EKSKLUZIVE NGA MARIN MEMA/NJIHUNI ME HISTORINË E JASHTËZAKONSHME QË FLE…

EKSKLUZIVE NGA MARIN MEMA/NJIHUNI ME HISTORINË E JASHTËZAKONSHME QË FLE…

1213
0
SHPËRNDAJE

Është e vështirë të rrugëtosh në Shqipëri e të mos përballesh me sitet e shumta arkeologjike. Qytete të lashta, kala, fortifikime, qendra të periudhave të ndryshme, tuma e mjaft monumente të tjera duken si të mbjella kudo në nëntokën e këtij vendi…

Sigurisht interesante është autoktonia e po ashtu ndërthurja e mëpasshme që vjen si pasojë e dërgatave të shumta, pa harruar misterin që rrethon shumë prej tyre. Duket sikur një botë, ajo e jona jeton sipërmi dhe një tjetër ajo e paraardhësve merr frymë nën këmbët tona…Ndodh që historia të fshehë vetveten e më pas të ridalë në sipërfaqe për të treguar gjurmët e saj. Ky është rasti i Kamenicës, një fshat mesjetar, që për shumë kohë qëndroi i mbuluar nga bimësia, e dheu. Një pjesë ka ridalë në dritë për të treguar përmes madhështisë së ndërtesave të saj, një qendër të jashtëzakonshme që për fat të keq, pak njihet, e aq më pak deri më sot është vlerësuar…Këtu nuk ka asnjë tabelë orientuese dhe nëse je një vizitor i rastësishëm vështirë se do të njohësh apo kuptosh vlerën e rrënojave që duken në pjesën më të sipërme të dy kodrave.

Sigurisht nuk është më e lehtë edhe nëse ke informacion të mëparshëm sa kohë asgjë nuk të ndihmon. Shtigjet janë të vështira për t’u gjetur edhe pse afërsia me rrugën kryesore jo larg fshatit Palavli të Delvinës, duhet ta bënte më të lehtë lidhjen. Për fat të mirë rruga nuk është e mundimshme, përkundrazi mjaft tërheqëse nëse e krahason me historinë e jashtëzakonshme që fshihet në këtë vend.Ndërtesat datojnë në masë, por jo tërësisht në shekullin e XII dhe disa ruhen aq mirë sa duket sikur janë braktisur dje, e pas tyre do të mund të dëgjosh sërish zërat e njerëzve të dikurshëm.

E pra, largimi i banorëve sipas arkeologëve ka ndodhur që diku në fillim shekullin e XVIII. Që atëherë e deri më sot, fshati është populluar nga kafshët e egra, e mbuluar më së miri nga natyra.

Pjesa qendrore është ajo që njihet si Qafa e Pazarit, e rrethuar nga ndërtime të shumta karakteristike e të vendosura në pjerrësinë e terrenit.

Elementët arkitekturore janë respektuar kudo në mënyrë të mahnitshme, ashtu si ato urbanistike që tregojnë një zhvillim të kujdesshëm e të mirëpërcaktuar.

Nëse në sytë e një vizitori të zakonshëm ato mund të duken thjesht rrënoja, ekspertët përmes tyre mund të realizojnë konfigurimin e dikurshëm të Kamenicës, organizimin dhe ndarjen e saj në zona rëndësie, banesat, format, e gjithçka tjetër që i jepte jetë kësaj qendre.

Duket se Kamenica tiparet kryesore ka nisur t’i marrë që në shekullin e XI, periudhë kjo që lidhet me zhvillimin e vrullshëm të të gjithë Mesdheut. Ajo pasonte atë që njihet si mesjeta e hershme një hapësirë kohore ku vendbanimet ishin zhvendosur nëntokë të mbuluara me dru apo me kashtë.

Për të kuptuar zhvillimin e Kamenicës, mjafton ta krahasojmë atë me qendra të tjera të kësaj periudhë, rezultati tregon rëndësinë e madhe shprehur qartë në të gjithë treguesit e saj. Kështu në regjistrin e vitit 1431 Kamenica ka tashmë një fizionomi urbane të qartë është e formuar plotësisht dhe përbëhet nga 267 familje.

Të dhënat që gjejmë në këto regjistra e bëjnë Kamenicën një nga zonat më të banuara të asaj periudhe dhe për të vënë theksin mbi këtë gjë mjafton të përmendim rastin e Gjirokastrës që në të njëjtën periudhë kishte vetëm 167 familje dhe paguante taksa në vlerë disa herë me të vogël sesa Kamenica.

Kishat e identifikuara janë 13, por numri i tyre rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe arkeologët mendojnë se mund të ketë ende të tjera që presin të zbulohen. 8 prej tyre janë identifikuar në kërkimet e kryera në vitet 1970 nga profesorët Aleksandër Meksi dhe Emin Riza, ndërsa pjesa tjetër në ekspeditën e fundit arkeologjike. Si u ndërpre jeta në këtë vend? A ka qenë nje sulm i befasishëm e gjakatar? Një presion i madh për të ndryshuar fenë apo një sëmundje masive siç ishte murtaja. Enigma mbetet për sa kohë dokumentet janë të mjegullta.

Megjithatë faktet që tregojnë për një zhvendosje edhe në Itali e Greqi, të bëjnë të mendosh se arsyeja më e afërt mund të ketë qenë pikërisht presioni në rritje i trupave osmane. Çfarë do të ndodhte nëse një sit i tillë do të ishte në Greqi, Itali, apo në çfarëdo vendi tjetër evropian?

Sigurisht turistët do të dyndeshin, ndryshe nga sot kur në këtë vend mbizotëron vetëm heshtja. Një heshtje që kur e shikon të bjerë mbi vlera të tilla, nuk ka sesi të mos bëhet mbytëse. Në llojin e Kamenicës grekët si më të njohurën e siteve të tyre ruajnë Mistrën, një qendër mesjetare që gjendet në Peloponez.

Megjithatë, për nga vlera historike dhe arkeologjike sipas ekspertëve ajo nuk mund të krahasohet me Kamenicën. Qendra jonë që ngrihet vetëm pak kilometra nga Delvina, shumë afër rrugës kryesore përfaqëson modelin më të plotë e më afatgjatë, detyrimisht edhe cilësor apo e thënë me gojën e arkeologëve modelin më të mirë të llojit të saj në Mesdhe.

Në çdo rast ndryshimin e përbën një fakt thelbësor, Mistra ndryshe nga Kamenica mirëmbahet në mënyrë të jashtëzakonshme, njihet, reklamohet e për më tepër renditet në listën e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO. Ndryshe nga Kamenica jonë që vështirë se njihet përtej ekspertëve dhe studiuesve të fushës.