Shqipëria që nuk do donim ta harronim!

Shqipëria që nuk do donim ta harronim!

2440
0
SHPËRNDAJE

Monumentet historike dhe kulturore, thirrje “për ndihmë”…

Jo larg nga Tirana, në fshatin Derven të rrethit të Krujës, kisha mesjetare e Shën Gjon Pagëzorit, (në dioqezën e Arbërit që daton rreth shekujve XII-XIV-të), ndodhet e mbuluar nga uji. E po ashtu, një xhami 1600-vjeçare, e ndodhur mes lagështisë dhe degradimit. Bëhet fjalë për xhaminë e Gjin Aleksit, në fshatin Rusan të Delvinës, mbi rrënojat e një manastiri me stil bizantin.

Këto janë denoncimet e një raportimi të realizuar nga “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë”. Po sipas tyre, “Afresket e kishës paraqesin Shën Palin, Shën Pjetrin, Shën Gjon Pagëzorin si dhe Lajmërimin e Engjëllit Gabriel për virgjëreshën Mari (ky sot paraqitet i shkatërruar)”. Po e njëjta situatë paraqitet edhe për Xhaminë e lashtë, për të cilat Forumi saktëson se megjithëse janë bërë punime restauruese në vitin 2007, “paraqitet e pushtuar nga lagështia dhe degradimi”.

Përpos të tjerave Forumi ka ngritur zërin dhe për punimet restauruese ku sipas fotove që kanë paraqitur del në pah situata “e një kaosi total “në sistem që me sa duket, do të vijojë edhe për mjaft kohë, sepse askush nuk merret me kriteret dhe klasifikimin e cilësisë së punimeve për projektuesit dhe zbatuesit e punimeve të restaurimit”, ndërsa akuzojnë “Institutin e Monumenteve dhe sistemin e kontrollit”. Të tilla monumente kulturore dhe historike të gjurmëve shqiptare në lashtësi dhe më gjerë, janë me qindra, por ne po iu sjellim në vëmendje veçse disa prej tyre…

Kroi i Selckës

Kroi i Selckës është një tjetër krua unik në Shqipëri. Ai ndodhet në fshatin e fundmë të Lunxherisë (pjesë e Bashkisë së Dropullit). Ky krua unik ne llojin e vet, sipas Forumit të Trashëgimisë “është i vetmi në krahinën jugore i mbuluar me kupolë dhe vepër e mjeshtërve Lunxhiot. Në se i besojmë Pouqueville, Lunxhiotët ishin përgjegjës për kanalizimet dhe furnizimet e Stambollit.

Kroi rrezikon shumë të shembet, pasi një prej këmbëve të tij ka pësuar shkëputje deri në 10 centimetër, ndërsa kupola ka plasaritje me trashësi 2-3centimetër. Qemeri i faqes ballore ka shfaqur deformime e për pasojë në fillim të shekullit të XX-të, i është vendosur në mes një kolonë për ta mbajtur.

Kroi daton i shekullit të XVIII-të, kohë kur zona ishte nën sundimin e Ali Pashës. Kroi është Monument i Kategorisë së Parë i shpallur me Nr. vendimi 786/1 dhe Datë, 05.11.1984 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës (Drejtoria e Kulturës) e asaj kohe”. Në vijim Forumi ka përshkruar se “DRKK i ka hartuar projekt restaurimi këtij kroi qysh 2-3 vite më parë me një kosto ndërhyrje 1-1.2 milionë lekë, por edhe pse buxhet modest nuk u gjetën fondet çka mund të çojë në humbjen e një monumenti unikal”.

Varri i Kol Idromenos

Një nga monumentet më interesante të trashëgimisë… Sipas Forumit që ngre zërin për këtë varr monumental, “pas fazës së dytë të restaurimit, objekti është katandisur për ibret, duke bërë të domosdoshme fazën e tretë të restaurimit (nëse përdorim gjuhën e Ministrisë së Kulturës). Megjithëse si Forumi ynë, si shtypi, si specialistë të ndryshëm të trashëgimisë kanë gati një vit që ngrenë zërin, Ministria nuk ja ka ngenë të merret me këtë problem minor…

Shpresojmë që këtë lloj “restaurimi” të mos kenë fatin ta pësojnë varret e Hil Mosit, Filip Shirokes, Preng Jakoves, siç “premtoi” Zëvendësministri i Kulturës, Zoti Zef Çuni”.

Kalaja e Drishtit

Sipas të dhënave, Kalaja e Drishtit gjendet në një distancë prej 6 kilometrash nga Ura e Mesit, mbi lumit Kir. Fshati i sotëm gjendet poshtë vend-gërmimit të Drivatiumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si vendbanim (përgjatë rrugës Shkodër – Kosovë) dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir që mbronin Shkodrën në shek IX-të.

Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek e XIII-të, si një fortesë bizantine. Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shekullin e XIV-të, derisa arriti edhe pavarësi nga Shkodra. Në vitin 1442, Drishti ra në duar të Venedikut, e më pas u mor nga Skënderbeu dhe më në fund u pushtua nga turqit më 1478. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra e lartë dhe brenda mureve të kalasë gjenden 11 shtëpi të fshatit, që formojnë një lagje.

Banesa Çene

Një ish-monument i Kategorisë së Dytë Banesa Çene, ndodhet në Pazarin e Gjirokastrës. Karakteristikë e këtij monumenti, është se kemi të bëjmë me një adaptim të një banese karakteristike me dy krahë, e cila në vitet ’30 u trajtua me një fasadë të stilit italian.

Ky objekt u kërkua të përfshihej në projektin e restaurimit të pazarit karakteristik, pasi është pjesë e tij, por që nuk është marrë në konsideratë.

Nëntoka arkeologjike e Sarandës

Arkitektja Lida Miraj, ka denoncuar pranë Forumit “se si dëmtohet nëntoka arkeologjike në Sarandë nga ndërtimet e papërgjegjshme”. Sipas tyre, “Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, së bashku me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, janë të zëna me punë të tjera më të rëndësishme”.

Kalaja e Peqinit

Edhe pse tregon një pjesë të rëndësishme të historisë, kalaja e Peqinit prej vitesh nuk ka parë asnjë lloj interesi. Forumi ka denoncuar se ajo është kthyer në një vendgrumbullimi të mbeturinave dhe “askush nuk ka menduar për rivitalizimin apo vënien në dukje të saj”. Muret e larta prej guri nuk shërbejnë për asgjë dhe as mund të flitet për atraksione turistike.

Kryetari i ri i Bashkisë së Peqinit shprehet se, “ka një projekt për ndriçimin e kalasë dhe për ndërtimin e një muzeu brenda saj”. Themelet e kalasë së Peqinit mendohet se, i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia”, – teksa më pas është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit turk.

Muret e kalasë kanë pasur një lartësi prej rreth 12 metrash, ato janë zgjeruar më tej në shekullin e XIV-të, nga turqit.

Veliera dhe shtëpitë karakteristike në Durrës

Sipas Forumit, Veliera “e famshme” që u diskutua gjatë edhe në mediat shqiptare qëndron ende në fokus…Po ashtu edhe “një copëz” e asaj që mund të quhet trashëgimi e hershme e Durrësit, ku nga fotot e Forumit tregohet një shtëpi karakteristike e rrënuar pas dyqanit të luleve në bulevardin kryesor të qytetit”.

 

Kisha Shën e Premtja e Spinaricës

Kisha është ndërtuar në shekujt XIII-XIV-të, në të njëjtën kohë me ekzistencën e Spinaricës, në grykëderdhjen e Vjosës. Sipas të dhënave, kjo kishë e braktisur ndodhet në zonën e Myzeqesë të Fierit, në vendin e quajtur Hoxharë, – vetëm dy kilometër nga bregu i Adriatikut.

Kisha e Shën e Premtes, “e cila nga larg të duket si një anije, të cilën vala e detit pas furtunës e ka nxjerrë ne breg, është e rrethuar nga të gjitha anët prej arash të mbjella, gardhesh dhe kanalesh, e faltorja mesjetare i përngjan më tepër një ishulli, tek i cili nuk mund ta arrish dot”. Mungesa e një rruge të mirëfilltë të pengon për ta vizituar atë. Përpjekja më serioze ka qenë nga njerëzit dhe pikërisht në vitin 1916, kur një luftanije italiane e bombardoi duke e konsideruar si një bunker austro-hungarez.

Gjithsesi Shën e Premtja mbeti në “këmbë”, për të dëshmuar vendndodhjen e Spinaricës mesjetare, qytetit-port, tashmë të zhdukur të Adriatikut jugor. Spinarica që “jetoi” midis viteve 1205-1370, ishte një nga qendrat e rëndësishme ekonomike të Myzeqesë mesjetare.

Venecianët apo raguzianët do ta quanin kështu, për shkak të bimës aq të përhapur të Zhukës (Juncus) që mbizotëron në këtë zonë. Me gjethet e saj në formë gjembash që në latinisht përkthehet “spina”, apo Spinaricë, – në shqip gjembaç apo vend që të shpon” (Gjika-Canaj, “Debati mbi lumin e Vjosës. Ku ndodhej Spinarica mesjetare”, “Gazeta Standard”, 11 qershor 2014). Nga dokumentet e ndryshme të shekullit të XIV-të, përmenden edhe disa banorë të këtij vendbanimi mesjetar, si Mihali i Spinaricës apo i biri i Nikollës së Spinaricës. Ndërkohë që, përveç tregtisë, Spinarica, kryente funksionet edhe të një porti ushtarak. Fillimisht ajo përmendet në vitin 1205, kur i jepet Venedikut bashkë me Gllavinicën dhe Vlorën (Acta Albaniae. I. 130). Pas vitit 1370, qyteti-port, nis të mos përmendet më në dokumentet historike (Acta Albaniae. I. 368). I vetmi objekt që ka mbetur nga Spinarica mesjetare është kisha e Shën e Premtes.

E shpallur si monument kulture që nga viti 1979, ajo sot gjendet gjysmë e rrënuar. I vetmi studim që ekziston për të është ai i bërë nga prof. Aleksandër Meksi, në vitet 70-të të shekullit të kaluar dhe është botuar fillimisht në Revistën Monumentet, me titullin: ‘’Disa kapela bizantine në vendin tonë (Monumentet, 10, Tiranë 1975), për të vijuar më pas në vitin 1983, në librin e këtij studjuesi: ‘’Arkitektura Mesjetare në Shqipëri’’ (f.122-123). Teknika e ndërtimit të saj është e ndryshme dhe për të janë përdorur gurë të marrë nga rrënojat e Apolonisë dhe tulla të kuqe (Meksi, po aty).

Kisha ndodhet pranë ish kënetës së Hoxharës një gji i dikurshëm deti, ku kishte grykëderdhjen lumi i Vjosës. Mendohet se ajo është objekti i vetëm që ka mbetur nga qyteza e dikurshme e Spinaricës. Shkrimtari Aristotel Mici, në shkrimin e tij ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, ku midis të tjerave shkruan se: ‘’Ashtu si e mbaj mend, deri në vitin 1955, kur e kam vizituar tok me shkrimtarin Jakov Xoxa, kisha e Shën e Premtes ngrihej në një vend gjysmë të shkretë, në bregun e majtë të Lumit të Vdekur, afër grykës së tij’’ (Aristotel Mici, ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, Dielli, 16 gusht 2014).

Shtëpia e Flamurit, Korçë

Shtëpia e Flamurit në Korçë është ende e papërcaktuar në se u prish qëllimisht apo si pasojë e amortizimit…ndërsa duke iu referuar “Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë”, “një javë pas shembjes së saj më 16 gusht 2016, Ministria e Kulturës ka aprovuar kërkesën e Bashkisë së Korçës për ta ringritur siç ishte në origjinal”.

Godina ishte shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 1977 dhe u shemb në mënyrë të qëllimshme dhe jo si pasojë e amortizimit fizik. Sipas Bashkisë, projekti do të hartohet në bazë të arkivit fotografik që ruhet, por ende nuk është e qartë nëse pjesa e inerteve të mbetura në trotuar nga shembja do të përdoren sërish në ndërtimin e ri apo jo.

Ndërkohë, ndonëse ka theksuar se shembja e godinës nuk ka ardhur si pasojë e moskujdesjes dhe mos-investimit në të, por si një veprim i qëllimshëm, Hado ka theksuar se veprimet hetimore do të kryhen nga organet përkatëse, të cilat do të përcaktojnë edhe shkaqet e shembjes. Sipas Forumit “Duke parë nga afër, ato pak pjesë të mbetura në këmbë të mureve, vështirë të besoje në një shembje nga amortizimi. Muret e trasha dukeshin ende rezistente, ndërkohë që një vit më parë, teksa fotografoja pjesët e shkallëve të rrënuara, njerëz të lidhur me trashëgiminë e këtij qyteti patën paralajmëruar një zhdukje të mundshme të këtij monumenti, ndërtuar më 1984-n e ku Themistokli Gërmenji ngriti në dhjetor të vitit 1916 flamurin që shpalli Krahinën Autonome të Korçës”… 

Qyteti Ilir i Olimpias

Vetëm nëse ke një hartë të detajuar nga ato që përdorin ekspertët e fushës, do të mund të biesh në gjurmët e qytetit ilir të Olympias, që ngrihet rreth 40 kilometra nga qyteti i Vlorës në fshatin Mavrovë. Traktet e mureve të ndërtuara me blloqe të mëdhenj dallohen pa vështirësi, edhe pse mbi to qëndron një pjesë e mirë e banesave të vjetra të fshatit.

Sot fshati është tkurrur në 50 familje, nga më se 300 dikur, për shkak të rrugës dhe vështirësive të tjera. Identifikimi i emrit antik është bërë i mundur pas gërmimeve të kryera në vitet ’60, kur arkeologu Burhan Dautaj gjeti disa monedha me mbishkrimin “Olympiastan”.

Ka shumë studiues që mendojnë se qyteti është pagëzuar me këtë emër në nder të vajzës së Pirros së Epirit, tezë që e hodhi i pari arkeologu Hasan Ceka. E megjithatë, nuk mungojnë edhe tezat e tjera që i japin një frymë mistike këtij vendi. Qyteti mund të jetë quajtur ndryshe më herët ose ka lidhje me një figurë tjetër të rëndësishme në fillesat e tij.

Sipas arkeologëve Burhan Dautaj dhe Aleksandra Mano, fortifikimi i qytetit ofron dy periudha ndërtimore. Periudha e parë është ajo mes shekujve V-të dhe IV-të para Krishtit dhe qarkon pjesën jugore të kodrës. Rrethimi i dytë përfshin një sipërfaqe rreth dy herë më të madhe, rreth 16 hektarë, me një mur 1500 metra të gjatë. Ky trakt i dytë i përket, sipas arkeologëve, shekullit IV-të para Krishtit. Fillimet e jetës qytetare të Olympias i përkasin të njëjtës periudhë, ndërsa zhvillimin më të madh mendohet se e ka marrë në vitet 229 – 148 para Krishtit, siç pohon edhe historiani Ilirjan Gjika.

Një nga elementet më të rëndësishme të zbuluara në këtë sit janë mbishkrimet që i kushtohen Zeusit e që janë realizuar nga kreu më i lartë i qytetit, i cili ndihmohej në këtë strukturë drejtuese nga një grup prej katër nëpunësish dhe një sekretar. Mungesa e informacionit nga autorët antikë, që thuajse heshtin për Olympian, e bën edhe me interesante historinë e saj. Ndoshta është e vetmja lidhëz e të shkuarës me të tashmen, heshtje dikur, heshtje edhe sot.

Është e vështirë të bësh një bilanc të dëmtimeve sepse është e pamundur të gjesh qoftë edhe një cep ku të mos ketë të tilla. Muret diku janë çarë, diku janë përpirë nga erozioni e të njëjtin fat rrezikon edhe pjesa tjetër, sa kohë mirëmbajtja mungon. Objekte të ndryshme dalin kudo në sipërfaqe, pa pasur nevojë të gërmosh. Në të shumtën e rasteve, banorët hasin në monedha e mbetje të tjera teksa punojnë tokën apo pas shirave të rrëmbyeshëm. Monedhat ilire që gjenden në masë janë lehtësisht të identifikueshme sa kohë ato që nxjerr nëntoka në Olympia janë të njëjta me ato të kategorizuara nga arkeologët më në zë në vend si të emetuara nga mbreti ilir Monun.

Një potenciali historik të rëndësishëm por të lënë në harrsë janë edhe “Shpella e Velçës”, “Shpella e shkruar e Lepenicës” (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe), “Shpella e Spilesë” (Himarë) apo “Mozaikët e Mesaplikut”, pasuri e rrallë kombëtare.

Qyteti antik i Amantia-s

Emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin e IV-të para Krishtit. Amantia u themelua në fund të shekullit V-të para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit, qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.

Kuota më e lartë e saj është 613 metra mbi nivelin e detit dhe ndodhet në skajin verilindor. Mbi këtë kreshtë dhe përreth saj, janë të shpërndara shtëpitë e fshatit Ploçë. Në këtë kreshtë dhe poshtë saj, ruhen rrënoja të ndryshme të një vendbanimi të lashtë, ai i Amantias. Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantisë filluan në shek. XIX. Që në gjurmimet e para ajo u lokalizua në rrënojat e fshatit Nivicë të Kurveleshit, nga Pukvili.

Stadiumi është monumenti më i ruajtur i ndodhur rreth 150 metra jashtë mureve të rrethuese, në lindje të qytetit. Një pjesë e tij u zbulua në 1949 gjatë një ekspedite arkeologjike. Në këtë qytet ilir ka qenë i njohur dhe kulti i Afërditës. Një pllakë e vogël e zbuluar në Amantia, i kushtohet Afërditës. Mendohet se dhe tempulli, i kushtohet pikërisht, kësaj të fundit.

Shtëpia e At Gjergj Fishtës

Shtëpia ku jetoi për disa vjet At Gjergj Fishta, e shpallur që në vitin 2008 monument kulture, rrezikon të shembet. Edhe pse kanë ekzistuar tre projekte për ta restauruar këtë të fundit, asnjë prej tyre nuk është zbatuar; një projekt i miratuar nga Ministria e Kulturës, ndërsa dy të tjerë të ofruar nga shqiptarë të Kosovës.

Shtëpia ndodhet në fshatin Fishtë të Komunës së Blinishtit në rrethin e Lezhës. Mbi një nga kodrinat e fshatit, edhe sot e kësaj dite gjendet shtëpia ku poeti Fishta kaloi një pjesë të viteve të fëmijërisë. Në vitin 1877, kur Fishta ishte vetëm 6 vjeç, familja e tij u shpërngul nga shtëpia ku Fishta u lind për t’u vendosur në këtë shtëpi.  Rreth një kilometër larg kësaj shtëpie, ku Fishta kaloi 6 vite të jetës së tij, mbi një lëndinë të gjelbëruar, gjenden edhe themelet e shtëpisë ku lindi poeti. Sipas VOA-s “Prej 15 vitesh  këtu nuk jeton askush, pasi pronarët e shtëpisë janë larguar drejt emigracionit”, ndërsa përgjegjësi i  sektorit të Monumenteve të Kulturës për Qarkun  e Lezhës, thotë se : “Muret më të vjetër të kësaj shtëpie i përkasin vitit 1877. Siç e shikoni, dritaret edhe dyert janë shumë të dëmtuara. Çatia ka ardhur duke u amortizuar, gjë që ka shkaktuar edhe dëmtimin e mureve në katin e dytë. Aktualisht jemi në negociata me disa donatorë kosovarë për restaurimin”.

Paulin Zefi, ish-përgjegjës i Monumenteve të Kulturës në Lezhë sqaron se “ka qenë neglizhenca e Ministrisë, e cila sipas tij ka bërë që këta dhurues të tërhiqen”. Ndërkohë Ministria ka thënë se, “nuk ka gjetur zbatim projekti, pasi pronarët e shtëpisë e kanë kundërshtuar, duke pretenduar që t’u jepen tre shtëpi të reja”.