Si ishte i mundur formimi multi dimensional i Faik Konicës?

Si ishte i mundur formimi multi dimensional i Faik Konicës?

271
0
SHPËRNDAJE

Eruditi më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare është padyshim Faik Konica dhe interes të madh paraqet fakti se si ka qënë i mundur formimi i tij.

Formimi multi dimensional i shkëlqesisë së tij Faik Konica ka filluar që në Kolegjin Saverian Jezuit në Shkodër, ku atje, u njoh me kulturën perëndimore dhe krishtërimin.

Në ambjentet e kolegjit ai mbrumi oksidentalizmin e tij, akoma në një nivel të arsimit fillor. Por kur merr arsimin e mesëm dhe atë universitar janë letrat midis tij dhe poetit Guliem Apolonier që dëshmojnë zhdërvjelltësinë intelektuale të Konicës dhe etjen e pashueshme për të studiuar më shumë.

Menjëherë që pasi kreu, Liceun francez të Konstandinopojës (Galata Saraji, që u frekuentua edhe nga Ahmet Zogu) ai shkoi në Francë më 1888, në moshën 12 vjeçare, dhe filloi drejtëpërdrejtë kolegjin Lisieux të Normandisë. Zakonisht, në këtë moshë, fillohej klasa e gjashtë e sistemit arsimor francez, vit shkollor i rëndësishëm për vetë fillimin e adoleshencës që përcaktonte ndarjen nga fëmijëria dhe fillorja.

Nga klasa e gjashtë në të tretën (me zbritje dhe jo me ngritje si tek ne), që do të thotë se ka arritur të kapercejë edhe ndonjë vit shkollor të prapambetur, janë katër vite shkollore në kolegj dhe më pas fillon gjimnazi me tre vite. (klasa e dytë, e parë, terminali apo matura).

Konica përfundon pra kështu më 1893, në moshën 17 vjeçare shtatë vjetët e sistemit të mesëm shkollor francez, kolegj plus gjimnaz, që do të thotë se ka arritur të kapërcejë edhe ndonjë vit shkollor të prapambetur nga Galata Saraji.

Por mbi të gjitha duhet mbajtur parasysh se diploma e maturantit, ishte për vetë kohën e një rëndësie madhor, përderisa mjaft radhë jepej nëpërmjet saj edhe një titull mësuesie për shkollat e mesme.

Sa për ilustrim: në mesin e dytë të shek XIX, nga 1320 profesorë gjimnazi në tërë Francën rurale – që numëronte 83 gjimnaze sipas studiuesit Antonie Prust, 1000 vetë ishin pa diplomë të lartë univrsitare.

Më 1893-1894, Konica merr edhe dy diploma universitare në Monpëlie e Dizhon (edhe sot e kësaj dite mund të marrësh diplomë universitare në Francë për çdo vit studimor që bën); me këto diploma në xhep, si dhe titullin e mësuesisë dhe çmimet e nderit, ai shkon ballëlartë në verën e vitit 1894 në Shqipëri dhe vendlindje.