Mahnitja e huaj për polifoninë shqiptare

Mahnitja e huaj për polifoninë shqiptare

604
0
SHPËRNDAJE

Festivali i fundit Kombëtar Folklorik ka marrë vlerësime të larta si nga vendësit ashtu edhe nga të huajt për vlerat që përçoi dhe mënyrën se si e trajtoi kulturën dhe traditën vendase.

Një nga njerëzit që e ka vlerësuar dhe ka kërkuar që nga viti 1988 që ta njohë këtë festival të kthyer tashmë në traditë, është dhe producenti i famshëm amerikan Joe Boyd, i cili ka shprehur gjithmonë kënaqësinë e të qenët të paktën një herë pjesë e publikut dhe i kësaj feste të madhe shqiptare.

Link

“Kisha marrë informacione të pakta lart e poshtë, derisa në vitin 1988 një person m’u afrua dhe më dha një kasetë video, këtu flasim për periudhën kur Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist.

Në të kishte pamje të festivalit të Gjirokastrës. Ai e kishte siguruar këtë video-kasetë pasi shoqërohej me disa shqiptarë të cilët punonin në televizion. E vendosa në video-regjistrator dhe pashë kalanë e flamuj kuqezi që valviteshin në një zonë malore të mbuluar me dëborë, ndërkohë që grupe polifonike, të përbëra nga këngëtarë me qeleshe në kokë, të cilët këndonin këngë popullore, dhe të them të vërtetën, ishte magjepsëse.

Në atë moment i thashë vetes, unë do të shkoj një herë në atë festival. Ngela i mahnitur nga muzika polifonike shqiptare, kultura , folklori dhe natyra e mrekullueshme dhe më në fund vendosa ta shoh nga afër këtë realitet, të njihesha me aventurën time shqiptare.

Rrugët me kalldrëm ishin vërtet të veçanta, me kafenetë e vendosura në krah të tyre. Çdo natë, mijëra njerëz ecnin drejt kështjellës së Ali Pashës, dhe kur dëgjoje muzikën i rrethuar nga malet pranë shumë njerëzve, ishte vërtet një nga eksperiencat më të paharrueshme që kam kaluar.

Pas atij prezantimi të parë kisha dëshirën e madhe që ta studioja këtë muzikë, origjinën e saj dhe influencat nga fqinjët, edhe pse, pavarësisht nga të gjitha, është një muzikë unike popullore që nuk e kam dëgjuar askund.

Gjuha shqipe, së bashku me atë baske dhe gjeorgjiane, është ndër gjuhët më të vjetra në Evropë. Shqipëria është një vend antik me kulturë të vjetër, dhe i izoluar për shkak të pozicionit gjeografik e politikës, dhe pavarësisht se muzika aty është ndikuar disi nga ato sllave, greke e bullgare, në vetvete është unike, me tekstet dhe notat e mrekullueshme që ka, po ashtu ka shumë variacion mes muzikës së veriut dhe jugut të Shqipërisë, por unë personalisht jam më shumë i dhënë pas këngëve polifonike të zonës së Jugut. Muzika shqiptare ka pak influencë, por nuk i ngjan asaj turke.

Pas gjithë kërkesave të mia, më në fund, këtë vit (në 2015-n) arrita të isha i pranishëm në festivalin e Gjirokastrës dhe mbeta i mahnitur, aq sa kur i tregoja miqve te mi, ata bënin shaka me mua, por kur i ftova të vinin ta shikonin, mbetën mjaft të kënaqur nga muzika e festivalit dhe ambienti përreth, dhe më thanë:

Mblidh një grup shqiptarësh që këndojnë në këtë festival e merri të performojnë në Londër.

I dëgjova dhe atë bëra, i ndihmuar gjithmonë edhe nga bashkëshortja ime, së bashku me disa miq të mi të cilët janë eskpertë të muzikës shqiptare ndërtuam një grup me performuesit dhe këngëtarët më të mirë të muzikës me saze në Jugun e Shqipërisë.

Pastaj menduam se duhet të regjistronim diçka për ta promovuar ardhjen e tyre, kështu që nisëm fushatën me emrin “Dita e sazes”, dhe u munduam të siguronim paratë për të regjistruar një album. Ajo që më pëlqen më shumë është kjo me saze, e cila flet për një djalë që admiron një vajzë teksa ajo del nga banesa e saj, madje është i dashuruar me të, megjithëse ajo nuk i kushton vëmendjen e duhur, është një këngë shumë e bukur, shumë shumë e bukur.

Në fakt, ajo çfarë e bën unike është përzierja e dy zërave dhe instrumenteve, kjo është polifonia e jugut, ku ke disa vija melodike të ndryshme që i japin muzikës shqiptare një ndjenjë krejtësisht të veçantë. Më vjen keq se bota muzikore autentike zë një hapësirë jo të madhe, e megjithatë njerëzit janë në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të diçkaje të re e të pazbuluar dhe kjo është koha e Shqipërisë, këta instrumentistë krijojnë diçka të mrekullueshme.

Muzika ballkanike është shumë e njohur dhe e ka pushtuar tregun, për këtë mendoj se edhe Shqipëria duhet të jetë po aq e famshme

Megjithatë, ka probleme me muzikën shqiptare, siç është turbo folku, pra muzika popullore e përzier me atë elektronike, i humbet të gjitha vlerat reale që ka kënga, muzika, teksti.
Të them të drejtën, nëse ata që prodhojnë muzikën e vërtetë të folklorit shqiptar do të zhvillonin një koncert në Tiranë, nuk besoj se do të kishte shumë spektatorë, pasi muzika polifonike cilësohet tashmë si diçka e dalë mode, kjo ka ndodhur edhe me kultura të tjera, për këtë arsye duhet një sy që vjen nga jashtë për të kuptuar vlerat e kësaj muzike
Mund të sjell në vëmendje rastin e Kubës ose të Afrikës, muzika e së cilave për të huajt tingëllon fantastike dhe e papërsëritshme , ndërsa vendësit nuk e vlerësojnë, më pas, kur i vihet në dukje, thonë: në fakt, nuk është edhe aq keq”