Prapavijat e demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë (pjesa e dytë)

Prapavijat e demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë (pjesa e dytë)

792
0
SHPËRNDAJE

Në pjesën e dytë të hulumtimit, korrespodenti i ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, Viktor Meier komenton sfondin e demonstratave masive në pranverën e vitit 1981 në Kosovë dhe Maqedoni, pasojat e mëvonshme për shqiptarët dhe Jugosllavinë

Viktor Meier, një nga njohësit më të mirë të Jugosllavisë falë përvojës së tij të gjatë si korrespodent i ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, komenton edhe sfondin e demonstratave masive në pranverën e vitit 1981 në Kosovë dhe Maqedoni. Gazetari gjerman tregon për pasojat e mëvonshme që do të kishin këto zhvillime për të ardhmen e shqiptarëve në veçanti por edhe Jugosllavisë në përgjithësi. Megjithë ngulmimin e tij për zbardhjen e kërkesave të këtyre protestave përmes pyetjesh e bisedash të shumta me akterë e zyrtarë të lartë, Meier pranon se nuk e ka mësuar asnjëherë të vërtetën e revoltës studentore që tronditi Jugosllavinë në vitin 1981.

Portali konica.al sjell disa fragmente të Viktor Meier në lidhje me këto ngjarje:

Në nëntor të vitit 1968 në Prishtinë plasën demonstratat shqiptare, të cilat u përhapën ndër qytetet e tjera të Kosovës, si dhe në Tetovë të Maqedonisë. Është e vërtetë se parullat e qytetarëve e kapërcenin qëndrimin zyrtar të udhëheqësve të tyre, por edhe vetë autori serb Mishoviq iu desh të pranojë se ndër kërkesat e shprehura zyrtarisht nuk figuronte e rrezikshmja ‘Kosova Republikë’.

Ky term doli në dritë më vonë si lajtmotiv gjatë trazirave të vitit 1981. Ai u dënua me konsekuencë si nga komunistët shqiptarë të Kosovës ashtu edhe nga serbët dhe zëdhënësit e qeverisë federale si ‘armiqësor’ dhe ‘kundër-revolucionar’, ‘i drejtuar kundër integritetit të Jugosllavisë’. Nga pikëpamja ligjore ky reagim nuk qëndron pasi në bazë të parimeve themelore të së drejtës kushtetuta e çdo shteti mund të rishikohet, përveç rastit kur aspekte të saj cilësohen tekstualisht si të patjetërsueshme.

Nga pikëpamja politike reagimi nuk qëndron sepse është e palogjikshme të quash ilegal një postulat të konsideruar publikisht si objekt debati. Demonstrata e nëntorit të vitit 1968 sollën hutim ndër udhëheqjen shqiptare të sapo ardhur në pushtet në Kosovë. Ndryshe nga demonstratat e mëvonshme të vitit ’81, ajo mund të shpjegohet lehtësisht me rolin e saj si ventil për shfrimin e zemërimit të mbledhur gjatë shtypjes faktike politike dhe kombëtare, gjatë dy dekadave rresht.

Edhe vetë autoriteteve serbe u është dashur të pranojnë se ‘deformimet’ në punën e organeve shtetërore në Kosovë ishin më të rënda se tjetërkund. Shqiptarët e Kosovës nuk kishin pasur kërkesa të mëtejshme përveç atyre të shprehura në debatet zyrtare; para së gjithash, ata nuk kërkuan lidhje më të ngushta me Shqipërinë.

Për këto arsye, qëndrimi i Titos ishte dashamirës; ai paralajmëroi se demonstratat në Kosovë nuk duheshin mbivlerësuar. Deklarata e Titos u tërhoqi veshin funksionarëve komunistë, të cilët dukeshin se nuk gëlltisnin dot faktin se në Jugosllavi çështjet kombëtare tashmë ishin zgjidhur në sajë të shpirtit internacionalist të ideologjisë komuniste dhe modelit të vetëqeverisjes. Nuk ka baza të pohosh as nga perspektiva e atëhershme, as nga ajo e sotmja, se udhëheqësit kryesor serbë, duke filluar nga ‘liberalët’ – Marko Nikeziq dhe Latinka Petroviq, dhe pastaj pas rënies së tyre – Drazha Markoviq, i kundërviheshin koncepteve kushtetuese të vitit 1974.

Me miratimin e plotë të Serbisë, fundmarsi i vitit 1969 e gjeti krahinën me një statut të ri, sipas të cilit ajo vazhdonte të ishte pjesë e Serbisë, por duke fituar për të parën herë cilësimin ‘element konstituiv i strukturës federale të Jugosllavisë’. Çelës i këtij kompromisi ishte gjetja e të mesmes së artë nga udhëheqja komuniste shqiptare e Kosovës me në krye Veli Devën dhe Mahmut Bakallin (ish sekretar i parë i Partisë për Prishtinën) midis kërkesave radikale shqiptare dhe këmbënguljes së serbëve dhe malazezëve për ruajtjen e rendit të vjetër.

Qëndrimi i udhëheqjes komuniste shqiptare të Kosovës ishte pohimi i një Jugosllavie federale në të cilën kombësia shqiptare do të kishte një vend të denjë për të jetuar.

Pyetjes direkte nëse me kalimin e kohës Kosova do të fitonte apo jo statusin e një republike, Bakalli iu përgjigj në vitin 1978 se krahina ishte tani ‘një element kushtetues’ me të drejta të plota në Jugosllavi; rëndësi kishte gjendja reale dhe jo formalitetet; zhvillimet e mëtejshme le t’i liheshin të ardhmes. Megjithë bisedat dhe pyetjet e shumta autori nuk e ka të qartë as në ditët e sotme se çfarë dëshironin konkretisht demonstruesit shqiptarë të marsit dhe prillit të vitit 1981.

Shqiptarët e panë vetën tërësisht të konfirmuar si kombësi në Jugosllavi dhe krahina e Kosovës ishte si ‘faktor konstituiv’ në Jugosllavi. Politikanët kryesor shqiptarë të Kosovës, një kombinim personalitetesh nga brezi i vjetër dhe i ri, kishin përfituar nga një zhvillim krahasimisht i madh.

Fondet federale për republikat më të pazhvilluara rridhnin me përparësi drejt Kosovës, dhe kjo dukej qartë nga krahasimi me zonat e tjera të pazhvilluara të Jugosllavisë.  […] Azem Vllasi, ylli i ri politik në qiellin e Kosovës të pasvitit ’81, personi që ndër shqiptarët ruaji ‘linjën jugosllave’  deri në momentin kur kërcënimi serb u bë i kudondodhur, është shprehur vazhdimisht se demonstratat e vitit 1981 u organizuan pjesërisht nga fraksione reaksionaro-komuniste, pjesërisht nga grupe reaksionaro-nacionaliste, në botëkuptimet e të cilëve komunizmi reaksionar, krejtësisht i pashqetësuar nga njohja e realitetit, ishte shkrirë me romantikën e bashkimit kombëtar.

Sipas Vllasit bëhej fjalë për pikëpamje tipike të ‘proletarëve intelektualë’ pa përvoja reale;  ata kishin si ideal regjimin e Enver Hoxhës dhe komunizmin e tij të kohës së gurit, pa njohur aspak të vërtetën e hidhur; sipas Vllasit, ata kishin besuar se bashkimi kombëtar do të zgjidhte si çështjen kombëtare, edhe atë ekonomike të të gjithë shqiptarëve. Nuk ishin autoritetet e Kosovës ato që u kundërviheshin kontakteve me Shqipërinë.

Në vitin 1972 delegatët e Kosovës në Kongresin Kombëtar të Drejtshkrimit në Tiranë miratuan përdorimin e shqipes së shkruar të Shqipërisë si model të shqipes standarde. Në fund të viteve ’70 grupe profesorësh nga Tirana, kryesisht të shkencave të natyrës, jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës.

Ishte pikërisht regjimi i Enver Hoxhës që i kundërvihej shtimit të marrëdhënieve ndërshqiptare; regjimi kishte frikë se atmosfera më e lirë dhe më e hapur ndaj botës e shqiptarëve të Kosovës, të cilët gëzonin edhe liritë fetare, mund të kishte një efekt ‘shkatërrues’ mbi Shqipërinë. Kjo frikë i shtynte autoritetet shqiptare të izolonin të ikurit nga Kosova dhe në disa raste t’ua dorëzonin ata autoriteteve jugosllave.

Në vitin 1982 dukej qartë se në Shqipëri solidariteti i vetvetishëm kombëtar për çështjen e Kosovës përzihej me mosbesim dhe frikë. Sofokli Lazri, ish kryeredaktor i organit qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë ‘Zëri i Popullit’ më vonë drejtor i Institutit Shtetëror të Politikës së Jashtme, shpjegonte si vijon: Mahmut Bakalli i ishte shprehur se Tito qëllimisht u kishte lënë dorë të lirë shqiptarëve të Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Shqipërinë në vitin 1968; sipas Lazrit, Bakalli kishte shtuar se shtimi i këtyre raporteve duhet të shoqërohej nga një përmirësim i përgjithshëm i marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Jugosllavi. Kjo kishte bërë që në Tiranë të lindte dyshimi se Tito donte t’u përdorte shqiptarët e Kosovës për të ‘zbutur’ regjimin në Shqipëri. Kjo shpjegonte edhe ndjenjën e mosbesimit.

Shqipëria komuniste nuk dëshironte të ndërhynte drejtpërdrejt në çështjen e Kosovës; për udhëheqjen e atëhershme, problemi i saj duhej zgjidhur në kuadër të Jugosllavisë, stabilitetit të së cilës i jepej një rëndësi e dorës së parë.Por nga ana tjetër, protestuesit në Kosovë nuk shprehnin ndonjë simpati të madhe për regjimin e Enver Hoxhës; për ta, në plan të parë vinte çështja kombëtare.

Pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme mbi ngjarjet, duket qartë se në krahasim me demonstratat e viteve ’68, ato të viteve ’81 janë më të vështira për t’u arsyetuar. Ato patën pasoja të rënda si për shqiptarët, ashtu edhe për të gjitha zhvillimet jugosllave. Pasojat më negative i solli reagimi i udhëheqjes së atëhershme politike në fuqi të shqiptarëve të Kosovës. Besimi i saj i patundur në Jugosllavinë federale dhe socialiste, këmbëngulja kategorike se e ardhmja e Kosovës do të ishte vetëm në këtë të fundit, solli reagimin e saj të dhunshëm ndaj prirjeve disi irracionale të një pjese të elitës së re të saj.

Udhëheqja në fuqi mendoi se ‘njolla’ e demonstratave të vitit ’81 duhej larë me ujë të nxehtë nga kostumi i saj, për të rihyrë pastaj e papërlyer ndër radhët jugosllavo-socialiste. Metodat e dhunshme të represionit dobësuan solidaritetin midis shqiptarëve të Kosovës dhe ulën rezistencën e strukturave të tyre politike. Më vonë doli mjaft qartë se Jugosllavia socialiste nuk kishte aspak ndërmend të mbronte as statusin kushtetues të Kosovës, as të drejtat e popullatës së saj shqiptare përkundrejt nacionalizmit serb.

Hapi i parë drejt kobit u bë gjatë valës së dytë të demonstratave të marsit të vitit 1981, kur shefi i sigurisë së Kosovës, Rrahman Morina, i shndërruar më vonë në vegël të serbëve, kërkoi ndërhyrjen e njësive speciale serbe në Prishtinë pa marrë mendimin e udhëheqjes shqiptare të krahinës. Veprimi i dhunshëm i njësive serbe shkaktoi ngurtësimin e studentëve shqiptarë në pozicionet e tyre.

Presioni i Beogradit pas ndarjes së ‘përgjegjësive’ solli shkarkimin e sekretarit të partisë së krahinës, Mahmut Bakalli. Nisën arrestimet dhe proceset e para kundër ‘fajtorëve’; ata u etiketuan pa përjashtim si ‘nacionalistë’. ‘Nacionalizmi’ u shndërrua në një armë të shkatërrimit në masë të shqiptarëve. Çdo gjë që lidhej me ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe me vetëdijen e kombësisë shqiptare cilësohej si nacionaliste dhe dënohej me ashpërsi.

(Viktor  Meier, Fundi i Jugosllavisë: Goditja në Kosovë, Liria, 2006, ff. 49-53)