AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE SIPAS J.E.THUNMAN, A.T. LINHART DHE J.G.HAN

AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE SIPAS J.E.THUNMAN, A.T. LINHART DHE J.G.HAN

2018
0
SHPËRNDAJE

E pergaditi Prof. Zymer Mehani

Me historianin gjerman J.E. Thunman, i cili para më se dy qind vjetëve shkroi për prejardhjen e shqiptarëve në librin e tij, “Hulumtime rreth historisë së popujve të Europës lindore”, nisë një varg shumë i madh shkencëtarësh, të cilët u morën me këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe interesante të paleoballkanikës. A janë shqiptarët banuesit e vjetër, sipas kësaj me grekët, populli i vetëm në Ballkan, i cili nga koha parahistorike, jeton në këtë hapsirë të njejtë, në të cilën edhe sot jeton, ose ata në këtë hapsirë kanë ardhur vonë, në kohën ose edhe pas shpërnguljes së madhe të popujve në mesjetën e hershme? Nëse shqiptarët janë autokton, ç’e argumenton këtë autoktoni dhe nëse janë të ardhur prej nga kanë ardhur?
Thunmani që atëhere duke pasë në dispozicion vetëm burimet historike përfundoi se shqiptarët janë banuesit e lashtë dhe si argument për këtë hipotezë solli dokumentet e shkruara, të ruajtura të mesjetës, në të cilët nuk hasim gjurmën më të vogël për ndonjë shpërngulje shqiptarësh në vendbanimin e tyre të sotëm. Ky argument edhe sot është i qëndrueshëm dhe në të, me të drejtë, mbështeten të gjithë ata që mbështesin, ose në të kaluarën kanë mbështetur tezën e autoktonisë së shqiptarëve.
Pas Thunmanit, këtë tezë e mbrojtën shumë hitorianë, filologë, e shkencëtar të tjerë. Kështu, historiani dhe shkrimtari slloven Anton Tomazh Linhart, në veprën e tij “Pasqyrë e historisë së Kranjës dhe vendeve tjera sllavo jugore në Austri” duke u mbështetur tek Thunmani shkruan se gjuha ilire jeton edhe sot, edhe pse jo e pastër, në malet shqiptare, (und noch heute, abëohl nicht mehr rein in den Gebirgen Albanienslebt).
Në qindvjetëshin e 19-të, tezën e autoktonisë së shqiptarëve e mbështesin shumë shkencëtaër, ndër ta vend jashtëzakonisht të rëndësishëm zë konsulli austriak dhe njohësi shembullor i të kaluarës dhe i kulturës shqiptare, Johan Gerog fon Hani, me veprën e tij të rëndësishme “Studime shqiptare I-III”. Hani, duke i mbështetur konkludimet e veta në njohjen e thellë të burimeve historike dhe të historisë së gjuhës shqipe, është i pari, që tezën e autoktonisë së shqiptarëve e vendosi në baza të shëndosha e solide shkencore.
Meritë e tij e veçantë është se tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor kah toponimistika, si lëndë e rëndësishme për studimin e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Shpjegimi i tij i disa emërtimeve ilire të vendeve, me ndihmën e gjuhës shqipe, si p.sh. Dalmacia nga delme = dele, Ulcinium nga ulk = ujk dhe shumë e shumë të tjerë, që deri më sot mbeten në fuqi.