Zanafillat e të copëtuarit tonë

Zanafillat e të copëtuarit tonë

1142
0
SHPËRNDAJE

Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani 

Atdheu ynë nuk është copëtuar për herë të parë në vitet 1878 apo në 1913. Copëtimi i parë (të themi më saktë, i ish-Atdheut tonë), pas një jete thuajse 6-shekullore të përbashkët (gjysmën e kohës i robëruar, gjysmën tjetër disi më i lirë), ka ndodhur më 395-n të e.s. Perandori iberikas Teodosi e ndau përmidis Perandorinë e Romës (“Unionin Euro-Mesdhetar të Antikitetit”) dhe me atë rast ai e ndau edhe Ilirikun. Thonë se punonte kundër nesh dhe se përpiqej për të na dëmtuar.

Vija e quajtur “e Teodosit” niste në Singidun (Beogradin e sotëm) dhe soste në Gjirin e Meduas (Shëngjinin e sotëm). Ndarje më të keqe për ne nuk mund të kishte. Të qe vënë kufiri në Trieste

(dhe mund të vihej) ka të ngjarë që historia jonë të kish rrjedhur ndryshe.

Sidoqoftë, në lidhje me këtë kohë, ka një këndvështrim që duhet të jetë i qartë për historiografinë. Në fund të sh IV të e.s. (viti 395) ilirët, siç thamë, nuk mund të konsiderohen më si një popull i robëruar. Statusi i tyre kish 3 shekuj që ishte ndryshuar. Ata ishin pjesë e barabartë e popujvet përbërës të Perandorisë së Romës. Si e tillë, ajo pjesë e ilirëvet që u ndodh në lindje të “Vijës së Teodosit” më 395-n, nuk ka si të konsiderohet popullsi

e robëruar. Prej kujt do t’ishte e robëruar ajo pjesë e Ilirikut?

Latinët (romakët), edhe sikur të vazhdonin të quheshin pushtues, kishin mbetur në perendim. Ata madje, jo shumë kohë më vonë do të zhbëheshin duke u zëvendësuar me të tjerë etnitete.

Ajo pjesë e popullsisë ilire, pra, që mbeti në trevat lindore, në të quajturën “Perandori Romake Lindore”, duhet konsideruar si pjesë shtetformuese e asaj perandorie.

Edhe pjesa perendimore e Ilirikut i kishte atributet e shtetformimit njëlloj si popujt e tjerë perendimorë, por ajo, me ndarjen prej pjesës lindore, hyri në të tjera rrjedha. Duke mos pasur një strategji vetjake, strategji për vete, ajo pjesë e ilirëvet, në vend që të krijonte një shtet të vetin, siç edhe i krijuan popujt e tjerë më në perendim (të dalë nga simbioza me të ardhurit), iu nënshtrua asimilimit gradual prej të ardhurvet (që në rastin tonë nuk ishin svevë, normanë, longobardë apo gotë, por ishin sllavë). Edhe kjo është e rëndësishme të dihet.

Në pjesën lindore, gjatë gjithë shekullit VI në krye të shtetit kanë qenë ilirët. Vetë kryeqytetin e Perandorisë Romake Lindore e kishin themeluar mirëfilli ilirët. Që nga koha e Antikitetit të Hershëm ai qytet, siç e kemi thënë, mbante emrin BIZANT, pra, *MBI ZANËTË dhe, në është për t’i besuar shpjegimit gjuhësor, ai është qartësisht një themelatë e protoshqiptarëvet shumë të lashtë. Në sh IV, pikërisht mbi themelet e BIZANTIT të dikurshëm, prapë një perandor i yni, Konstantini i Madh, ka ndërtuar aty KONSTANTINOPOLIN, madhështor dhe thuajse krejt të ri.

Në shek. VI, 2 shekuj më vonë, një tjetër perandor i yni, Justiniani i Madh, i ka bërë atij qyteti plotësime nga më të mrekullueshmit, përfshirë aty edhe kishën e madhërishme të Aghia Sofisë. Në këtë mënyrë, krejt historiografia e KONSTANTINOPOLIT, Stambollit të sotëm, duhet të rishikohet mbi bazën e të dhënavet autentike të historisë e jo mbi bazën e dëshiravet të njërit apo tjetrit historishkrues.

Shprehjet “perandori ynë” “perandorët tanë”, përdorur prej nesh në një libër tjetër para këtij, një mik i yni, tek po pinim një kafe në “Bozhur” të Prishtinës, na i quajti si “të papërshtatshme”.

Por ne, me gjithë vërejtjet e miqvet, nuk mund të heqim dorë nga pohimi se ata ishin mirëfilli perandorët tanë, ashtu siç do të jenë vezirët tanë edhe ata të Stambollit të mëvonshëm, pavarësisht se ç’rol luajtën në histori, njërët apo tjerët.

Justiniani i Madh ka bërë për vendin e vet aq shumë, sa Ai, jo e meriton, por zëri i tij, i shuar para gati 1500 vjetësh, e kërkon me ngulm një monument shumë të madh mu në qendër të Shkupit, ndërtuar prej shqiptarëvet dhe me paratë dhe artin skulpturor të shqiptarëvet.

Me qëllim për t’u mbrojtur vendi prej barbarëvet, Ai ka ndërtuar në krejt hapësirën ilirike lindore përmbi 400 fortesa dhe i ka pajisur ato që të gjitha me armatimin dhe me efektivin përkatës.

Për ta çliruar Kishën Ilire prej Kishës Greke, Ai ka themeluar në Justiniana Prima (në Shkupin e sotëm) Kryeipeshkvinë e Ilirikut Lindor. Ky do të jetë një institucion aq i rëndësishëm për ne, sa do të duheshin studime të posaçëm kushtuar veçanërisht këtij institucioni. (Vazhdim i po asaj vepre, të themeluar prej Justinianit të Madh, ka qenë më vonë Arqipeshkvia e Tivarit, e themeluar në sh XI.) Për të ribashkuar Atdheun, të cilin e kish pasë ndarë përgjysmë iberiku Teodos, Ai pat dëRguar atje kryekomandantin e vet, të shumëdëgjuarin Belizar, gjithashtu i gjakut ilir, dhe e pat realizuar përkohësisht bashkimin.

Edhe sot krejt trualli ku banojnë shqiptarët është i mbushur me themele ndërtimesh, dikur nga më madhështorët, të cilët janë bërë këtu në kohën pikërisht të atyre 2 perandorëve tanë:

Konstantinit të Madh dhe Justinianit të Madh. Kanë bërë këta 2 njerëz kaq shumë për vendin dhe për etninë e vet, njëri para ndarjes së Ilirikut, tjetri pas ndarjes, e megjithatë historiografia botërore, kur përmenden këta, as në cep të mendjes nuk e ka për të vënë në dukje se ishin paraardhës të shqiptarëvet. Në të gjithë fakultetet juridikë të botës studiohet Kodii famshëm i Justinianit, por asnjëri prej pedagogëvet nuk ua bën të qartë studentëvet të vet që ky Justinian në jetën e tij të përditshme ka folur po atë gjuhë që flasin edhe sot shqiptarët.

Kemi madje edhe në Tiranë fakultet juridik me emrin “Justiniani i Parë” por as aty pedagogët nuk u flasin studentëvet për Të si për një paraardhës të tyre. Kjo është shenja më e mirë për të treguar se në vitin 395 nuk u zu fill copëtimi vetëm i Atdheut të dikurshëm të shqiptarëvet, por u zu fill e vazhdon edhe sot copëtimi edhe i vetëdijes dhe i shpirtit të shqiptarëvet.