Fermani i Gjylhanesë dhe Shqipëria

Fermani i Gjylhanesë dhe Shqipëria

1305
0
SHPËRNDAJE

Në vitet 40-të të shekullit XIX në Perandorinë Osmane bënin pjesë: Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia, Thraka, Thesalia, Bosnja, Hercegovina, Azia e vogël, Siria, Libani, Palestina, Iraku, Arabia deri në gjirin Persik. Sipas të dhënave në vitin 1844 popullsia e perandorisë osmane llogaritej në 37 milionë veta. Ky numër i paktë popullsie ndikohej nga luftërat e brendshme dhe të jashtme, epidemitë, mortaliteti i lartë. Rajone të tëra ishin shkatërruar. E gjithë perandoria ishte e shkatërruar nga krizat kronike ekonomike dhe politike që kishin përfshirë sistemin feudal ushtarak. Rendi feudal ishte bërë pengesë për zhvillimin ekonomik të Perandorisë Osmane. Më shumë vuante industria.

Por rendi feudal i sillte dëm të madh fshatarësisë dhe ekonomisë bujqësore. Dhe fshatarësia përbënte 9/10 e popullsisë së përgjithshme të Perandorisë Osmane. Ajo i nënshtrohej një shfrytëzimi barbar.  Heqja e sistemit feudal-ushtarak nuk e lehtësoi gjendjen e fshatarësisë. Mbetën po ato kategori pronësie e po ato metoda shfrytëzimi. Taksat e shumta dhe sistemi i sipërmarrjes kishin shkatërruar fshatarësinë. E dhjeta arrinte nga 15 për qind deri në 50 për qind. Shkatërrimtar ishte sistemi i blerjes së prodhimeve bujqësore me çmime të detyruara e më të ulëta se ato të tregut.

Disfata që pësoi shteti osman në konfliktin me Egjiptin tregoi edhe një herë se reformat centralizuese të viteve 30-të nuk i’a kishin arritur qëllimit. Komisioni i veçantë për përgatitjen e reformave i ngritur nga Sulltan Mahmuti II shpejtoi punën për shpalljen e reformave të reja. Këto reforma ishin vazhdim i reformave të viteve 30 të drejtuara nga Mahmuti II. Vdekja e parakohshme nuk e lejoi këtë të fundit të marrë pjesë në shpalljen e tyre.

Në krye të komisionit të reformave u zgjodh Mustafa Reshit pasha, një nga personalitetet më të shquara të shtetit osman. Në vitet 30 ai kishte vizituar Vjenën, Parisin, e Londrën si përfaqësues i shtetit për të zgjidhur disa çështje dhe për të kërkuar ndihmë në luftën kundër pashait Mehmet Ali. Në këto kryeqytete ai ishte njohur me organizimin shtetëror dhe ushtarak të këtyre shteteve evropiane, kishte vizituar mjaft fabrika dhe uzina. Kur u kthye në Stamboll ishte i bindur se vetëm reformat mund ta afronin shtetin osman me shtetet evropiane. Këto mendime i’a kishte paraqitur edhe sulltan Mahmutit II. Mustafa Reshit Pasha i’u vu punës për shpejtimin e shpalljes së reformave.

Pas vdekjes së Mahmutit II, frenat e drejtimit të shtetit i mori Hysrev Pasha, armik i reformave. Mustafa Reshit Pasha e bindi sulltanin e ri,  Abdyl Mexhitin për shpalljen e reformave të reja si diçka e domosdoshme për reformimin e Perandorisë Osmane. Ai vetë punoi për përgatitjen e fermanit. Forcat konservatore u përpoqën ta sabotonin përpilimin e fermanit, por nuk i’a arritën qëllimit. Ato u orvatën të shfrytëzonin fanatizmin mysliman në shtresat e ndryshme të popullsisë.

Për leximin e fermanit të ri, u krye një ceremoni madhështore. Qëllimi i këtij solemniteti ishte të tërhiqej vëmendja e qeverive të shteteve evropiane. Prandaj u zgjodh sheshi përpara pallatit veror të sulltanit në bregun e detit Marmara, të quajtur Gjylhane (shtëpia e trëndafilave). Në afërsi të pallatit u ngrit tribuna. Më tre nëntor ditën e djelë të vitit 1839 rreth saj zunë vend ministrat, ulematë, shehët, patriarkët e shoqërive fetare, kryetarët e zejtareve e tregtareve, përfaqësuesit e shteteve të huaja të akredituara në Stamboll etj. Aktin e shpalljes së reformave e lexoi në tribunë Mustafa Reshit Pasha. Me qënë se u lexua këtu, fermani u quajt ferman i nderuar i Gjylhanese. (Hatt-i sherif-i Gjylhanesë).

Masat e reformës

1) Garantohej paprekshmëria e jetës, e nderit dhe e pasurisë për të gjithë nënshtetasit e perandorisë pa dallim feje. Secili kishte të drejtë të gëzonte pasurinë e tij dhe ta përdorte si të donte. Të akuzuarve nuk u konfiskohej pasuria dhe fëmijët e tyre nuk privoheshin nga e drejta e trashëgimisë

2) Vendosej ndarja dhe mbledhja e rregullt e taksave dhe heqja e sistemit të sipërmarrjes (iltizamit). Qëllimi i këtyre masave ishte të përmirësohej gjendja financiare dhe të forcohej fuqia ushtarake e shtetit. Gjatë zbatimit të sistemit të sipërmarrjes si nënshtetasit dhe vetë shteti, vuanin nga dhuna e grabitja e sipërmarrësve.

3) Futej shërbimi i rregullt ushtarak dhe shkurtohej afati i këtij shërbimi. Shërbimi ushtarak do të zgjaste 4-5 vjet.

Në akt u shpall barazia përpara ligjit e të gjithë nënshtetasve pa dallim feje dhe nacionaliteti. U parashikua zgjerimi i përbërjes së këshillit të çështjeve juridike që do përpunonte ligjet që do zbatonin këtë program

Ky program prekte të gjitha sferat politike, ekonomike, kulturore e ideologjike si dhe të gjitha shtresat e popullsisë.

Ne shqiptarët e njohim si periudha e Tanzimatit.

Tanzimati përfshin dy etapa: etapën e parë që nga viti 1839 deri në vitin 1855 dhe etapa e dytë nga viti 1856 deri më 1870, para shpalljes së kushtetutës së parë osmane. Ligji më i rëndësishëm që prekte dhe vendin tonë ishte Ligji Agrar me të cilin sanksionohej prona private dhe garantohej shitblerja e saj e lirshme. Në vitin 1864 Porta e Lartë e ndau vendin në vilajete dhe vilajetet në sanxhaqe, kaza dhe nahie. Tokat shqiptare u përfshinë në Vilajetin e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit. Reformat e Tanzimatit ishin reforma me përmbajtje kapitaliste. Ato filluan të zbatoheshin në Shqipëri gjatë vitit 1845.

Reforma nuk i pëlqeu shqipëtarëve sepse ata nuk njiheshin si kombësi më vete, mbi popullsinë vendosej një sistem i ri taksash dhe u fut shërbimi i rregullt ushtarak. Këto masa shoqëroheshin me riorganizim dhe vendosjen e administratës së re turke. Administrata e përbërë nga të huaj, zemëruan popullin tonë. Armiqësia ndaj tyre kishte disa arsye:ata nuk njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit dhe kishte ardhur me dëshirën për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit dhe abuzimeve. Ndaj pas shpalljes së reformave që u quajtën reformat e Tanzimatit do plasnin revoltat në të gjithë Shqipërinë.