Ja ne c’gjendje eshte varri i Shote Galice

Ja ne c’gjendje eshte varri i Shote Galice

1730
0
SHPËRNDAJE

Në të dalë të Fushë-Krujës, në rrugën e vjetër që të çon drejt Laçit, në një rrugë pa rrugë e prishur nga makinat e tonazheve të larta që sjellin çimenton, aty në një cep, gjendet sot varri i Heroinës së Kombit, Shote Galica.

Ai që kalon aty dhe e duron renë e pluhurit që ngrenë këto makina do të mbetet i shtangur nga imazhi, që i mbetet para syve. Ferra dhe bimësi e harlisur, një përkujtimore e një nuseje të re, ia kanë zënë frymën përpara këtij kompleksi, që i shtohet edhe një rruginë krejt e prishur dhe një kanal përpara.

Këto janë e gjithë rekuizita e këtij vendi, që imagjinohet t’i japë paqtimin e përjetshëm heroinës kosovare. Iku nga Kosova më 1926 që t’i shpëtonte represionit serb, por në Shqipëri u la të vdiste si mos më keq.

Paradoksi është se sot në demokraci, me dy shtete shqiptare, ajo është njësoj e harruar dhe e nëpërkëmbur si imazh.

Kur do mbyllte jetën më 3 korrik të 1927, do kishte fare pak njerëz me vete, njësoj si i shoqi, që do qëndronte me dekada i varrosur në një hon, thjesht mos ta gjenin serbët dhe tradhtarët, që nuk i mungojnë këtij kombi.

Na takon ne, që teksa nderojmë pa fund njerëz, që t’i gjejmë një vend të denjë prehje kësaj gruaje, që nuk dimë t’ia ketë bërë ndokush më parë nga zyrtarët shqiptarë dhe kosovarë. Më e mira e të mirave është që këtë grua të mrekullueshme ta nderojmë ashtu siç duhet, siç është bërë edhe me të shoqin e saj, heroin Azem Galica.

Ky çift trimash, që lindën në zemër të Kosovës, në Drenicë, mbase i duhet të varrosen sërish bashkë atje ku e kanë vendin, për t’u kujtuar, por edhe të na kujtuar sesa mosmirënjohës jemi. (BW) /albeu.com