Falsifikimi i historisë/Bëmat e Enver Hoxhës më 1936…

Falsifikimi i historisë/Bëmat e Enver Hoxhës më 1936…

179
0
SHPËRNDAJE

DOSSIER/“Biografi patriotik – komuniste” me falsifikime, retushime dokumentesh dhe fotografish!

Nga Agron Luka

“Fotoja e djaloshit Enver” në Ballkonin e Bashkisë Shkodër, shtator 1936 …

 

Tema e fotos së Enver Hoxhës në Ballkonin e Bashkisë Shkodër dhe e disa fotove të tjera, në shtator të vitit 1936, të ruajtura edhe me pllaka xhami e filma nga Fototeka Marubi, qysh se u hap “sipari” në vitin 1970, ka qenë e diskutuar dhe e dyshuar në disa rrethe të veteranëve  bashkëkohor. Ndër ato, që e kanë ndjekur Enverin, qysh nga improvizimet e  “Bëmave dhe Betimeve”, para Pol Vajanit, kryeredaktorit të gazetës së PKF, Humanite,  në Paris më 1936, duke provuar edhe shijen e  përvetësimit të disa aktiviteteve të tija, ka qenë edhe babai im Gjovalin Luka. (Shih Agron Luka, “Përse Enver Hoxha e fshehu bashkëpunimin dhe letërkëmbimin me gazetën Illyria me 7 mars 1936?”, bot. në gaz. Shqipërie Etnike, nr 155, 26 korrik 2014, vvvvvv.shqiperia-etnike.com😉

 

Bisedat e babait im Gjovalin Luka me fotografin Gegë Marubi në vitet 1971 dhe 1973.  

Me 24 shtator 1970, ishte botuar artikulli, te Zëri i Popullit, nga shkrimtari Fadil Kraja, me një përshkrim mbi fototekën Marubi dhe mbi gatishmërinë e artizanit fotograf Gegë Marubi dhe vajzës së tij Tereza Marubi, për t’ia dhuruar Shtetit, Partisë dhe shokut Enver, këtë Fototekë, e cila zanafillonte qysh nga viti 1885. (Shih, foton dhe gaz. Zëri i Popullit, dt 24 shtator 1970)

Mbas kësaj “aperture”, erdhi shkëmbimi i Telegrameve direkte, midis Enver Hoxha – dhe fotografit Gegë Marubi, në 29 shtator të vitit 1970. (shih gaz. Zëri i Popullit, dt. 29 shtator 1970 dhe fotoskanimin.)

Nga F. Kraja, shpallej një informacion “surprizë”: “Një fotografi interesante: Djaloshi i ri Enver Hoxha me delegacionin e të rinjve gjirokastritë që kishin ardhur në Shkodër, për të përcjellë eshtrat e luftëtarëve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli”. (cit.; shih edhe fotoskanimin)

Por, a ishte e vërtetë se, Enveri po sinjalizohej “për herën e parë”, mbi ekzistencën e Fototekës Marubi?!  Gegë Marubi, tregonte se, baba i tij Kel Marubi ishte shpallur Patriot Veteran i Rilindjes, qysh me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë më 1962. Traktativat, zanafillonin qysh nga vitet e pasçlirimit, pastaj edhe me rastin e 50 vjetorit të pavarësisë, ku kishte pasur rastin të botonte disa “Kujtime” edhe Bernardina Harapi Marubi, motra e Gegës, vajza e Kelit. (“Lufta për Çlirimin Kombëtar në vitet 1878 -1912, Kujtime Veteranësh”, Tiranë 1962, f. 503)

  1. Bernardina, motrën e Gegë Marubit, Gjovalin Luka e njihte fare nga afër, sepse vajza e Bernardinës, ishte gruaja e vëllait të tij Kolë Luka… Me rastin e mortit të babait të tij Angjelin Luka, në vitin 1971, në Shkodër, Gjovalin Luka, kishte ardhur me leje nga vend-internimi i Rroskovecit. Ai, bashkë me vëllanë e tij Kolë Luka, pati rastin të takohej dhe të bisedonte direkt me Geg Marubin.  Nga vetë prezenca ime, nga përsëritje-ripërsëritjet e kësaj bisede dhe nga shënimet e materialet e ndryshme të ruajtura nga babai im, unë e kam të fiksuar në memorie përmbajtjen e asaj bisede.  Ja një esencë e saj:
  • Zotni Gegë, i kam lexue te Zani i Popullit, artikullin e shkrimtarit Fadil Kraja, pastaj edhe Telegramet. Një dhuratë – peshqesh, i jashtëzakonshëm! Kola më ka informue diçka, mbi shkëmbimet e korrespondencat e vazhdueshme tuajat me shokun Enver. Kësaj radhe ju kishte dhanë edhe “Carta Bianca”, Urime…
  • Po, mor po, “hëh, dhuratë, peshqesh”, me ia falë nji punë brezash, nji fjalë gojet, po i thona… Epo çka me ba, mor Gjovalin, kështu e solli jeta. Edhe families tuej i ka ndodhë, ju nuk ia dhatë vullnetarisht, por jua morën, fabrikën, shtëpinë, gjânë, mallin dhe napolionat. Zotni Lini, dritë pastë, kje dënue fillimisht në t’njajtën ditë me Kel Abatin, me 15 vjet burg. Edhe gjithkund e keni namin se, ia keni dhurue vullnetarisht… E nuk ke pasë çka me i ba as ti.  Hëâ prâ, ja si sillet vallja rrotull, na kapi edhe ne në pleqni “hovi djaloshar revolucionar”, sikur ju pat kapë ju n’rini… Me Enverin unë kam komunikue qysh heret. Më 1959, pat ardhë me Hrushovin në Shkodër, pastaj më 1962…
  • Gegë, pa ju bezdisë e pa dashtë me hapë fletë të vjetra e të reja, thjeshtë deshta me ju pyetë me skjarue diçka, për atë fotografinë e Enverit në Shkodër. A mundem? Nuk po futem se si na paska kênë ajo historia e atyne “filmave të djegun…
  • Posi, sa t’jetë mundun e me sa m’lejojnë rrethanat e reja, Gjovalin, po mundohem me t’u përgjegjë.
  • Pash zotin Gjovalin, mos e kastigo Gegën, ka ardhë për mort e ngushëllim me sforcim. Ka ardhë me ruejtë babën tonë, për hatrin tem, në kët orë t’ vonë e jo me shue kruziozitete me “filma të djegun” e me muhabete me “spec të kuq e spec jeshil djegës”, – ndërhyri Kol Luka, vëllai i Gjovalinit…
  • Mor Kolë, po ti po më konsideron mue si, “film të djegun”, apo si e ke hallin?…
  • Mos u shqetëso kaq fort, mor lum Kola. Mbas misnate vonë tuk asht, e ktu shyqyr s’po kena asnji niri të huej.
  • Gjovalin, bane pyetjen, se nuk po shembet Roma, ishalla.
  • Gegë, jam kurioz me dijtë, a asht fotografia ashtu, siç e shkruen Fadil Kraja, bashkë me një delegacion të rinisë gjinokastrite, me përcjellë nga Shkodra eshtnat e Çerçiç Topullit e Muço Qullit? A mund të identifikohen se, kush na paska kênë ky delegacion me të rinj gjirokastritë? Në cilin vend asht ba kjo foto, në Ballkonin e Bashkisë? A mund ta kem një kopje të kësaj fotoje? Edhe unë kam njoftë plot të rinj gjinokastritë qysh nga gjimnazi në Shkodër, pastaj edhe plot persona nga Gjinokastra, në Tiranë, edhe Topullej, pra e kupton …
  • Ah, më ke xanë pak si ngusht e besoj se nuk asht as momenti e as koha, me u marrë me komente, mor Gjovalin kuriozi. E sa për një foto si kopje as bahet fjalë, sepse akoma ajo nuk asht botue askund. A e din atë fjalën, “zemra ma hjek e bytha s’ma m’ban”? Si me ta thanë ty, jena akoma “në nji proçes studimi, seleksionimi e sekreti professional”…
  • Sa e kam ndjekë unë, as shoku Enver e as shoqia Nexhmie nuk e kanë përmendë ndonjëherë këtë ngjarje! Mbaj mend shoqen Nexhmije, kur kërkonte gazetën Demokratia të Gjinokastrës, sepse Enveri na kishte mbajtë aso kohe, një Fjalim e një Betim në emër të djalërisë, për Bajo Topullin. Ky Fjalim – Betim, ka hy edhe në Historinë e PPSH, bot. 1968. Por, aty nuk përmendet fare ky betimi tjetër për Çerçizin! Në fakt, edhe Betim-Fjalimi te Varri i Bajos, s’ka pasë asnjë lidhje me historinë e PKSH-së. Bajo Topulli thuhet se nuk ka qenë ndonjë kontribues i madh i pavarësisë dhe në atë eveniment nuk ka kênë prezent.

Bajo Topulli dhe Çerçiz Topulli kanë kenë protagonistë të spikatun të revolucionit xhon-turk, kishin  njohje me sferat e larta, me Enverin, Talatin, Njazi Resmen, Mustafa Kemalin etj, e pranonin programin e tyre për qëndrimin e Shqypnisë brenda një shteti shumëkombësh turko-osman me një lloj autonomie.

Lefter Dilo, në një libër, “Çerçiz Topulli me shokë”, botim i vitit 1961, për ilustrimin e kësaj vije, kujton një këngë folklorike – historike të kohës të këndueme nga vetë Çerçizi:

Shqipëri, moj Shqipëri, Shqipëri pesë Vilajete,/pse s’u përpoqe për vete, por për shumë ti milete… (f 44, shën yni A.L.)

 

          Kjo, kangë mue më duket pak a shumë e ngjashme me atë të Abdyl Frashërit:

Kurvelesh e Gegëri, / ç’u mblodhë në Ergjëri./Ky Abdyl Frashëri, Ç’u përpoq i varfëri/ shkriu një barrë flori. Shtatë herë në Frengji.Sos u përpoqe për vete a derëzi,/as për mua as për ti,por për gjithë Rumeli…

Por, me thane të drejtën, hajde e zëni besë kangëve e vargjeve të folklorit tonë, disa rapsodë, t’i ndërrojnë e i përshtatin si t’i duesh, i rrinë gati çdo lloj evenimenti. Siç shihen të dy këngët kalojnë edhe në një lloj linje nacionaliste të Shqipërisë Etnike të fryrë pan vataniste, me nja 5 a 6 vilajete:

“Selanik e tatëpjetë, /ka qenë e do të jetë:/Vent i Tërë i Shqipërisë,/me ndihmë të Perendisë”.

Lefter Dilo, në libërthin e tij, ka përmendë vetëm Fjalimin e Betimin e Enverit, para eshtnave të Bajos, ndërsa nuk e ka përmendë fare këtë ngjarjen e Shkodrës! Pse?! Lefteri, nuk i referohej as gazetës Demokratia, ku thuhej se ishte botue Fjalimi i Enverit për Bajon, por shkruan se, i referohet, një “Dorëshkrimi” të Enverit, në Muzeun e Gjirokastrës. (f 54. Shën., yni A.L.)

  1. Dilo, sipas historisë me iso labo-kurveleshe, citonte një vjershë popullore, sikur ata të dy i kishin vra malazezët bashkë me besnikët e Esat Pashë Toptanit, sepse Çeçua dhe Muçua, na paskan dashtë me i ba atentat Esatit: O Çerçiz revol me dhjetë/Hype në pajton të shkretë/Pas të ranë pataretë… (f 52. Shën., yni A.L.)

Enveri boll i ka ardhë rrotull ngjarjes, diku e përmendi në vitin 1963, por asnjëherë nuk i ka përmendë kontributet e tia personale, siç i pakeni rujt ju, të dokumentueme edhe me foto.  A thue po plotësohet biografia e Enverit dhe Historia e PKSH-PPSH, me një Fjalim e Betim tjetër, djaloshar në Shkodër, krahpërkrah me Ernest Koliqin e At’ Anton Harapin?

Si ka mundësi që Enveri kujtohet kaq vonë, sepse dikund ai e përmend ngjarjen qysh nga viti 1942?! Më 1963, Enverit diçka i kujtohej si turbullt, se një grup i dërguar nga Gjirokastra, kishte nxjerrë eshtrat e Çerçit, por aty nuk e pohonte se edhe ai vetë na kishte qenë pjesëtar i atij grupi! Ç’ka fshihet këtu?! Ju kërkoj pak falje, se fola hapun, sepse nuk jena njerëz të huej…

[Më 1942, E. Hoxha shkruante: “Mustafa Merlika, ky tradhtar e katil i hedh një kockë së shoqes së heroit të Mashkullores, Çerçiz Topullit. Pse vallë tradhtarët u kujtuan kaq vonë për këta atdhetarë? Apo e kishin harruar Spiro Bellkamenin, Çerçiz Topullin? Pse s’kishin harruar Qazim Koculët e Javer Hurshitët dhe të tjerë spiunë… gratë e Çerçiz Topullit e Selam Salarisë… që fashizmi dhe tradhtarët kërkojnë t’i gënjejnë…” (E. Hoxha, Vepra 1, bot. 1968, Botuar së pari, te gaz. Zëri i Popullit, nr. 5-6, nëntor 1942; Fjala ishte duke i lidhur një pension.)

Më 26 tetor 1963, duke folur në Gjirokastër, E. Hoxha kishte thënë: “Një luftëtar i  tillë (si Bajo Topulli AL) ka qenë edhe Çerçizi… më në fund Çerçizi u vra tradhtisht në Mal të Zi dhe u varros në Fushën e Shtojit. Në kohën e regjimit starap të Zogut një grup i dërguar nga Gjirokastra nxori eshtrat e Çerçizit dhe i solli ato gjer në Leskovik. Kurse Bajo Topulli vdiq në atdhe, ai sa jetoi bëri një jetë të ndershme, kurrë nuk iu përkul regjimit dhe si njeri përparimtar vazhdoi gjer në fund rrugën e tij revolucionare…” (Shih, Zëri i Popullit, dhe E. Hoxha, Vepra 25, f 484) Këto citate i nxora  nga nënvizime-shënimet nga librat dhe gazetat e ruajtura nga babai im. A.L.]

Kje folë aso kohe në shtypin e kryeqytetit, për “Batalionet e Djalërisë”… Më 1936, me Fjalim-Betimet e Padër Gjergj Fishtës OFM, qysh me transferimin e eshtanave të Hasan Riza Pashës në një Tyrbe të re, filloi edhe seria e fjalimeve me Tribuna në Shkodër. Te revista Illyria, Illyro-fashistët shkruenin me bollëk për ta ba sa ma të lehtë, sa ma të pazhurmshëm, pa konflikt e sa ma paqësor bashkimin e vendit me Italinë fashiste. Gazeta Illyria ose Illyro-fashistat kanë qenë shum të rafinuem fillimisht. Te Illyria shkruenin kryesisht fashistat, por shkruanin edhe plot persona si simpatizantë komunistë…

Jeni ju të parët, që ja keni shtie ndërmend dhe ju po ia dhuroni foton e fotot shokut Enver? Ka vetëm një foto, apo edhe foto të tjera? Shtypi i kohës ka botue ndonji foto?

Rrmon Gjovalini, rrmon nëntokë si urîthi, po si me ja bâ unë se më ke xanë ngushtë sot…

-A nuk e kuptove Gjovalin, se Gega e ka të pamujtun me t’u përgjegjë, shqyp e troç ta tha, boll ma…

-Po mirë, po mundohem ta thjeshtoj, a asht shoku Enver në atë fotografi, vetëm me rini gjinokastrite, apo fotografia asht e kombinueme me patriotë veteranë dhe me disa figura politike të spikatuna të kohës? Historia e oratorëve dhe fjalimeve protestuese dihet, dihet edhe historia e gjetjes së gropës, dihet edhe se kush ka folë e ku janë botue fjalimet, edhe ti Kolë i din fort mirë. Por, po kje kaq e vështirë, kaq delikate e kaq konspirative kjo foto dhe qi i sjell dam Gegës, unë s’po kambënguli ma.

-Me ta thanë të drejtën, lum Gjovalini, unë punoj edhe me nji grup specialistësh fotografë e arkivista që tashma, me kujdesin e Enverit, më rrethojnë. Kaq e gja e kupton. Besoj se, së shpejti ka me u pregatitë ndonji album dhe nëpërmes Kolës, po mendohem e ta dhuroj nji kopje. Ato fotografi, nuk asht se i kam pasë vetëm unë, ka edhe koleksionista të tjerë. Historia ka edhe kërkesa: “Bjen dikush prej fikut se thehet dega, ndërrohen edhe rojet prej kacafikut”, ahahahaha…

-Aha, e kuptova. Por, prap po mendoj se, sekretin nuk e mban as toka, dikur mbin ai fyelli prej kallami, që ka me tregue se, i biri i mbretit kishte veshë gomari, apo si ajo historia e Farit të Aleksandrisë, ku mbi suvatim ishte shkrue pllaka me emnin e mbretit, por kur ra suvatimi e pllaka, mbi gur doli mbishkrimi me emrin e arkitektit të vërtetë…

-Hahahaa, megjithçka ke hjekë, je djegë e pjekë, prapseprap ke mbetë pak shejtan, mor Gjovalin.

-Po, ajo fotoja dhe vetë flamuri i vitit 1912, i qendisun nga Bernardina, ku përfundoi fizikisht? E kam lexue, e kam librin e botuem të vitit 1962, me “Kujtimet” e Benardinës…

-A ta merr mendja se i kam takue e kemi bisedue personalisht me At’ Donat Kurtin e  me Pashuk Ndokidhinë, kjê një koinçidencë …

-Mirë pra, mos harro ma ke borxh një foto të flamurit dhe një kopje Albumi, sepse besoj do nisem për Roskovec, shpejt…

-Qyr, qyr, hej more sherr, si vijnë e ngatërrohen pejnat, lesh e lî! Po ti Gjovalin beson se, Enver Hoxha i ka njoftë Pader Anton Harapin dhe Ernest Koliqin, qysh me 1936?

-Po, kanë pasë qarkullue muhabete gjithfarësh. Unë vetë jam surprizue, kur e kam pa me sytë e mij në Illyria, ku ishte drejtor Asim Jakova dhe në redaksinë e saj ishte E. Koliqi. Enver Hoxha na kishte pas kênë edhe bashkëpunëtor e korespondent i asaj reviste! Dhe nuk e ka ba për zâ askund! Ti beson se, djaloshi Enver ishte betue, ashtu me alamet personalitetesh, krejt rastësisht?

-Gjovalin, mos kushedi je ngatërrue si haluçinacion? …

-Mor, Kolë, ti shpesh, je si shumë i çuditshëm! Si e ke harrue se, unë kam botue më 1954, Veprat e Migjenit, dhe i kam kontrollue nji për nji botimet, për bibliografinë e tekstet, në gazetat e revistat e kohës. Te revista Illyria, dt 7 mars 1936, kur botohej vjersha “Recital i Malsorit” nga Migjeni, në po atë numër, redaksia e Illyries i kthen përgjigje e komunikon personalisht me diplomatin Enver Hoxha në Bruksel… Enveri ka botue në ate numër, nji përkthim nga frengjishtia, Jacques Bainville, “Diktatorët, Z. Ataturk ose Mustafa Qemali”. (shih fotoskanimet tona.)

-Si mor, shoku Enver, nuk e ka përmendë askund këtë bashkëpunim?! …

-Po ti Gjovalin, për kuriozitet ku i kishe ble makinat daktilografike Olivetti dhe shaptilografin? … Unë kam shaptilografue botue e përkthye i pari shqip edhe pjesë nga Manifesti i Partisë Komuniste.  Kola i din kto punë, se nuk po i ndigjon për herën e parë…

-Çdo gja që çon sadopak kandar në histori e përbajnë merita, duhet të fillojnë nga Ai. Ata, burrë e grue, kanë përvehtësue e përshtatë të gjitha biografitë e kontributet e të tjerëve…

-Tesh mue po m’duhet me përrshitë, si pa u pa. Shkoi vonë e biseda shkoi gjatë e larg, tuj ruejtë Angjelinin, dritë pastë, dhe nusja na doli pak si e paparashikueme. Na doli me spec t’kuq, spec jeshil e spec djegës, bashkë bisedimi…, – e mbylli Gega.

-Po na dilte se, Enveri me Nexhmijen, kishin shtënë në dorë jo vetëm “Fototekën Marubi”, por edhe ndonji copë nga “Arkiva Sekrete e Melonit” dhe e kafazëve të tij …

-Në, vitin 1973, vdiq edhe Liza Luka, e shoqia e Angjelinit, nana e Kolës e Gjovalinit.  Gega, edhe kësaj rradhe erdhi me u pjekë, “për hatrin e Kolës” …

-Në Shkodër, na qenkesh pushkatue edhe Kara Seit Pasha, kryekomandanti turk i krejt frontit të Rumelies/Ballkanit …

 

 “Kontributet” e djaloshit gjirokastrit te “Gropa e Shtoit”…
Episode të viteve 1978 -1979.

-Nga viti 1973 – te viti 1978, Enveri kishte shkuar disa herë në Gjirokastër, sepse atje dhe sidomos te Rrapi i Mashkullorës, i vinin frymëzimet e zbritura. Që andej me anë e ZP-së dhe ATSH-së, dërgonte edhe mesazhe se, si e donte të qëndisur, historinë bashkë me fotot…

Më në fund, Gjovalini kishte arritur ta kapte, se çfarë fshihte e ku na kishte rrahur Enver Hoxha, që “kishte fshehur këmbët”, me vite e vite, sapo kishte lexuar gazetën, Zëri i Popullit, 21 mars 1978.

Origjinali i tekstit nga E. Hoxha, i “Bëmave dhe Betimeve”, të Shkodrës në shtator 1936,  në Kujtimet gojore retrospektive, ishte kështu: “Shoku Enver foli për vrasjen tradhtare të Çerçiz Topullit dhe të Muço Qullit, patriot e gazetar i shquar nga Kolonja, shok i Çerçizit dhe për vështirësitë e mëdha që krijonte qeveria tradhëtare zogiste për të penguar sjelljen nga Shkodra në Gjirokastër të eshtrave të tyre. Unë kam qenë atëherë i ri i pa punë, tha shoku Enver, dhe rrija në Tiranë, ku flija në një hotel me Jonuz Topullin. Xha Jonuzi më thoshte: “Enver, këta qena s’po na lejojnë të vemi të marrim eshtrat e Çerçizit dhe të Muço Qullit, por do të përpiqemi. Më në fund një natë xha Jonuzi më thotë: “E fituam. Bëmë ç’bëmë, pas dhjetë ditësh do të ikim, po patëm disa  diskutime në komision. Disa thoshin për ty të mos e marrim djalin e Halilit se ai është komunist. Por, unë u thashë: “S’dua të di unë është komunist a s’është komunist, unë di që ai është djalë gjirokastrit dhe nipi i Hysen Hoxhës, i cili ka qenë bashkëluftëtar i Bajos e i Çerçizit, prandaj do të vijë”. Dhe vajtëm në Shkodër. Së bashku me disa fshatarë zhveshëm palltot, përveshëm llërët dhe gërmuam tokën e Shtoit, nxorrëm eshtrat e Çerçizit dhe të Muço Qullit. Ata hipën në pajton që të vinin kundër Esat Pashës, por tradhtisht i vranë dhe atje i varrosën. Populli i Shkodrës na priti shumë mirë, na priti me entuziazëm, pavarësisht se Musa Juka dhe kleri katolik bënë propaganda. Edhe unë, vazhdoi shoku Enver, pata nderin që nga ballkoni i bashkisë t’i flas popullit të Shkodrës për lirinë, për përparimin dhe për trimërinë e atyre burrave, eshtrat e të cilëve i kishim përpara.”

[“Zëri i Popullit”, e martë, 21 mars 1978, f 1 e 2, “Shoku Enver te Rrapi në Mashkullorë kuvendon shtruar me fshatarët”, me telefon nga të dërguarit ATSH. Shih fotoskaniimin]

Më vonë u konstatua se ky varjant i Enverit, hapte kundrathanie e diskutime dhe prandaj u çensurua dhe u ndryshua nga vetë Nexhmi Hoxha dhe shkruesit e Enverit.

Enveri na kishte pretenduar kontributin e tij madhor personal, bashkë me Jonuz Topullin, në krijimin e komisionit gjirokastrit, në hetimin, gjetjen e identifikimin e mbetje – eshtrave, me organizimin, me heqien e palltos (kur nuk kishte pasur pallto fare!), me përveshjen e llërëve dhe gërmimin, bashkë me disa fshatarë me kazma e lopata! Ndërkaq nuk merrej vesh mirë nëse ai grupi/komisioni iniciator ishte projektuar nga Gjirokastra apo nga Tirana dhe me kë na ishte grindur xha Jonuzi, për “komunistin Enver”?

Me pak fjalë, Enver falsifikatori kërkonte t’ia vidhte komplet kontributin e Prefektit Javer Hurshiti, Daut Çarçanit dhe gjithë të tjerëve dhe t’i bënte mundësisht inekzistent fare.

Enver Hoxha kujtonte se arti i fotografisë ishte si arti i pikturave me porosi, apo si qëndisja me porosi e vargjeve të këngëve me iso…

Mbas tërmetit, Enveri erdhi si triumfator në vitin 1979, në Shkodër. Kronika e Zërit të Popullit, shkruante: “Shoku Enver u takua edhe me shokun Gegë Marubi dhe i dha disa porosi të vlefshme për Fototekën dhe Arshivën… pastaj vizitoi “Ekspozitën e Arteve Figurative dhe Fotografisë”, ku pati rastin të vizitonte një stendë të veçantë kushtuar tërheqjes së eshtrave të Heroit të Popullit Çerçiz Topulli dhe patriotit të shquar Muço Qulli, në vitin 1936. Shoku Enver atëherë erdhi këtu dhe mbajti një Fjalim nga Ballkoni i Bashkisë, ku i foli popullit të Shkodrës për luftën heroike, për patriotizmin e zjarrtë, për guximin e trimërinë e këtyre burrave, që shkrinë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë… Ndanë rrugës, pranë fshatit Dobraç, atje ku ngrihet lapidari kushtuar heroit të Popullit Çerçiz Topulli dhe patriotit të shquar Muço Qulli, që ranë me emrin e Shqipërisë në gojë, shoku Enver Hoxha vendosi një kurorë në të cilën është shkruar: “Heroit të Popullit Çerçz Topulli dhe Patriotit Muço Qulli”.

[Gjovalini, krahas ZP-ve të tjera të cituara, kishte ruajtur në Dosje, tre gazeta, dy, ZP, dt. 19 e 21 tetor 1979 , gaz. Jeta e Re, dt. 20 tetor 1979, e të tjera gaz. kohore.]

Disa copëza nga ajo ish Stenda Historike, përfunduan në Muzeun Historik të Shkodrës. Mirë do ishte që stenda të gjurmohej e konfrontohej edhe me arkivin e Kinostudios e RTSH…

Albumi i vitit 1982 dhe asfiksimi i tij… 

Metamorfoza e “Kujtimeve të Rrapit të Mashkullorës”, botuar te “Zëri i Popullit”, 21 mars 1978…

 

Në vitin 1982, studiuesi shkodran Karahman Ulqini, botoi albumin fotografik, “Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën e Shkodrës”.

Enveri kishte urdhëruar që në atë foton e sinjalizuar në vitin 1970, ta nxirrnin solo, si  djaloshin e revoltuar patriot “antizogist”, si protagonisti i të gjithë atij evenimenti, duke lexuar Fjalim-Betimin nga Ballkoni i Bashkisë Shkodër.

Në f 9, të Albumit, ishte botuar fotoja me 14 shtator 1936 dhe në f 8 ishte e shkruar me germa kapitale kjo diçiturë, gjoja si thënia autentike e “Kujtimeve të Enverit”:

“Dhe vajtëm në Shkodër së bashku me disa fshatarë zhveshëm palltot, përveshëm llërët dhe gërmuam tokën e shtojit, nxorëm eshtrat e Çerçizit e të Muço Qullit. Ata hipën në pajton që të vinin kundër esat pashës, por tradhtisht u vranë dhe atje i varrosën. Populli i Shkodrës na priti shumë mirë, na priti me entuziazëm, pavarësisht se Musa Juka dhe kleri katolik bëri propagandë. Edhe unë pata nderin që nga ballkoni i bashkisë t’i flas popullit të Shkodrës për lirinë, për përparimin dhe për trimërinë e atyre burrave, eshtrat e të cilëve i kishim përpara.

ENVER HOXHA

Duke e kujtuar burimin e kësaj diçiture, iu drejtova direkt, autorit prof. Karahman Ulqinit, meqenëse njihem me të. Nga e keni nxjerrë ju profesor këtë diçiturë?

Me datën 10 maj 2014, profesori i nderuar më komunikoi: “Unë nuk kam pasur dijeni dhe nuk e kam vendosur këtë diçiturë me germa kapitale. Shtëpia Botuese “8 Nëntori” dhe Shtypshkronja e Re në Kombinatin Poligrafik, kishin korrektorët e redaktorët e tyre, përveç faktit se, fotografitë ishin kontrolluar e aprovuar nga vetë Gegë Marubi. Ky ishte Albumi i parë im i parë i botuar dhe aso kohe natyrisht ishte një gëzim për mua. Pak ma vonë, u interesova për diçiturën. Sipas mendimit të një korrektori me emrin Kristo dhe dy recentëve, Kristo Frashëri dhe Dh. S. Shuteriqi, diçitura ishte vendosur me konsultimin e aprovimin nga vetë shoqja N. Hoxha dhe shoku R. Alija. Sipas tyre, citati duhej të ishte nxjerrë nga manoskriti origjinal, “Kujtimet e Djalërisë/Vite të Rinisë”, të Enver Hoxhës, që ishin aso kohe ende të pabotuara. Në tekstet e Albumit, ka pasur edhe raste ndërhyrjesh të tjera”.

Kështu mbasi kishte marrë informacionet dhe siguritë e çmueshme fotografike e dokumentare, mbas shtatorit 1970, E. Hoxha kishte filluar “të shkarraviste” (kështu e shkruante ai vetë termin origjinal) në botimin, “Kujtimet e Djalërisë/Vite të Rinisë”, si vazhdimi i librit, “Vite të Vegjëlisë”. (“Vite të Rinisë”, “Në vend të Parathënies”, f 3, bot. 1988)

Enveri, madje “shkarravinat” i kishte lënë me amanet të mos botoheshin, i kishte shkruar, “vetëm për Nexhmijen e fëmijët”. (f 4, cit.)

Duke rikontrolluar te koleksioni i gazetave ZP, të ruajtura e të nënvizuara nga babai im,  e zbulova, se ku na fshihej, “lepuri i madh në kaçuben e vogël”, simbas një shprehje të zotit Gegë Marubi… (Zëri i Popullit, 21 mars 1978, f 1 e 2, “Shoku Enver te Rrapi në Mashkullorë kuvendon shtruar me fshatarët”, me telefon nga të dërguarit ATSH.)

Duhet nënvizuar se, ky improvizim kujtim gojor, të gjithë analistëve u ka shpëtuar! Kemi të bëjmë, me një regjistrim fonik, të cilin kopistët dhe shkruesit e Institutit Studimeve M-L, pranë KQ të PPSH, fillimisht e ç’montuan, e copëtuan dhe dora-dorës e censuruan dhe  e çtjetërsuan.

Me rastin e Librit, “Vite të Rinisë”, vigjilentia Nexhmie, meqenëse ky tregim nuk i kombinonte me realitetin historik e ndryshoi komplet nga origjinali: ia hoqi Enverit pallton fare. (faktikisht nuk ishte as sezon palltosh);  E lehtësoi Enverin nga mëngët e shpërvjelura dhe gërmimi për eshtra; e qëroi edhe nga ato hollësirat e hipjes në pajton për atentatin kundra Esat Pash Toptanit! Për më tepër ia hoqi edhe hollësitë e peripecitë me shokun e hotelit në Tiranë, kushëririn Jonuz Topulli!

[Për “kushëririn e rehabilituar Jonuz”, qysh më 1978, babai im më tregoi edhe një qyfyr historik: Këtij Jonuzit të Topullarajve “superpatriotë”, një Komunikatë e Jashtëzakonshme e 43-shit, ia kishte porositur edhe një plumb mbas koke, sepse e kishte sharë Enverin si “zagar i pa shtëpi”… Enveri, e bëri si të pa qenë dhe këtë ia rrasi Bedri Spahiut, m’hypit bektashi … (shihni fotoskanimin e Komunikatës)]

Nga Nexhmia dhe shkruesit qatipa të ISML, ish teksti origjinal i ZP-së, tashti ishte transformuar kështu: “S’shkuan as disa ditë e, nën përshtypjen e madhe që la ceremonia për Bajon, u vendos të krijonim një grup me patriotë e elementë të tjerë patriot për të shkuar në Shkodër, të gjenim vendin ku ishin varrosur, diku në Shtoj, patriotët Çerçiz Topulli e Muço Qulli dhe eshtrat e tyre t’i sillnim të preheshin në Gjirokastër, në po atë kodër, në hyrje të qytetit, ku tashmë preheshin eshtrat e Bajos. Në grupin iniciator isha edhe unë. U përgatitëm, shkuam në Shkodër dhe nuk mund të harroj atë pritje aq të ngrohtë e atë frymë të ndezur patriotike që gjetëm te populli trim e patriot shkodran. Pata nderin e madh të flas unë në emër të delegacionit gjirokastrit e të gjithë popullit të Gjirokastrës në ceremoninë që organizoi populli i Shkodrës për të përcjellë eshtrat e Çerçizit dhe të Muço Qullit”.  

(Vite të Rinisë, bot. 1988, f 242)

Betimin te ceremonia e Bajos, e përmendnin edhe A. Çarçani e H. Toska, që ishin si sahabët e Enverit, por që të dy çuditërisht heshtnin për Fjalim-Betimin te Ballkoni i Bashkisë Shkodër! Ata nuk e përmendën sepse e dinin edhe amanetin edhe sekretin e Enverit… (Kujtime për Enverin, bot.1988, f 6 dhe f 157-158)

Sepse, “programi i luftës për mbarëvajtjen e bashkimin e vërtetë të kombit”, korrespondonte pikë për pikë me atë të oratorëve fashistë mbi “Batalionet e Djalërisë”!

 

Drejt pushtimi fashist…

 

Më 9 maj 1936, Italia pushtoi Etiopinë. Se kujt do t’i vinte rradha, tashmë edhe në ajër nuhatej. Dikush nxitoi ta qetësonte Mbretërinë e Mbretin e Shqipërisë.

Në Deklaratë – Intervistën dhënë ekskluzivisht për gazetën angleze, Daily Telegraph, Mussolini tha: “Politika italiane në Shqypni asht krejt e kjartë e kryekput lineare. I vetmi qëllim i saj asht me mbajtë e me respektue pamvarësinë e këtij shteti të vogël, qi për shekuj ka kenë mik me Italinë. (Hylli i Dritës, nr. 6, qershor 1936, f 317)

Realisht, po shtrohej taktika nëse kjo “kryekëputja lineare” duhej futur shpejt në veprim me okupacion, siç donte krahu i Kont Çianos, apo, nëse duhej ende edhe ca kohë, mbasi Mbretuci shqiptar mundej edhe ta pranonte ofertën e një bashkimi miqësor me Italinë, që e nënkuptonte Deklarata demagogjike e Mussolinit.

Në Shkodër, rreth 30 metra afër shtëpisë së Gjovalin Lukës, në Piacë e kishte pasur folenë edhe një seksion i fuqishëm i simpatizantëve fashistë, këmishëzinj. Kishte qenë kjo fole që provokonte incidente antizogiste dhe ata ua ngjisnin komunistëve të Organizatës Komuniste të Shqipërisë me qendër në Shkodër.

Në 18 Fruer 1939, me shkresë rezervate të Ministrisë së Mbrendëshme, Zogu I e mbylli revistën Hylli i Dritës, sepse At Gjergj Fishta kishte shkruar: “Populli po pret me padurim realizimin e fjalëve të bukura të Sovranit”, që përkthehej se, tashma ma në fund, duhej realizuar bashkimi linear e vullnetar me Italinë, i premtuar nga vetë mbreti Zogu I… (Shenjimi i Redaksisë, Hylli i Dritës, nr. 7-9 korrik-shtatuer 1940, f 303)

Besimtarit e poetit të madh epik homerik, i kishin dalë tash edhe Hyjnitë, “Mbigjenijtë Hitler e Duçe me rendin e ri shoqnuer”

Spiunimi i Organizatës Komuniste të Shqipërisë me qendër në Shkodër, kishte ardhur nga Korça…, ku me sa duket kishte gisht edhe udhëheqja e lartë G.K. Korçës, në legalitet…

Kishin qenë Gjovalini, “Shoku i Prangave”, bashkë me Qemal Stafën që e kishin adoptuar Kangën e Frontit Popullor, vargjet e saj: “Mjaft ma me këmisha të ngjyrueme/ mjaft jetoi kryqi nazist/ na jemi ushtri e bashkueme/ s’na gënjen turpi fashist…/ Rrofsh o i Popullit Front…  Me këto vargje më vonë do të dilnin edhe disa Trakte të komunistëve shkodranë. …

Por, Bëmat e Betimet e Enverit, “Gjeniut të së Keqes”, nuk kanë të sosur… Ai, dërgoi në varre e pa varre, shumë komunistë, ca i spiunoi, ca i qerasi me plumba pas shpine e ca me vdekje të ngadaltë…! Në kohën e “Kujtimeve të Rrapit” ulërinte kundra komplotistë-puçistëve dhe përgëzonte armën e Sigurimit për asgjësimin e “Pashallarëve të Kuq”. Pastaj u erdhi radha edhe atyre…

Por, sado vonë të vërtetat dalin…

kohajone.com