Gjykata liroi bandën e drogës. Nis verifikimin ndaj gjyqtarit

Gjykata liroi bandën e drogës. Nis verifikimin ndaj gjyqtarit

45
0
SHPËRNDAJE

Pas lajmit në të së martës në Top Channel, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet në Gjykatën e Vlorës ndaj vendimit të gjyqtarit Arqile Basho dhe mënyrës sesi ai liroi një të arrestuar për pesë tonë drogë.

KLD i kërkon gjykatës si është hedhur shorti pasi gjyqtari që kishte dhënë masën me burg është zëvendësuar. Por Top Channel ka mësuar se të gjithë të dyshuarit për 15 tonë drogë, tashmë janë të lirë.

Rakip Arapaj, i dyshuar për prodhim të mbi pesë tonëve hashash dhe mbajtje të dy armëve nuk është i vetmi që ka fituar lirinë nga gjykata.

Siç thotë Prokuroria, pas operacionit të bujshëm në Drithas Llakatund, gjatë të cilit u bllokuan 15 tonë drogë dhe u arrestuan nëntë persona, nuk ka mbetur asnjë i dyshuar në paraburgim.

Siç rezulton e provuar fillimisht të parët që u kthyen në shtëpi janë kryeplaku i fshatit dhe më pas edhe inspektori i policisë së zonës. Më pas kanë fituar lirinë në heshtje babë e bir, Myzafer dhe Ervin Tushaj, për të cilët u tha se kishin grumbulluar gati nëntë tonë hashash në banesën e bashkëfshatarit të tyre.

Por gjykata e gjeti të pabazuar në prova pretendimin se ata duhet të ishin pronarët e ngarkesës, ashtu sikurse edhe në episodin e fundit, për të cilin dyshohej si pronar i pesë tonëve Rakip Arapaj.

Prokuroria ka apeluar vendimet me arsyetimin se në të dyja rastet përderisa banesat ishin afër shtëpive të të dyshuarve, ata janë poseduesit e ngarkesave që ishin magazinuar në fshat.

Nuk dihet nëse edhe pas këtij lajmi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të hapë proces verifikimi për gjykatësit e tjerë të Vlorës.

Kreu i saj tha të mërkurën për Top Channel se trafikantët kishin çarë rrjetën e gjykatës, por mesa duket çarjet paskan qënë më shumë sesa një. / Top Channel