Ja si dështuan nëntë atentatet kundër Ahmet Zogut

Ja si dështuan nëntë atentatet kundër Ahmet Zogut

637
0
SHPËRNDAJE

Nga Safet N. RAMOLLI

Jeta e Mbretit Ahmet Zogu u vu shpesh herë në planet ndjellakeqe për eliminimin fizik, prandaj edhe mori mjaft masa sigurie për vete, familjen e tij, por dhe të drejtuesve të lartë të Shtetit Shqiptar. Në shtator 1923, ish ministri i luftës, kolonel Hakiu me një grup ushtarakësh përgatiti një grusht shteti, që kishte menduar t’a zbatonte në kremtimet e 28 Nëntorit, ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Plani përfshinte vrasjen e kryeministrit shqiptar A. Zogu dhe vendosjen e një pushteti të tipit “juntë ushtarake”. Ky plan dashakeq dhe kriminal dështoi, duke nxjerrë mësime, se e keqja mund të vijë edhe nga brenda. Po në nëntor të këtij viti evidentohen mjaft veprime rebeluese të xhandarmërisë. Ajo dhe disa njësi të ushtrisë nuk u bindeshin më urdhrave të drejtuesve të tyre, sepse ende në krye të tyre vijonin të ishin elementë rebelues. Më 24 shkurt 1924, Beqir Valteri, anëtar i organizatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Rinj”, e krijuar kjo prej Avni Rustemit, qëlloi mbi A. Zogun tre herë në hollin e selisë së parlamentit duke e plagosur në dorë, në kofshë dhe në abdominal, kur ai po hynte në parlament. Ishte akt i hapët dhune, e megjithatë Zogu, me dëshirën për të falur, urdhëroi që gjakësi të mos ndëshkohej, pra një qëndrim tolerant, por që nuk shkon pa lënë gjurmë në memorien e popullit. Qeveria e formuar pas lëvizjes së armatosur të qershorit 1924, e ndëshkoi ish-Kreun e Shtetit me dënimin maksimal, por bashkë me ‘të u dënuan edhe Shefqet Vërlaci e Iljaz Vrioni, sikurse u konfiskoi edhe pasurinë. Ky vendim mund të gjykohet krejt i skajshëm, mënyrë veprimi kjo, për fat të keq, ka rezultuar thuajse e zakonëshme në traditën e administrimit në Shqipëri, një ves i transmetuar edhe për të ardhmen, aqë sa në historinë e vendit tonë nuk kanë mundur të mbijetojnë pa “u lakuar” drejtuesit e vendit, përfshi edhe Skënderbeun, personalitet që vjen nga shek. XV, por që gjithësesi vjen i mbuluar me lavdi e nder edhe nga Evropa Perëndimore.
Më 20 shkurt 1931, ish oficerët e kufirit Ndok Gjeloshi e Azis Çami, në kohën që Mbreti ishte vetëm 37 vjeç, i bënë atentat me armë zjarri, kur Ai ndodhej për kurime në kryeqytetin austriak. Edhe këtë eveniment të pamoralëshëm A. Zogu e përcolli thuajse qetësisht. Ai nuk kërkoi hakmarrje të tipit mesjetar, dhe as që organizoi apo mbështeti ndonjë veprim të egër e barbar kundrejt keqbërësve. Në të kundërtën, rekomandoi që gjykimi të bëhej duke mbajtur parasysh edhe formimin psikologjik të shqiptarëve, por edhe gjëndjen stresore të ish-oficerëve, të cilët për shkaqe politike (nuk kishin zbatuar kërkesat e statusit të ushtarakëve për t’u distancuar nga partitë politike dhe veprimtaritë politike S.R ), ishin përjashtuar nga Forcat e Armatosura, por pa marrë asnjë ndëshkim tjetër politik.
Në vitin 1934, Muharrem Bajraktari, në këtë kohë adjutant personal i Mbretit, e informon se një oficer i Gardës Mbretnore, kishte patur si detyrë a si objekt, të asgjësonte Mbretin. Edhe në këtë rast, Ai u tregua etik, duke e lënë të lirë oficerin edhe pse kështu fitoi mërinë e Bajraktarit, duke u shprehur jo pa nënkuptim se, oficeri nuk kishte patur aspak qëllim që t’i shkaktonte ndonjë të keqe. Ky qëndrim nuk mund të përcillej pa lënë gjurmë në opinionin shoqëror, por ia ngriti më lart vlerat morale Drejtuesit të Shtetit.
Më 1938 rezulton se ka edhe rrethe të huaja të interesuara direkt për eleminimin fizik të A. Zogut. Bashkëshortja e tij, e nderuara dhe e ndjera zonja Geraldina, në një intervistë dhënë shumë vjet më vonë, kujton se Konti Çiano, kishte në plan eleminimin fizik të Mbretit të Shqiptarëve përmes një veprimi të karakterit komando-diversionist, duke e rrëmbyer Çiftin Mbretëror. Kjo evidentohet dy herë në vitin 1938, në qershor e dhjetor. Edhe këtë akt antihuman, thuajse të vërtetuar, Mbreti e kapërceu pa krijuar ndonjë incident të ashpër diplomatik, duke “e kapërdirë” këtë gjellë helmuese, por duke i dhënë të kuptojë palës italiane se, ishte në brendësi të gjithçkaje deri në hollësitë më të skajshme.
Po ashtu, po bashkëshortja e Mbretit, kujton në dy raste (është fjala për vitet para 1938 S.R), se ka dijeni të sakta për veprime atentatore në dëm të jetës së Mbretit, por të mbetura në tentativë. Në një rast, në njërën nga çatitë e ndërtesës, që ndodhej në parkun prapa pallatit, u gjet një pushkë; ndërkohë në rastin tjetër, një nëpunës i lartë shqiptar, i lidhur me fije të padukshme me shtetas italianë të veshur ose jo me pushtet, i kishte ofruar një rryshfet të majmë kuzhinierit me origjinë hungareze të Familjes Mbretnore, për të kryer një shërbim në dëm të shëndetit të familjes.
Edhe pas emigrimit (më 7 prill 1939 S.R), pretendohet se ka apo disponohen, të dhëna për një atentat të mundshëm të përgatitur nga përtej detit, të cilët thuhet se kishin nisur në Turqi dy shqiptarë për të asgjësuar Mbretin e Shqiptarëve. Pas gjithë këtyre që nënvizuam, mund të pranohet pa mëdyshje se, jeta e A. Zogut ka qëeë në vijimësi e kërcënuar dhe e rrezikuar realisht, por Ai ka marrë e zbatuar një sërë masash efektive për të garantuar jetën e Tij, të Familjes Mbretnore dhe të drejtuesve të Shtetit Shqiptar.
Këto janë disa nga atentatet e kryera apo të mbetura në tentativë, ashtu sikurse me siguri ka edhe të tjera, të cilat për arsye të ndryshme nuk janë pohuar e shprehur. Nuk janë pak. Ato së paku kapin shifrën nëntë, prej të cilave dy janë realizuar edhe praktikisht. Në një intervistë për Gazetën Shqip të vitit 2006, pasardhësi N. M. T, i ndjeri Leka Zogu, shprehet se në dëm të jetës së A. Zogut janë ideuar e përgatitur rreth 100 atentate, disa janë realizuar praktikisht, ndërsa të tjerat janë “arshivuar” si të mbetura në tentativë.
Po, si mundi të mbijetojë një personalitet kaq i rrezikuar?!
Problemi shtrohet, po nëse shpëtoi në të gjitha këto kurthe e pusira, si u mundësua kjo? Si mundi të mbijetojë i ndodhur në një det të tillë armiqësor të thellë e të helmët, për të patur vetëm një vdekje natyrore?!!! Këto e të tjera pyetje kërkojnë përgjigje. Ndoshta formimi shpirtëror shqiptar por edhe karakteri individual, do kenë ndikuar që A. Zogu në jetën e përditshme të inspirojë një farë dyshimi kundrejt atyre që e rrethonin. Mbase për këtë shkak Ai është epitetuar si “Dyshues i Përjetshëm”. Personalisht i përmbahem trasesë se, ka qënë një personalitet “i lakmuar” nga mjaft shqiptarë dhe të huaj, që të sakrifikohej, prandaj edhe mbetet normale dhe e natyrshme, që të ideonte e të zbatonte masa të rrepta, të formave të ndryshme për ruajtje e sigurim. Nga ana tjetër, prirja a dëshira për të qenë “i mbrojtur”, dhe sidomos funksioni shtetëror që përmbushi, por edhe pozicioni shoqëror që Ai zinte, i dhanë edhe mundësinë që të marrë masa sigurie kurdoherë dhe kudo.
Ai studioi në Liceun e Galata-Sarajit në Stamboll, ku edhe njohu politikën orientale, por edhe mënyrën e organizimit të Shtetit me gjithë institucionet, që i ka të nevojëshme, si dhe masat për mbrojtjen e Personaliteteve të Larta të Shtetit Turk. E pati të qartë, sjelljen e sulltan Hamitit, i cili pati kurdoherë debulesë të theksuar për shqiptarët, për karakterin e besës që ata e kanë të shenjtë, prandaj i kishte në bazën e truprojës së tij vetjake, tek të cilët kishte bindjen e patundur se, do të gjente kurdoherë mbështetjen maksimale. Këtë mendësi e bëri të vetën edhe A. Zogu.
Dokumentat na servirin faktin, që A. Zogu kishte preferencë, të ngritur gati në kult, që të përzgjidhte në efektivin e forcave që do të ruanin rendin e qetësinë, kryesisht nga banorët e Malësive, sidomos të Malësive të Veriut, të cilët, të rritur në bjeshkë kishin fituar cilësi të larta e të qëndrueshme fizike e shëndetësore, dhe që për forcë të traditës e të zakonit, ngërthenin qartë, cilësinë e besës, nderit dhe të burrërisë. Nevojën për një forcë të përzgjedhur, besnike e të gatshme të bëjë çdo sakrificë nën moton: ”Mbret e Atdhe”, e kishte paracaktuar edhe nga studimi i përvojës së mëparshme. Në përmbysjen e pakuptimtë në qershor 1924, rolin kryesor e kishin luajtur forcat ushtarake, të cilat u rebeluan dhe u vunë në shërbim të opozitë politike të kohës. Prandaj Zogu, duke u këshilluar edhe me specialistë të huaj: kolonelët Mirach e Stirling (i pari austriak ndërsa i dyti anglez S.R ), në mars 1925 ideoi dhe shtroi për zbatim një reformë të thellë e cilësore në Forcat e Armatosura. Në realitetin kur F.A-të ishin të ideologjizuara skajërisht, aq sa edhe muarën pjesë aktive në luftën politike, Ai parashikoi shkrirjen e plotë të ushtrisë të përbërë nga një efektiv prej 5. 000 vetash, dhe në vend të saj ngritjen e një milicije prej 3. 000 vetash, plan ky nuk u zbatua asnjëherë. Në të kundërtën, u rekrutuan 9 kompani të tjera, 3 nga të cilat u shpërndanë në fund të gushtit 1925. Ndërkohë u muarën masa për krijimin e 3 kompanive suplementare sulmi, që do të kompletoheshin mbi një bazë krejt të ndryshme prej pjesës tjetër të trupave. Ato do të paguheshin sikurse xhandarmëria, me një rrogë më të lartë se sa pjesa tjetër e ushtrisë. Këshilltarë ushtarakë dhe analistë e pohojnë praninë e një force të përzgjedhur nga vetë A. Zogu ose nga miqtë e tij më të besuar, të përbërë prej 200 vullnetarëve, që “vigjëlonin” edhe mbi policinë. Kjo forcë, do të qe e gatëshme dhe e pranishme në çdo çast si krah i armatosur i Kryetarit të Shtetit, pra si Bodigardë Personale, por do të kryente edhe funksionet e Institucionit të Sigurimit të Shtetit. Analistët pohojnë se 9 kompanitë fillestare të xhandarmërisë u bënë 10, me qëllim “krijimin e Gardës për ruajtjen e Presidentit”, në qershor ky numër arriti në 12, kjo edhe për shkak të kërcënimeve në rritje. Bije qartë në sy, Garda e Presidentit, ishte e pranishme faktikisht, dhe si nocion emërtohet: ”Garda për ruajtjen e Presidentit”, çka na jep të drejtën të pohojmë se “ Datëlindja e Gardës” është më e hershme nga data e përzgjedhur e 24 qershorit 1928.
Mjedise të studiuara dhe masa të plota sigurie
Një masë e vlerësuar si domosdoshmëri efektive për garantimin e jetës së Kreut të Shtetit, qe edhe përzgjedhja e mjediseve të punës e të banimit, si dhe formulimi e aplikimi i masave konkrete për ruajtjen e tyre. Më 24 dhjetor 1924 A. Zogu hyri triumfator në Tiranë, e shpalli këtë ditë si “Dita e Legalitetit”, veten e deklaroi Kryekomandant të Operacionit, vendosi ligjin e jashtëzakonshëm duke dhënë kompetenca të mjaftueshme Komandave të Forcave Ushtarake. Në janar 1925, dy nga ndërtesat më të përshtatshme, u adoptuan, njëra Zyrë e Presidentit, tjetra Rezidencë e Tij. Përballë tyre, fare pranë zgjodhi një shtëpi nga më të mirat, në të cilën banonte nëna e Presidentit dhe 4 motrat e tij. Menjëherë ato u vunë nën kontroll të imët e të rreptë të organeve të specializuara, u deklaruan si Objekte të Rëndësisë së Veçantë. Efektivi i këtij formacioni përbëhej kryesisht nga shtetas të ardhur prej fiseve të Veriut, që kishin zbritur në Tiranë duke iu betuar A. Zogut për besnikëri, dhe u vunë në shërbim të tij pa asnjë rezervë, të gatshëm të bënin çdo sakrificë, që e përmbushën në fakt si rrallë në vendet e Ballkanit dhe të Evropës.  Çështjen e Rezidencave dhe të Selive të punës e të banimit, masat për ruajtjen dhe sigurimin e tyre, A. Zogu e kishte problem parësor e të vijueshëm. Por realiteti shqiptar i mbarsur me rreziqe të shumta, formimi psikologjik i popullit për të qenë jo aq tolerant, sidomos në problemet, që kanë të bëjnë me krenarinë dhe dinjitetin personal, prania e hakmarrjes dhe gjakmarrjes si një zakon mjaft i ashpër, e bënë tepër të kujdesshëm për të ruajtur veten, familjen dhe shtetarët.
Më të shumtën e kohës e kalonte në Pallatin Presidencial dhe nën shoqërinë e nënës. Ishte tejet i vetëdijshëm për nevojën e sigurimit të vetes, sa për arsyet që nënvizuam më lart por dhe sepse ja kërkonte dhe garantonte funksioni shtetëror që përmbushte. Mbase tundimi për t’u mbrojtur në çdo kohë e rrethanë, ndoshta “shpirti i përhershëm i dyshimit”, mbase për të shmangur çdo shteg që krijon konflikte, e impononin që pjesën më të madhe të kohës ta kalonte në Pallatin Presidencial, duke punuar në zyrën të tymosur nga duhani i tepërt që konsumonte. Edhe në atë pjesë kohe që harxhonte për të pritur vizitorët, vepronte i tensionuar mendërisht si dhe ishte i gatshëm fizikisht për të vrojtuar e vëzhguar lëvizjet e papritura të vizitorit, por edhe për të vepruar me shpejtësi dhe efikasitet për vetëmbrojtje përmes një revolveri, që e mbante kurdoherë mbi tavolinë të mbuluar me një shami të kuqe. E kishte praktikë pune të përhershme, që të ndodhej kurdoherë i armatosur, por edhe kishte fituar shprehi praktike për nxjerrjen e rrufeshme dhe përdorimin me efektivitet të admirueshëm të armës. U ndodh i armatosur edhe më 1931, kur shkoi për kurim në Vjenë, edhe përgjatë udhëtimit, por edhe në mbrëmjen e 20 shkurtit, kur ndodhej në shfaqjen e një opere. Edhe pse dy atentatorët qëlluan në befasi, vetë Zogu u gjend i gatshëm të hapte zjarr më përpara edhe se shoqëruesit e tij, apo agjentët e policisë vjeneze.
Me nënën e tij kishte një lidhje të veçantë, më shumë intime e morale se sa marrëdhënia “Nënë-Fëmijë”. E konsideronte nënën si një këshillonjëse me vlerë, tek ajo kishte besim të palëkundshëm. Ushqimi për Mbretin gatuhej vetëm prej dorës së Nënës, e cila nën shoqërinë e rojes së armatosur, ia çonte ushqimin në zyrë të birit në një enë të mbyllur. Aplikonte një praktikë të veçantë proceduriale. Edhe në raste të rralla kur dilte nga pallati më së shumti shoqërohej nga nëna, me të cilën këshillohej për problemet e punës së përditëshme, të cilat i dëgjonte me respekt, por edhe bisedonte në intimitet të veçantë. Kështu mënjanonte dhe ndonjë rrezik për jetën e Tij, sepse zakoni i hakmarrjes, me Kanun e ndalon vrasjen e dikujt kur rrezikohet jeta e një gruaje. Kur duhej që të dilte pa nënën, merrte masa të plota që të ruante konspiracionin e lëvizjes duke mos vënë paraprakisht në dijeni asnjë njeri, por, në të gjitha rastet ishte i shoqëruar nga trupa speciale, por edhe nga një Detashment Kavalerie me mision të mirëfilltë, ruajtjen e jetës së Tij.
Masa të plota shoqërimi dhe ruajtjeje
Veprimtaria jashtë Pallatit Presidencial, kryhej me masa më të plota shoqërimi e ruajtjeje. Hollësitë e udhëtimit mbaheshin sekret sa më shumë që të ishte e mundur. Ato vendoseshin përfundimisht në çastin e fundit, vetëm një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh kishte dijeni për ato, të tjerët vepronin nën komandë. Shoqërohej gjithnjë nga një kontigjent i madh trupash, shumica e të cilëve ishte nga Mati, të cilët i çmonte nga më besnikët. Kishte një përsosmëri të lakmueshme në organizimin e ruajtjes e sigurimit kur shkonte nga Rezidenca në ndërtesën e Parlamentit. Ishte rrugë e shkurtër, por sigurohej me masa të plota shërbimi, disa prej tyre të cilave bëjnë përshtypje të veçantë si: dy anët e rrugës boshatiseshin krejt prej kalimtarëve dhe banorëve. Dyert e dritaret e shtëpive, që ndodheshin në rrugëkalim, mbylleshin sistematikisht. Në ‘to lëviznin vetëm ushtarë, policë dhe agjentë. Pemët zhvisheshin nga gjethet për të krijuar fushëpamje të qartë për të mbajtur nën kontroll rrugën. Lëvizja e A. Zogut kryhej në mënyrë që ai të ishte në vendin e duhur përpara orarit dhe në këto rrugë duhej lëviznin shumë të tjerë përpara tij. Kishte preferencë, që gjithë pjesëmarrësit e planifikuar në veprimtari, t’i  gjente në mjedisin e caktuar. Hollin e Selisë së Parlamentit e kalonte me hap të shpejtë i shoqëruar prej grupit të rojes personale. Udhëtime të gjata ndërmerrte rrallë, me përjashtim të atyre për pushime verore në Rezidencën në Durrës. Më 1927, për shkak të zhvillimeve të pazakonta në verën e vitit 1926, (të cilat u ndëshkuan me raprezalje të rrepta), për të përmirësuar imazhin personal e të Shtetit, ndërmori një udhëtim në Shkodër. Masat e sigurimit ishin të jashtëzakonshme. Gjithë rrugëkalimi Tiranë-Shkodër u patrullua me shumë kujdes nga forca të shumta. Vetë udhëtoi me makinë të blinduar, e cila i bënte paefekt plumbat dhe granatat. Lëvizja në rrugë u krye me shpejtësi. Në vendet ku shkoi agjentët, policët dhe ushtarët ishin prezent në sasi të madhe. Më 1928 pati planifikuar të vizitonte Korçën e Gjirokastrën, por nuk e realizoi sepse problemet e rendit ishin mjaft të acaruara. Vetëm pas 10 vjetësh planizoi dhe realizoi një vizitë në Vlorë dhe në vendlindjen e tij, në Mat, të cilin e kishte vendin më të dashur.
Edhe jashtë shtetit masa të plota sigurie dhe mbrojtjeje. Mbreti ishte veçanërisht i kujdesshëm gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Gjatë gjithë karrierës si drejtues i Shtetit kreu vetëm një të tillë, të imponuar nga gjendja shëndetësore e rënduar. U parashikuan e zbatuan masa të plota sigurie, por atentati kundër tij, jo vetëm që nuk u parandalua, por as edhe nuk u shmang. Më 26 janar 1931, përmes portit të Durrësit, u nis për në Vjenë, për t’u kuruar për një sëmundje të vjetër në stomak. Masat e sigurimit, edhe jashtë vendit, ishin  të plota dhe të përpikta. Nuk i tregoi askujt, me përjashtim të rrethit të tij të ngushtë familjar e shoqëror, se po shikonte mundësinë e një udhëtimi në Vjenë. Parlamenti u vu në dijeni prej një grupi deputetësh nën drejtimin e presidentit të Parlamentit, vetëm një natë para nisjes. Në Tiranë u vendosën 3 batalione ushtarake, për të qënë forcë e gatëshme për ndërhyrje sa më shpejt në rast emergjence, apo në se shpërthente ndonjë trazirë politike. Udhëtimi për në Durrës, filloi përpara kohës së planifikuar, i shoqëruar nga 4 motrat, nga Këshilli i Ministrave, nga Presidenti i Parlamentit dhe disa shtetas, që i konsideroheshin pjesë të elitës. Popullsia e Durrësit u njoh me të vërtetën vetëm kur kryqëzori italian “Quatro“ u largua prej portit. Gjatë udhëtimit për në Vjenë u shoqërua nga Abdurraham Krosi, një këshilltar personal tepër i besuar; nga mjeku personal J. Basho; nga dy rojet personale, major Llesh Topallaj dhe kapiten Çupi; nga Eqerem Libohova, me cilësinë e Ministrit të Oborrit, dhe nga Sokol Martini, një ndihmës i afërt dhe i besueshëm i tij.  Masa të plota sigurimi ishin parashikuar edhe në truallin austriak. Adjutanti i Mbretit, kolonel Serreqi, prej më se një jave u ndodh në Vjenë për të kryer përgatitjet e duhura. Shtypi nuk ishte informuar as për shkaqet e udhëtimit dhe as për vendin ku do të akomodohej. Ministri Fuqiplot austriak në Tiranë (shefi i trupit diplomatik S.R) kishte sugjeruar që, Zogu të vendosej në ndonjë vilë private ose në senatorium dhe jo në hotele luksoze, të cilat mund të bëheshin objekt grumbullimi dhe veprimtarie keqbërëse prej pranisë së emigracionit shqiptar në Austri. Policia vjeneze mori masa kufizuese për disa shqiptarë të njohur si antizogistë e me prirje agresive terroriste, emigrantë të tjerë i vuri në detyrim që të respektonin të drejtën e azilit në Austri. Ministri fuqiplot i Jugosllavisë dhe i Gjermanisë në kryeqytetin shqiptar, informuan si në Tiranë ashtu edhe në Berlin se, jeta e Mbretit ishte në rrezik, informacion, vërtetësia e të cilit ishte maksimale. Kjo edhe për një farë shkujdesjeje nga Mbreti, por edhe për ndonjë mungesë në organizimin e shërbimit të sigurimit. Kështu, vetë A. Zogu, në kundërshtim me natyrën e tij dhe rregullin e zakonëhëm, u vendos në Hotel “Imperial“, njëri nga më luksozët, bënte lëvizje pa njoftuar destinacionin dhe kohën, nga salla e operas, më 20 shkurt 1931, doli jo nga hyrja kryesore por nga një dalje anësore, dhe para kohe. Këto mangësi, mjaftuan që dy ish-oficerët shqiptarë, N. Gjeloshi dhe A. Çami, të realizonin atentatin ku mbeti i vrarë shoqëruesi i Mbretit, major Llesh Topallaj, që me trup mbuloi Mbretin, për ta mbrojtur me mjaft siguri nga të shtimet e dyta.
Pushimet në Durrës
Pushimet e verës në Durrës kryheshin në kushte të plota sigurie. Rrugëkalimi vrojtohej dhe kontrollohej nga një mase e madhe agjentësh; në rajonin e pushimit angazhohej një kontigjent i madh trupash; më se 600 trupa vendoseshin pranë Rezidencës, e cila ishte disa qindra metra larg nga vila, që ruhej prej një trupe të veçantë; ishte parashikuar edhe rreziku, që mund të vinte nga ndonjë sulm nga toka, prandaj, pranë rezidencës, të ndërtuar mbi sipërfaqen e ujit, ishte e pranishme e ankoruar një anije, që shërbente si roje, dhe që realizonte tërheqjen përmes detit. Më 20 mars 1931, Mbreti do të kthehej nga Vjena pas një udhëtimi plot peripeci të pakëndshme, qoftë për gjendjen shëndetësore por edhe për ato të sigurimit të jetës së Tij. Masat e sigurimit ishin të plota. Në rrugëkalimin Durrës-Tiranë, patrullonin 2 batalione këmbësorie, i veshur me uniformë xhandarmërie, të cilët kontrollonin gjithçka dhe me imtësi. Për të ndikuar pozitivisht psikologjikisht në popull, në aparencë gjithçka tregonte sikur s’kishte asnjë problem dhe nuk kishte ndodhur asgjë. Po ashtu kreu një gjest fisnik dhe etik, duke kaluar në revistë nderi mijëra të rinj paraushtarakë, të ardhur në shenjë nderimi dhe respekti për Mbretin. Në vitet e mëvonshme, ngjan se u druhej më pak plumbave vrastarë dhe fenomenit të frikës në tërësi, por kujdesin për ruajtje e sigurim, e kishte parësore edhe vetë. Atëmot edhe situata në vend ka evoluar për më mirë në pikëpamje të rendit e të qetësisë publike. Kriminaliteti kishte shënuar ulje, komuniteti ndihej më e garantuar e më e qetë në marrëdhëniet mes vetes dhe shtetin.
Martesa ndikim pozitiv në ruajtje
Më 27 prill 1938, Mbreti përjetoi një event të veçantë në jetën personale, familjare, por edhe kombëtare. Pas shumë dilemash vendosi që të martohej. Në pikëpamje të sigurimit dhe ruajtjes së jetës së tij, për shkak të forcës së pushtetit të Kanunit, do të kishte disi më pak probleme, pasi prania e bashkëshortes në veprimtaritë ceremoniale apo udhëtimet, lehtësonte punën e strukturave të ruajtjes. Atëmot gjithnjë e më shumë ndihet i gatshëm të ekspozohet në populli në mjaft mjedise të ndryshme. Me rastin e martesës doli para popullit të Tiranës, (natyrisht me masa të plota mbrojtjeje S.R), në rrugët e kryeqytetit me makinë të hapur. Rruga për në Durrës nuk ruhej më si zakonisht, dhe në disa terrene Çiftit Mbretëror ju rezervua një pritje emocionuese mirëseardhjeje nga populli. Kemi të bëjmë me një gjendje sigurie e qetësie publike të stabilizuar jo vetëm në Shqipërisë e Mesme por edhe në krejt territorin shqiptar.
Ruajtja më 1938 dhe të pastajmen
Pas vitit 1938 masat e sigurimit janë më të plota, por edhe më efikase, sepse stabilizimi i rendit dhe i qetësisë publike brenda vendit, çarmatosja e popullsisë në përmasa të konsiderueshme, kishte ulur intensitetin e veprimtarisë keqbërëse ndaj Mbretit dhe shtetasve ndjeshëm. Megjithatë, asnjëherë dhe për asnjë element të sigurisë e të ruajtjes nuk e pakësoi numrin e rojeve personale dhe as e nënvlerësoi atë si fenomen. Edhe kur iku jashtë vendit,(7 prill 1939 S.R) pas një rezistence të pasuksesshme përballë një fuqie ushtarake si Italia, do të sigurohej nga një suitë e madhe shoqëruesish. “Karvani mbretëror” së bashku me Qeverinë Shqiptare dhe shumicën e deputetëve, më 8 prill 1939 përbëhej prej disa automjeteve dhe rreth 1 500 vetësh, ndërsa më 27 qershor të po këtij viti, kur shkoi nga Franca për në Angli, shoqërohej me 34 vetë, nga të cilët 6 figuronin me identitetin e ordinancës së Nalt Madhërisë së Tij, por nga verifikimet e specializuara të mëvonshme, u pohua se ata ishin vetëm roje personale të armatosur. Ishte legjitime, që një Mbret i përzënë dhunshëm nga vendi i vet, të kishte një bërthamë bodigarde personale, ndoshta jo në këto përmasa, por gjithsesi prezente dhe efektive për t’u përballur në të gjitha situatat. Në Angli autoritetet shtetare i kërkuan fillimisht që të largohej, por perëndimi demokratik kishte kohë që kishte hyrë në rrugën e respektimit të të drejtave njerëzore, prandaj edhe u lejua azilimi në Angli, por me kusht, që për sigurimin e jetës së tij dhe të familjes ta bënte me njerëzit e tij.
Shërbim me besë dhe profesionalizëm.
Në se do të gjykojmë për shërbimin e ruajtjes dhe të sigurimit, duhet ta pranojmë pa mëdyshje, se kemi të bëjmë me një shërbim të përmbushur me korrektësi, me profesionalizëm, me besë dhe burrëri. Mund të jetë një rast i rrallë në botë, që bodigarda personale të tregohet aq e vendosur dhe aqë e vetësakrifikuar deri në vetmonim, për të garantuar jetën e personalitetit që shoqëron. Edhe vetë Mbreti këtë strukturë, e ka vlerësuar, e ka çmuar dhe e ka trajtuar në mënyrë krejt të diferencuar. Efektivin e bazës e përzgjidhte kryesisht nga radhët e malësorëve, të cilët për shkak të formimit psikologjik e shpirtëror, por edhe të forcës ndikuese të zakonit dhe ligjit kanunor, jo vetëm që e kanë për nder të shërbejnë pranë drejtuesve, titullarëve të të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore, por edhe të ndihen tërësisht të obliguar, që këtë ta konsiderojnë të shenjtë dhe për rrjedhojë të zbatueshëm, me çdo kusht e sakrificë. Kuadrin drejtues e komandues e përzgjidhte nga më të besuarit, dhe për ata ruante konsideratën më të veçantë edhe kur i thuhej apo i rekomandohej se, ata bëheshin pengesë në ngjitjen e shkallës së hierakisë apo në justifikimin e mbështetjes totale nga populli i vet. Analistët vërejnë gati në unison se, e meta më serioze e Mbretit Shqiptar ishte paaftësia për të gjykuar vartësit si dhe mos braktisja e mbështetësve besnikë. Kur M. Bajraktari e ballafaqoi me një oficer të Gardës, me pretendimin se kishte dashur të bënte atentat kundër Mbretit, Zogu, përkundrazi e liroi oficerin, duke u “justifikuar“ përpara M. Bajraktarit, se oficeri s’ kishte ndërmend t’i bënte asgjë të keqe. Me këtë qëndrim “vriste“ njëherësh dy zogj, sikurse autoriteti i Tij në popull merrte përmasa më të gjëra dhe humane. Në një rast tjetër, gati si i mësipërmi, Ai veproi përsëri me përzemërsi. Pati të dhëna të mjaftueshme komprometuese për një zyrtar të lartë shqiptar, që i kishte ofruar kryekuzhinierit të Mbretëreshës, një sasi të madhe të hollash, me synim që ai të dëmtonte shëndetin e çiftit Mbretëror përmes ushqimit. Mbreti “i zgjuar nga natyra“, siç është çmuar nga personalitete të huaj, por edhe i mirënjohur me veprimtaritë keqdashëse mbi kulisat e politikës plakë evropiane, me të cilët pati rastin të bashkëpunonte për mjaft kohë, në vend të hakmarrjes, me dinakëri, e fton zyrtarin, që të bujtë në një darkë në shtëpinë e Mbretit. Sapo Mbretëresha filloi të hajë ushqimin, “ankon për dhimbje“. Mysafiri i ftuar enkas, i shkujdesur, shtroi afërsisht pyetjen: “ç’ka ngrënë?” Pyetje e pamenduar mirë, e cila edhe e ekspozoi për qëllimin dashakeq, por edhe një mësim mjaft i mirë për dashakeqët!!
Ish-ministri i brendshëm deri në vitin 1938, Musa Juka, e vlerëson edhe sa: ”Mbreti Shpëtimtar dijti të tregohet i butë, kur qe rasa që të zbuteshin shqisje të ashpra, dhe dijti të tregojë grushtin, atje ku e pa se qëndronte kryelartësia e rrezikshme“. Mbreti Shqiptar në gjithë veprimtarinë e tij ka reflektuar përkujdesje dhe vlerësim pozitiv për shërbimin e ruajtjes dhe të sigurimit. Për t’i organizuar, për t’i aftësuar, për t’i përgatitur dhe drejtuar në veprime me efektivitet, Ai mori edhe instruktorë të mirëfilltë të aftë ushtarakisht nga Italia, Anglia, Austria, të cilët i mbajti deri në vitin 1938, kur e gjykoi se kishte krijuar një bërthamë të mirë të efektivit, e cila ishte në gjendje të garantonte jetën, rendin dhe qetësinë publike. Nëse për nëpunësit e zakonëshëm trajtimi financiar mujor mund të bëhej edhe me bllokime disa-mujore, oficerët i merrnin pagat rregullisht edhe atëhere kur mund të mos i merrnin deputetët e Parlamentit. Për ushtarakët e dalluar në kryerjen e  detyrave dhe për të rënët në krye të detyrës, aplikonte stimulime materiale, deri edhe në ngritje përmendore, sikurse ishte rasti për shoqëruesin e Tij personal Llesh Topallaj, të cilit i ngriti përmendore në kryeqytetin shqiptar në shenjë mirënjohjeje për veprën trimërore por sidomos morale dhe humane që ai kreu. Jeta e Mbretit të Shqiptarëve, për mjaft shkaqe dhe arsye, ka qenë e kërcënuar seriozisht dhe në vijimësi, por edhe masat për ruajtjen dhe sigurimin e Tij kanë qenë të nivelit bashkëkohor evropian, të cilat mund të jenë objekt referimi më së shumti për studim, se sa për përvojë edhe në ditët e sotme.

tiranaobserver.al