Video/Dy vijat e gjakut midis Turqisë dhe Shqipërisë

Video/Dy vijat e gjakut midis Turqisë dhe Shqipërisë

438
0
SHPËRNDAJE
Gati 100 vite më parë, 5 vëllezërit Seldo u ndanë për të vazhduar karrierën ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë.

Tre prej tyre arritën grada të larta në Turqi, ndërsa vetëm njëri mundi të linte pasardhës. Nga dy djemtë e mbetur në Shqipëri, Shykyriu humbi jetën së bashku me Zija Dibrën, kurse djali i mbetur gjallë, Qazimi, u martua dhe pati një vajzë: Dallëndyshen.

Edhe pse dy vijat e gjakut u ndanë midis Shqipërisë dhe Turqisë, ajo u rrit nga babai me frymën për të gjetur kushërinjtë në tokën e largët. Në atë kohë, Shqipëria ishte një vend i izoluar, por – paçka vështirësive – kërkimet vazhduan nëpërmjet konsullatave gjatë viteve ’86, ’97, ’99 dhe 2001, pa dhënë asnjë rezultat.

Dallëndyshja nuk e dinte që xhaxhai i saj në Turqi kishte marrë mbiemrin e gruas. Falë djalit të saj, Flamurit, ata arritën të binin në gjurmët e tyre.

Trashëgimtari quhej Tefik Fikret Oktaj. Ai jetonte në Ankara dhe nuk e dinte se në Shqipëri kishte ende pasardhës. Pas shumë kërkimesh, familja lidhet me të fillimisht në telefon. Takimi i parë u bë në Aeroportin e Ankarasë. Lotët dhe përqafimet ishin të pashmangshme.

Gati për një shekull e kishin kërkuar kaq shumë njëri-tjetrin dhe papritur ëndrra u bë realitet. Më pas, vizita në Shqipëri ishte ajo që mungonte. Në shkurt Tefiku, së bashku me nusen dhe katër djemtë, erdhën në tokën e të parëve.

Edhe pse nuk dinin asnjë fjalë shqip, gjuha nuk kishte rëndësi. Flitej me përqafime, lotë dhe mall. Pas një fundjave në Shqipëri, momenti më prekës padyshim ishte ndarja në Aeroportin e Rinasit. Por ndryshe nga largimi i parë, tani familja është bashkë, me premtimin që nuk do ndahet më kurrë…