Polovina:Pasardhësit e Skënderbeut
s’u shuan, ja martesat dhe fëmijët

Polovina:Pasardhësit e Skënderbeut
s’u shuan, ja martesat dhe fëmijët

1127
0
SHPËRNDAJE

Siç dihet Gjoni u martua në mërgim me Jerina Brankoviç, vajzën e princit serb Llazar. Edhe këta, për shkak të pushtimit osman, qenë të emigruar. Siç dihet vetë Erina ishte bijë e lidhjes martesore të Llazarit me Helena Paleologun, pjesëtare e familjes perandorake të Bizantit

Mund të thuhet se me atë martesë në shkallën e fisnikërisë Gjon Kastrioti realizoi një ngjitje më të madhe se i ati i tij i lavdishëm dhe më të lartën në të gjithë historinë e derës së tyre. Jo pak libra dhe disa enciklopedi të mesjetës shkruajnë se në rast se në Itali dhe më tej saj duan të gjejnë një dëshmi pranie të vijuar të perandorit bizantin Manuel Paleologu, këtë gjë duhet ta bëjnë duke kërkuar në pasardhësit e Skënderbeut.

Gjon Kastrioti u martua në vitet 1475 apo 1476. I takon të ishte njëzetë e apo njëzetë e një vjeç.
Genetikisht prej të atit dhe të ëmës, Kastriotët dhe Arianitët, kishte traditë për lindje djemsh. Me siguri e ëma, Donika, e cila u kujdes për këtë martesë, nuk pati asnjë merak se të birit do t’i ndodhte ndryshe. Kështu edhe ngjau. Çifti lindi mashkull dhe menjëherë atij iu vu emri i gjyshit të famshëm: Gjergj.
Trashëgimia ishte siguruar.

Gjoni, i cili edhe vetë, sipas rregullave dinastike feudale, pati ringjallur në emër gjyshin e tij, nuk e mbylli këtu çështjen e pasardhësve. Ndërsa Gjergji u lind në fillim të vitit 1477, pothuaj më pak se një vit më pas Erina (siç më lehtësisht e shqiptonin emrin e saj italianët) dhe Gjoni u bënë me djalin e dytë. I vunë emrin Kostandino (Costandino). Djali i tretë doli në jetë po kaq shpejt. U quajt Federiko (Federico). Afërsisht rreth vitit 1495 lindi mashkulli i katërt si edhe pa u vonuar një vajzë,që u pagëzua me emrin Maria. Mund të ketë ngjarë edhe e kundërta: Maria të jetë e lindura para Federikos. Në kontrollin që disa studiues italianë e veçanërisht Prof. Valone i kanë bërë librave të famullive të vendndodhjeve të Kastriotëve në Pulia, nuk gjendet asnjë ditëlindje e regjistruar e të katër fëmijëve të tij. Sigurisht kjo u ndodhte shumëve atë kohë.
Të bën përshtypje se, pas lindjes së menjëherëshme të dy djemve të parë (1477-1478), çifti Gjon dhe Erina presin mbi pesëmbëdhjetë vite për të nxjerrë në jetë, sërish fare afër njëri-tjetrit, dy fëmijë të tjerë. Këtë pauzë të pa dokumentuar mund ta interpretosh në mënyra të ndryshme, por një hamendje hap shteg patjetër: mos ndërkohë, në këtë të quajtur pauzë të gjatë të pajustifikuar, Gjoni ka pasur edhe fëmijë të tjerë, natyralë?

Emërtimi “fëmijë natyralë” ka të bëjë me lindjen e tyre nga lidhje jashtëmartesore. Ndërsa të lindurit nga martesa zyrtare quhen juridikisht fëmijë të ligjshëm, ata të krijuar nga marrëdhënie dashurore apo seksi me gra të tjera, në vend të cilësimit “fëmijë të paligjshëm”, thirren “natyralë”. Me këtë term pranohet se gjithsesi janë prej gjakut të babait, pra pasojnë linjën e tij mashkullore.
Gjoni jetonte në kohën kur të paktën për të fuqishmit politikisht e të pasurit, veçanërisht për dinastitë, lindja e fëmijëve natyralë ishte gjë e pranuar dhe disi e justifikuar nga opinioni. Madje në Mbretërinë e Napolit vetë monarku Ferdinand nuk ishte bir i martesës zyrtare të të atit të tij. Qe krijesë lidhjeje jashtëmartesore, të cilin në mungesë të një djali nga martesa zyrtare vetë mbreti Alfons ia kërkoi Papës, siç atëherë ishte rregulli, ta shpallte trashëgimtar të fronit të tij. Ky nuk pranoi dhe u desh pasardhësi tjetër i Selisë së Shenjtë që ta kryente këtë gjest. Gjithsesi, për kureshti të lexuesit, në kthinat e historisë së mbretit Ferdinand, mikut të madh të Skënderbeut, ka mbetur e pa zhdukur nofka që i kishin vënë: “Bastardi”.

Në një farë mënyre “Dobiçi”, siç quhet me përçmim, sigurisht të padrejtë, në shqip, fëmija i lindur i tillë.
Sidoqoftë ndryshe nga i ati i tij, Skënderbeu, që u martua shumë vonë (afërsisht dyzetë e tetë vjeç) dhe bëri vetëm një fëmijë, i biri Gjon vuri kurorë kur mbushi njëzetë e një mote dhe në fund të jetës së tij të mbyllur më 1505 kishte të ligjshëm, të paktën, katër fëmijë. Ndërsa Skënderbeu ndërroi jetë 63 vjeç dhe shkak iu bë infektimi nga malaria, i biri jetoi vetëm pesëdhjetë  vite.

Dhe nuk iu ndanë disa drama që i erdhën njëra pas tjetrës.
I biri i tij njëzetë vjeçar, Kostandini, që nga fundviti 1497 qe ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë, duke tronditur veçanërisht gjyshen e tij, Donika, e cila i ngriti në një nga kishat e Napolit një varr monumental. Të dhëna të tjera jo plotësisht të sigurta dëshmojnë se në vitin 1500, pra kur ndërroi jetë Kostandini, mund të ketë vdekur edhe djali i tretë, Federiko.

Secili lexues që po e ndjek këtë shtjellim të pemës gjenealogjike të Skënderbeut, do të thotë: Sidoqoftë është gjallë djali i parë, Gjergji, sipas rregullit dinastik vetë trashëgimtari. Mirëpo këtu, pas dy dramave të para, do të mbërrinte edhe e treta, më e madhja e tyre. Djalin e madh, pikërisht ngjallësin e emrit të Skënderbeut dhe trashëgimtarin e principatës në Shqipëri, duke filluar nga fillimi i vitit 1501 Gjon Kastrioti nuk e pa më. Ai, nën nxitjen dhe në shërbim të Republikës së Venedikut, shkoi për mision kryengritjeje në Shqipëri, ku dështoi keq dhe nuk u kthye më. U bashkua me turqit dhe u vendos në Konstadinopojë. Gjoni iku nga kjo jetë vetëm pak muaj pasi në shtëpi i mbërriti kjo gjëmë.

Kështu për pesë vite qe përmbysur e gjithë qëndrueshmëria dhe ardhshmëria e brezit të pestë dinastik të Kastriotëve. Shpresa e vetme mbeti vetëm djali i fundit, i vogli Ferrante. Kur i ati u nda nga jeta ai ishte po aq sa edhe vetë Gjoni kur mori rrugën e emigrimit: vetëm trembëdhjetë vjeç. Këtu edhe u kalua trashëgimia e familjes së shquar. Nuk e bëri dot Gjoni, i cili deri sa mbylli sytë akoma priste të rikthehej në shtëpi djali i madh, Gjergji. Kështu të drejtën e trashëgimtarit të dinastisë e kreu e ëma, Erina.
Ferrante, ky djalë që nuk duhej të qe më shumë se pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç kur Marin Barleti në krye të librit të tij “De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis” (“Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Princi i Epirit”) do t’i bënte përkushtimin e zjarrtë, mbetet edhe kyçi i të gjithë historisë në mos dhe të keqkuptimit. Pikërisht me fëmijët e tij nis pyetja dhe kërkohet përgjigje nëse u shuan apo në të vërtetë vijuan pasardhësit në linjë mashkullore të heroit kombëtar shqiptar.

Më shumë se në Shqipëri kjo vazhdimësi, e përsërisim, kishte rëndësi tepër të madhe në Itali dhe në të gjithë Evropën, ku Skënderbeu zotëronte famë.
Ndërkohë viti 1505 do t’i sillte trashëgimtarit, Ferrantes ende të vogël, jo vetëm dhimbjen e vdekjes së të atit, por edhe të gjyshes. Donika ndërroi jetë vetëm pak muaj para të birit, Gjonit. Dha shpirt në Spanjë, në oborrin mbretëror Aragonez. Ajo jetoi edhe tridhjetë e shtatë vite më shumë nga i shoqi. Kështu ikën nga kjo botë të dy ata që sërish së bashku, nënë e bir, në pranverën e vitit 1468, patën lënë Shqipërinë me shpresë të madhe të riktheheshin.

Ferrante qe me titull të trashëguar nga i ati, Gjoni, dukë i Galatinës dhe kont i Soletos. Sipas sërës së vet, u martua me bijën e një familje fisnike italiane. Vajza quhej Adriana Akuaviva (Adriana Acquaviva), dhe qe bijë e dukës së Nardosë, Belisario Akuaviva.
Lindja e parë qe sipas traditës: djalë. Pas diçka më shumë se një viti fëmija e dytë: doli vajzë. Duka Ferrante i vuri emrin e nënës, Erina. Janë afërsisht vitet 1516-1518.
Me një djalë u duk sikur problemi jetik i trashëgimit të dinastisë për Ferranten u zgjidh, por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Këtu nis pjesa më e ndërlikuar e të gjithë historisë gjenealogjike të pasuesve të Skënderbeut..

Por është edhe më spektakolarja.
Ndërsa e kishte djalin si trashëgimtar dhe po ashtu një vajzë mjaft të bukur, Erinën, e cila do të bëhej edhe shumë e mençur, nipi i Skënderbeut, Ferrante, lindi fëmijën e tretë. Qe djalë. I vuri emrin Federiko. Ndodhemi në 1519, pra një vit më pas nga lindja e Erinës.
E papritura: Ferrante këtë djalë nuk e ka me gruan e tij të ligjshme, bijën e një dere duke, Adriana Akuavivën, por me një tjetër. Ajo quhet Pacienca Polastra (Pazienza Pollastra), bijë e një qytetari të thjeshtë.
Me Federikon nis cikli i fëmijëve natyralë të nipit të Skënderbeut nga i biri i vetëm, Gjoni, dhe po ashtu mbyllet lindja e fëmijëve të ligjshëm. Ferrante dhe Adriana jetuan bashkë normalisht, duke bërë 46 vite martuar. I nipi i Gjergj Kastriotit të famshëm ndërroi jetë në 27 dhjetor 1561 dhe bashkëshortja e tij në 10 dhjetor 1568. Pra të dy i ndau vetëm vdekja.

Atëherë përse ndodhi që Adriana Akuaviva, me sa duket një grua shumë e urtë përballë të shoqit tepër të trazuar nga pasionet dhe protagonizmi, nuk bëri më fëmijë? Pikëpamja e autorit të këtij libri është se ajo nuk ka mundur dot të lindë më. Patjetër Ferrante qe i ndërgjegjshëm dhe i vendosur që trashëgimtarin e dinastisë Kastrioti ta vijonte nga martesa me Adrianën. Doemos edhe vetë Adriana këtë gjë e dëshironte shumë, ca më tepër që ashtu pasonte edhe emrin e derës së saj prej dukeshe. Si grua, deri edhe për sfidë ndaj flirteve të të shoqit  dhe vetë grave rivale, ajo do t’ia kishte “rrëmbyer” Ferrantes të paktën një djalë. Për Adrianën zemërbutë shtysa e rënies shtatzënë për trashëgimtarin e ligjshëm do të ketë qenë jo vetëm e vazhduar, por edhe tepër torturuese po të tregojmë se djali i saj i vetëm vdiq papritur në moshën dhjetëvjeçare.

Kësaj krijese të pafajshme nuk i gjendet emri, por sipas studiuesit italian Alessandro Laporta jeta e tij e shkurtër u harkua mes viteve 1516 dhe 1528.
Këtë çast tragjik nipi i Skënderbeut kishte edhe një djalë natyror, Federikon, por kjo nuk e zgjidhte lehtësisht vijimin ligjor të dinastisë. Ngulim këmbë se pikërisht këtë çast Adriana Akuaviva donte të lindte fëmijë me të shoqin, por patjetër nuk ka mundur dot biologjikisht. Për fat të trishtë ajo grua e mirë duhet të jetë shterpuar,ndoshta nga ndonjë sëmundje.

Krijesa e katërt e Ferrantes është vajzë, sërish fryt dashurie jashtëmartesore. Quhet Lukrecia (Lucrezia). Nëna nuk i është saktësuar dot. Fëmija vijues quhet Alfons. E ka me Pacienca Polastrën, me atë që pati lindur Federikon. Tashmë ajo është rreth të tridhjetave. Pra Ferrante për më shumë se pesëmbëdhjetë vite nuk e ka braktisur.
Krijesat e tjera të nipit të Skënderbeut janë djem. Njërit iu vu emri Pardo dhe nëna e tij quhej Porcia de Urizio (Porzia de Urrisio), nga një familje e njohur e dukatit të Galatinës. Tjetri u pagëzua me emrin Akile (Achile) dhe për nënë kishte Dianora Koronitën (Dianora Coronita), një skllave, të cilën Ferrante ia kishte blerë një anijeje greke apo venedikase dhe e pati shpallur të lirë.

Djali pasues quhet Çezare (Cesare). Nëna e tij mbetet e paidentifikuar.
Për djalin e gjashtë Annibale, i pagëzuar më 3 shtator 1552, nuk ka të dhëna për nënën e tij. Më 7 gusht 1554 lindi vajza me emrin Porcia (Porzia), fryt i lidhjes jashtëmartesore të Ferrantes me Maria Vilamarin (Maria Villamari).
Një vajzë tjetër, emri i të cilës do të ngjallë gjyshen Donika (Adronica) do të qe krijesa e re. Ajo pati nënë Porcia de Urrizion, me të cilin nipi i Skënderbeut pati edhe djalin Pardo.

Më vonë një vajzë e katërt jashtë martese do të marrë emrin e gjyshit Gjon (Giovanna).
Më 3 maj 1562, u pagëzua i shtati djalë. U quajt Ferrante, në kujtim të të atit, sepse tashmë nipi i Skënderbeut kishte disa muaj që pati ndërruar jetë.
Shtatë djem, katër vajza, katër gra jashtë martese dhe dy të tjera akoma anonime, janë bilanci (ndoshta i përkohshëm) i jetës intime të dukës Ferrante. Këtu ka nisur pështjellimi, pse jo edhe një dëshirë e disa ushtruesve të politikës dhe e një rrethi shkruesish të historisë shqiptare, që rrjedha e pasardhësve të Skënderbeut, fati i dinastisë së tyre, të mbyllet këtë çast, njëherë e mirë.

Mirëpo pikërisht këtu, në këtë rrëmujë flirtesh jashtëmartesore dhe ngulimi të pashoq të Ferrantes, pasardhësit të vetëm të ligjshëm të Skënderbeut, për ta mbajtur me çdo kusht të gjallë jetën dhe emrin e lavdishëm të familjes Kastrioti, gjendet po aq natyrshëm refuzimi, por edhe pranimi i debatit kulturor nëse ka realisht vazhdues të heroit tonë kombëtar, por njëkohësisht edhe evropian, në atdheun e tyre të mërgimit politik, në Itali.
Hapësira për qartësim, për shpjegim dhe mirëkuptim, besojmë se ka.

Të lëmë mënjanë pasionet e Ferrantes, atë kohë gjë rutinë, por krahas dramës që pati bashkëshortja e tij fisnike Adriana Akuaviva, ka mjaft prova që na bëjnë të mendojmë se nipi i Skënderbeut është më pak mëkatar nga sa duket me shikim të parë. Ferrante i trajtoi dukshëm të gjithë fëmijët e vet natyralë si t’i kishte të ligjshëm. Këtë gjë e bëri jo vetëm me kokë të vet, por edhe me pëlqimin e gruas së tij Adriana.

Më së pari u dha mbiemrin e tij, pra përkatësinë e dinastisë. Ata qenë të gjithë Kastrioti Skënderbe. Profesor Xhankarlo Valone ka gjetur një dokument të 12 majit 1566 kur thuhet se në Galatinë në martesën e dy shqiptarëve (Kirenti me Korinën) janë të pranishëm bashkë “zoti Don Achile, zoti don Pardo dhe zoti don Cesare, djemtë e të nderuarit Zotit Dukës sonë”.

I nipi i Skënderbeut u dha bijve të tij jashtëmartesorë emrat më të shtrenjtë të Kastriotëve: Donika dhe Gjon. Po ashtu siç edhe e kishin bërë rregull pas ikjes në Itali u vunë edhe emrat e dy monarkëve të Mbretërisë së Napolit, at e bir, Alfons dhe Federiko.
Ferrante u dha, po ashtu, edhe pasuri. Federikos, djalit të parë natyral, i dhuroi për martesë 6000 dukatë. Andronikës i bëri pajë 1400 dukatë. Pardos i fali një shtëpi të madhe me oborr në qendër të qytetit. Lukrecias i dha për pajë 545 dukatë në dorë dhe 600 të tjerë në pasuri të paluajtshme.

Sipas kumtesës së Enco Ligorit, “Ferrante dhe të tjerët. Integrimi i emigrantëve shqiptarë në Galatina në shekullin e pesëmbëdhjetë” (“Le living Skanderbeg”, “The Albanian Hero betëeen Myth and History” (“Skënderbeu i gjallë“, “Heroi shqiptar midis Mitit dhe Historisë“, Leçe 12-13 mars 2009, botim i kryer në Gjermani nën kujdesin e Monika Xhenezin, Joachim Matzinger dhe Xhankarlo Valones), nënvizon se për 45 vite sa qe gjallë “një despot dhe prepotent si ai, pati forcën dhe mundësinë të përzihej dhe bënte miqësi me familjet më të mira të Galatinës”. Sipas këtij studiuesi, bijtë jashtëmartesorë janë aq të legjitimuar prej Ferrantes sa që marrin pjesë në pagëzime. Në librin e kishës kryesore të qytetit, Shën Pjetër, më 11 shkurt 1549 Pardo ka qenë në pagëzimin e një të quajtur Staiban. Shumë herë, ndërmjet viteve 1551 dhe 1555, qe djali tjetër, Alfonsi, i cili ishte i pranishëm në ceremoni të njëjta tek Kalofilit (Calofilit), Konxhedot (Congedot) dhe Monxhotë (Mongiotë).

Në librin e pagëzimeve të kishës së Shën Pjetrit emrat e bijve natyralë të Ferrantes janë të regjistruar si CS, pra si Castriota Scanderbeg.
Po ashtu, në këmbënguljen e tij që t’i legjitimonte si pasardhës, duka Ferrante pothuaj të gjithë fëmijëve të tij natyralë u kujdes t’u jepte tituj fisnikërie, e drejtë ligjore që e kishte vetëm mbreti. Federikon më 26 gusht 1548 e martoi me Aurelia de Nohan, të motrën e Vinçenso Maria (Vincenzo Maria), baron i Nohës. Djali i tij trashëgimtar Xhovanni u bë baron i Galianos. Akili mori grua Izabela Sanseverinon, derë princërore, dhe pasardhësit e tij u bënë baronë. Pardo lidhi jetën me Antonela Stefanjolin nga një familje fisnike vendase. Çesare më 2 gusht 1587 është baron i Bakaricos dhe i Shën Gjergjit (Santo Giorgio). Lukrecia u martua me Çesare Baronin, feudal i Disos. Xhovana lidhi kurorë e krijoi familje me Mario Kavacën, të ardhur prej një babai me titull baroni, me origjinë nga Taranto.

Ferrante bëri gjithçka që djemtë e tij natyralë të kishin autoritetin e të ligjshmëve. Kështu, me sa mundi dhe sipas mënyrës së tij, e zgjidhi çështjen e vazhdimësinë e dinastisë. Në jetën tjetër me siguri është i qetë dhe pa brengën se, po të duhej të vepronte ndryshe, brenda ca rregullave morale, pas të cilave më pas u kapën fort ca puritanë për ta mbyllur përfundimisht derën e zëshme të Skënderbeut, do të qe puna më e mirë.
Për historinë tonë doli kështu, siç veproi, më i nevojshëm.

Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)