NJË DIARE KRONIKE

NJË DIARE KRONIKE

1145
0
SHPËRNDAJE

Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani 

Është vetëm një aspekt, por është shumë domethënës dhe imponues për t’u ndalur, si një ferrë që të tërheq për rrobash.

Në shqip i thonë: barku i keq. I thonë edhe skurlë. Sidoqoftë.

Është sëmundje e bezdisshme, e cila, psh në raste kolere, mund të marrë përmasat e një këdie.

Këtu, fjalën diare (ndryshe: bark i keq, heqje barku, bizgë, skitë), në lidhje me dukuritë e të quajturave radhë, që shqiptarët janë të vetëdetyruar t’i përjetojnë, veçanërisht brenda Republikës së Shqipërisë, thuajse në çdo punë që kërkon njëfarë organizimi, afërmendsh, nuk po e përdorim me domethënien e saj të drejtpërdrejtë, por me kuptim të figurshëm. Për mirësjellje, mund t’i quajmë “radhë”, por në të shmtën e rastevet ata janë grumbuj amorfë me karakteristikat e një kopeje të çfarëdoshme. Po numërojmë disa prej tyre, ndonëse ato mund të shfaqen edhe në shembujt më të paparashikueshëm.

Në Kohën e Enverit, diare të tilla sociale kishte në stacionet e autobusëvet. Duhej të çoheshe në orën 3 të mëngjesit, të zije gjoja radhën për të marrë biletë, të shtyheshe deri sa të të mbulonin djersët nga koka deri në fund të këmbëvet, të të griseshin xhaketa dhe këmisha dhe në orën 6 ose 7 mund të ktheheshe në shtëpi pa marrë biletë. Ose do ta merrje biletën, duke u munduar të harroje adhapin e madh që kishe hequr.

Ka qenë te Sahati stacioni I autobusëvet të Tiranës. Por të tilla

punishte zhgënjimi”, nacional edhe shtetëror, kishte në çdo

qendër rrethi. Në Kohën e Enverit të tilla “diarepërjetonte populli edhe atje ku shitej qumështi, edhe atje ku shitej gjiza, edhe atje ku shiteshin bukë të sapodala nga furra, edhe në ditën

e fundit të dhjetorit, kur dilte ndonjë artikull ( mish, verë, fruta), të cilët u duheshin njerëzvet për të festuar Vitin e Ri. Të dilnin për hundësh, edhe Viti i Vjetër, edhe Viti i Ri.

Sot, mbasi Epoka e Enverit ka perenduar në moskthim, i njëjti fenomen i “diaresë” gjithpërfshirëse është po aq i neveritshëm. Në dyert e ambasadavet, grumbuj të përditshëm, turma njerëzish që flënë atje në mes të rrugës (përveç fundjavës, kur padronët pushojnë). Në zyrat e gjendjes civile, sidomos kur vijnë emigrantët për pushime dhe lodhen këtu më shumë se ç’lodhen 11 muaj atje ku janë degdisur. Në ambientet para Ministrisë së Punëvet të Jashtme. Në libraritë në çdo fillim viti shkollor.

Në sekretaritë e universitetevet. Në pikëkalimet kufitarë, aq sa të huajtë na ironizojnë: Erdhëm në Shqipëri! Këtu duhet të kesh nerva të fortë. Grumbuj, ku gjendet një rubinet uji. Grumbuj në zyrat e kadastrës. Grumbuj ku paguhen dritat. Grumbuj ku merren pensionet. Grumbuj, jo radhë, por turma qeniesh pa dinjitet, përpara Stadiumit “Qemal Stafa”.

Atje policët dinë të rrahin, por nuk dinë të vënë rregull. Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, për të shpëtuar nga kjo “sëmundje zorrësh”, kaq e bezdisshme?! Mos duhet një ministri e posaçme?! Ku ta vëmë? Pranë Ministrisë së Kulturës, pranë Ministrisë së Arsimit, pranë Miniastrisë Rendit, apo përballë ndonjë spitali të sëmundjevet nervore? Diçka duhet! I kanë edhe popujt e tjerë të këtilla sëmundje, që i sjell anarkia në administratë, por ata, sidoqoftë, ia kanë arritur t’i zgjidhin secili në mënyrën e vet. Vetëm ne kemi mbetur duke mbajtur brekët në duar.