Mujë e Halil që ngrenë gurë e shkëmbinj

Mujë e Halil që ngrenë gurë e shkëmbinj

1310
0
SHPËRNDAJE

Eposi i kreshnikëve janë këngë epike që  shoqërohen me lahutë. Ato radhiten ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve. Janë ndër eposet e fundit aktivë në Evropë dhe me të drejtë pretendohet të jetë pjesë e arealit të epikës botërore. Zona ku këndohet eposi i kreshnikëve janë zona e Malësisë së Madhe, Dukagjin, Has, Gjakovë, Prizren, Deçan, Rahovec etj. Në qendër të këtij eposi qëndrojnë dy vëllezërit Muji dhe Halili, por dhe këngë të tjera ku një ndër më të famshmet është “Vaji i Ajkunës”.

Prej kohësh po kërkohet që Eposi i Kreshnikëve të njihet si trashëgimi e UNESCO-s dhe në fakt e meriton një vend të tillë për rëndësinë e madhe që kanë në trashëgiminë e veçantë kulturore të popullit tonë. Historiani i njohur, prof. dr Shaban Sinani është një nga njohësit më të thellë të Eposit të Kreshnikëve. Ai do të na shpjegojë tezat e tij lidhur me këtë epos dhe të gjitha kërshëritë që mund të kenë lexuesit lidhur me këtë trashëgimi të vyer kulturore. Por si të gjithë dhe për ne pyetja fillestare është se kur ka lindur ky epos.

Sipas prof. dr. Shaban Sinanit ka disa teza në lidhje me kohën e formimit të Eposit të kreshnikëve.  Një prej tezave është se Eposi është i periudhës ilirike. Por kjo bie poshtë se nuk ka asnjë fakt që e vërteton. Shkenca e historisë bazohet mbi fakte dhe dokumente. Ndaj teza më e besueshme sipas profesorit,  është që Eposi shqiptar ka lindur në kohën që janë krijuar dhe Eposet e tjera, si eposi francez (Kënga e Rolandit) apo me eposin spanjoll dhe me epet e tjera të popujve të Evropës. Teza ilirike, kryesisht mbështetet nga idetë patriotike, e cila ka pasur gjithnjë dëshirë të lashtësojë sa më shumë këtë trashëgimi, nga më të rëndësishmet për një popull. Shkenca realiste duke përfshirë dhe autorë shumë të rëndësishëm si Aleks Buda, i janë përmbajtur mendimit që Eposi i shqiptarëve është i njëkohshëm me eposet e tjera të Evropës.

Epopetë evropiane u krijuan kur në Evropë u shfaq Tjetri. Tjetri në Evropë janë ata që quhen mauro, pra të zinjtë. Që në fakt do të thonë arabët. Bota arabike kontinentin Evriopian e preku nëpërmjet Spanjës, Francës dhe më pas në drejtimin e thellësisë së Evropës. Në të gjitha epopetë e popujve ka dy palë që janë : morët dhe pala e vetë. Pra ne dhe tjetri. Në eposin shqiptar ky tjetri nuk është gjithnjë një. Në eposin shqiptar ka dy palë, dhe pa diskutim në një pjesë të mirë të tij tjetri është ashtu si në epopetë e tjera të Evropës. Pra kur thuhet :”Një arap i zi ka dalë prej detit” është fjala për botën arabike që u shfaq në Evropë pas shekullit VIII. Jo vetëm u shfaq por rrojti në “ golden age” për disa shekuj, sepse nuk ishte në konflikt me Evropën dhe vetëm kur u përftua si rrezik, lindën kalorësit e mbretërve që duhet të mbronin vendin e tyre prej një race tjetër që sapo ishte shfaqur.

Sigurisht në eposin shqiptar më dendur tjetri është shkjau, por nëqoftës se i vendosim të dyja këto në kalendar janë dukuri të njëkohshme. Sllavët në Ballkan mbërrijnë në shekullin e VI, jo në mënyrë ekspansive por dalëngadalë. Jo me luftë, por me ndërhyrje të ngadalshme dhe kryesisht në vende malore, pra në bjeshkë dhe jo në qytete. Praktikisht ky tjetri, sllavi, del si kundërshtar më vonë në shekullin X-XI, dhe në këtë pikëpamje profesor Aleks Buda ka plotësisht të drejtë. Eposi shqiptar është epos evropian. Është krijuar në një kohë kur kombet  filluan fazën fillestare të vetëidentifikimit dhe faza më e hershme e identifikimit etnik është kur ti kupton se kush është tjetri. Kur ti kupton që ke përballë dikë që është i ndryshëm nga ti. Eposi shqiptar e thotë shumë qartë këtë. Nuk thotë foli në gjuhën shqipe, thotë që foli në gjuhë të vet.

Natyrisht, kjo nuk do të  thotë që eposi shqiptar nuk ka shtresa më të hershme. Po për një gjë profesori është i sigurt, Eposi i heronjve legjendarë është kënduar në shqip. Nëse eposi shqiptar do ishte kënduar në ilirisht, do ishte një ngjarje shumë e madhe sepse ilirishtja është e panjohur. A ka një kohë ilirike brenda eposit? Sigurisht që po. Ka patjetër një kohë antike. Eposi është shumë stresor. Është si një palimsest. Ndaj në mënyrë retrospektive mund të gjendet gjithë historia e shtresave të eposit. Eposi shqiptar, pikërisht kur dalin këngët e ciklit të betejës së Fushë-Kosovës cikli mbyllet. Kjo është ligjësi. Kur fillon epika historike,  epika legjendare mbyllet. Cikli i Betejës së Fushëkosovës që e ka botuar dhe Robert Elstie është fillimi i epikës historike shqiptare dhe mbarimi i epikës legjendare

Mendimi i profesori Sinanit, i njëjtë me atë të Aleks Budës, është se periudha që i takon lindjes së Eposit është shekulli i XI-XII. Kjo është koha e formimit të tij.