OPERACIONI/ Tentativa e dështuar e Leka Zogut që të rrëzonte Enver Hoxhën...

OPERACIONI/ Tentativa e dështuar e Leka Zogut që të rrëzonte Enver Hoxhën në 1982

1002
0
SHPËRNDAJE
Ashtu si Ahmet Zogu, edhe trashëgimtari i tij, Leka Zogu, ka tentuar të rrëzojë regjimin komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA për vitin 1982 tregohet se si Zogu kishte organizuar një operacion për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Sipas dokumentit, varka me njerëz zbarkuan në brigjet shqiptare, por ushtria dhe sigurimi i asgjësuan duke bërë që operacioni të dështonte.
Për këtë rast ka folur dhe vetë Zogu i cili ka rrëfyer ngjarjen. Në disa dokumente të CIA janë botuar dhe raportime të mediave në atë kohë, që tregojnë situatën në Shqipëri.

19 prill 1970

Washington Star

Zhurmat për raketat kineze në Shqipëri

Në rrethet amerikane të inteligjencës po qarkullojnë zhurma për instalime raketore të Kinës në bazat ushtarake të Shqipërisë, por jo të gjithë po e marrin seriozisht mundësinë dhe kjo për disa arsye. Kjo kontradiktë merr kuptim vetëm nëse e shikojmë situatën sipas analizës së detajuar të përkthyesve dhe interpretuesve tanë të bllokut komunist.

Kjo analizë bën të mundur arritjen në konkluzionin se informacionet për raketa, sinjalizojnë një afrim të mundshëm të Shqipërisë me Jugosllavinë, të cilat ishin ndarë për arsye ideologjike që prej prishjes së Jugosllavisë me bllokun sovjetik në 1948. Rruga drejt një konkluzioni të tillë është po aq e komplikuar sa dhe zbulimi i synimeve të komunistëve.

Fakte të padiskutueshme

Llogaritjet për statusin e raketave kineze në Shqipëri varen nga dy fakte të padiskutueshme. Në Shqipëri ka shumë teknikë kinezë dhe vendi i vogël malor në brigjet e Adriatikut konsiderohet shumë i vështirë për t’u depërtuar nga agjentë të huaj të inteligjencës. Sipas këtyre supozimeve misterioze, është e mundur që përkthyesit e materialeve të arrijnë në konkluzione të drejtimeve të ndryshme. Një zyrtar amerikan ka thënë: “Është e rëndësishme të gjejmë se çfarë duan të thonë komentet,dhe më pas , komentet e komenteve”.

Ashtu si shumë studiues të kësaj fushe, zyrtari është i bindur se ushtria e kuqe ka pasur disa raketa shtesë për t’i dërguar ndoshta në Mongoli, por jo në Shqipëri. Atëherë përse gjithë kjo zhurmë? Kjo vjen vetëm nga një artikull i kohe të fundit në të përjavshmen ruse “Koha e Re”, ku thuhet se në Shqipëri gjenden rreth 500 specialistë kinezë raketash, që po kujdesen për ndërtimin e bazave raketore.

Revista ruse thotë se dërgimi i raketave të pragut të mesëm është çështje ditësh dhe se qëllimi është arritja e kontrollit të zonës së Adriatikut nga Shqipëria dhe aleatja e saj Kina. Kjo supozohet se nuk është bisedë që i përket Bashkimit Sovjetik, pasi deti Adriatik nuk është një nga liqenet e Rusisë, pasi edhe po të kishte aty raketa të rangut të mesëm, armiqësore ndaj BRSS, kufiri sovjetik është më shumë se 50 milje larg.

Pra çështja është te arsyet e Bashkimit Sovjetik për një shqetësim të tillë dhe te reagimet e Jugosllavisë, e cila ka qenë objektiv i politikave dyshuese dhe armiqësore të komunistëve këto 25 vjetët e fundit. jugosllavët njihet që janë ekspertë në fushën e interpretimeve të informacionit.

Sipas pikëpamjes së jugosllavëve, shqetësimi sovjetik është vetëm një lojë. Sipas tyre, rusët, ashtu si dhe kushdo tjetër që i njeh, e dinë që kinezët nuk kanë raketa në Shqipëri, dhe qëllimi i trazimit të këtij lëmshi eksploziv informatik është thjesht justifikimi, nëse lind nevoja, e një ndërhyrjeje në Shqipëri me arsyetimin e vetëmbrojtjes, të lirisë së lundrimit detar, apo çfarëdo tematike tjetër.

Sipas llogaritjes së jugosllavëve, situata është ngjashme me atë të dy-ter vjetëve më parë kur në rrethet e NATO po përhapeshin fjalë se rreth 2000 specialistë kinezë raketash po ngrinin baza në Shqipëri, për t’i dhënë Perëndimit justifikimin për të ndërhyrë në Shqipëri, nëse kriza e Lindjes së Mesme përhapej dhe në Ballkan.

Në të dyja rastet, frika e jugosllavëve, sipas ekspertëve tanë, ka të bëjë me frikën e komploteve të brendshme nga marshalli Tito, i cili ka deklaruar se rivalët me ndihmën e ndërhyrjeve nga jashtë po përpiqen ta largojnë nga pushteti. Kështu, me paranojën e tij, Tito trembej se inteligjenca amerikane ishte përgjegjëse për zhurmat e raketave në Shqipëri në vitin 1967, ashtu dhe për zhurmat aktuale të raketave kineze atje.

Frika e Rusisë

Të vendosur mes dy superfuqive komuniste, jugosllavët ia kanë më shumë frikën sovjetikëve që kanë më pranë, sesa Kinës. Prandaj nga pikëpamja jugosllave, fqinja e tyre e vogël Shqipëria do të ishte shumë më mirë të mos komandohej as nga Kina as nga Rusia.

Kjo mund të jetë arsyeja që Jugosllavia ka marrë papritur pozën e mbrojtësit të Shqipërisë, kundrejt kërcënimit sovjetik. Në mbështetje të këtij interpretimi, vjen dhe këmbimi i shkrimeve diplomatike miqësore kohët e fundit mes mediave të Tiranës dhe Beogradit, të cilat i ofrojnë përgëzime njëra-tjetrës në përvjetoret e fitores së luftës kundër nazistëve dhe fashistëve

. Në këta artikuj shkruhet me dashamirësi dhe mbi çështje për të cilat më parë dy vendet kanë shprehur diferenca të ashpra.

Shtator 1982

Mbreti shqiptar i trishtuar për dështimin e puçit

Xhevdet Mustafa

Johannesburg, Afrika e Jugut

Mbreti i Shqipërisë në ekzil, Leka Zogu, raportohej të ishte shumë i tronditur të mërkurën nga dështimi i tentativës së grupit të tij Ushtria Kombëtare Çlirimtare për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Një ditë më parë Shqipëria njoftoi se kishte “likuiduar” një forcë të armatosur të emigracionit shqiptar që kishin mbërritur në brigjet e saj me barka mbrëmjen e të shtunës, me qëllim përmbysjen e pushtetit popullor të popullit. “Im shoq më tha se ishte shumë i trishtuar për lajmin”, tha për agjencitë e lajmeve mbretëresha Suzana nga Johanesburgu, ku jetojnë ajo dhe Leka. Ky i fundit kishte folur me të në telefon nga Parisi.

Australiania Suzana tha se Leka është një burrë i gjatë me pamje ushtarake, i cili nuk ka qenë përfshirë gjerësisht në përgatitjet për ofensivën, por kishte thënë se ishte shumë i trishtuar për “vrasjet e atyre njerëzve të mirë”. Grupi i mbërritur kishte armë automatike, radio dhe pajisje të veçanta subversive, kishin njoftuar autoritetet shqiptare, duke shtuar se ishin neutralizuar brenda pesë orëve.

Nuk ishte e qartë nëse me termin “likuiduar” ata donin të thoshin se ishin vrarë apo vetëm kapur. Në Paris, 43 vjeçari Leka tha për të përditshmen Francë Soir se ai e kishte konsideruar misionin si një vetëvrasje dhe se i kishte thënë komandantit ta shtyn ose ta anulonin. Ai konfirmoi se anëtarët e misionit i përkisnin grupit të tij Ushtria Kombëtare Çlirimtare. Leka është marra nga Shqipëria nga babai i tij Mbreti Zog në vitin 1939 kur ishte foshnje, gjatë pushtimit italian nga Benito Mussolini.

Ai refuzoi të jepte më shumë detaje të operacionit duke thënë se ishin sekrete ushtarake. Leka tha për France Soir se lideri i komandove, i identifikuar nga autoritetet shqiptare si Xhevdet Mustafa, është një nga mbështetësit e tij, një azilant 45 vjeçar që jetonte prej kohësh në Zelandën e Re.

“Ai ishte përgjegjës për grupin e luftëtarëve nga forca jonë Ushtria Kombëtare Çlirimtare. Ai organizoi një operacion që na u duk se ishte tërësisht vetëvrasës, prandaj ne i kërkuam ta shtynte, në mos ta anulonte”, tha Leka. France Soir shkruante se Leka pretendonte se drejtonte një ushtri me shqiptarë të emigracionit, të cilët kishin marrë pjesë më parë në disa operacione destabilizuese brenda Shqipërisë. Leka ka thënë disa herë gjatë dhjetë viteve të fundit se po organizon grushte të armatosura shteti kundër regjimit të Tiranës.

New York Times

Qershor 1982

SHBA mbështet emigrantët shqiptarë, ish-bashkëpunëtorë të nazistëve

Emigrantë shqiptarë që kanë bashkëpunuar me forcat e aksit nazist gjatë Luftës së II Botërore, janë ndihmuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në vitet e pasluftës, në kuadër të përpjekjeve për të rrëzuar regjimin komunist, është zbuluar së fundmi në dokumente të Departamentit të Shtetit, të zhveshura tashmë nga cilësia e sekretit. Dokumentet janë zbuluar në arkivat shtetërore nga Mark Truit, i universitetit të Stanford, i cili po punon në një material mbi mobilizimin politik të refugjatëve shqiptarë gjatë viteve të Lulftës së Ftohtë.

Dokumentet kanë sjellë rihapjen e hetimeve të Kongresit mbi mbulimet e fakteve të dhënies së azilit në SHBA të bashkëpunëtorëve apo kriminelëve të luftës naziste. Në to thuhet se megjithëse fillimisht Departamenti i Shtetit kundërshtoi pranimin e disa liderëve shqiptarë të emigracionit për arsye të prejardhjes së tyre të dyshimte dhe lidhjeve me aksin nazifashist, ai më vonë ndryshoi vendimin.

Disa nga këta liderë u pranuan në SHBA dhe u lejuan të drejtojnë fushatat amerikane kundër qeverisë pro-sovjetike të Enver Hoxhës. Këto përpjekje përfshin lëshimin e agjentëve me parashutë për nxitjen e revoltave në vitet 1950-të, të cilat dështuan dhe përkeqësuan armiqësinë e shqiptarëve ndaj SHBA.

Mohohet mbulimi i fakteve

Zyrtari i DASH, Ron Neitzke thotë se nuk e ka parë dokumentin në fjalë dhe nuk komentoi. Ndërsa zëdhënësi i DASH Alan Romberg mohoi se ka pasur përpjekje për mbulim në çështjet e krimeve të luftës. Mijëra shqiptarë erdhën në SHBA në të njëjtën periudhë, si refugjatë politikë. Shqipëria, e vendosur në bregdetin Adriatik mes Jugosllavisë së Greqisë, u pushtua nga italianët dhe gjermanët nga viti 1939 deri në 1944, për t’u çliruar më pas nga partizanët komunistë.

Ajo është tashmë mes vendeve më të izoluara politikisht, pas prishjes së hidhur me kujdestarët e saj të mëparshëm Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Kohët e fundit ajo po tenton të hapet me vendet e Evropës Perëndimore. Më 18 dhjetor, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu u vra me armë ose vrau veten në kryeqytetin Tirana.

Jon Loftus, ish-hetues i krimeve të luftës në Departamentin e Drejtësisë, tha në një program televiziv muajin e kaluar se agjencitë amerikane të inteligjencës kishin lejuar në SHBA bashkëpunëtorë të nazistëve nga Bjellorusia, për qëllime propagande dhe agjitacioni kundër Bashkimit Sovjetik, ose për spiunazh në Evropën Lindore. Më pas Truit i tregoi zotit Loftus disa nga dokumentacionet e tij për Shqipërinë, duke i kujtuar atij se kolaboracionistët e nazistëve nuk mund të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Fshehja e dosjeve sjell hetime të reja

Autoritetet thanë në 1978 se nuk kishin gjetur prova për “konspiracionin e gjerë” të pengesave ndaj hetimeve mbi kriminelët e dyshuar të luftës në SHBA. Por zbulimet e disa dosjeve me interes sollën muajin e kaluar hapjen e hetimeve nga komiteti gjyqësor i Kongresit.

Truit zotëronte një itinerar të vizitës së Mit’hat Frashërit, lideri i grupit shqiptar të kohës së luftës Balli Kombëtar, te ambasadori amerikan në Romë, në nëntor 1947. Frashri kishte kërkuar që 50 mbështetës të tij të lejoheshin në SHBA, me qëllim kundërvënien ndaj intrigave komuniste të shqiptarëve të emigracionit. I pari në listën e ti ishte aleati Hasan Dosti, që ka qenë ministër i drejtësisë në kohën e pushtimit të Italisë fashiste.

Disa muaj më vonë, pas kontrolleve mbi biografitë e Mit’hat Frashërit dhe ndjekësve të tij, Departamenti i Shtetit tha se nuk ishte e këshillueshme lejimi i këtyre 50 personave në SHBA. Në argumentin e tij DASH shkruante: “Është e qartë se origjina politike e shumë nga refugjatëve shqiptarë në Itali është e dyshueshme dhe pranimi i tyre në SHBA, herët e vonë mund të rezultojë në turpërimin e qeverisë sonë”.

Por megjithatë, në prill 1949, zoti Dosti ishte në Washington, duke nxitur zyrtarët amerikanë të mbështesin komiteti shqiptar të emigracionit. Vetë ai u bë më vonë presidenti i grupit të sponsorizuar nga SHBA, Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë. Ai është tashmë 87 vjeç dhe jeton në Los Angeles.

Në një intervistë telefonike, zoti Dosti tha se akuzat se kriminelë lufte nga Shqipëria kishin ardhur në SHBA, ishin vetëm propagandë komuniste, dhe shtoi se ai kishte luftuar kundër gjermanëve pasi gjermanët kishin vrarë anëtarë të familjes së tij. Ndërsa Mit’hat Frashëri erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1949 me ndihmën e Rober Joyce, një anëtar i stafit politik të Departamentit të Shtetit.

Për interesa kombëtare

E njëjta çështje është ngritur për drejtuesin tjetër të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, Xhafer Deva, i cili ka qenë ministër i Brendshëm gjatë kohës së pushtimit nazist, për të cilin ka raportime se është përgjegjës për masakrën e një numri shqiptarësh më 4 shkurt 1944, si dhe vrasje të tjera të kryera nga Gestapo në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare. Deva vdiq në Pablo Alto, në Kaliforni në 1978. Ndërsa lideri tjetër i kohës së luftës Abaz Kupi, i cili mbështeste ritmin në fron të mbretit Zog, vdiq në Freeport në 1976.

Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë iu dha një zë zyrtar në politikën e jashtme të SHBA, sipas memorandumit të një takimi në 1949 mes sekretarit amerikan të shtetit Dean Achenson, dhe ministrit të jashtëm britanik Ernest Bevin. Në takim Acheson citohet të ketë thënë: “Bevin më pyeti nëse pranoj parimisht përmbysjen e qeverisë Hoxha në Shqipëri nëse lind rasti i volitshëm, dhe unë u përgjigja pozitivisht.

Por u shpreha mbi shqetësimet e përkeqësimit të marrëdhënieve tona dhe në rajon mes grekëve dhe jugosllavëve. Devin pranoi se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të përgatitur për një ndërhyrje të mundshme të Rusisë. Më tej ai pyeti për zëvendësuesin e mundshëm të Hoxhës dhe nëse kemi njerëz të besueshëm që mund të bëjnë detyrën”. Por të gjitha operacionet e parashutimit të agjentëve në Shqipëri dhe në vendet e bllokut sovjetik  u kompromentuan nga agjenti i dyfishtë britaniko-sovjetik Kim Philby.

Të gjithë agjentët e huaj u vranë. Një nga zyrtarët e inteligjencës amerikane që ka planifikuar operacionet ishte Michael Burke, më vonë biznesmen dhe presidenti i një skuadre futbolli. Në një intervistë në fillim të viteve 1950 ai ka thënë: “CIA më ngarkoi të përpiqesha të krijoja një revolucion politik në Shqipëri.

Por kjo nuk ishte diçka e thjeshtë për Shtetet e Bashkuara, pasi çështja e vërtetë ishte nëse mund të rrëzohet një qeveri komuniste në kohë paqeje dhe pa ndërhyrje të vërtetë ushtarake. Ishte një provë e rëndë për mua dhe punova një vit e gjysmë. Ishte e pamundur të kryhej vetëm me operacione të fshehta ajrore e forcat lokale të rezistencës, dhe pa mbështetje ushtarake nga Anglia apo SHBA”.

Truit ka thënë se po kërkon të tjera dokumente, veçanërisht nga Departamenti i Shtetit në vitin 1949 mbi identitetet dhe prejardhjen politike të refugjatëve shqiptarë. Ai ka kërkuar dy vjet kohë nga CIA për marrjen e dokumenteve nga Shqipëria por deri tani nuk ka pasur shumë sukses.