“SHQIPËRIA NËPËR KONFERENCA E PAQEJE (1919 – 1920)”

“SHQIPËRIA NËPËR KONFERENCA E PAQEJE (1919 – 1920)”

1005
0
SHPËRNDAJE

Në një pasdite të vonë, ndërsa isha duke punuar në kompjuter, dëgjoj të bjerë zilja e telefonit të shtëpisë.

– Jam Manushaqja, bashkëshortja e Muin Çamit, – dëgjoj të më thotë.

Dhe, pa pritur t’i përgjigjem, vazhdon me atë zërin e saj tingëllues sikur të jetë fort e re:

– Dëshiroj të takohemi për t’ju dhuruar një libër historik, botuar kohët e fundit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku bashkëautor ëshë Muin Çami …

Teksa më fliste, ndjeva një kënaqësi të veçantë: mikut tim të paharruar, të ndjerit Muin Çami-të, tre vjet mbas ndarjes nga jeta, i botohej një libër shkencor.

Zbrita me të shpejtë dhe ja ku shikoj të më afrohet zonja Manushaqe me një libër voluminoz në dorë. Plot 756 faqe!

– Është nga kopjet e para dhe njërën prej tyre po `jua dhuroj juve, – më thotë gjithë përzemërsi.

Nuk më mbetej tjetër, veç ta falënderoja me shumë respekt atë zonjë të nderuar.

Duke iu drejtuar shtëpisë sime, mendimi më çoi te një nga takimet e fundit që pata me të ndjerin, profesor Muin Çami. “Dhimitëri, më pat thënë, unë po i afrohem të nëntëdhjetave, kështu që nuk po mundem ta përfundoj një studim shumë të rëndësishëm, filluar shumë vite të shkuara”.

Dhe filloi të më tregojë, shkurt, studimin që kish nisur për Shqipërinë në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920. “Lerja ndonjërit amanet, – iu drejtova si me shaka, – se jo të gjithë shkencëtarët janë tjetërsuar në këtë kohë”.

Vuri buzën në gaz dhe ashtu, qetë – qetë, ma ktheu: “Ashtu do të veproj, por … ky problem është me disa të panjohura: E zemë se pranoi ai që do t’ia le amanet, por s’varej vetëm prej tij! Do të duhet që ta mirëpresin edhe kolegë e eprorë të tij, që ta përfshijnë në planet e tyre studimore.

Ja, ranë dakord edhe këta, por duhet të bjerë dakord edhe bordi botues, sepse kërkohen goxha fonde për ta hedhur në shtyp, kështu që …”.

I mendonte të gjitha profesori i paharruar. Dhe kishte të drejtë. Njohim mjaft të tillë, demek profesorë, që janë gati të të shkelin me këmbë kur bëhet fjalë thjesht për interesat e tyre!

Mirëpo profesor Muin Çami na e paskesh lënë studimin e vetë në dorën e një shkencëtari me dinjitet të lartë njerëzor e intelektual. Një historian fisnik, që e nderoi të ndarin nga jeta, duke ia vendosur emrin autor të parë të monografisë.

Sapo u ula në tavolinë, nisa të shfletoj faqet e para, filluar nga parathënia, ku …e mora të plotë përgjigjen e marakut të madh të mikut tim, profesor Muin Çami-të.

Ja ç’shkruan akademik. asoc. prof. dr. Marenglen Verli:

“Monografia “Shqipëria në Konferencën e Paqës (1919 – 1920)”, që botohet sot, është një projekt i nisur shumë kohë më parë nga studiuesi i pasionuar e tepër skrupuloz, prof. Muin Çami.

Pas dhjetëra viteve angazhimi të pandërprerë, në fund të viteve tetëdhjetë, ai kishte kryer një volum të madh pune, kishte hulumtuar në mënyrë shteruese dokumentacionin arkivor e bibliografik, që mund të sigurohej aso kohë brënda e jashtë Shqipërisë dhe kishte hartuar pjesën më të madhe të monografisë.

Ndryshimet në sistemin politik të vendit mbas vitit 1990 e shtynë në planet e profesorit të nderuar afatin e përfundimit të projektit. E kishte vlerësuar të nevojshme ta rishikonte punën e bërë.

Ndërkohë që përpunonte e botonte artikuj me tematikën e problemeve të lidhura me historinë e viteve 1990 – 1920, ai rishikoi disa pjesë të kapitullit të parë të monografisë, por mosha nuk e lejoi të përfundonte as rishikimin e kapitujve të shkruar dhe as të shkruante kapitullin e fundit.

Para disa vjetësh, më 4 tetor 2011, bashkëshortja e profesorit më telefonoi e më informoi se ai kërkonte të më takonte. Profesori i nderuar dhe miku im i shumë dekadave, i ra shkurt bisedës. Më tha, se 88 vitet që mbante mbi shpinë kishin bërë punën e vetë dhe se duhej të merrja përsipër të përfundoja monografinë e nisur prej tij. Ishte një kërkesë e përsëritur, e cila tani, në formën e amanetit, nuk lejonte diskutim”.

Në vazhdim të asaj parathëniejeje, akademik Verli shkruan, se “Do të më duhej, pra, mbi bazën e publikimeve të dekadave të fundit të plotësoja dhe, ku të ishte e nevojshme, të rikonceptoja 6 kapitujt e shkruar, të hartoja kapitullin e shtatë, të përzgjidhja një korpus dokumentesh, që duhej të shoqëronin monografinë, si edhe të realizoja të gjithë elementët plotësues për një monografi”.

Dhe, ca më poshët, akademik Verli vazhdon: “ I detyrohesha shumë prof. Muinit. E kisha njohur në vitin 1973, kur, pas përfundimit të studimeve universitare punoja për temën e diplomës, por një takim i rastësishëm me të në pranverë të vitit 1976 ndoshta ndryshoi rrjedhën e jetës sime. Ky njëri i jashtëzakonshëm më ftoi atë ditë të përgatisja një kumtesë për një simpozium kombëtar, që do të organizohej nga Instituti i Historisë nën kujdesin e tij. Një vit më pas, në formë artikulli materiali u botua në revistën “Studime historike”, organ i Institutit. Dëshira ime për të hulumtuar e botuar zuri fill pas kësaj. Pata fatin nga viti 1979 e në vijim të isha koleg i profesorit dhe të përfitoja shpesh nga këshillat, por edhe nga modeli i studiuesit këmbëngulës që ai ofronte pa e pasur qellim këtë”.

Prof. Dr. Muin Çami

Jeta

Prof. dr. Muin Çami është lindur më 13 shkurt 1923 në Gjirokastër në një familje atdhetare. Shkollën fillore deri të mesmen i kreu në vendlindje. Më 1940 nisi punën në ndërmarrjen “Selfo”, në vitet 1942 – 1943 ka punuar telegrafist në zyrat e PTT-së në Tepelenë. Në vitin 1944 del partizan dhe ngarkohet me detyrën e përgjegjësit të Stacionit Radiofonik të Brigadës VIII Sulmuese.

Mbas çlirimit Muin Çami vazhdoi punën radist në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të kaluar më pas, viteve 1946 – 1950, pranë Legatës së RP të Shqipërisë në Beograd. Kthehet që andej dhe punësohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku kontribuoi deri më 1953. Pas kësaj, emërohet shef në Sektorin e Tregtisë së Jashtme, për të kaluar, në vitin 1955, në Institutin e Shkencave dhe, më tej, në vitin 1957, në Institutin e Historisë.

Arsimin e lartë e ka kryer pa shkëputje nga puna në vitet 1951-1955. Më 1972 meritoi titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe më 1987 mbrojti “Doktoraturën”, duke fituar gradën “Doktor i Shkencave Historike”. Më 1994 i jepet titulli “Profesor”.

Vepra

Bashkautor i vëllimeve të dytë e të tretë të librit “Historia e Shqipërisë”,1965; bashkautor i vëllimit të tretë të librit “Historia e popullit shqiptar”, 2007; “Lufta antiimperialiste çlirimtare e popullit shqiptar në vitet 1918 – 1920”, Monografi, 1969 (Botuar edhe në frëngjisht); “Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare. (1914 – 1918)”,1987; “Shqipëria në Konferencën e Paqes, (1919 – 1920)”, Monografi; “Shqiptarët dhe francezët në Korçë (1916 – 1920)”; “Lufta e Vlorës dhe faktorët e fitores”; “Shqipëria në rrjedhat e historisë.

Përmbledhje studimesh. (1912 – 1924)”; ”Shqipëria gjatë Luftës I Botërore”; “Rifitimi Pavarësisë dhe mbrojtja e tërësisë tokësore. (1918 – 1921)”; “Përpjekje për demokratizimin dhe stabilizimin e shtetit shqiptar. (1921 – 1923); “Revolucioni i Qershorit 1924”. Artikuj të shumtë studimorë, si “Lufta e Vlorës”, “Kongresi i Lushnjës”, “Kufiri shqiptaro – grek sipas Konferencës së Paqes në Paris”, “Kongresi i Durrësit dhe formimi i Qeverisë së Përkohshme”, “Marrëveshja italo – shqiptare e vitit 1919”, “Pikëpamjet politike dhe shoqërore të Themistokli Gërmenjit”, “Lëvizja demokratike dhe revolucionare shqiptare në vitet 1921 – 1924” etj.

Një bashkëpunim interesant

Monografia “Shqipëria në Konferencën e Paqes (1919 – 1920)” me autorë prof. Muin Çamin dhe akademik Marenglen Verlin është një vlerë e shtuar në historiografinë shqiptare.

Konferenca e Paqës e Parisit, siç shkruan në parathënie akademik Verli, është mbajtur nga 18 janari i vitit 1919 deri më 21 janar të vitit 1920. Morën pjesë përfaqësues nga 27 shtete. Fituesit e mëdhenj të Luftës I Botërore, Franca, Britania e Madhe, SHBA, Italia dhe Japonia ranë dakord mes tyre për rikonfigurimin politik të hartës së Evropës, Azisë, Afrikës dhe ishujve të Paqësorit. Gjermania, Bullgaria, Turqia, Austro-Hungaria qenë shtete të palës së mundur.

Shqipëria nuk konsiderohej as pjesë e palës fituese, por as pjesë e palës humbëse. Veçse lipset të kemi parasysh faktin, se në në këtë periudhë Shqipëria qe bërë shesh lufte jo vetëm i ushtarëve të shteteve fqinje, por edhe i disa shteteve të tjera jo në kufi me vendin tonë.

Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar në Paris shpresonin, se të Mëdhenjtë e qeverive franceze, britanike e italiane do të mbështesnin tezën e Presidentit amerikan Uillson për zbatimin e parimit për vetëvendosje.

Mirëpo kjo nuk u mor parasysh nga të Mëdhenjtë e tre shteteve të fuqishme fituese.

Përfaqësuesit shqiptarë në Paris, shkruan akademik Verli, u nëpërkëmbën dhe trajtimi i çështjes shqiptare shkoi në drejtimin që çonte në ricopëtimin e trevave të tjera shqiptare në interes të Italisë dhe të fqinjëve ballkanas, si edhe në asgjësimin e Pavarësisë së fituar 7 vjet më parë!

Në këtë monografi lexuesi i interesuar do të mund të gjejë reagimet e faktorit shqiptar në nivele zyrtare e popullore, siç do të mund të gjejë qëndrimet e delegatëve të ndryshëm shqiptarë në Paris, qëndrimet e qeverisë së Durrësit, rolin e Esat Pashë Toptanit, luhatjet e të Mëdhenjve në trajtimin e çështjes shqiptare gjatë përpjekjeve për gjetjen e konsensusit midis Italisë, Mbretërisë së porsakrijuar Sërbe-Kroate-Sllovene (Jugosllavisë) dhe Greqisë.

Gjithashtu, sikurse shkruan akademik Verli, lexuesi i vëmendshëm do të mund të mësojë dilemat midis vet të Mëdhenjve gjatë rikonfigurimit të qëndrimeve të tyre, siç do të mësojë edhe rolin e delegacionit amerikan dhe posaçërisht të presidentit Uilson etj. etj.

Monografia është një minierë e tërë informacioni, ku çdokush do të mund të kuptojë objektivitetin e qëndrimeve të të gjithë atyre figurave kombëtare e ndërkombëtare, që qenë protagonistë në Konferencën e Paqës në Paris.

Ndërsa kam parasysh dy historianët e shquar, të ndjerin Muin Çami dhe akademikun Marenglen Verli, më vjen ndërmend një përcaktim i shkëlqyer i Shekspirit: pamja fizike është një skicë; është karakteri që e bën njeriun kryevepër.