Dokumenti/ ‘Jepini Sarandës emrin e mbretit’, ja kërkesa që qyteti bregdetar të...

Dokumenti/ ‘Jepini Sarandës emrin e mbretit’, ja kërkesa që qyteti bregdetar të quhej ‘Zogaj’

930
0
SHPËRNDAJE

AKT DHURIMI I SARANDËS

ZOG I

MBRET’I SHQIPTARËVET ME VULLNET TË POPULLIT. Vjeti 1937, me 24 të mujit mars, ditën e mërkurë…

Në bazë të ligjës mbi dhurimin e pasunisë së Shtetit në Sarandë me datë 5 prill 1930 dhe t’urdhënit autorizues të Ministriës së Financavet telegrafikisht, i asht dhurue prej shtetit NALT MADHNIES TIJ ZOGUT-TË PARË, pasunija shtetnore e Sarandës në Zyrën e Ipotekavet të Delvinës nën zotnimin e tij: duke filluar nga bodrumi i prishun buzë detit dhe vëhet tek depo e gazit, deri te manastiri i prishun e kufizue me sinurin e Lykursit qi zotnojnë me tapi Selim beu me pjestarë, e nga manastiri tue ecun drejt krahut të Sarandës e kurrizit të malit, nga Dardha e Sipërme e Dardha e Poshtëme, deri tek  ara e qujtin ‘Bristane’ qi zotnon me tapi Mitro Gjini, e nga Limani i vogël i Sarandës te kullotja, që përbëhet prej 4082 dynym… Kryqi i kuq Shqiptar merr përsipër të vazhdojë zbukurimin e qytetit të Sarandës”.

Akti noterial i sipërcituar, është një akt përmes të cili Mbreti Zog i fal Kryqit të Kuq  Shqiptar pasuritë e paluajtshme shtetërore që ndodhen në qytetin e Sarandës.

Një vendim i dhjetorit të të njëjtit vit, marrë nga Komisioni MIKTS qendror i drejtohet Neltësis së Saj Imperijale, Princeshës Senije, Kryetare e Kryqit të Kuq për aprovim.

Në të flitet për ndërtimin e 20 shtëpive, 10 të vogla dhe 10 me material të lehtë për të siguruar banimin e nëpunësve, për ngritjen e një kinemaje. Princesha Senije e miraton dy ditë më pas me shënimin: “Urdhnojmë zbatimin”- Kryetare e Kryqit të Kuq, Tiranë, me 5 dhetuer 1937(Firma).

Nga festimet e popullit të Sarandës për shpalljen e mbretërisë, te koncesionet, investimet me nga 30 e 500 metra, te shkresat, kërkesat për leje, fotografitë e rralla, punishtja e sapunit me emrin e udhëheqësit, tek aktet noteriale me rëndësi mbi debatet historike e VKM-të për qytetit e 40 shenjtorëve.

Copëza historie të dokumentuara shfaqen sot në Sarandë, në një ekspozitë. “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX” është një ekspozitë dokumentare dhe fotografike që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelin sot me 18 gusht, ora 19:30, në Sheshin e Limanit në Sarandë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës do të jenë Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido.

Ekspozita është kuruar nga Sokol Çunga.

Jepini Sarandës emrin e mbretit

Një Fletore Zyrtare që mban datën e datës 26 gusht 1938, pasqyron një vendim të Këshillit të Ministrave, atë nr.753 që mban datën 6 korrik 1938 për ndryshimin e emrave të qyteteve, fshatrave dhe lagjeve të Shqipërisë.

Mes tyre, emri i qytetit të Sarandës ndryshohej në Zogaj(nga Zogu në kohën, atëkohë ai qe mbret),  ndërsa emra të tjerë duket të kenë qenë prirje për t’u shqipëruar si: Bistrovica-Kështjelëlzë, Dobronik-Bukuranje, Gjoroven-Maliplak, Ksamile-Mulliri, Mejden-Sheshe, Sulltan Pajazit-Lagja Mbretnore, Shurkave-Vjosa, Badlonja-Malakuqi, Bodari-Bora, Leusa-Mëshira, Leshica- Shëngjoni, Lipa-Bliri, Lipivani-Qershizë, Lushja-Lushnjë, Musukari- Myshqerrë, Novosela-Fshati i ri, Ogdunini-Qiparisi, Trebozishta- Trillagje, Goznishta-Uji i Ftohtë, Rabani-Arbani, Zleusha-Bukuroshe, Çoroguni-Bregzalli, Potgorani-Nënmali, etj.

Shkresa, koncensione e të tjera

Një korrespondencë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Botore për planin rregullues të qytetit të Sarandës, korrespondencë mes nënprefektit të Sarandës me prefekturën e Gjirokastrës ku propozon ndërtimin e rrugës Sarandë-Butrint si mjet për promovimin e turizmit kulturor; një hartë e planit rregullues të Sarandës hartuar nga inxhinier Selim Zyma, më 1933.

Ka më tej një ligj të Mbretërisë për dhënien me koncesion të Kanalit të Vivarit në Butrint, shoqërisë “Dele”, 23 mars 1929. Veç taksave të ligjshme, Shoqëria “Dele” detyrohet të ndërtojë brenda dy viteve në dobi të komunitetit: një ndërtesë për zyrat e doganës, një ndërtesë për rojën e Xhandarmërisë dhe një frigorifer.

Në vijim dallohen shkresat Shoqërisë “Dele” drejtuar kryeministrisë përmes të cilave  njofton se ka nisur prodhimin e sixhadeve më nëntor 1928, dërgon statutin e shoqërisë dhe njofton edhe për ardhjen e një iktiologu francez në Vivar.

Mjaft interesant është një raport i Kryetarit të Bashkisë së Sarandës drejtuar nënprefekturës, ku renditen punët publike të bëra në qytet mes viteve 1912-1937; përmenden aty rrugë 100 e 500 metra, 25 e 30 metra, e mes të tjerash përmendet ndërtimi i një nevojtoreve, siç thotë shkresa, “krejt moderne”.

Ekspozita sjell imazhe të bashkisë e nënprefekturës mes dy luftërave botërore. Ka raporte kontrolli me parregullsi të gjetura në zyrat e Doganës së Sarandës, planimetria e Bar-Butrintit, kërkesa e Mihal Zahos nga Lugari i Gjirokastrës përmes së cilës i kërkon Ministrisë së Punëve Botore leje të çelë një kinema në Porto Edda në Sarandë me 2 nëntor 1941, dhe vendimi i Zyrës së Qarkut Detar të Porto Edda për caktimin e zonave të lejuara për Plazh më 1940, është leja e dhënë Mihal Zahos dhe plan-vendosja e kinemasë së tij.

Punishtja e sapunit “Enver Hoxha”

Nën emrin e udhëheqësit, një vend të veçantë, jo për nga hapësira as vendosja, por për nga subjekti, zë në këtë ekspozitë punishtja e sapunit në Sarandë dhe personeli i saj, i pas 1944-ës.

Punishtja, siç shihet nga imazhet mban emrin “Enver Hoxha”, e prodhonte sapun. Punëtorët shihen me rroba të grisura, tek mbajnë kallëpet e sapunit, e ndërsa burrat kishin veshur jelekë deveje, në mure shihen qartësisht parulla të kohës për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërinë, për kongreset, deri te porosia me shkronja kapitale në mur: “Të shtojmë dhe të përmirësojmë prodhimin se kështu forcohet ekonomija, pushteti popullor dhe krijohen konditat për përmirësimin e jetës tonë dhe s’gjithë popullit’- “Ruaj disiplinën më të fortë në punë.”

Imazhe të rralla janë edhe ato të urës së Kalasës(Shinjonit) para 1944-ës, e njëjta urë, por e rindërtuar pas shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe një kartolinë e qytetit më 1920, pamje e gjirit të Sarandës, hartë e basenit, kapitaneria e portit, kartolinë e një rruge në Sarandë, personeli i konviktit “Çamëria” bashkë me Neço Mukën, nxënësit dhe personeli i konviktit “Çamëria”. (GSH.al)

a.ç