KONGRESI I MANASTIRIT SHIKUAR NDRYSHE

KONGRESI I MANASTIRIT SHIKUAR NDRYSHE

2271
0
SHPËRNDAJE

Fahri Xharra –13.11.17 Gjakovë

“Një mik shumë i mirë shqiptar më ka thënë se si vëllai i gjyshit nga babai, që kishte studiuar fizikë në Francë dhe ishte studiues  i madh, thoshte: “Bir, në të kaluarën njerëzit i shisnin shtëpitë për atdheun, tani shesin atdheun për shtëpinë e tyre”. (nga Zonja Vlahutin, BE )
Desha të gjej një paralele për këtë thënie e cila qëndron lart dhe e tregon realitetin tonë të sotëm dhe të 20 vjetëve të fundit .Ju kujtohet para sa viteve “urdhri “ për ndërrimin e historisë sonë dhe përshtatjes së saj sipas kërkesave të të tjerëve.

A nuk është kjo një shitje e atdheut për të ndërtuar shtëpi private?
E dini shumë mirë Kongresin e Alfabetit në Manastir , 1908 . “Kongresi i Manastirit (apo Kongresi i Alfabetit) është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor – 22 nëntor 1908 në Manastir, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme.

Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes drejt bashkimit gjuhësor kombëtar.

Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.”
Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve.

Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.

Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

E mendoni sikur t`ishte shkruar me shkronja osmane , ku do të ishim sot?
Hiç më shumë se 20 vjet , historia e ndërroi kahjen e saj : “Në vitin 1928, Mustafa Kemal Ataturk-u, themelues i Republikës Turke, paraqiti 29 shkronjat e alfabetin aktual turk duke e zëvendësuar alfabetin e mëparshëm perso-arab. Alfabeti i gjuhës turke, i pranishëm, që përdorët sot, është një alfabet që rrjedh nga alfabeti Latin.

Përdorimi i alfabetit të ri, i alfabetit Latin, ishte bërë i detyrueshëm në të gjithë komunikimin publik.
Zëvendësimi i alfabetit, nga alfabeti arab në alfabeti latin u mbrojt me arsyetimin se alfabeti arab nuk ishte i përshtatshëm për fonologjinë autentike turke, por disa thonë se ndryshimi shkaktoi shkëputje, ndërprerje tek turqit nga trashëgimia letrare e epokës osmane.
Pavarësisht historisë së gjatë tragjike dhe me shumë pasoja për Shqipërinë dhe Shqiptaret te Perandorisë Osmane, krijimi i Shtetit kombëtar modern Turk nga Kemal Ataturku ndryshoi qasjen e popullit shqiptar për popullin Turk.
Shqiptaret ishin dhe mbeten Kemalistë. Shqiptaret madje, me doktrinën e tyre sekulariste si dhe alfabetin latin frymëzuan modelin Kemalist sekular te shtetit si dhe heqjen dorë të Turqisë nga alfabeti arab dhe adoptimi i alfabetit latin.

Pra, në pranverën e vitit 1928, Mustafa Kemali u takua në Ankara me disa gjuhëtarë dhe profesorë nga mbare Turqia, dhe i tregoi atyre një plan të tij për te përdorur një alfabet të ri për gjuhën e shkruar turke në bazë te një alfabet latin të modifikuar.

Alfabeti i ri turk do të shërbente si një zëvendësim për shkrimin e vjetër te gjuhës por si një zgjidhje për problemin e shkollimit në Turqi. Kur ai i pyeti se sa kohë do te nevojitej për të zbatuar alfabetin e ri ,shumica e profesorëve i thanë rreth tre deri në pese vjet.

Kemali u tha qe do të deklarohet botërisht, ne do të bëjmë atë në 3-5 muaj
Të kalojmë tek atdhetarët e vitit 1908 , sikur ata të “shisnin “ alfabetin latin për të ndërtuar shtëpitë e tyre private , ku do të ishim sot ?

Çfarë do të ndodhte me shqiptarët nëse Kongresi mbaronte pa efekt ? Çfarë mendimi do të kishte për ne bota sot nëse e përdornin alfabetin arab, ose Amerika dhe Evropa, të jem më i qartë ? A vallë nuk e përforcojmë tezën për lashtësinë e gjuhës shqipe me përdorimin e alfabetit latin, e cila tezë është vërtetuar në institutin e gjuhëve në Zvicër, ku në mënyrë figurative në formë të një druri, gjuha shqipe e ka vendin ose e mban vendin e rrënjës? Dhe më në fund thjesht të them, a vallë do të ekzistonim si komb ?
Të mbushemi mend , vetëm Atdheu është i përhershëm !