Berisha: Bashkimi kombëtar është një ideal që nuk shuhet kurrë

    323
    0
    SHPËRNDAJE

    00:32 – “Bashkimi kombëtar është një ideal që nuk shuhet kurrë”, ka thënë Sali Berisha, dikur president dhe pastaj kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

    Në një intervistë të tij për Kohavisionin, ku ai ka folur për marrëdhëniet e tij me Kosovën që nga fëmijëria e deri në kohën e pavarësisë, duke folur për shpalljen e Republikës së Kosovës, ka thënë se kur arritjet maksimale nuk janë të mundshme, duhet pranuar arritjet optimale.

    Duke uruar një zhvillim sa më të madh dhe të qëndrueshëm për Shqipërinë dhe Kosovën, Berisha ka thënë se ideali i bashkimit kombëtar nuk vdes kurrë.


    Berisha tregon çfarë e kishte pyetur George W. Bush për pavarësinë e Kosovës

    00:09 – Duke folur për takimin e tij aq të njohur me presidentin amerikan George W. Bush më 2007, kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se presidenti amerikan e kishte pyetur se kur mendonte se duhej shpallur pavarësia e Kosovës.

    Teksa ka kujtuar këtë takim, Berisha ka thënë se stafi i presidentit amerikan ishin shtangur duke menduar që ai do të kërkonte që Kosova të shpallej e pavarur brenda dy javësh.

    Por sipas tij, ai i kishte thënë kreut amerikan Bush, që meqë ai e kishte ndarë mendjen për ta ndihmuar Kosovën, të merrte kohën e nevojshme.


    Çfarë biseduan Berisha dhe Bush mbi hartën e Kosovës më 1992

    Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha duke folur për takimin e tij me presidentin amerikan George Bush më 1992, në një intervistë ekskluzive për KTV-në ka thënë se biseda e tyre për Kosovën është zhvilluar mbi një hartë, ku ai i ka shpjeguar presidentit Bush rrezikun e dëbimit të shqiptarëve të Kosovës nga Sllobodan Millosheviqi.

    “Nuk mund të them se SHBA-ja kishte një plan, një projekt për Kosovën, por ajo që i thash Bushit ishte se situata në Kosovë është dramatike. ‘Millosheviqi ka një projekt dhe ky projekt është ndarja e Kosovës, përzërja, spastrimi etnik i shqiptarëve dhe nisja e tyre drejt rrafshit të Dukagjinit dhe Shqipërisë’.

    I kam thënë se Shqipëria nuk po sulmon, por nëse Millosheviqi merr hapin më të vogël në këtë drejtim, shqiptarët do të hapin kufijtë dhe do të luftojnë si një komb të vetëm. ‘Ne kemi këtë histori, na ndanë e na copëtuan dhe prapë po na sulmojnë. Përse t’i lëshojnë njerëzit shtëpitë e tyre ku jetuan për 1000 vjet’. Aty më ktheu ‘Ke të drejtë’”, ka shpjeguar Berisha.

    “Presidenti Bush ka shpallur vijën e kuqe për Kosovën”, ka thënë më tej ai Berisha.

    kur është pyetur nëse ka pasur edhe një vijë të kuqe që ka qarkuar hartën e Kosovës, Berisha ka thënë se nuk i kujtohet, por pa e mohuar një gjë të tillë.