OBJEKTET ANTIKE SHQIPTARE TE VJEDHURA APO ..’HUMBURA’ Në “gjurmë” të arkeologjisë së...

OBJEKTET ANTIKE SHQIPTARE TE VJEDHURA APO ..’HUMBURA’ Në “gjurmë” të arkeologjisë së humbur

76
0
SHPËRNDAJE

Listë e objekteve kryesore të grabitura të përmendura në libër e të shpërndara sipas muzeumeve

Muzeu i Luvrit

1. Tors i Bakut fëmijë, mermer, Apoloni.
Është një kryevepër, dalë nga dora e skulptorit të madh të lashtësisë, Prakistelit. Është hequr nga muret e manastirit të Pojanit, në vitin 1859 dhe është dërguar në Luvër nga M. Goltier de Klabri. Qëndron në sallën Tibre, nr. 665. “Mission…”, f. 395; “Das Sand. Berat…”, f. 154; Leon Rey, “Albania”, 1, f. 11, shënim 9.

2. Fragment i një statuje të Vitories, mermer, Apoloni.
Kjo është dërguar në Luvër disa kohë më parë se Torsi i Prakistelit nga A. Grase, konsulli i Francës në Korfuz. “Mission…”, f. 395; Leon Rey. “Albania…”. 1. f. 11, shënim 9.

3. Mbishkrim i ujësjellësit të Durrësit, mermer.
Mbishkrimi tregon për riparimin e ujësjellësit të Durrësit në kohën e Aleksandër Severit së bashku me rrugën në një gjatësi prej katër mijë hapash, që ishte dëmtuar nga përrejnjtë. Ujësjellësi ishte ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Adrian. “Mission..”, f. 387, nr. 172; “Rev. Arche”. VI, 1862, f. 318; “Alb Stud.”, f. 119, etj.
Ndodhet në fondet e muzeumit të Luvrit.

4. Dy figura në altoreliev të Demetrës dhe Kores., gur. Durrës.
“Mission…”, f. 378, 460, tab. 27, fig. 2; f. 377, 460; tab. 27; fig. 3. Leon Rey, “Albania…”, 4, f. 102. Në inventarin e muzeut figurojnë me numrat 2291 dhe 2292. Për mbishkrimin shih dhe “Rev. Arch.” VI, 1862, f. 321.

5. Kokë kau me kurorë dhe lule, fragment frizi, Durrës.
Hëzej e mori pranë xhamisë te Porta e Madhe e qytetit. “Mission…”, f. 382, 383, tab. 27, fig. 4; “Cat. Somm”. Nr. 1427, f. 82; Po aty, botim i vitit 1918, nr. 1427, f. 88; Leon Rey. “Albania…”, 4, f. 103.

6. Kokë e Demetrës, mermer, Apoloni, madhësi natyrore.
Dallohet për linjat e holla, ëmbëlsinë dhe psikologjinë. Pjesa e sipërme e kokës pak e thyer. “Mission…”, f. 460, tab. 32.

7. Anfifeks, kërcimtare me palmete, Apoloni.
“Mission…”, f. 460.

8. Stelë e kalorësit, Apoloni.
“Mission…”, f. 400. 460. Kalorësi është veshur me klamys dhe në të djathtë të tij ka një shtizë të gjatë. Ndodhet në sallën greke, nr. 837, “Das San. Berat…”, f. 174.

9. Kapitel i vogël jonik, mermer, Apoloni.
“Mission…”, f. 388, 460.

10. Kapitel i vogël dorik, gur, Apoloni.
“Mission…”, f. 398-460.

11. Maskë luani, mermer, Apoloni.
“Mission…”, f. 398; “Das San. Berat…”, f. 190; Leon Rey, “Albania…” 1, f. 24, shënim 54.

12. Kokë gruaje, mermer, Apoloni, madhësi natyrore.
“Mission…”, f. 395-396.

13. Friz me figura të vogla që paraqesin luftë amazonash, Apoloni.
“Mission…”, f.398.

14. Figurinë gruaje, bronz, Apoloni, dimensione të vogla.
Gjetur në janar të vitit 1881, ndodhet në sallën e bronzit, nr. 2855. Leon Rey, “Albania…”, 3, f. 35. Rey boton fotografinë e saj.

15. Dama antike shqiptare, Gur i Zi, bronz.
Lartësia 0,28, koka 0,038 m. Shekulli VI-V p.e.s. Leon Rey, “Albania…”, 3, f. 56. Ai tregon se kjo skulpturë arkaike është botuar nga Dymond në “Rev. Arch. Nouvelle”, XXIV, 1872 me tre vizatime nga M. Chaplain, idem planshe XV. Këtë artikull me disa modifikime dhe shënime Dymond e botoi në “Melanges d’Arch”., më preçedencë; “Repertoire…”, II, nr. 7, f. 422-423, 552, në dy kataloge të bronzeve me dy ilustrime dhe një fotografi nga Ugolini, “Albania Antica”, 1, f. 15, fig. 14, etj.

Hasan Ulqini, “Grabitës të Monumenteve”.

***

Muzeu, San Zhermen, Paris

1. Objekte nga varreza e Kalasë së Dalmaces:
14 rrathë të mëdhenj qafe, bronz, 400 rruaza, 8 byzylykë, 38 vathë e rrathë vathësh, argjend dhe bronz, 6 zbukurime vathësh, argjend, 27 zbukurime, bronz, 10 unaza, bronz, një unazë, argjend, 17 fibula, bronz, një broshe e rrumbullakët, 2 sopata hekuri, një shpatë hekuri, 16 thika, maja heshtash, fibula, unaza, hekur.
“Souvenirs.,”, f. 262; Sollomon Reinach, “Une necropole…” në “L’Antropologie..”, 1901, f. 662-670., thotë se në muzeun Sen Zhermen ndodhen gjithsej 89 objektesh me numër inventari 53842-53930, kurse në të vërtetë lista që e paraqet vetë Dërgani është shumë më e madhe. Leon Rey, “Albania…” 3, f. 52. Ndërsa në Muzeumin Antropologjik të Parisit ndodhen dhe dy kafka nga kjo varrezë.

Muzeu Arkeologjik i Berlinit

1. Dy fibula, bronz, një aplike, bronz, një byzylyk, bronz, dy rrathë dore, bronz, një fragment spiraleje, bronz, një fibul hekuri, një latushe hekuri, 23 rruaza qelqi të tipeve të ndryshme, një qafore, bronz, me varëse në trajtë trapezi të ngushtuar dhe në pjesën e poshtme në trajtë ylli, një paftë e veçuar e këtij tipi vathi, një thikë hekuri. Të gjitha objekte nga varreza e Kalasë së Dalmacies.
Traeger, “Mitteilungen…” f. 43-51, “Begrabniss…”, f. 43-47.

Muzeu Historik i Artit, Vjenë

1. Stela e Parmeniskut.
Në reliev paraqitet një skenë me një betejë amazonash. Ajo ka edhe shenja të tjera të veçanta që e bëjnë të dallohet menjëherë si e artit apolonian. Ashtu si edhe tek stela e Falakres dallojmë pëllumbat duke pirë ujë, një enë të madhe, dy luanë që shqyejnë një dre. Steleja ka formën e një ndërtese, në mes të kolonave dallohet një kurorë lisi, dy trëndafilë; elemente të tjera të saj janë sirenat me krahë, grifonët.
“B.Y.SH.T.” 4, 1958, f. 213, 243.

2. Portret gruaje, mermer, nga Durrësi.
Skulptori ka ditur të evidentojë me mjeshtëri buzët e holla, ballin e tendosur, vetullat e harkuara, hundën e drejtë, që i japin portretit një shprehje të bukur. Gruaja ëshët e menduar. Ky portret është marrë në vitet e Luftës së Parë Botërore nga arkeologët Prashniker dhe Shober.
“Ylli”, 8, 1977, f. 35.

Po aty.

***

Muzeu Nacional i Beogradit

1. Kokë djaloshi, mermer i bardhë, Durrës.
Lartësia 0,24 m, sipër në krye i mungon një tufë flokësh. Qepallat, hunda e goja janë të dëmtuara. Koka është përkulur disi nga e djathta. Fytyra është punuar mjaft hollë. Me anën e cepit të buzës së rënë si dhe vetullave të fryra dhe të syve të vendosur pjerrët jepet një shprehje habie. “Archeologische forschungen…”, f. 43, fig. 52, a, b. Balduin Sara, “Jareschefte…”, f. 240-246 njofton se në vitin 1926 kjo kokë është zhdukur për fat të keq. Leon Rey. “Albania…”, 4, f. 100.

2. Maskë komike prej guri të verdhë, Durrës.
Lartësia 0,40 m, gjerësia 0,30. Në të shihen shenja llaçi. Pranë gojës dhe në faqe dallohen gjurma ngjyrash të kuqe dhe të verdhë. Tipi i hundës së gjerë dhe t ë zgjatur me një gojë të zgjeruar të bën të mendosh se i përkiste komedisë nautike. Katër të përdredhura të mjekrës të stilizuara janë kthyer në të njëjtën mënyrë në relievin e komedisë së Napolit në maskën e Meneandrit në relievin berlinez nga Akuilea. “Archeologische forschungen…” f. 43, fig. 53.

3. Dy relieve gladiatorësh ose luftëtarësh dalmatë.
“Mission…”, f. 383, tabela 30; “Souvenirs…” f. 180, foto po në f. 180; “Archeologische forschungen…”, f. 44, fig. 54-55, etj.
Gladiatori i parë: 1.28 lartësia, 0,62 gjerësia, 0,25 trashësia . Gladiatori i dytë: 1.07 lartësia, 0,59 gjerësia, 0,24 trashësia.

4. Stele me mbishkrim, gur gëlqeror, Durrës.
Lartësia 0,78, gjerësia 0,43, trashësia 0,14. Steleja ka formën e një porte me dy doreza në formë rrethi. Mbishkrimi ndodhet sipër. një stelë e ngjashme me të është zbuluar përsëri kohët e fundit në qytetin e Durrësit.
“Archeologische forschungen…”, f. 44-45, figurë 56.

5. Fragment nga sarkofagu me mbishkrim dhe anije, gur, Durrës.
Kjo stele ka rëndësi sepse jep pamjen e një anije të lashtë të ankoruar në port me vel dhe njëkohësisht dhe rrema. Veli ka formën e një tabele shahu. Meqë fragmenti është i thyer duket vetëm pjesa e përparme e anijes.
“Archeologische forschungen…”, f. 45, fig. 57, 57a (vizatim).

6. Altar me mbishkrim, mermer, Durrës.
Lartësia 1.34, gjerësia 0.64, trashësia 0.60. Fusha e mbishkrimit është e rrethuar me dekoracione, ornamente dhe ndërmjet tyre ka të gdhendura gjethe akanthi. Mbishkrimin e këtij altari e kopjon për herë të parë Kiriaku i Ankonës. “C.I.L.” III, 616, i cili jep vendodhjen: Durrës, porta lindore e kalasë, nga Balduin Sara, “Antiken…” f. 240-246, viz. 39, Hequard, “Historie…”, f. 265, etj.

7. Pllakë mermeri e bardhë me mbishkrim, Durrës.
Balduin Sara, “Antiken…” , f. 240-246, viz. 41.

8. Reliev i Panit me tri nimfat, gur gëlqeror, Durrës.
Lartësia 0,47, gjerësia 0,42, trashësia 0,14. Relievi është i dëmtuar në anën e djathtë. Gjithashtu edhe pjesa e sipërme është mjaft e ngrënë. Në reliev duken gjurmë gëlqereje. Nga e majta është dëmtuar gjithashtu gjysma e poshtme e figurës së Panit. Gëzofit i tij i ka mbetur vet një pjesë. Për tek ai me hap vallëzimi vijnë dy nimfa të kapura dorë për dorë. Midis Panit dhe nimfës së parë ndodhet e gdhendur një enë, ndërsa midis dy këmbëve të nimfës një send i pacaktuar. Koka e nimfës së parë mungon, ndërsa të dytës i është dëmtuar rëndë, por ajo duhet të ketë pasur një zbukurim koke. Sipas lëvizjes së dorës së nimfës së dytë dhe përfytyrimeve analoge (Pani me tri nimfat, kult i përhapur gjerësisht në Durrës) duhet të ketë qenë dhe një nimfë e tretë.
Balduin Sara, “Antiken…”, f. 240-246, fig. 40, Leon Rey, “Albania…”, 4, f. 102.

Po aty.

***

Muzeu Britanik

1. Shpatë bronzi nga Shkodra.
Gjatësia 48 cm.
“Walters, Catalogue…” numri 2754; Ugolini, “Albania Antica”, 1, f. 15, fig. 14; Leon Rei, “Albania…”, 3, f. 48.

2. Figurinë bronzi nga Shqipëria Veriore.
Është botuar në një kartolinë të nxjerrë nga Muzeu Britanik. Prapa ka të shkruar: Spartania ose vajza që vrapon, fondi nga Shqipëria nr. 208, viti 1976.

3. Diana, bronzinë nga Shqipëria.
“Drini”, nr. 4., 1 prill 1942, f. 19.

Muzeu Arkeologjik i Stambollit

1. Kokë femre nga Apolonia.
G. Mendel. “Catalogue..”, II, nr. 330, f. 88. Leon Rei, “Albania…”, 1, f. 24, shënim 55.

2. Sarkofagu i Dyrrahut.
G. Mendel, “Catalogue…”, II, nr. 4, faqe 5-12; Mac Ridi Bey, “Jarbuh…”, f. 143, nr. 1; “Drini”, nr. 4: prill 1942, f. 9.

3. Fragment sarkofagu, Durrës.
G. Mendel, “Catalogue…”, I, f. 12-14, Leon Rei, “Albania…”, 4, f. 104.

Muzeu i Termave, Romë

1. Koka e Deas së Butrintit, mermer.
Luixhi Ugolini, duke u nisur nga vlerat e saj të mëdha artistike, si një kryevepër e artit antik, e krijuar nga dora e Prakistelit, bëri çmos dhe e grabiti.
Ugolini, “Albania Antica”, III, f. 87.

Po aty.

***

Në “gjurmë” të arkeologjisë së humbur

Mungesa e objekteve me vlera arkeologjike- kulturore dhe “humbja” e tyre e menjëhershme, duket se nuk përbën diçka të re për vendin tonë nëse fokusohemi pas viteve ‘90-të. Janë me mijëra këto objekte të deklaruara të humbura, shumica prej të cilave ka marrë udhët e botës. Pjesa dërrmuese e tyre nuk janë kthyer.

Vetëm sipas katalogut të humbjeve në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Tiranë këto objekte të deklaruara të humbura kapin shifrën 2030. Por ndërkohë numri i tyre është pa frikë disa herë më i madh, vetëm se këto humbje (apo vjedhje) nuk janë deklaruar.

Sipas shefit të sektorit të katalogimit në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Dervish Zaimi, katalogu i humbjeve që përfshin gjithë objektet e deklaruar si të humbur nga institucionet, muzetë, galeritë e artit etj., numëron deklarime nga 24 institucione.

“Këto humbje i përkasin më së shumti periudhës së viteve ‘91 dhe ‘97. Pjesa dërrmuese e objekteve kanë humbur para 2000-it dhe janë 1875 objekte të tilla. Ndërsa pas 2000-it kanë humbur 155 objekte”, nënvizon Zaimi.

Siç vërehet edhe nga të dhënat, pjesa dërrmuese e objekteve të humbur i përkasin Muzeut Historik të Matit. Ky është një muze i shkatërruar me objekte tërësisht të humbur që kapin numrin 513. Por edhe muzetë të tjerë, si ai i Gjirokastrës apo i Tepelenës e kështu me radhë nuk janë në gjendje të mirë.

Humbjet pas 2000-it

Pas vitit 2000 vërehet një numër më i vogël i objekteve të humbur. Çuditërisht, një nga institucionet ku kanë “humbur” më shumë objekte me vlera, është Instituti i Kulturës Popullore. Janë plot 129 objekte të fondit të IKP-së, të dalë nga inventari në vitin 2006 e që kapin një vlerë qesharake monetare, rreth 109 mijë lekë.

Pikërisht këtu duhet parë edhe një pikë kyçe për zgjidhjen e problemit: te rivlerësimi i këtyre objekteve të trashëgimisë, që vazhdojnë ende të kenë të njëjtin çmim si në periudhën e komunizmit. Rrjedhimisht, kjo sjell edhe një mungesë përgjegjshmërie te punonjësit që kanë në varësi objektet.

“Mosvlerësimi monetar i objekteve muzeale bën që punonjësit të mos tregojnë interes. Po ashtu, pak interes tregojnë edhe organet e pushtetit vendor. Në disa vende ka edhe mungesë dokumentacioni. Abuzohet në inventar dhe nuk ruhen regjistrat themeltarë të objekteve” vijëzon specialisti i QKIPK-së, Zaimi, i cili megjithatë nuk ngurron të sjellë dhe kundërshembuj për të treguar se kur ka përgjegjshmëri dhe dëshirë të mirë, objektet nuk humbasin dhe ruhen më së miri.

Model në këtë drejtim, sipas tij, janë Kolonja, Lezha, Tepelena, Vlora, Lushnja. Por problemi, ashtu si mund të kuptohet, nuk shtrihet vetëm në muzeume, por edhe në galeri arti. Kështu, edhe pse ka galeri që i kanë ruajtur mirë këto objekte, si ajo e Korçës, ka galeri që janë vjedhur komplet, si galeria e artit në Berat, apo në Pogradec. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Pallatet e Kulturës dhe kostumet që ata dispononin. Sot, pallati i Kulturës në Burrel nuk ka asnjë kostum popullor.

Ambientet e munguara

“Ngërç” tjetër është se në disa raste edhe pse shumë objekte, nuk ka vend ku ato të ruhen dhe nuk ekzistojnë muzetë përkatës. Me këtë problem haset Lezha (pa muze), apo Shkodra, e cila i ruan objektet në fond dhe nuk i ekspozon për mungesë të hapësirës. Elbasani gjithashtu nuk ka fare muze. Ai u prish në kohën e trazirave të ‘97-s. Ndërsa në Sarandë, vetëm tani ka filluar ringritja e muzeut me rikonstruksionin e ndërtesës dhe objektet e mbledhura rishtas arrijnë në 200. Krejt i shkatërruar është edhe muzeu i Bajram Currit.

Përballë këtyre humbjeve, pyetja që shtrohet është nëse do të mundet ndonjëherë që këto objekte të kthehen?! (duke menduar se do të ketë më tepër përgjegjësi për ruajtjen e pjesës së monumenteve brenda institucioneve apo muzeve). “Kemi bërë shkresë për objektet e humbura në të gjithë rrethet, por ka shumë vështirësi në gjetjen e tyre, pasi ka mungesë fotosh”, shpjegon Zaimi. Një “dritë jeshile” lidhet me kthimin e disa objekteve të humbura nga Instituti i Kulturës Popullore, për shkak se janë sjellë disa foto prej tyre.

Lista e objekteve të humbura (vjedhura) arkeologjike dhe etnografike të institucioneve në vartësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike

– Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit (ish Instituti I Kulturës Popullore) – 248 objekte
– Muzeu Arkeologjik, Tiranë- 85 objekte
– Muzeu Arkeologjik, Durrës- 57 objekte
– Muzeu Arkeologjik i Apolonisë- 29 objekte
– Muzeu Arkeologjik i Butrintit- 2 objekte

Gjithsej – 421 objekte (arkeologji dhe etnografi)

Deri para vitit 2003 kanë qenë 10 objekte. Janë kthyer 7 objekte dhe së fundi dhe koka e Zeusit, Ascleptus.

Lista e objekteve të humbura

– Dega e Monumenteve të Kulturës, Berat – 11 objekte
– Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë – 2 objekte
– Muzeu Historik, Kolonjë- 34 objekte
– Muzeu Historik, Fier- 1 objekt
– Muzeu Historik, Gramsh- 21 objekte
– Muzeu Historik, Lushnjë- 4 objekte
– Muzeu Historik, Shkodër- 30 objekte
– Muzeu Historik, Tepelenë- 147 objekte
– Muzeu Etnografik, Vlorë- 8 objekte
– Muzeu Arkeologjik, Durrës- 57 objekte
– Muzeu I Armëve, Gjirokastër- 163 objekte
– Muzeu Etnografik, Gjirokastër- 373 objekte
– Muzeu Historik, Librazhd- 42 objekte
– Muzeu Historik, Mat- 513 objekte
– Muzeu Historik, Peshkopi- 11 objekte
– Muzeu Historik, Pogradec- 87 objekte
– Muzeu Arkeologjik, Tiranë- 85 objekte
– Instituti I Kulturës Popullore, Tiranë- 248 objekte
– Muzeu Historik, Vlorë- 10 objekte
– Muzeu Arkeologjik, Apoloni- 29 objekte
– Muzeu Etnografik, Elbasan- 35 objekte
– Dega e Monumenteve Gjirokastër- 18 objekte
– Galeria e Arteve, Berat- 7 objekte
– Muzeu Etnografik, Vlorë- 8 objekte

Objekte të kthyera

(Arkeologji, skulptura. Të gjitha në posedimin e Muzeut Arkeologjik të Butrintit)

– Portreti i Herkulianës
– Portret vajze
– Portreti i Agripës (Germanikut)
– Shtat Artemisi
– Shtat djali (Apoloni)
– Statujë vajze
– Pa kokë (Afërdita?)
– Koka e Zeusit të Ascleptus
– Portreti i Livias

Është në proces, edhe pse ende nuk është gjetur një statujë vajze e zbuluar në Finiq, vjedhur më 2002-in. Nga shtypi grek ka të dhëna se është ekspozuar në Janinë.