Çfarë ishte dhe si organizohej Lotaria Kombëtare në vitet ’30 në Shqipëri?

Çfarë ishte dhe si organizohej Lotaria Kombëtare në vitet ’30 në Shqipëri?

595
0
SHPËRNDAJE

Në vitet ’30 në Shqipëri do të organizohej një Lotari Kombëtare. Lotaria Kombëtare ishte monopol i shtetit që me një ligj të veçantë iu dha Kryqit të Kuq që në atë kohë drejtohej nga një nga motrat e mbretit Zog, princesha Senije. Nga ky aktivitet, Kryqi i Kuq siguronte 10 deri në 13 mijë franga ari në vit. Referuar raportit të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1937, rezulton se çmimi i një bilete ishte 3 lek. Ndërkohë, çmimi i madh arrinte në rreth 1.200- 1.600 franga ari ndërsa nuk mungonin edhe çmimet e tjera të vogla.

Kryqi i Kuq, nëpër këtë lodër të lejueme mendon, ma tepër se me i sigurue vehtes një fitim, qi t’i japë popullit indirekt një ndihmë, mbasi me tre lek, qi asht çmimi i nji bilete, njeriu mund të bahet zot i nji kapitali të vogël prej fr.ari 1.600 me nji herë; pa përmendë këtu fitimet e tjera të vogla.

Ata qi kanë fitue çmimin e madh, gati çdo muej ka rastisë fatbardhsisht të jenë të vorfën, dhe me këtë fitim kanë përmirsue, sadopak, ekonomin e tyne shtëpijake ose tregtare.

Simpatija me të cilën pritet në popull lotarija, i ka dhanë tagër e shtytje Kryqit të Kuq me shumzue numrin e biletavet të saj, çka ka me shtue edhe fitimin e privatvet e si konsekvencë dhe t’ardhunat e institutit, tuë i dhanë këtij dorë me zgjanue në këtë proporcjon veprat e bamirësis, qi asht qëllimi kryësuer i themelimit të tij” shkruhet në raportin e Mbretërisë që u botua me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Kryqi i Kuq Shqiptar do të siguronte të ardhura edhe nga pasuritë e luajtshme e të paluajtshme që kishte. Në listën e pasurive të paluajtshme ishin 700 rrënjë ullinj në fshatrat Kryezi e Përcllesh të Tiranës, 600 hektarë tokë në Xhafzotaj ku ishte edhe stacioni zooteknik, pylli i Divjakës që shfrytëzohej për lëndën drusore por që planifikohej të kthehej edhe në një kamp veror për fëmijët e jetimores, sipërfaqja e tokës në Sarandë ku planifikohej ndërtimi i godinave për turistët e huaj si dhe pasuritë e luajtshme si pullat taksore, shitja e flamujve, pullat postare, kontributi i bashkive (për çdo jetim të sjellë në jetimoren e Kryqit të Kuq paguhej bursë 400 franga ari/vit), letrat me vlerë, depozitat bankare (7 mijë franga ari në vit interesa) si dhe të ardhurat nga lëvizja e kapitalit, ku  Kryqi i Kuq i kishte dhënë një kompanie çimentoje në Shkodër një kredi 175 mijë franga ari me afat 6 vjeçar.

Sa i përket ndihmave nga popullata, raporti evidenton se në këtë pikë Shqipëria “lë për të dëshiruar” pasi siguroheshin vetëm 1 mijë franga ari në vit.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq kishte si mision t’u vinte në ndihmë të varfërve, të sëmurëve dhe jetimëve. Për këtë qëllim kishte në administrim Strehën Vorfnore (jetimoren), dispanserinë, klinikën dentare, autoambulancën si dhe qendrën e emërtuar “Supa Popullore” ku ushqeheshin rreth 300 persona.

Kreshnik KUÇAJ/SCAN