“Flamuri mirditas”

“Flamuri mirditas”

308
0
SHPËRNDAJE

nga Adnand Lleshaj

Ka kohë që po spekullohet – sidomos në mediat sociale- mbi vandalizmin e heqjes së flamurit turk në Mirditë.

Së pari, ai flamur qindrametra katrorë bie ndesh me ligjet shqiptare lidhur me përdorimin e simboleve ndaj, edhe nëse firma disponon lejen ndërtimore të tij, Gjykata mund ta rrëzojë njëlloj siç rrëzoi Gjykata Kushtetuese përpara disa vitesh marrëveshjen e famshme të detit me shtetin helen.

Së dyti, shqyrtimi priret të jetë joemocional se, në mes patriotizmit dhe shtetit ligjor duhet anuar nga e dyta. Prokuroria nëqoftëse nuk e pushon çështjen, duhet ta dijë se për rethanat cilësuese të shkeljes së kryer, nuk do të japet më shumë sesa një vendim vetëm formal, që gjithashtu pas një kërkese ndaj Presidentit të Republikës mund të shuhet me një falje ose nga Parlamenti me një amnisti.

E treta – tek e cila do të ndalemi më gjërë – ka të bëjë me disa aspekte të tjera që dolën në pah duke tejkuar ngjarjem e 30 Dhjetorit të kaluar; tendenca për ti përbaltur “mirditorët”, si dhe mundimi i disa prej këtyre të fundit për tu vetëmbrojtur pa armët e duhura të dijes e njohjes, çka solli një luftë të vërtetë urrejtjeje në rrjetet sociale.

Sa për sqarim, vendasit e asaj krahine, sidomos intelektualët, e thonë me zë të lartë se quhen “mirditas” dhe jo me termin “mirditor”, ky i fundit i dalë më vonë nga gazetarët e painformuar. Ka intelektualë si Akad. Mark Tirta, Agim Doçi, Gjergj Marku, etj. që korrigjojnë – jo pa u ndjerë disi të ofenduar – gazetarët nëpër intervista televizive kur bëhet kjo ngatërresë.

Agim Haruni në një shkrim të ditëve të fundit, patjetër tepër injorant (shqip: i paditur) për ta ditur emërtimin etnik të saposhtjrlluar, i cilëson “mirditorët… të pabesë”, duke hedhur një gur e duke e fshehur dorën pas “dikush-ëve” që i ka konsideruar të tillë; “Mirditasit e pabesë” dalin së pari në kronikat osmane pasi kjo njësi etnike nuk kishte pranuar të lidhte besë me besimin islam (ky etiketim haset edhe për Skënderbeun e për Himariotët po për të njëjtën arsye); “pabesia” u risoll më vonë në vëmendje nga sistemi monist me pretekstin e vrasjejs së heroit të popullit, Bardhok Biba, për të cilin regjimi i kohës u hakmor duke “marrë gjakun” nga kryezotët e shtëpive më me influencuencë të kësaj treve, madje, në mungesë të tyre, duke vrarë edhe vëllain ose pjesëtarë të tjerë të familjes së të “inkriminuarve” në këtë “pabesi”. Për “pabesinë” e parë Mirditasit ende ndihen krenarë sepse janë e vetmja trevë në trojet shqiptare ku besimi islam nuk u imponua aspak, as me taksat e larta që u vendoseshin, as me çmimet më të larta që duhet të përballonin në treg, as me luftën e bërë për ti pushtuar. Sa për “pabesinë” e dytë, vendasit e dinë shumë mirë se sa qëndron versioni monist mbi përfshirjen e të gjithë atyre emrave që u akuzuan për “komplotin” e vrasjes së deputetit të asaj kohe, babai i këtij të fundit e ndaloi Mehmet Shehun nga “vendosja e drejtësisë” në emër të së cilës ishin shkruar në defter emrat e 100 burrave.

Në mes të këtyre dy “pabesive” qëndrojnë vargjet e Fan Nolit “për tre mirditorë bëj benë”. Stiliani i njihte mirë banorët, traditat, doket shqiptare. Fakt është se në të gjithë kanunet e mbledhur përcaktohen qartë format e mënyrat se si mund të bëhej beja si dhe numri i besëtarëve me nga 6, 12 ose 24 vetë – në raste të veçanta dhe më tepër -por që , autorit i nevojiteshin vetëm 3 mirditorë për ta bërë benë.

Nga ana tjetër Mirditasit u akuzuan se nuk ishin asgjë tjetër veçse banditë, plaçkitës e hajdutë. Në ditët e sotme është bërë tepër popullore shprehia se “nuk ka pyll pa derra”, kurse në thellësitë e shekujve kronistët, historianët, etnologët, antropologët e udhëtarët jetëshkrues na tregojnë se në këtë trevë e fitonin jetesën kryesisht me artin e të luftuarit; të grupuar në çeta, bajrakë apo flamula, paguheshin për këtë. Fundja, cila luftë nuk është bërë për plaçkitje a arsye ekonomike?

Disa kërkojnë ndjesë ndaj atyre që janë diplomuar në Shkodër e Tiranë, sikur këta të jenë të vetmit. Familjet mirditase me pinjollët e tyre i kanë dhënë aq shumë Shqipërisë. Kemi me çfarë të krenohemi: rilindasi Pashko Vaso, Akad. Gjergj Fishta i dekoruar nga 3 akademi shkencash përpara se të krijohej ajo jona, Shtjefën Gjeçovi kodifikuesi i parë i Kanunit, Abat Preng Doçi themelues e kryetar i shoqërisë “Bashkimi” që na dha alfabetin e gjuhës që po shkruaj, Ndre Mjeda, Prengë e Bibë Doda, ballkanologu Zef Mirdita, Gjenerali Gjin Marku që udhëhoqi LNÇ, Anton Çeta i njohur në Dardani, Akad. Mark Tirta, juristi Zef Brozi, 3 gjeneralët bashkëkohës Sandër Lleshi, Dedë Prenga e Tonin Marku, shkrimtari Ndue Dedaj, fituesi i festivalit të fundvitit Eugent Bushpepa që do të na përfaqësojë në Eurovizion etj… etj… etj… Sot, shpërndarë kudo, ndër universitetet italiane, franceze, britanike, amerikane, madje dhe në Stamboll janë diplomuar; nuk ka vend për pretendimim e mendjengushtësisë. I njohin mrekullitë e bukuritë e Stambollit Perendimor, dinë dhe ato “anadollaket”. Bëjnë tregti atje, porosisin, shkëmbejnë, bëjnë pushimet, ruajnë kontaktet… Me pak fjalë: – Mirditasit nuk janë rracistë.

Shtetasit turk kanë ndërtuar Rrugën e Kombit mespërmes Mirditës. Kanë jetuar me vite atje. Asnjë incident nuk është shënuar në pijetoret ku bashkëqëndronin me vendasit. Flamuri turk është valëvitur prej vitesh majë kantierëve dhe nuk u ka shkaktuar urrejtje as besdi vendalinjve, sepse nuk ka arsye. Nuk ka patur as shenja urrejtje ndaj myslimanëve, as në kohën e faljes, as në muajt e festave. Ç’është e vërteta: shumicës, as u kërcet fare. Ama, po kjo shumicë, nuk e duron dot një flamur qindrametra katrorë në malet e tyre krenare – i njëjti flamur që gjendet dhe në Korçë – aq më tepër kur përkrah tij mungon ai shqiptar.

I lutem kujtdo që e lexon këtë shkrim të reshtë së quajturi “pasardhës të romakëve” sepse dokumentohet e kundërta, shqiptarët kanë emigruar në ishperandorinë romake ku dhe disa fshatra kanë ruajtur emrin arbëresh nga Arbërit. Lexoni më tepër përpara se të na e shfaqni paditurinë tuaj kudo.

Mirdita nuk është 100% katolike. Atje është vrarë dhe prifti. Besimi i tyre anon nga ai kristian. Kumbaria ka qënë ndër ta përpara se ky rit të adaptohej nga kisha. Ndër gjyshet e tyre ende besohet se një gjarpër i gjendur në ambientet e banesës apo në oborr është “ora e shpisë”, kjo, edhe në Shqiptarët e tjerë pamvarësisht se cilit besim mendojnë se i përkasin; kjo në fakt nuk gjendet në Bibël as në Kuran por është një besim pagan që mendohej si mbrojtës, çka ka sjellë edhe gdhendjen e simbolit të gjarpërit në pragun e shtëpisë. Mund të lidhet me mitologjinë e Ilirit, paraardhësit të Ilirëve, por mund të jetë shumë më i hershëm. Edith Durham, në shekullin e kaluar, pasi kaloi në trevën mirditase, shkruajti se “Shqiptarët më shumë se sa 10 urdhëresat e Biblës zbatojnë ligjet e Kanunit”. Këtu Kanuni duhet kuptuar si kulturë, traditë apo si trashëgimi jomateriale lënë nga të parët; patjetër që ai i përket kohës por, disa vlera ruhen të pacunguara në shpirtin e Lekëve: mikpritja e mikut, atdhedashuria, komunitarizmi, etj.

Së fundi, dua të shtoj se e gjithë situata e krijuar nuk duket të jetë e pastisur dhe jokeqdashëse. Flamuri u ndërtua brënda natës dhe vetëm pak ditë përpara fillimit të Vitit të Skndërbeut, ku presupozohej se duhej të flitej e dikutohej shkencërisht mbi historinë dhe veprën e heroit. Sot, ende i mëshohet nga klane të caktuara fryrjes së këtij “konflikti” në Mirditë. Ku më mirë se sa në një qendër monokulturore tërësisht shqiptare ku mungojnë pasaportat minoritetare mund të zhvillohej e fryhej një incident për të zhvendosur vëmendjen nga bashkëjetesa dhe zakonet (shqip: doket) e mira që kanë ruajtur Shqiptarët nga e kaluara?