Heroi Isa Boletini, frymëzim për shumë patriot shqiptarë

Heroi Isa Boletini, frymëzim për shumë patriot shqiptarë

1299
0
SHPËRNDAJE

Zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe përfaqësues të trojeve tjera shqiptare e kanë vlerësuar lartë heroin Isa Boletini, duke e quajtur frymëzues të shqiptarëve ndër vite.

Basha: Isa Boletinit i premtuan shumë gjëra, por ai nuk e ndërroi Kullën.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulëzim Basha gjatë fjalimit të tij në stadiumin “Adem Jashari” tha disa fjalë për heroin e kombit, Isa Boletinin.

“Nga sot baca Isë do të prehet në tokën e tij, në Kullën e tij të pamposhtur, në Kosovën e lirë. Sot Mitrovica dhe familja Boletini realizojnë amanetin e tij, amanetin e gjithë shqiptarëve. Ky amanet është dyfish i përmbush, pasi që do të jetë në Kosovën e pavarur. Burra si Isa Boletini janë gjeneza e pavarësisë. Pavarësia e Shqipërisë kujtohet edhe me emrin e Isa Boletinit. I premtuan Isës armë e prona, por nuk e ndërroi kurrë me gurët e Boletinit sepse kishte besë dhe i kishte dhënë besë nga Mitrovica e deri në Vlorë. Ndihem krenar që jam sot bashkë me ju, që kam gjak si gjak i tij, dhe që do të përulem pranë varrit të tij për t’ju treguar fëmijëve tanë me krenari për heroin e kombit shqiptar, kush ishte Isa Boletini. Ai do të jetë mes nesh siç e meriton, siç ishte dhe është amaneti i tij, lavdi për jetë”, u shpreh ndër të tjera, Basha.

Nishani: Sot i rrëfehemi Isa Boletinit se shqiptarët i kanë dy shtete
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani tha para të pranishmëve në ceremoninë për nder të heroit, Isa Boletini se sot historia mëson prej vullnetit dhe kujtesës së një populli, sot ajo rishkruhet duke përmbyllur rrugëtimin e lavdishëm të heroit, Isa Boletini.

“E paharrueshme do të jetë për mua kjo ditë”, u shpreh presidenti Nishani.

“Frymëzuesi i shqiptarëve kthehet në Kosovën e lirë dhe të pavarur. E paharrueshme do të jetë për mua kjo ditë. Na ka munguar ky altar i lutjes kombëtare në Boletin të Mitrovicës. Panteoni pa të do të ishte i gjymtuar”, u shpreh Nishani.

“Që shqiptarët të qëndrojnë. Që shqiptarët të ringrihen. Që shqiptarët të fitojnë të drejtat e tyre kombëtare dhe Isa Boletini është kryedëshmori ynë. Isa Boletini është bëma, gjesti, shembulli, thagma, kolona e tempullit shqiptarë ndër mote. Sot e kemi dhe i rrëfehemi Isa Boletinit se shqiptarët kanë dy shtete të tyre të pavarura në Ballkan të lira dhe demokratike”, shprehet ndër të tjera, Nishani.

Mustafa: Isa Boletini, model për patriotët shqiptar

E plotësuar: Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë manifestimit në nder të heroit, Isa Boletini tha se sot në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, po nderojmë heroin e Kosovës, ashtu siç ngjet gjithmonë me njerëzit e epokave të mëdha.

Mustafa tha se heroi Isa Boletini, po i rikthehet vendlindjes së tij, duke udhëtuar më parë nëpër qendrat kosovare, ku ka përcjellë mesazhin e unitetit dhe bashkimin vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe, të një fati dhe të një ëndrre.

“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin e 1912, ka qenë akti më i rëndësishëm i shekullit XX për shqiptarët. Pas kësaj ngjarje të madhe e kemi pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008. Figura e Isa Boletini ka qenë model për jetën dhe flijimin për shumë patriot shqiptar. Përtej simbolikës, kthimi i eshtrave është detyrim shtetëror ndaj këtij vigani të historisë tonë kombëtare dhe inspirim për brezat tanë të ri”, ka shtuar Mustafa. /Telegrafi/

Veseli: Rehatohu baca Isë, se Kosova dhe Shqipëria janë mirë

E plotësuar: Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se heronjtë kthehen të fundit nga beteja dhe i tillë është edhe heroi Isa Boletini.

“Rehatohu baca Isë, se Kosova dhe Shqipëria janë mirë”, u shpreh Veseli.

Rrëzohet skena në ceremoninë për heroin, Isa Boletini

E plotësuar: Me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror ka filluar ceremonia kryesore e manifestimit treditor në nderim të heroit, Isa Boletini, ndërkaq për shkak të erës është rrëzuar skena ku pritet të flasin zyrtarët e shtetit.

Të pranishëm aktualisht janë kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, Princ Leka II me bashkëshorten, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Ndërkaq, përkundër paralajmërimeve për pjesëmarrje, duket se presidentja Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi nuk do të jenë të pranishëm.

Mitrovicë, krerët e shtetit pritet ta nderojnë heroin, Isa Boletini

Arkivoli me eshtrat e heroit, Isa Boletini është përcjellë nga garda e FSK-së për në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’, ku pritet të mbajnë fjalime krerët e shtetit.

Telegrafi raporton se në këtë tubim në nder të heroit Isa Boletini do të jenë të pranishëm presidentja e vendit, kryeministri, zyrtarë tjerë shtetëror, pastaj përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Po ashtu në nderim të figurës së Isa Boletinit do të ketë një program artistik.

Arkivoli me eshtrat e heroit Isa Boletini do të udhëtoj për në varrezat në Boletin në ora 14:30, ndërsa të pranishëm do të jenë vetëm familjarët dhe të ftuarit. /Telegrafi/

http://telegrafi.com