NDIKIMI I SHQIPES MBI RUMANISHTEN NË DRITËN E HULUMTIMEVE TË REJA

NDIKIMI I SHQIPES MBI RUMANISHTEN NË DRITËN E HULUMTIMEVE TË REJA

298
0
SHPËRNDAJE

Ishtvan SHYC
PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore
Viti IX 2004 Nr. 3 (34) fq. 71-74
Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë

Diskutimet rreth përkimeve gjuhësore shqiptaro-rumune nuk kanë të mbaruar që nga viti 1774 [viti i botimit të vëllimit të profesorit Hans Erich Thunmann nga Halle me titullin Forschungen zur Geschichte Osteuropas (i cili ka përfshirë këtu edhe fjalorin greqisht-shqip-vllahisht e shqiptarit Theodhor Kavalioti)], madje studimi i hollësishëm krahasues i shqipes dhe i rumanishtes vazhdon edhe sot dhe, me gjithë numrin e pakësuar të studiuesve, zbulohen përkime të reja midis këtyre dy gjuhëve.

Në këtë shkrim të shkurtër desha të tërheq vëmendjen vetëm mbi dy fusha pak të studiuara deri më sot: së pari, mbi gjurmët e mbaresës –sh të rasës rrjedhore shumës të shqipes në disa llagape dhe nofka të rumanishtes, dhe, së dyti, mbi disa variante rumune të emrave të heronjve mitologjikë e të përrallave popullore shqiptare, si dhe mbi disa emra të përveçëm të folklorit rumun të formuar sipas kallëpit përkatës të shqipes[2].

1. Rasa rrjedhore njihet në letërsinë gjuhësore ndërkombëtare me emrin ablativ, sigurisht për shkak të faktit që ajo përdoret me shumicën e parafjalëve të shqipes. Mirë po funksioni i saj fillestar është krejtësisht i ndryshëm.

Dhe për këtë shkak duam që të nënvizojmë këtu funksionin adnominal e kësaj rase, siç e ka vënë në dukje profesori Shaban Demiraj në veprën e tij të domosdoshme dhe me përmasa monumentale “Gramatika historike e shqipes” (Tiranë 1985). Kjo rasë vazhdon të jetojë edhe sot në togfjalësha ose në fjalë të përbëra të tipit qymyr guri, lule dielli, breg deti, ose vaj ulliri, çaj mali, dhe kemi mundësi që të vazhdojmë me qindra shembuj të tjerë. Në togfjalësha të tillë rumanishtja përdor parafjalën de, bie fjala carbune de piatra ‘qymyr guri’, unt de lemn ‘vaj ulliri’, cimbrisor de munte ‘çaj mali’, ose ajo e vë në rasën gjindore emrin e dytë e togut, bie fjala: floarea soarelui ‘lulja e diellit’.

Mirëpo në disa raste e zbulojmë mbaresën e rrjedhores shumës të pashquar të shqipes më -sh, -esh, -ësh, sidomos në llagape dhe në nofka të rumanishtes. Kështu në letërsinë e vjetër rumune (në veprat e Dimitrie Kantemirit dhe të kronikanëve të Moldavisë), madje ndeshen disa gjurmë edhe në rumanishten e sotme. Emrin e parë të përveçëm të rumanishtes, të formuar sipas modelit të shqipes shkollë vajzash, petka burrash etj. ne e kemi zbuluar në emrin e një vojvode të frikshëm të Vllahisë, Vlad Tepes, që mund të riprodhohet shqip në formën *Vllad Thepesh ose më saktë Vllad Hunjsh, me qenë se fjalën shqipe thep (në shumës thepe) e kanë huazuar stërgjyshërit e rumunëve me kuptimin ’hu’ dhe në formën teapa (në shumës tepe), kurse forma Tepes e rumanishtes është e barabartë me rrjedhoren shumës, formë e pashquar e fjalës shqipe.

Kështu ky emër historik është një llagap me kuptimin ’Vlladi Shkuesi në Hu’, sepse ai e ka përdorur këtë formë të tmerrshme ekzekutimi kundër armiqve dhe kundërshtarëve të tij, duke i shkuar në hu. Duke ndjekur këtë gjurmë të parë, kemi gjetur lagapet rumune Babes ’plakaruq’, Brâncus ‘me putra, me panxha’, Mancas ‘i pandashëm nga taja, i lidhur me mëndeshën’, tre mbiemra historikë të rumunëve, pastaj vojvodën vllah Petre Rares ‘Pjetri i Rrallë’, në përrallat popullore Verdes Împarat ‘Perandori Gjelbërosh’, pastaj në veprën Istorie ieroglifica të Dimitrie Kantemirit dhe në kronikat e Moldavisë shprehjet om cinstes (sot om cinstit) ‘njeri i ndershëm’ nga fjala cinste ‘nder’, om necinstes (sot om necinstit) ‘njeri i pandershëm’, cinstes si faiesu la fata (sot cinstit si chipes) ‘i ndershëm dhe i bëshëm nga fytyra’, moales ‘njeri i ngathët’, oaches, oachesa ‘i nxirë (nga dielli), zeshkan’ ose ‘(dele) me një njollë të zeze rreth syve’, asijderea ’njëlloj, po ashtu, gjithashtu’ asasi, asesi, asisi, të prejardhur nga rrjedhorja shumës e përemrit të shqipes ai, ajo. Duke mbajtur parasysh faktin që prapashtesa rumune –is, -as merr pa përjashtim, në çdo rast theksin e fjalës (bie fjala: stufis ’kallmishte’, paianjenis ‘pëlhurë merimange’, plutas ‘trapar’ etj.) nga këta shembuj duhet përjashtuar prania e prapashtesës rumune.

2. Folklori i pashkruar dhe mitologjia popullore e këtyre dy popujve kanë ruajtur disa figura të përrallave popullore, emra zanash, floçkash etj., emrat rumunë të të cilave rrjedhin prej emrash shqip. Një zanë ose floçkë e mitologjisë ilire quhej Prenda, së cilës popullsia ia ka vënë mbiemrin shën për ta shpëtuar për në pantheonin e krishterë kur ilirët morën fenë e krishterë. Misionarët e krishterë kanë mbyllur njërin sy me të parë këtë “kanonizim popullor” dhe kështu shenjtorja e re paska marrë në kalendarin e krishterë epitetin “Veneranda”, d.m.th. ’e Respektueshme’, duke ndarë ditën e Shën Anës me këtë shenjtore të krishtërimit. Fshatrat shqiptarë Shnaeprenne (në trevat e gegërishtes) dhe Shënepremte (në ato të toskërishtes) e kanë ruajtur poashtu emrin e kësaj shenjtorje, emri i së cilës vazhdon që të jetë një emër i parapëlqyer vajzash midis popullsisë së viseve të Veriut. Bile, kur stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm kanë marrë emrat e ditëve të kalendarit romak pagan, për ditën e pestë e javës nuk e kanë marrë emrin e perëndeshës romake Venera, por e kanë zëvëndësuar emrin e saj me emrin e shenjtores së tyre: ditë e Premte. Më vonë folklori rumun e ka huazuar këtë emër nga shqipja për t’i dhënë një gjyshe dashamirëse dhe mirëbërëse Sfânta Vinerea, d.m.th. Shën e Prenda. Ja tek është përgjigja çështjes së natyrshme: pse dhe si është bërë në përrallat rumune shën pikërisht dita e pestë e javës, të cilën shumica e popujve evropjanë e shikojnë me një farë drojtjeje si një ditë ogurzezë.

Emri i perëndeshës Thana u gjet në një mbishkrim mbi një lapidar në Bosnjë. Tingulli TH i ilirishtes nuk është i barabartë me tingullin ndërdhëmbor të shurdhët e shqipes TH, sepse në shqipen e sotme i përgjigjet tingulli Z(ë), d.m.th. fjala shqipe zanë është reflektimi i emrit të perëndeshës ilire Thana. Dhe kështu as fjala rumune zâna nuk mund të jetë vazhdimi i emrit të perëndeshës romake Diana, por është një huazim nga shqipja, nga shqiptarët, të cilët e kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre ilirë. Mirëpo as emri i virgjëreshës së bukur dhe të pamëshirshme të mitologjisë romake Diana nuk ka humbur: e paskan ruajtur rumunët në përrallat e tyre popullor në emrin e floçkës Sânziana < *Sancta Diana, duke provuar kështu që edhe stërgjyshërit e rumunëve të sotëm paskan pasur mendjehollësinë e shqiptarëve, kur ata donin që të shpëtonin perëndeshën e tyre të dashur me një “kanonizim popullor”. Këtyre mund t’u shtojmë edhe një shembull nga përrallat popullore. Xhuxhi i folklorit rumun quhet Statu Palma Barba Cot, d.m.th. ’Shtati Pëllëmbë Mjekra Kut’. Edhe ky emër përrallash është sajuar sipas kallëpit të shqipes Shtatë Pllamë Mjekër Një Pllamë Shtat. Natyrisht emri rumun nuk është një përkthim i saktë i emrit shqip, por është një metaforë nga e njëjta gurrë frymëzimi. Mirëpo, nga ana tjetër, një heroinë tjetër, e bukur dhe e pamëshirshme e përrallave popullore rumune Frumoasa Pamântului është qind për qind një kalk i emrit të Së Bukurës së Dheut nga folklori shqiptar.

Këto janë vetëm një grusht përkimesh midis shqipes dhe rumanishtes, përkime ende pak të njohura, bile të panjohura deri më sot, përkime numuri i të cilave është ende larg që të jetë i shterur plotësisht, d.m.th. e vlen barra qiranë që të vazhdojmë hulumtimet e zellshme, madje kjo qenka një detyrë e domosdoshme, sepse në këtë veprimtari durimi dhe qendrueshmëria do t’u sjellin patjetër trëndafila të bukur si një shpërblim i merituar hulumtuesve, për ta mbyllur me një fjalë të urtë hungareze.

[1] Shkruar shqip nga autori.
[2] Shpresoj se së shpejti mund të lexoni një studim më të gjatë mbi këto përkime në revistat Zeitschrift für Balkanologie dhe Revue de linguistique romane.

———————-

Istvàn Schütz (Ishtvan Shyc), një emër i mirënjohur në fushën e studimeve albano-ballkanologjike dhe në fakt, përfaqësuesi më i denjë i albanologjisë hungareze të ditëve tona u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, më 27 nëntor (u varros më 7 dhjetor) të vitit 2010.

Studimet albanologjike në Hungari, ngushtësisht janë të lidhura me emrin e Istvàn Schütz-it, i cili për 62 vjet më radhë, u mor me studimin e gjuhës shqipe. Ishte shumë këmbëngulës, kishte durim të jashtëzakonshëm dhe nuk u trembej sfidave debatuese, duke mos llogaritur se kush ishte emri me të cilin debaton, ai dha një kontribut të çmueshëm dhe të lëvdueshëm në lëvrimin e gjuhës shqipe.

I gatshëm për ndihmë për të dhënë konsultime, i papërtueshëm për saktësime të hollësishme, dashamirës dhe shumë mikpritës, profesori, siç e thërrisnim ne, do të mbetet në kujtesën tonë për këto veti të mrekullueshme.

Gjatë njohjes sonë shumëvjeçare me të, në takimet e shumta në Tiranë, Prishtinë e Budapest, asnjëherë nuk bezdisej me pyetjet e diskutimet tona. Nuk ishte e huaj, pos gjuhësisë dhe të gjitha disiplinave të saj, për të, as historia, etnologjia, folklori, letërsia, përkthimet etj., ku shquhej për një njohje të thellë prej eruditi, duke folur në një shqipe të pastër toskërishte, që ishte mjaft vështirë, për ata që nuk e njihnin, ta dallonin që nuk ishte shqiptar