Gjurmët e Mujës dhe Halilit në Drenicë

Gjurmët e Mujës dhe Halilit në Drenicë

1828
0
SHPËRNDAJE

Në maje të një kodre, jo fort të lartë, pa u lëkundur nga shekujt rri ende guri i Mujës.  Muja dhe Halili nuk kanë mbetur vetëm legjendë tek shqiptarët. Gjurmët e ekzistencës së tyre po ruhen ende në një fshat malor të Kosovës. Me një diametër rreth një metër e gjysmë, guri, që Muja sipas legjendës e kishte gjuajtur nga Çyçavica në fshatin Morinë (Marinë) të Skenderajt, qëndron ende aty.

Ai nuk ka lëvizur asnjëherë nga ai vend, ku sipas banorëve vendas e kishte hedhur vetë Muja i legjendës. Legjendat shqiptare rrëfehen ende sot në mesin e popullatës. Mirëpo, gjurmët e këtyre legjendave ka pak njohuri se ekzistojnë. Në disa vende të Kosovës, qeniet njerëzore, objektet, figurat që përbëjnë legjendat janë ruajtur. Banorët e fshatit Morinë besojnë se tre gurët (njëri i Mujës, njëri i Halilit dhe një i Talit) janë të shenjtë dhe askush deri më tani, siç rrëfejnë vetë ata (banorët), nuk ka guxuar dhe as nuk guxon t’i dëmtojë. Nga të parët e tyre kanë trashëguar rrëfime nga më të ndryshmet. “Kush guxon të prekë këta gurë e zë mallkimi”, është amaneti që përcillet brez pas brezi për gurët.

Kemajl Gucati, banor i këtij fshati, thotë se ashtu siç i sheh sot gurët, janë ashtu siç u kanë treguar paraardhësit. “Asnjëherë nuk ka ndryshuar pamja e tyre”. Thotë ai për “Zërin”. Gucati tregon se nuk ka ndodhur që dheu rreth tyre të mblidhet ose të shembet. Ai thotë se as bora nuk rri mbi ta. Frika nga mallkimi i gurëve dhe pasojat ka ruajtur formën e gurëve dhe i mban të padëmtuar shekuj pas legjendës së thurur për Mujën e Halilin.

“Pleqtë na kanë  treguar sesi një plak i katundit kishte pas tentuar ta thyejë një gurë, ai ishte munduar gjithë ditën ta bëjë këtë dhe nuk ia kishte arritur, por në mbrëmje ia hoqën një copë. Kur ky plak, siç na tregonin pleqtë, kishte shkuar në shtëpi, ai kishte gjetur të çmendur familjarët”, thotë Gucati për “Zërin”. E në gurin e Mujës, që sipas banorëve është guri kryesor nga të tre gurët, shihen gjurmët se është thyer dhe i mungon një pjesë. “Me ma dhanë krejt dyjen unë nuk shkoj me i prek. A është e vërtetë ajo nuk e di, po unë nuk e provoj”, thotë më tej Kemajli. Ai tregon se edhe gishtat e dorës së Mujës janë në gur, por kjo pjesë shihet më pak pasi që është në pjesën e gurit të kapur për tokë.

 Misteri i vdekjeve pas prekjes së gurit

Një ngjarje që e mbajnë në mend më të moshuarit e fshatit është ajo kur është ndërtuar shkolla e fshatit Morinë, në vitit 1996. “Kur është ndërtuar shkolla e kanë lëvizur gurin dhe kah kanë shuar të katër mjeshtërit kanë pësuar aksident dhe kanë vdekur”, tregon Kemajl Gucati.

81-vjeçari, Jetullah Gucati, tregon se në gurë janë shenjat e gishtërinjve, por gurët janë rrotulluar dhe shenjat janë në pjesën kah toka. Si banorët e tjerë të fshatit edhe Gucati thotë se gurët nuk guxojnë të dëmtohen. “Pleqtë tregonin se një fshatar e ka thyer njërin nga gurët dhe i është çmendur gruaja. Djali i i ishte bërë me gung dhe ka vdekur pas lufte. Nuk ka munduar të lëvizë hiç”, tregon Jetullah Gucati për gazetën, e po ashtu tregon edhe historinë e serbëve që kanë vdekur në një aksident pasi kanë lëvizur gurët kur është ndërtuar shkolla.

Për gurin e Mujës, që është i shpuar në mes, Jetullah Gucati thotë se aty çdo vit del nga një gjarpër. Ai tregon edhe për bunarin që është në kodër e askush nuk e  di kur është hapur. “Bunari që është në kodër nuk e mban mend askush se kur është hapur. Bunari është nën gurin e Mujës”, ka treguar Gucati, duke shtuar se në po atë kodër paska qenë edhe një kishë katolike. “Fqinji që e ka pasur shtëpinë aty, kah lëvronte gjente varre aty, e askush nuk i mban mend ato varre”, thotë ai, duke shtuar se askush nuk guxon t’i dëmtojë gurët. “Sepse pa të gjetur diçka nuk e lë”, shprehet ai.

Muhamet Hoti, një tjetër banor i këtij fshati, thotë se gurët kanë qenë dhe janë të shenjtë. “Nuk kemi guxuar të kalojmë kah ata. Kushdo që i ka prekur iu ka pa sherrin. Janë bërë me behane”, ka thënë Hoti, derisa ka treguar historinë e një bashkëfshatari të tij. Për kodrën pran së cilës janë gurët e kreshnikëve, për të cilët rapsodët kanë thurur mijëra vargje, Hoti thotë se ka qenë kodër me bari e disa njerëz e kanë prishur për ta shtruar rrugën, të pestën disa ditë janë aksidentuar dhe kanë vdekur. “Këta ishin serbë që kanë marrë gurë nga kodra dhe vdiqën mistershëm”, shprehet ai, derisa thotë se gurët gjithmonë kanë pasur fuqi. “Pleqtë nuk kanë guxuar t’i prekin, nuk i prekim as ne. Njëri gurë është shembur, por nuk po guxon ta prekë asnjë njëri”, ka treguar Hoti.

 Gurët e Morinës, “të shenjtë”

Se gurët janë të shenjtë Muhamet Hoti tregon një histori që lidhet me familjarë të tij. “Është sëmurë një grua tek miqtë, atëherë nuk kishte makina, dhe me traktor e kemi dërguar tek një hoxhë në fshatin Drenoc, tek mulla Osmani. Kur kemi shkuar atje kemi hyrë në odë, ajo ishte veç gjallë. Kur hoxha i shkruante, e kam dëgjuar se e përmendte, Pusi i Dobranit, Pusi i Kodrisë edhe gurët e Morinës. I dha hajmali dhe gruaja u shërua”, ka thënë  Hoti, i cili beson se gurët janë të shenjtë. “Guri i mesit e ka një lloj shkalle, i ka pas edhe vendet e filxhanëve që ka pirë kafe”, thotë Muhamet Hoti, duke iu referuar gurit të Halilit.

Gurët e Mujës e Halilit janë të shenjtë edhe për Besim Gucatin. Ai thotë se gurët nuk kanë lëvizur kurrë, janë në të njëjtën gjendje prejse i kanë gjuajtur Muja e Halili. “Thonë se në fashat dikush e ka thyer një copë të tij dhe i është çmendur djali. Ata janë gurë të shenjtë dhe me i prek nuk bon”, ka thënë Gucati, duke shtuar se gurin e ka thyer me çekan, ka nisur me të ta ndërtojë shtëpi, në mbrëmje i është çmendur djali dhe më askush nuk i ka prekur ata gurë. “Edhe fëmijët e dinë që janë të shenjtë”, shton ai.

Kemajl Gucati tregon së në malin pranë fshatit është fërkemi i kalit të Mujës. “Në mal është fërkemi i kalit të Mujës, që është shumë e madhe dhe kurrë nuk është dëmtuar. Atë nuk e mbulon dheu”, ka treguar Gucati, i cili ka thënë se babai i tij ka vizituar kullën ku kanë lindur Muja e Halili.  “Ai tregonte se vendi ku Muja e ka lidhur kalin ka qenë 5 a 6 metra e lartë. Ata kanë qenë kreshnikë”, ka thënë Gucati. E nga vizita që babai i tij i kishte bërë kullës në fshatin që legjenda tregon se ata kanë lindur, i ka sjellë atij edhe një tjetër rrëfim.

“Kur i kanë rrethuar armiqtë, Muja nga hidhërimi i ka mëshuar kullës dhe fërkemi që ka mbetur në kullë ka qenë aq e madhe sa nxinte 100 thasë miell”, kujton Kemajl Gucati, nga ngjarja që i kishte treguar babai i tij.

Të tre gurët, i Mujës, i Halilit dhe ai i Talit, janë pranë shkollë së fshati, ndërsa fëmijët rriten duke mësuar legjendën për gurët dhe për fatkeqësinë që sjellin nëse i dëmtojnë. E krahas kësaj, ata ishin aty duke bërë fotografi.

“Edhe fëmijët janë të njoftuar se nuk duhet t’i dëmtojmë dhe askush nuk i prek.

I shoh nxënësit që bëjnë ‘selfie’, tek gurët, por nuk iu bëjnë dëm”, shprehet Kemajl Gucati.

Njerëzit jetonin bashkë me perënditë

Historia e Gurit të Kalluxherit është një tjetër legjendë, në të cilën njerëzit ende besojnë. Guri është në fshatin Brut dhe njihet me toponimin “Guri Kalluxherit”. Banorët e këtij fshati besojnë se guri është i shenjtë. Duke u konsideruar si i tillë deri para disa vitesh gra që nuk kanë lindur fëmijë, si pasojë e sterilitetit, në kërkim të fatit dhe shpresës se mund të lindnin fëmijë kanë vizituar “Gurin Kalluxherit”. Ato janë rrëfyer para “Gurit të Kalluxherit” dhe i janë lutur perëndisë që t’iu falë fëmijë. Te “Guri i Kalluxherit” gruaja e pafat vendoste veshin dhe dëgjonte perëndinë tek përkundte djepin. Rituali më pas vazhdonte te “Shpella e Zgatarit” dhe të “Vorri i Madh” në Zgatar. Vite më parë, pranë “Gurit të Kalluxherit” është gjetur një kryq i vjetër i krishterë i farkëtuar. Besohet se aty ka ekzistuar ndonjë kishë ose manastir mesjetar.

Kalaja e Novobërdës, për të cilën thuhet se daton që nga Perandoria Bizantine, që ishte qyteti dhe qendra më e madhe tregtare, ekonomike dhe xehetare në Ballkan, mban në vete një legjendë të dhimbshme, e që është ajo kur babi mbyti të birin. Figura që gjendet në një nga muret e Kalasë së Novobërdës, sipas gojëdhënave që tregojnë banorët, lidhet me një fëmijë dhe formën e bukës (rrumbullakët). Legjenda thotë se babai e mbyt të birin me çekan, pasi ky shkon t’i dërgojë bukën që i kishte gatuar e ëma e tij në mënyrë që i ati ta njoh të birin, të cilin nuk e kishte parë me vite, për shkak të punës që bënte në Kala. I tronditur nga fakti se kishin kaluar siç thotë legjenda 10 vjet dhe i ati nuk e njihet të birin, që edhe i biri të mos e ketë fatin e tij, që krejt jetën ta kalojë rob, duke ndërtuar mure në këtë kala, e hedh nga Kalaja të birin.

Novobërda (Artana), në të kaluarën ishte vlerësuar si një nga qytetet më të pasura në Ballkan për shkak të burimeve natyrore, prandaj edhe ka marrë epitetin me të cilën është quajtur jo rrallë si “Qyteti i argjendit dhe i arit”, ngase aty kanë qenë minierat dhe furrat e shkrirjes për xehe, si: hekur, plumb, ari dhe argjend. Në këtë vendbanim historik gjenden edhe mbetjet e një katedraleje si kisha e Shën Marisë, kisha e Shën Gjonit, tyrbja dhe disa varreza të vjetra, shumica prej tyre në afërsi të Kalasë. Të dhënat historike, në shekullin e XV, thonë se Novobërda kishte 45,000 banorë. Kalaja është ndërtuar gjatë viteve mesjetare në qytetin e Novobërdës, 42,61778 metra në gjerësi.

zeri.info