Gjuha e Orakullit të Dodonës ishte ilirishtja

Gjuha e Orakullit të Dodonës ishte ilirishtja

1838
0
SHPËRNDAJE

Nga Dr. Nelson R. ÇABEJ

Orakulli i Dodonës Orakulli natyror i Dodonës, i përfaqësuar nga një lis i lashtë, ka ekzistuar që nga mijëvjeçari II p.e.s. Ai përmëndet për herë të parë në shekullin VIII në Iliadë, ku Homeri flet për një Dodonë pellazgjike.
Historiani britanik N.G.L. Hammond (1907-2001), autori i librit më të njohur për Epirin, thotë: “Si një qendër e jetës baritore, nga tradita dhe pozicioni, Dodona ishte tërheqëse për grupet baritore që shtriheshin deri në malin Skardus (rrafshlarta e Sharrit në Kosovë)…Dodona ishte një qendër fetare dhe orakullare kryesisht për fiset e veriut dhe vetëm nga gjysma e dytë e shekullit VII p.e.s. ajo filloi të tërhiqte fiset jugore…”.
Do të ishte e tepërt të shpjegohej se fiset veriore që vizitonin fillimisht Dodonën ishin ilire, ndërsa ato jugore që filluan ta vizitonin më vonë, ishin fise greke. Pas shekullit VII p.e.s. orakulli i famshëm epirot u përfshi edhe në trashëgiminë fetare të grekëve të lashtë.
Më vonë, me pushtimin romak të Epirit e të Ballkanit, Dodonau bë pjesë integrale e besimit romak. Madje Ciceroni tregon se Senati i Romës . “Për çështje me rëndësi të madhe, gjithnjë merrte këshillat e orakullit të Delfit ose të Jupiter Hammonit ose të Dodonës”.

Midis shekujve II dhe IV të erës sonë, romakët aty bënë ndërtime të shumta, duke përfshirë kthimin e teatrit të Dodonës në arenë, ndërsa një bashkësi (koinon) vendase epirote ngriti dhe një shtatore të Livias, gruas së perandorit romak August. Vendosja e shtatores në afërsi të drejtpërdrejtë me lisin orakullar është parë si tregues i besueshëm se adhurimi i lisit orakullar epirot, qysh në shekullin I p.e.s., ishte bërë kult perandorak në Romë.

Është e vërtetë se grekët e lashtë, pas shekullit VII p.e.s., filluan t’i bënin dhurata orakullit të Dodonës, por të dhënat arkeologjike tregojnë se dhuratat nga ilirët në veri të Epirit për atë orakull nuk kanë munguar. Ndër dhuruesit e famshëm ilirë të orakullit është mbreti i taulantëve, Glauku. Një dhuratë tjetër e mirënjohur ka ardhur nga një territor më i largët ilir, nga vendi i ardianëve. Ky është një fragment i një mbrojtëseje të këmbës me mbishkrimin “ia kushton zotit” (ος ανεθηκε Διι Ναιωι), që ia dhuronte orakullit Gangrius Ardiai, i cili mendohet të jetë një prej parardhësve të mbretit ilir, Agron. Dhurata i janë bërë orakullit edhe nga Pirua i Epirit dhe Aleksandri I, vëllai i Olimpias.

Ky i fundit, sipas gojdhënës, u këshillua me orakullin para nisjes së tij në një fushatë në Itali, por nuk e mori parasysh paralajmërimin orakullar për vdekjen e tij. Dhurata për orakullin e Dodonës nuk vinin vetëm nga Greqia, Iliria, Traka e Maqedonia, por edhe nga rajone të largëta të perandorisë, siç është rasti i “mbretit” Zeniketes, që kishte ardhur nga Anadolli për t’u konsultuar me orakullin e Dodonës7.

Në shekujt e fundit p.e.s., Dodonaishte shndëruar një orakull ndëretnik i iliro-epirotëve, maqedonasve, grekëve, trako-kimerianëve, romakëve, anatolianëve dhe popujve të tjerë veriorë, që grekët e lashtë i quanin hiperboreanë. Kështu, përfshirja e Dodonës dhe orakullit të saj në strukturën e besimit grek dhe atë romak nuk e ndryshoi aspak karakterin epirot të Dodonës si një orakull natyror, siç nuk ndryshoi dot edhe karakterin e besimit iliro-epirot. Provë madhore e kësaj është mbijetesa e panteonit iliro-epirot, duke përfshirë perëndinë më të madhe të tij, Deipaturos.

Një vajzë kaone bëhet profete në Dodonë

Në vitin 280 p.e.s., mbretit të kaonëve (stërgjyshëve të lebërve të sotëm) i lindi një vajzë që i vunë emrin Fenis/Fena. Kjo del nga një njoftim i gjeografit dhe historianit grek të lashtësisë, Pausanias (110-180 të erës sonë).
Kur u rrit, vajza e mbretit vendosi t’ia kushtojë jetën e saj besimit të të parëve. Kufiri i mbretërisë të të jatit, ishte vetëm një ditë rrugë kaluar larg Dodonës, njerës prej qendrave më të mëdha të “komunikimit njerëzor me perënditë” në botën mesdhetare. Dëshira e zjarrtë e vajzës së mbretit kaon u plotësua.
Ajo shkoi në Dodonë për të punuar si priftëreshë e orakullit “pellazgjik”, siç e quanin atë Homeri dhe Hesiodi.
Lisi orakullar i Dodonës, ishte një ndërbotë ku kufizoheshin dhe shkriheshin në një të vetme tokësorja, “Nëna Tokë” e ilirëve e simbolizuar në rrënjët e lisit, me perëndinë e tyre më të lartë qiellore, me “Zeusin” iliro-epirot, emri original i të cilit, Dei paturos, fatmirësisht, është përjetësuar në Leksikon-in e leksikografit më të madh të lashtësisë, Hesikut të Aleksandrisë. Në Dodonë kjo vajzë mbretërore kaone, kjo nënë Terezë e Lashtësisë ilire, do të kalonte tërë jetën e saj.
Aty ajo do të bëhej e famshme edhe si profete dhe historianët e lashtë grekë thonë se ajo parashikoi edhe e pushtimin e Azisë së Vogël (Anadoll) nga keltët dhe shkatërrimet e mëdha që do të sillte ai pushtim. “Pastaj ngushticën e Helespontit* do kalojnë Hordhitë gale duke kënduar dhe jashtë rendit, Azinë do të rrafshojnë, por më keq do pësojnë Ata që rrojnë në brigjet e detit” *(ngushtica e Dardaneleve – N.R.Ç.) Deri këtu çdo gjë shkoi mbarë.
Por në një kohë kur Dodona, ishte hapur si një qendër fetare ndëretnike, që vizitohej nga pelegrinë grekë, ilirë, maqedonë, trakë etj., kur kulti i Nënës Tokë, Diones, kishte rënë si një grua e dytë të Zeusit (veç Herës) ose konkubinë lokale e një Zeusi bigamist (jo Zeusi pellazg/epirot), priftëresha kaone fillon të himnizojë Dheun, “Tokën Nënë” të të parëve të saj: “Zeusi ishte esht’ e do të jetë, o i madhi Zeus Por Toka na jep prodhime, ndaj Tokës t’i thurrim himne”.
Ajo i këndoi Nënës Tokë, Diones, jo si grua e dytë e Zeusit, madje as si e njëvlefshme me të, por si eprore ndaj tij.
Në këngën e saj mungonin edhe Demetra, perëndia greke e prodhimit bujqësor dhe pjellorisë edhe bija që ajo pati me Zeusin, Persefoni, perëndesha greke e nëntokës.

Pse e rrënuan grekët Dodonën dhe tempujt e orakullit Mbi këto e sipër, mbi Dodonë u mblodhën befas retë e zeza të një gjëme të madhe. Këng- ët për Tokën pushuan.

Në vitin 219 p.e.s. një ushtri e madhe e etolëve grekë e komanduar nga gjenerali Dorimakus u sul drejt qytetit. Në përshkrimin e historianit të lashtë grek, Polibit (200-118 p.e.s.): “Pasi arriti në Dodonë ai dogji kolonadat, shkatërroi dhuratat e shënjta, dhe ndërtesat e shënjta, kështu që mund të thuhet se etolët nuk përfillën ligjet e luftës e të paqes, por në të dyja rastet vepruan në kundërshtim me zakonet dhe parimet e njerëzimit”.

Por epirotët dhe Filipi V i Maqedonisë e rindërtuan shpejt Dodonën dhe mbreti maqedon, i mbështetur nga forca ilire, u hakmor kundër grekëve për shkatërrimin e Dodonës dhe Diumit (një tjetër qendër fetare në Maqedoni), duke plaçkitur dhe shkatërruar Thermiumin, qytetin më të rëndësishëm të etolëve grekë.

Pyetja retorike, që ata shkruan në muret e qytetit Thermium ishte vargu i famshëm të Samus-it: “E shikon se ku goditi rrufeja hyjnore?” tregon se ata shkuan atje si misionarë të orakullit të Dodonës, që ishte simbol i Deipaturos-it, perëndisë iliro-epirote të rrufesë. Ne nuk mund të jemi absolutisht të sigurt për shkakun e vërtetë të rrënimit të qendrave të huaja fetare, të Dodonës dhe të Diumit, nga grekët, që shquheshin për respektin dhe kujdesin që tregonin për orakujt e tyre.

Por është shprehur mendimi se shkaku më i thellë i kësaj urrejtjeje dhe lufte etniko-fetare ndaj Dodonës ishte përpjekja e Fenisit, bijës së mbretit të kaonëve për të kthyer në Dodonë adhurimin e “Tokës Nënë”.

Ç’gjuhë flitej në orakullin e Dodonës?

Para se të hetojmë se ç’gjuhë flitej në Dodonë, le të kujtojmë se Straboni ka folur për gjuhë të fiseve epirote (thesprotë e mollosë) dhe Plutarku për gjuhë vendi të mollosëve, pohime që prerazi përjashtojnë mundësinë që epirotët të kenë folur greqisht.

Historiani i madh grek i Lashtësisë, Tukididi (460-400 p.e.s.) tregon se si pjesa e fisit epirot të amfilokëve që u lidh me kolonistët grekë të Ambrakisë mësoi greqisht, ndërkohë që pjesa tjetër mbeti barbare. Veç këtyre, në Leksikon-in e Hesikut, dhe në burime të tjera, dalin disa fjalë epirote që janë shpjeguar vetëm me shqipen, të tilla si barden (βαρδiν) ‘me barrë, shtatzë- në’, brokalietai (μπροκαλιέται)‘bryleket’(të bërtitura femijësh ose kafshësh), daksa (δάξα)‘det’, dei ‘god’, dramis (δράμιξ) ‘dromcë’, gnosco (γνώσκω) ‘njoh’, grabātus ‘shtrat, krevat’, kaston (κάστον) ‘kashtë’, mal ‘mal’, m anu (μaνυ) ‘small’, peliai/pelioi (πέλιος/πελία) ‘plak, plakë’, etj. Herodoti (484-425 p.e.s.) na thotë sa s’ka më shkoqur; se priftëreshat e orakullit të Dodonës ato flisnin një gjuhë të huaj për grekët dhe konsideroheshin si përkthyese të profecive orakullare.

Sipas Strabonit, fillimisht në orakull shërbenin priftërinj dhe të paktën pas shekullit IV, ata u zëvëndësuan nga priftëresha. Priftërinjtë e orakullit quheshin tomoroura/ tomouroi (τομούρους). Këtë fjalë Straboni e përktheu në greqisht “tomarofilakë” (τομαροφύλακας), që do të thotë “roje të Tomorit”, por ai lë hapur edhe mundësinë që ajo të përkthehet edhe si themistë (θέμιστας) “të urtë, orakullarë”. Fjalët greke filakas (φύλακας) dhe themistë (θέμιστας), nuk mund të lidhen kurrsesi me rrënjën epirote -our/ur. Për të dy përkthimet vetëm shqipja ofron shpjegime bindëse.

Tomorouroi, “ruajtës të Tomorit” është një emër i përbërë, në të cilin elementi i parë, emri i malit Tomarus/Tmarus, lidhet me një rrënjën ilire *tem ‘i errët’ dhe shqipen tym, që e kanë burimin në rrënjën indoeuropiane *tem ‘i errët’, kurse përbërësi i dytë our/-ur-, mund të shpjegohet bindshëm me foljen shqipe ruaj që ka dalë nga një formë e hershme shqipe *uronio. Edhe në përkthimin e dytë që jep Straboni themistë (θέμιστας) ‘i urtë’, përsëri elementi i dytë our/-ur-, do të shpjegohej fare mirë me fjalën shqip i urtë (i mënçur, i ditur, inteligjent), që ka dalë nga një rrënjë më e hershme shqipe *-ur- .

Sipas Strabonit “Në gjuhën e mollosëve dhe thesprotëve (dy nga tre fiset e medha të Epirit – N.R.Ç.) gratë plaka quhen “peliai” dhe burrat pleq – “pelioi”. Dhe mundet që Peleiadet e përfolura aq shumë nuk ishin zogj, por tre plakat që mirreshin me tempullin”. Këtu ai me një vështrim shumë depërtues ka provuar se emri greqisht peleiades ‘pëllumba’, që përdorej për priftëreshat, ka dalë nga emri epirot peliai ‘plaka’, që rrjedh nga një formë e rindërtuar ilire *pela me prapashtesën shqipe –ak.

Ky duket një rast tipik i veprimit të dukurisë së mirënjohur të etimologjizimit popullor (Volksetymologie), ku fjalës së huaj “të pakuptimtë” epirote peliai (plaka) grekët i “dhanë kuptim”, duke transformuar në fjalën e ngjashme greqisht peleiades ‘pëllumba’.

Kur shihen në tërësi dëshmitë e autorëve grekë se në Epir flitej një gjuhë e huaj, se vetëm me shqipen shpjegohen emrat që njohim nga epirotishtja, se priftëreshat në Dodonë flisnin një gjuhë të huaj e jo greqisht, se emrat peliaia të priftëreshave dhe tomoruroi të prift- ërinjve shpjegohen vetëm me shqipen, ato na shpien, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, në përfundimin se gjuha që përdorej në orakullin e Dodonës ishte ilirishtja./Revista RRËNJËT/