Prekëse është edhe intervista e zhvilluar prej autorit me nënën e dëshmor Feridit, zonjën Halime Curri. Kjo figurën e Feridit na e përshkruan me dashuri prej nëne. Tregon shumëçka për fëmijërinë e djalit, për ditët e shkollës, detyrat dhe obligimet, e deri te preokupimet e Feridit për situatën në Kosovë dhe angazhimin e tij në radhët e UÇK-së.

Edhe kujtimet e bashkëfshatarëve të Feridit na ngjallin emocione të përziera me dhembje dhe krenari. Për të do të na flasin shumë personalitete, si komandant Abedin Sogojeva-DINI, zv.komandant Ali Sogojeva, bashkëluftëtar Xhevati etj.

Të gjithë këta persona për Feridin do të flasin me respekt të veçantë, sepse Feridi vërtet ishte personalitet që të bënte për vete. Këtë fakt më së miri na e tregon z. Adnan Sogojeva, djali i komandant Abedinit, sot dëshmor i kombit. Siç rrëfen Adnani, komandant DINI, para se të ndërronte jetë nga plagët e rënda, kishte lënë amanetin që ta varrosnin në ish-varrin, ku qe varrosur edhe Ferid Curri, amanet, të cilin ia përmbushën familjarët dhe bashkëluftëtarët.

  1. Në pjesën e dytë të librit, autori bashkë me shumë pena krijuese do të shkruajnë vargje, kushtuar dëshmorit, Ferid Curri, guximit dhe ngritjes së tij në përjetësi.

Në këtë pjesë do të gjejmë poezi të poetëve Fadil H. Curri, Jusuf Hykaj, Shefki Përvetica, Astrit Curri (nxënës), Amela Sogojeva, Zymer Mehani, Halim Budakova (tani i ndjerë), Milazim F. Kadriu, Hamdi Aliu etj.

Në të gjitha vargjet, secili poet nga prizmi i vet do ta përjetësojë me artin e fjalës heroizmin e pashoq të dëshmorit, Ferid Curri.

Nëpërmjet vargjeve të poetit, Jusuf Hykaj, Feridi do të thotë:

Do të jem këtu

Natë e ditë

Sa të ketë njerëz kjo botë

……………………………….

Roje e ëndrrës sate

O populli im

Ndërsa në vargjet e poetit, Fadil H. Curri, nëna do ta urojë dhe do t’i lërë amanet të birit:

-Udhë e hajrit o bir

Amanetin mbaje ndërmend

Mos paç plumb haje me dhëmbë…

E në vargjet e poetit, Zymer Mehani, Feridi ishte si një meteor, vullkan dhe yll:

Meteori bie vetë

Meteor ish me t’vërtetë

Dhe vullkan që fort shpërthen

Yll i qiellit që shkëlqen

 

III. Pjesa e tretë e librit përmban mirënjohje e fotografi të ndryshme, që ndërlidhen në një mënyrë me dëshmorin Ferid Curri.

Krejt në fund, autorin e librit e përgëzojmë për punën e madhe që ka bërë për këtë përmbledhje, duke i ndërtuar kështu dëshmor Feridit dhe bashkëluftëtarëve të tij një monument letrar përkujtimi të përjetshëm. Ne Autorit Fadil Curri i urojmë shëndet dhe krijime të tjera letrare dhe publicistike.

Edhe ty, lexues i nderuar, të urojmë lexim të këndshëm!

Me respekt!

LEAVE A REPLY